Qava një ditë prej mëkateve të mia të shumta dhe të mirave të mia të pakta, kështu që më rrodhi një pikë loti prej syri dhe më tha:

Çfarë ke o rob i Allahut?

I thashë: Kush je ti?

Tha: Jam loti yt

I thashë: Po kush të nxori?

Tha: Nxehtësia e zemrës sate.

I thashë i çuditur: Nxehtësia e zemrës sime! Po kush ma ka ndezur zemrën time me zjarr?

Tha: Mëkatet dhe gabimet.

I thashë: Pse, a paska mëkati ndikim në nxehtësinë e zemrës?

Tha: Po. A nuk e ke lexuar duanë e Pejgamberit, Alejhi selam, të cilën e bënte përherë: ”O Allahu im! Më pastro nga mëkatet me ujë, borë dhe akull”.
Mëkatet e njeriut janë pikërisht ato që ia ndezin zemrën zjarr, i cili nuk shuhet përveçse me ujë, borë dhe akull.

I thashë: Jam duke ndier frikë dhe pikëllim.

Tha: Kjo është rezultat i mëkateve, të cilat e bëjnë ithtarin e tyre pesimist, andaj pendohu tani tek Allahu!

Thashë: Jam duke ndier vrazhdësi në zemër andaj çuditem si pate mundësi të dalësh nga syri im?

Tha: Ajo është çështje natyrore, o rob i Allahut.

Thashë : Po çfarë është shkaku i vrazhdësisë së zemrës sime?

Tha: Dashuria për dynjanë dhe lidhja për të. Dynjaja i ngjan një gjarpri, lëkura e butë e të cilit të pëlqen, por të mbyt me helmin e tij. Njerëzit dëfrehen me butësinë e tij ndërsa nuk shikojnë në helmin e tij vrasës…

I thashë: Po çfarë ke për qëllim me ”Dynjanë”, o loti im?

Tha: Epshet e ndaluara, mëkatet, gabimet dhe pasimin e shejtanit… Kush shijon helmin e saj do t’i vdes zemra.

Thashë: Si t’i pastrojmë zemrat tona prej helmit?

Tha: Duke bërë pendim sistematik tek Allahu, subhanehu ve teala, duke udhëtuar në vatrat e pendimit, në vatrat e të penduarve, dhe këtë nëpërmjet trenit të atyre që kërkojnë falje…



Përshtati: Sedat Gani Islami