Të përhapësh Dritën…

Ata që hodhën firmat e tyre në faqet e “Drita Islame” nuk do të harrohen kurrë. Më të shquarit shkëlqyen si frymëzues, si pararendës dhe si bartës ndryshimesh të rëndësishme. Ata e kryen në mënyrë të shkëlqyer detyrën e tyre, duke e pasuruar biografinë, traditën dhe historinë e shtypit shqiptar islam, duke bërë që bashkëkohësit, ne sot, por edhe brezat e ardhshëm t’i kujtojnë me respekt për atë që bënë dhe për atë që lanë pas.

Në kohët moderne dilema që shtrohet është: një komunitet prodhon një revistë, apo një revistë prodhon një komunitet? Pohimi i thukët i një dileme të tillë bardh apo zi, ndoshta do të ishte i papërshtatshëm, kur dihet se një revistë pa një komunitet lexuesish-prodhues nuk do të ekzistonte, e po ashtu edhe një komunitet pa instrumente komunikimi vështirë të mbijetonte. Përdorëm termin “lexuesit-prodhues” për të shprehur bindjen se komuniteti i lexuesve është bashkëprodhuesi i një reviste apo i çdo lloj mjeti të komunikimit masiv. Pra, dilema e mësipërme merr trajtën e zgjidhjes vetëm nëse ajo shihet si një simbiozë mes dy aktorëve, revistës dhe komunitetit-lexues, pra një marrëdhënie dypalëshe e pandërprerë. Kontributi i dyanshëm ndërmjet revistës dhe komunitetit shtron një terren të përshtatshëm për mbarëvajtjen e marrëdhënies dhe zhvillimin e saj.

Ky epilog ishte i nevojshëm për të sqaruar të gjithë lexuesit e revistës “Drita Islame” se kontributi i tyre në nxjerrjen dhe përmirësimin e herëpashershëm të saj është i paçmuar. Edhe nëse shkronjat e tyre nuk gjenden në fletën e bardhë, besimi, idetë dhe aspiratat tona të përbashkëta na bëjnë bashkudhëtarë të këtij rrugëtimi.

Nuk ia vlen të flasim për rëndësinë e një mediumi të tillë, pasi të gjithë jemi të vetëdijshëm se çfarë ndikimi ka sjellë në shoqëri fjala e shkruar. Këtë na e ka ngulitur shekuj më parë i dërguari i Allahut, i cili vlerëson penën e një dijetari si gjakun e një martiri. Dinamika e zhvillimeve të shoqërisë së sotme, përpos të metave të panumërta, na dhuron një vijë të përbashkët me atë që thotë profeti Muhamed a.s. Në vend të armës ne sot kemi mundësinë që me anë të penës t’u tregojmë të gjithëve, atyre që janë me ne, atyre që duan të jenë me ne, por edhe atyre që na refuzojnë se kush jemi e çfarë jemi të aftë të bëjmë, se cila është shoqëria që ne duam të shohim të ndërtuar.

Vizioni që Krijuesi ka mishëruar përmes Librit dhe të Dërguarit të tij te ne, mund të shprehet më së pakti me një revistë. Nëpërmjet saj ne japim atë që dimë dhe marrim atë që duhet marrë. “Drita Islame”, sot, është një oazë në kënetën e turbullt të medias shqiptare. Vizioni i saj nuk janë interesat e ngushta parciale të individëve apo grupeve të orientuara drejt parasë a pushtetit.

Vizioni i saj është një botë e pastër nga dobësitë njerëzore, një botë e moralshme, një shoqëri e dëlirë, e lidhur fort pas kontratës me Krijuesin e saj. Ne të gjithë jemi bashkëpërgjegjës dhe bashkudhëtarë në ndërtimin e kësaj shoqërie. Ne duhet të ndërgjegjësohemi se vetëm të bashkuar rreth idealeve tona, mund të dëlirësojmë shoqërinë komplekse që na rrethon.

Ndoshta një revistë është një pikë ujë në oqean, por është element përbashkues, është një hapësirë që bashkon idealet tona. Duke i dhënë jetë asaj, i japim jetë komunitetit tonë, i japim jetë vetvetes. Pa këto ideale ne do të ishim thjesht një turmë e çekuilibruar që endet në dimensionet boshe të kësaj bote.

Krijuesi na nderoi duke na qartësuar rrugën e tij. Le të ecim të sigurt në këtë rrugë drejt qëllimit të fundmë. Le të bashkohemi që këtë revistë ta shndërrojmë në simbolin tonë. Na kujtohet numri i parë i gazetës pas shembjes së sistemit antinjerëzor. Ishte si një rreze dielli pas një nate të gjatë.

Sot, 24 vjet më pas, në numrin total të saj të 397-të dhe të 50-in si revistë, “Drita Islame” është në rrugën e duhur, më profesionale, më e plotë, por me një rrugë të gjatë përpara. Ajo duhet të fitojë rolin e një reviste që të ketë ndikim në zhvillimet e shoqërisë shqiptare.

Deri më sot kemi arritur ta bëjmë pjesë të komunitetit të myslimanëve, në të ardhmen dëshirojmë që ajo të jetë zgjedhja e parë e të gjithë shqiptarëve. /Revista Drita Islame/