Të dhënat statistikore (1):
Emri ndërkombëtar në anglisht: Burkina Faso.
- Emri zyrtar: Burkina Faso.
- Sistemi i qeverisjes: Republikë.
- Sipërfaqja: 274,200 km².
- Numri i banorëve: 15.746.232 (2009).
- Dendësia: 57.4 (banorë në 1 km²).
- Feja: Myslimanë 65% (shumica e tyre suninj), katolikë 8%, protestantë 7, animistë 19%.
- Kryeqyteti: Uagadugu, që konsiderohet qyteti më i madh në vend.
- Qytetet (Ndarjet administrative) të tjera kryesore: Bubuxhulazo, Iguia, Banfora dhe Didogo.
- Grupet etnike: Mossi 40%, Gurunsi, Senufo, Lobi, Bobo, Mande dhe Fulani 60%.
- Gjuhët kryesore: Frëngjishtja (zyrtare), mossi, xhola, fullaka, bosinga, groshi dhe samugo.
- Njësia monetare: Frangu i Afrikës së Mesme (1. 00 xof = 0.0015 EUR).
- Data e pavarësisë: 5 gusht 1960.
- Festë kombëtare: 11 dhjetor (1958).
Pozita gjeografike
Burkina Faso është shtet afrikan, i cili shtrihet në pjesën perëndimore të kontinentit. Është një shtet i vogël, shumë i varfër, i prapambetur dhe me një përqindje të madhe të analfabetizmit. Republika e Burkina Faso-s është e kufizuar me gjashtë shtete afrikane dhe nuk ka dalje në det. Nga veriu kufizohet me Malin me një gjatësi 1000 km; nga lindja me Nigerinë me gjatësi 628 km; nga juglindja me Beninin me gjatësi 306 km; nga jugu me Togon me një gjatësi 126 km; po ashtu nga jugu me Ganën me gjatësi 549 km; nga jugperëndimi me Bregun e Fildishtë me një gjatësi 584 km. Burkina Faso konsiderohet nga shtetet e Saharës së Madhe të Afrikës. Emri i Republikës ka qenë Volta e Epërme deri më 4 gusht 1984, kur Presidenti i vendit, Tomas Sankara, e ndërroi dhe e quajti Burkina Faso, që do të thotë: Vend i të Lirëve. Toka e vendit është rrafshnaltë, e mbuluar me shkëmbinj të fortë, si dhe mbledh një sërë luginash dhe lumenj të shumtë. Pika më e lartë e vendit është ajo e malit Ratnakwero, me një lartësi deri në 747 metra(2). Nga populli i Burkina Faso-s 20% nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë, rreth 32% e fëmijëve të vendit ndjekin arsimin fillor, por vetëm 6% e tyre vazhdojnë mësimin në shkolla të mesme. Universiteti Uagadugu është i vetmi në vend(3).
Në Burkina Faso ka gjithsej 34 aeroporte, por vetëm dy prej tyre janë të asfaltuara. Gjithashtu, vendi posedon rrugë hekurudhore(4).
Uagadugu: Si kryeqytet i Burkina Faso-s është edhe qendër administrative, kulturore dhe ekonomike e vendit. Ashtu siç është qyteti më i madh, po ashtu ka edhe popullsinë më të madhe. Sipas statistikave të vitit 2006 ka arritur 1.475.223 banorë. Emri i qytetit, shpesh është shkruar Ouaga, kurse banorët janë quajtur ouagalianë. Industri kryesore e kryeqytetit konsiderohet përpunimi i tekstilit; shitblerje industriale bëhen në njërin prej aeroporteve ndërkombëtare të vendit, nga lidhjet hekurudhore me Abixhan-in e Bregut të Fildishtë dhe me Kaja-n në veri të vendit dhe me një autostradë të Niamejit të Nigerisë. Ky kryeqytet, llogaritet edhe qendër tregtare, prandaj, me të drejtë, konsiderohet nga tregjet më të mëdha të Afrikës Perëndimore. Emri i këtij kryeqyteti daton nga shekulli i 15-të, kur fiset Jonjonse dhe Ninsi kishin banuar këtë zonë. Kryeqyteti gjendet në një rrafshnaltë qendrore, ku është ngritur pallati perandorak i Naaba Mogho-s. Duke qenë një qendër administrative e sundimit kolonialist, ai u bë një qendër e rëndësishme urbane edhe në periudhën pas kolonializmit(5).
Historia e Burkina Faso-s
Besohet se nga fiset më të njohura të vendit konsiderohen edhe fiset Mosi, të cilat në shekullin e 4h/10m kishin emigruar nga Lindja e Afrikës dhe ishin vendosur aty. Këto fise, që në fillim kishin themeluar mbretëri të vogla dhe në aspektin fetar ishin idhujtarë, ndonëse vendet përreth ishin me shumicë myslimane.
Me kalimin e kohës, fiset Mosi iu nënshtruan mbretërisë myslimane të Mali-t, pastaj në shekullin e 8h/14m u bënë pjesë e Perandorisë myslimane Sangaj. Kurse, në kohën kur shtetet myslimane në këtë rajon u dobësuan dhe pas përparimit të francezëve drejt këtyre vendeve, mbretëria e fiseve Mosi ekzistonte mu në Uagadugu, kryeqyteti i sotëm i Burkina Faso-s. Prandaj në vitin 1314h/1896m Franca nënshkroi marrëveshje me sunduesit e mbretërisë së fiseve Mosi. Dhe vetëm pas 8-të viteve nga pushtimi francez i këtyre vendeve, Franca këto ua bashkoi vendeve të Nigerisë, të cilat njiheshin si kolonia (franceze) e Senegalit të Sipërm dhe e Nigerisë. Pastaj, në vitin 1338h/1920m Franca ndërhyri prapë dhe vendet e fiseve Mosi i bëri koloni të pavarura, të cilat u njohën me emrin kolonia (franceze) e Volta e Epërme – emri i vjetër i Burkina Faso-s(6). Më datën 11 dhjetor 1958 Volta e Epërme (Burkina Faso), brenda Komunitetit Francez fitoi statusin e republikës autonome, dhe kjo datë llogaritet si Dita e Republikës dhe konsiderohet festë kombëtare e shtetit. Ndërsa, më datën 5 gusht 1960, Volta e Epërme fitoi pavarësinë nga Franca dhe u bë Republikë e pavarur(7).
Historia e përhapjes së Islamit në Burkina Faso
Për të diskutuar rreth thelbit të Islamit dhe myslimanëve në Burkina Faso, do të duhet të bëhej një pyetje e rëndësishme, që është: Kur ka depërtuar Islami në Afrikë? Dhe, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje të rëndësishme, detyrimisht do të duhej të kthehemi prapa, në fletët e Historisë Islame, për t’u thelluar dhe për të vështruar ngjarjet historike, pra, në kohën e Umer in Hat-tabit r.a. Egjipti u çlirua nga Amër ibnu-l- Asi r.a., dhe Feja Islame filloi të përhapej në ato rajone. Egjipti në atë kohë ishte portë e madhe dhe konsiderohej bazë e çlirimit të Afrikës Veriore. Në kohën e Uthman ibn Af-fanit r.a., u zgjeruan çlirimet në Afrikë, dhe Uthmani r.a. në vitin 27 h caktoi Abdullah ibn Sa’d ibn Ebi Serehun – mëkëmbës në Egjipt – në krye të një ushtrie myslimane, e cila numëronte deri 20 mijë ushtarë, i cili u nis në drejtim të Afrikës Veriore.
Atje myslimanët arritën të çlironin qytetin Subejtile dhe disa zona rreth tij. Qyteti Subejtile bie në juglindje të Tunisit të sotëm; qyteti ekziston deri në ditët tona. Në këtë luftë, Abdullah ibn Zubejri, si një komandant dhe pjesëmarrës i kësaj lufte, arriti të vriste mbretin e berberëve (Xherxhirin). Me rastin e vrasjes së mbretit të tyre, berberët, pavarësisht se ishin me numër të madh, pësuan disfatë të madhe. Kjo fitore ishte konsideruar një triumf madhështorë në Afrikë. Pastaj, në kohën e Muavije ibn Ebi Sufjanit, çlirimet e myslimanëve morën përmasa të mëdha, bile me një përkushtim shumë më të thellë se herëve të tjera. Muaviu dërgoi Ukbe in Nafi’i El Fihriun – komandant i shquar – në zonat e sipërpërmendura. Sukseset e Ukbe’s në këto rajone ishin të mëdha, ngase në vitin 50h/670 m ai arriti të themelonte qytetin Kajrevan, të cilin e bëri kryeqendër të myslimanëve në ato rajone. Kajrevani u llogarit pikënisje e çlirimeve të vazhdueshme në kontinentin e Afrikës, dhe si rezultat u çliruan edhe këto qytete: Tilimsan, Kenxha, Tripoli etj.. Kështu Afrika Veriore nën ombrellën e Islamit, ishte dëshmitare e stabilitetit në ato rajone dhe më gjerë. Pra, kësodore Feja Islame vazhdoi të qëndronte fuqishme në rrugëtimin e saj në drejtim të Jugut të Saharës. Më pastaj, tregtarët myslimanë luajtën rol të rëndësishëm shumë aktiv dhe bënë përpjekje të mirë në përhapjen e Islamit në Jug të Saharës. Rrugët tregtare lidhnin qendrat islame në veri të kontinentit me vendet përtej Saharës. Ato rrugë ishin urë lidhëse reale, përmes të cilave Islami depërtonte në zemër të Afrikës dhe më gjerë. Po kjo vlen edhe për rrugët tregtare të Atlantikut, të cilat luajtën një rol të çmuar rreth përpjekjeve të tregtarëve në përhapjen e Islamit në vendet perëndimore të kontinentit, në të cilat bën pjesë edhe Volta e Epërme (Burkina Faso)(8).
Klima - Burkina Faso ka klimë tropikale të ngrohtë. Gjatë verës të reshurat janë më të dendura, ndërsa dimri është kryesisht i thatë. Shi bie pak, vetëm në jugperëndim të vendit, kurse në pjesët verilindore të tij të reshurat atmosferike janë më të mëdha. Vendi karakterizohet nga dy stinë gjatë vitit: Nga dimri i thatë dhe vera me të reshura të dendura, prej qershorit deri në shtator. Klima në vend është e ftohtë nga nëntori deri në mars, kurse prilli dhe maji janë të thatë. Vera e nxehtë fillon nga qershori e zgjat deri në tetor, dhe ajo shoqërohet me reshje shiu(9).
Gjendja ekonomike - Kultivimi i lopëve në ekonominë e Burkina Faso-s llogaritet veprimtaria më e rëndësishme në vend, prandaj eksportimi i kafshëve të vendit, përbën një të tretën apo edhe më shumë të të ardhurave të eksportit. Shumica e tokës prodhuese në vend gjendet në lugina të lumenjve. Fermerët i përdorin ato toka kryesisht për kultivimin e drithërave
ushqimore, si fasule, grurë, misër, mel, oriz etj.. Gjithashtu kultivohen edhe këto prodhime bujqësore si: pambuk, kikiriki, arra Shija (një bimë, farat e së cilës përmbajnë yndyrë, që përdoret për prodhimin e sapunit), etj.. Burkina Faso eksporton në Bregun Fildishtë dhe në Gana kafshë - lopë, dhi dhe dele, kurse në Francë eksporton pambuk dhe arra Shija. Ndërsa, nga Franca dhe nga shtetet anëtare të Unionit Evropian importon prodhime ushqimore dhe pajisje bujqësore. Shumë të rinj të vendit shkojnë në Gana dhe në Bregun e Fildishtë për të punuar në plantacione të kakaos dhe kafes, për një periudhë prej dy ose tre vjetësh. Paratë e dërguara në vendin e tyre, llogariten një pjesë e rëndësishme e të ardhurave në Burkina Faso10. Prodhime vendore të pasurisë tokësore, kryesisht janë magnezi, guri gëlqeror, bakri, nikeli, boksiti, mermeri, ari, argjendi, zinku, plumbi dhe fosfat. ●
(1) - Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, f:. 41. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, f:. 102, 103. Logos-a, 2009, Shkup.
(2) - Vladimir ZOTO., ibid f, 41. http:// ar.wikipedia.org/wiki. http://www.marefa.org/index.php.
(3) - http://www.marefa.org/index.php.
(4) - Amir B. Ahmeti., ibid f, 93.
(5) - http://en.wikipedia.org/wiki/Ouagadougou.
(6) - Dr. Ismail Ahmed Jagi, Mahmud Shakir; Tarihu-l-Alemi-l-islami El hadithi vel- muasiri, f: 219. Darul Merih, Rijad – Mbretëria e Arabisë Saudite.
(7) - Vladimir ZOTO., ibid f, 41.
(8) - http://niaoune.maktoobblog.com.
(9) - http://niaoune.maktoobblog.com10 - http://www.marefa.org/ index.php.
Mr. Samir B. Ahmeti
Dituria islame nr. 238