Një grua muslimane, është shenja e sakrificës dhe dashurisë së familjes. Ajo sikur ia përkushton jetën familjes, bashkëshortit dhe fëmijëve të saj. Gëzimi, lumturia dhe qetësia e tyre bëhen burim lumturie edhe për të.
Harxhimi i kohës së grave në rregullimin dhe punët e shtëpisë, kujdesi dhe përkushtimi ndaj bashkëshortit si dhe edukimi i kujdesshëm i fëmijëve, i ka kthyer ato në një zog femër që mirëkujdeset për çerdhen e saj.
Që nga periudha e të Nderuarit tonë, Muhamedit (a.s.), zonjat e sahabeve ndihmonin bashkëshortët në punët e tyre pasi që kishin mirëmbajtur shtëpitë e veta. Nëse do të duhej të jepnim një shembull, shumë të vlefshmit e Familjes Profetike dhe sahabeve, Fatimeja dhe Aliu kishin ndërtuar një familje model duke i ardhur në ndihmë njëri tjetrit. Këta dy të rinj që ishin rritur në duart e Profetit (a.s.), kishin vënë kurorë martesore po me duart e tij.
I dërguari i Allahut ia kishte ndarë detyrat, duke ngarkuar Aliun me punët e jashtme e Fatimen me punët e brendshme të shtëpisë. Pastaj i ishte shprehur kështu vajzës së tij: “ Bija ime, Fatime! Ti bëhu robëreshë e Aliut që edhe ai të bëhet skllavi yt…”
Duke u nisur nga kjo këshillë e të atit Fatimeja u mundua përherë të mos i shkaktonte asnjë shpenzim të kotë të shoqit duke u mjaftuar me ato çfarë zotëronte.
Kohën përtej kohës së adhurimit, ia kishte kushtuar mirëmbajtjes së shtëpisë dhe edukimit të fëmijëve. Nganjëherë tërhiqte dhe e barte vetë ujin nga pusi për në shtëpi, qepte vetë të gjitha rrobat e pjesëtarëve të familjes, bluante me mulli dore grurin. Madje nga kjo e fundit në duar i ishte formuar kallo, e për këtë shkoi pranë të atit që ai t’i caktonte një ndihmëse. I dërguarit i Allahut (xh.sh.), Muhammedi (a.s.), edhe pse i dhimbsej vajza e tij e shtrenjtë, nuk e gjykoi të përshtatshme që bija e tij të kishte një s shërbëtore ndërkohë që ishte i madh numri i nevojtarëve të shumtë në Medine. Atë e ngushëlloi duke i thënë: “Bija ime, Fatime, ka njerëz më nevojtarë se ti. Dhimbjet e kësaj bote piji për shijen e Ahiretit” Edhe Esmaja (r.a.), ndihmonte bashkëshortin e saj Zubejrin, po ashtu kujdesej për kalin, barte mbi kokë farë dhe bërthama hurmash. Ashtu sikurse zonjat muslimane kujdesen duke sakrifikuar tepër për shtëpinë dhe familjen e tyre, edhe bashkëshortët duhet t’i ndihmojnë me aq sa kanë mundësi zonjat duke ia lehtësuar punët.
Në këtë aspekt i dërguari i Allahut gjithnjë arnonte vetë, riparonte këpucët, mjelte qumështin e bagëtive, mundohej gjithnjë të kryente vetë nevojat e tij pa iu bërë barrë askujt. Përkujdesi, edukimi dhe rritja e fëmijëve është detyrë e përbashkët si e burrit ashtu edhe e gruas. Për këtë arsye, nëse ndonjëherë gratë lodhen apo mërziten nga punët e përditshme, burrat duhet t’i ndihmojnë ato. Shkurtimisht, në një familje muslimane secili duhet të mbështesë dhe të ndihmojë njëri tjetrin. Edhe pse sakrifica dhe përkushtimi i një personi të vetëm nuk humbet asnjëherë tek Allahu, duhet të dihet se një zog nuk mund të fluturojë vetëm me një krah. Të dy palët duhet të ndihmojnë njëri tjetrin me aq sa kanë mundësi. Pikërisht kjo është rruga e qetësisë shpirtërore dhe e lumturisë!
Zahide Topçu
Etika 10