“Dialogu ndërfetar në këndvështrimin Islam”

Tashmë prej disa kohësh janë ndërmarrë nisma dhe hapa konkretë në fushën e dialogut ndërfetar nëpërmjet bashkëpunimit midis shkollave të larta teologjike në Shqipëri, mbështetur edhe nga komunitetet fetare respektive.

Kështu pas bashkëpunimit në organizimin e disa simpoziumeve ndërfetare në fushën akademike në Universitetin Bedër, në Institutin Teologjik Katolik dhe në Akademinë Teologjike Ortodokse, janë zhvilluar edhe takime reciproke lidhur me fushat teologjike të secilës palë, zhvilluar si leksione të hapura me studentët, të cilët kanë pasur mundësi të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje lidhur me njohuritë e besimeve të tjera fetare.
Leksioni i radhës ka qenë pikërisht ai i mbajtur në Institutin Filozofiko-Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër, ku të ftuar kanë qenë Dr. Genti Kruja, Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH, si dhe z. Lauren Luli, kryevaiz në KMSH, të cilët janë gjithashtu dhe pedagogë në Universitetin Bedër. Në këtë takim ishte i pranishëm gjithashtu edhe z. Hysni Skura, asistent në Departamentin e Shkencave Islame, si dhe disa studentë të këtij departamenti.
Ata fillimisht janë pritur nga Drejtori i Institutit Teologjik Katolik Dr. Mario Imperatori, i cili ka vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm në fushën e dialogut ndërfetar në fushën akademike.
Më pas është kaluar sipas programit në leksionin e hapur, ku në pjesën e parë të takimit gjatë diskutimit të tij Dr. Kruja foli mbi këndvështrimin islam të dialogut ndërfetar. Për këtë ai u bazua në librin e shenjtë, Kur’anin dhe në Traditën Profetike, duke vënë theksin mbi argumentet, që flasin për lirinë e besimit, Islamin, si fe të paqes dhe mirëkuptimit, duke nënvizuar se besimi duhet të jetë një realitet, jo i imponuar, por i përqafuar me liri të plotë nga të gjithë njerëzit. Në këtë kontekst ai analizoi një sërë tekstesh dhe marrëveshjesh historike, ku sipas tij dallohet mjaft qartë shpirti i paqes dhe i bashkëjetesës në Islam, duke filluar që me “Kartën e Medines” të Profetit Muhamed (a.s.), “Marrëveshja e Hz. Umerit (r.a.)” për banorët e Jeruzalemit, e deri te “Deklarata e Marrakeshit”, mbajtur në fillim të këtij viti në një konferencë nga dijetarë dhe personalitete islame të mbledhur nga shtete të ndryshme të botës, lidhur pikërisht me trazirat dhe keqpërdorimin e fesë dhe nocioneve të saj kohët e fundit.
Në përmbyllje të ligjëratës ai foli gjithashtu për realitetin shqiptar, ku bashkëjetesa dhe dialogu ndërfetar janë diçka, që lindin dhe rrjedhin natyrshëm në jetën e përditshme mes anëtarëve të të gjitha besimeve në vendin tonë. Për këtë një meritë të jashtëzakonshme kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë krerët fetarë, të cilët më shumë se sa me fjalë, kanë dhënë shembullin e tyre me vepra, duke vazhduar të ushqejnë një klimë të thellë dialogu.
Në pjesën e dytë të takimit ligjëroi z. Lauren Luli, i cili foli për një temë të rëndësishme dhe delikate, siç është “xhihadi”. Ai ka shpjeguar me hollësi, duke u mbështetur në argumente kur’anore dhe profetike kuptimin dhe nocionin e vërtetë të fjalës “xhihad”, duke shmangur keqkuptimet e mëdha, që grupime të ndryshme i bëjnë kësaj fjale.
z. Luli, shpjegoi gjithashtu edhe domosdoshmërinë e të kuptuarit dhe interpretuarit të Kur’anit vetëm nga ekspertë të kësaj fushe, të cilët janë dijetarët myslimanë, që nëpërmjet komentimeve të sakta na përçojnë mesazhin hyjnor në kuptimin e drejtë të tyre.
Pas fjalës së dy pedagogëve e referuesve auditori i ka drejtuar disa pyetje lidhur me tema të ndryshme, duke marrë edhe përgjigjet përkatëse./DI/

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/4_1464170052.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1464170102.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1464170116.jpg[/img]