Veteranët e luftës, dëshmi e gjallë e historisë

Kujtimet e Imer Zmajl Ukshinit të Morinës, rrethina e Gjakovës - Marr në banesën e tij në Gjakovë, përmes shënimeve në një bashkëbisedim, në pasditen e datës 13.11.2007 dhe paraditen e datës 14.11.2007.

Ishte i disati takim që po merrja me Imer Zmajl Ukshinin e Morinës, duke shënuar pak e nga pak, në ngut e sipër nga kujtimet e tij, kjo vinte nga mungesa e kohës, por këtë radhë iu shtrova punës më gjatë dhe nga një bashkëbisedim me atë mora shënime më shumë se çdo herë tjetër. Marrja e këtyre shënimeve u organizua, duke e pyetur atë, përmes bashkëbisedimit, tregimit të lirë nga e tij dhe prapë se prapë duke e plotësuar përmes pyetjeve dhe sqarimeve të herë pas hershme, për ngjarje persona të ndryshëm që kishin bërë emër në historinë e malësisë e Gjakovës e në Kosovë. Ai kishte pasur fatin dhe rastin që në disa ndodhi të jetë vëzhgues okular; në disa të tjera dëgjues e bashkëbisedues dhe ku e ku edhe pjesëmarrës ose protagonist ngjarjesh të ndryshme. Për këto raste atë e kishte ndihmuar edhe fakti tjetër , se duke qenë nip i Hoxhajve të Gashit, kishte pasur mundësinë që me shumë figura të Malësisë së Gjakovës, që i përkasin periudhës së luftës së II-të Botërore dhe një pjesë të të cilave rrethanat e kishin sjellë që të ishte nga Hoxhajt e Gashit, me ta ai kishte pasur kontakte të afërta, duke i dëgjuar bisedat e tyre në odën e burrave të shtëpisë së tij, kur ishte prezent, ose në momente të ndryshme dhe duke bashkëbiseduar edhe me ta. Gjatë periudhës së luftës dhe pas, ai me Ramë Mujë Hoxhën, Tahir Avdullah Hoxhën, Ramë Ozman Hoxhën, e përmes tyre edhe me Ejup Binakun e Gjakovës, Selman Rizën e Gjakovës, misionarët anglezë që kanë gjetur strehën dhe kanë buajtur në shtëpinë e tij për dymbëdhjetë ditë e net.
Me rastin e botimeve të kujtimeve të Imer Zmajl Ukshinit të Morinës, është me rëndësi që ti themi dy fjalë për jetëpërshkrimin e tij të shkurtër, i cili në vete ose indirekt i ndriçon ato duke sjellë momente nga situata e atëhershme, politiko-shoqërore dhe të luftës etj. Ai është një fshatar i thjeshtë por i ndershëm e patriot, nga fshati Morinë i Komunës së Gjakovës, që rrjedhë nga një familje tipike e traditave më të mira të malësorëve në veçanti edhe të Kosovarëve në përgjithësi, me origjinën e tyre të hershme nga Mirëdita. Ka lindur më datën 02.08.1923, në fshatin Morinë të rrethinës së Gjakovës. Kur ishte në moshën 22 vjeçare, në vitin 1945, shkon për afër 2 muaj ushtar në Tropojë, periudhë kohe e cila i shënohet edhe si partizan. Ky mobilizim u realizua me iniciativën e tij dhe me ndërhyrje sepse atë e kishin kërkuar që të mobilizohej dhe të shkonte për Ulqin, ashtu siç shkuan dhe u mobilizuan edhe qindra e mija Kosovarë, për të cilët tani dihet përfundimi i kaluarit të tyre të mundimshëm e fundi i tyre tragjik.
Për tu mobilizuar dhe për të shkuar në Ulqin, nga pa dijenia xhaxhai i tij Isuf Ukshini kishte qenë dakord, por djali i xhajës, Brahimi e kishte kundërshtuar dhe kishte këmbëngulur duke thënë: “ Jo pa u shkrumbua ky truall, nuk do të shkojmë në Ulqin, sepse Fadili (Fadil Hoxha) nuk është duke i lënë as magjupt e Gjakovës me shkue atje dhe diçka është në këtë mesele, që nuk shkon”. Për këtë rast nëna e tij ishte shumë e merakosur sepse atë e kishte djalë të vetëm e të rritur jetim dhe duke parë se nuk kishte pa u angazhuar me forcat partizane. Shkon në Tropojë, nga ku edhe ishte vet, që të gjej ndonjë zgjidhje të përshtatshme. Kur shkon në Tropojë nëna e Imerit e takon Bajram Manin e Man Arifit të Hoxhaje, kushëri i sajë me qëllim që ai të ndërmjetësonte me mikun e tij, Mustafë Adullahin e Geghysenit, në zgjedhjen e ati halli, sepse ishte z/komandant i forcave ushtarake në Tropojë. Pas kësaj ndërhyrje u rregullua që Imeri të shkonte ushtar në Tropojë. Atje ka shërbyer në komandën e vendit dy muaj kohë dhe gjatë atij shërbimi ata quheshin partizan. Gjatë kohës së shërbimit të tij në Tropojë, Imeri tregon se komandant të komandës të rrethit kishin pasur Ali Niman Droçin e Tplanit, komisar kishin pasur Mehmet Ramen e Koçanaje, kurse nga nëpunësit tjerë të asaj komande ishte Ramë Zeqiri, i Zeqir Halitit të Krasniqës, i cili ky i fundit më vonë përfundoi në burgun komunist dhe vdiq atje. Gjatë kohës sa Imeri ka shërbyer në Tropojë, detyra e tyre ishte të ruaj dhe të ndjek bandat e ndryshme dhe kaçakët e malit duke organizuar shërbim patrullë e ndjekje të tyre nëpër male etj. Njëra nga detyrat kryesore që kishin pasur ato forca kishte qenë edhe ruajtja e Ramë Mujë Hoxhës dhe Tahir Adullah Hoxhës (nip e axhë), se mbase do të ktheheshin në Tropojë, apo ata do të organizonin ndonjë veprimtari kundër pushtetit komunist. Imeri edhe pse ishte nip i tyre, meqenëse ishte nga Kosova, këtë fakt nuk e dinin eprorët e tij. Ai tregon se: Në një rast kishte shkuar në U.B. nga një fshat në rrethet e Gashit dhe kishte raportuar se në Rrugë të Gashit, një shtëpi po u jep bukë Ramë Mujë Hoxhës dhe Tahir Adullah Hoxhës. Ai për këtë rast tregoj: Se ajo ishte shtëpia e shitësit të “Rrugës së Gashit” dhe me atë rast na u dha detyra të shkojmë dhe të ruajmë atje, në Rrugën e Gashit, tek ajo shtëpi. Në atë aksion ai tha se isha unë, Kasap Syla i Bujanit dhe ajet Zeneli i Bujanit dhe na ishte dhënë detyra të shkojmë në dispozicion të U.B. i cili nuk dëgjonte mirë me veshë. Kasapi ishte shpirt i mirë. E kishte porositur që të thoshte shitësit: “hape derën se jam ....(në emër të korrierit të Ramë Mujës )” por nuk po më kujtohet emri i tij. Meqenëse U.B. nuk dëgjonte mirë, Kasapi me qëllim që shitësin ta paralajmërojë për rrezikun që i kanosej, ai përveç porosisë së marr “Hape derën se jam filani (emri i korrierit)...” shton nga vetja e tij, “se po vijnë partizanët”, për ti dhënë atij të kuptojë lidhur me situatën dhe se nuk ishte korrieri i Ramë Mujës. Shitësi e kuptoi situatën dhe nuk e hapi portën. Ky qëndrim i shitësit e shpëtoi atë, se po ta hapte portën kemi pasur urdhër ta arrestonim në vend dhe ta merrnim me vete, për në burgun e Tropojës.
Imeri tregon se më vonë nga viti 1949 deri në vitin 1950, gjithsejtë 18 muaj i kishte bërë ushtar në ushtrinë Jugosllave.
Ai thotë se ushtria atëherë ishte 24 muaj, por dy muajt e ushtrisë që kishte kryer në Tropojë si partizan, iu barazuan me gjashtë muaj dhe këto iu zbriten nga shuma totale. Pjesën tjetër të jetës, Imer Zmajl Ukshini është përpjekur që ta jetoi me nderë e me dinjitet dhe ia ka arritur që atë ta fitoi përmes shumë vështirësisë që ka kaluar si çdo njeri shqiptar nën regjimin komunist të Titos në Jugosllavi. Imeri ka rritur me frymën e traditave më të mira të fshatit, krahinës dhe ato të Kosovës dhe ka edukuar shtatë fëmijët e tij, nga të cilët katër vajza dhe tre djem. Gjatë jetës së tij i ka rënë të përjetonte luftën e dytë botërore, shtypjen dhe përndjekjen e regjimit slavo- komunist të Titos, atë të Sllobodan Millosheviçit dhe së fundit në vitin 1999 edhe luftën përfundimtare për çlirimin e Kosovës, kundër makinerisë ushtarake të Sllobodan Millosheviçit. Por në luftën e fundit dhe finale për Kosovën, gjatë kryerjes së detyrës në shërbim të atdheut, ai ka humbur edhe njërin nga djemtë e tij Muhametin, i cili i përkiste radhëve të UÇK-së dhe sot është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Imeri edhe sot e kësaj dite edhe pse në moshën e thyer, mbahet i fortë. Ka “braktisur” fshatin që nga viti 2000 me katër nga fëmijët e tij, Nafijen, Nurijen, Ajetin dhe Smajlin dhe jetojnë në mënyrë të qetë në qytetin e Gjakovës. Edhe në këto kushte, në disa element të traditës shekullore të popullit shqiptar, vazhdon që t’i bëjë “sfidë” qytetarisë së Gjakovës, qytetari e cila edhe pse e spikatur ndër përmbushjen e kushteve të traditave tona të mira, është e dhënë pak sa pas vetës e interesit të tyre të ngushtë. Imeri edhe këtu në Gjakovë e realizon “karshillëkun” e jetës së tij familjare, të traditës së fshatit, pak sa individualiste, e të qetë në terezinë e vet, duke i ruajtur traditat e mira të fshatit të tij ku është lindur, rritur dhe “pjekur”. Përfundimisht me jetën e “zhurmshme” të pritjeve e përcjelljeve të shumta të mysafirëve dhe miqve, prania e të cilëve ia gëzon konakun. Këtë traditë të mirë të tij të familjes së tij duke se ua ka kultivuar e futur në gjak edhe fëmijëve të tij. Ai është një besimtar i devotshëm, jo i vetëm në respektimin e riteve të fesë myslimane, por edhe në zbatimin e të gjitha porosive edukative dhe humane që predikon kjo fe. Nga bashkëbisedimet e gjata e të mirëpritura nga ana e tij mora këto shënime të cilat janë renditur për temat vijuese, si më poshtë vijon:
1)- Ndarja e Ramë Mujës me xhaxhain e tij Tahir Hoxhën dhe përpjekjet e këtij të fundit për mbijetesë, duke jetuar si kaçak mali në Shqipëri dhe në Kosovë.
2)- Shkaku për të cilin kanë nisur konfliktet në mes mretit Zog dhe Rrustem Bajramit të Hoxhajve të Gashit.
3)- Pengimi nga Mujë Hoxha i orvatje të ndryshme ndërmarr nga paria e Krasniqes, për transferim në N/Prefekturës nga Tropoja për në Kolgecaj.
4)- Arratia nga Shqipëria të Ramë Azmonit dhe Shpend Halilit, përndjekur nga regjimi i Zogut dhe afrimi i tyre me Gani Beg Kryeziun dhe familjen e tij.
5)- Përpjekjet e Gani Beg Kryeziut, për të penguar planet e ish mbretërisë së Jugosllavisë, për shpopullimin e Kosovës nga popullsia Shqiptare dhe organizimi i emigrimit të tyre për në Turqi.
6)- Përpjekja e Fadil Hoxhës për të bindur Gani Beg Kryeziun, për tu futur nën ombrellën e shtabit të KOSMETIT.
7)- Aspekt nga përgjegjshmëria apo tradhtia e KKSH ndaj shqiptarëve të Kosovës e Malit të Zi, të cilët pasi ikin nga regjimi serbo – sllav i Titos dhe emigronin për në Shqipëri, ridorëzoheshin prapë nga këta në duart e xhelatit, pa ditur dhe pyetur më tutje për fatin e tyre dhe fundin e sigurt dhe tragjik që i priste.
8)- Pohimet në ambiente “kofidenciale” të UDB-es, Vllado Vigjenoviçit, lidhur me disa nga prapaskenat e kurdisura nga UDB-ja në kohën e Rakoviçit, për likuidimin e një kryetari komune në Kosovë, i cili kishte fituar besimin e popullsisë të asaj Komune.
9)- A ishte në të vërtetë Ramë Muja komunist dhe pse ai “akuzohej” për të tillë nga opinioni i thjesht nacionalist i Kosovës.
10)- Lidhur me vajtjen e dy misionarëve anglez gjatë luftës së II-të Botërore, në Morinë të Gjakovës dhe qëndrimi për disa ditë i tyre aty.
11)- Disa aspekte të fundit të luftës së dytë Botërore të lëvizjes nacionaliste të bytyçasve në Malësinë e Gjakovës, të udhëhequr për një periudhë kohe të gjatë nga Gani Beg Kryeziu, kjo sipas përjetimit dhe kujtimeve të Imer Zmajl Ukshinit të Morinës.
Si dhe i tretmanëve tjera kofidenciale, të cilat akoma nuk e kanë rëndësinë dhe aktualitetet për tu botuar.
Në këtë numër gazete do të botohen vetëm disa nga temat me kujtime të Imer Zmajl Ukshinit dhe ato janë:
1)- Përpjekjet e Gani Beg Kryeziut për të penguar planet e ish mbretërisë së Jugosllavisë, për shpopullimin e Kosovës nga popullsia Shqiptare dhe organizimi i emigrimit të tyre për në Turqi.
2)- Disa aspekte të fundit gjatë luftës së dytë Botërore të lëvizjes nacionaliste të bytyçasve në Malësinë e Gjakovës, të udhëhequr për një periudhë kohet të gjatë nga Gani Beg Kryeziu, kjo sipas përjetimit dhe kujtimeve të Imer Zmajl Ukshinit të Morinës. Kurse për sa i përket temave të tjera do të gjendet rast dhe mënyra e botimit të tyre.
---------------------O-----------------------------
1)– Përpjekja e Gani Beg Kryeziut për të penguar planet e ish mbretërisë Jugosllavisë, për shpopullimin e Kosovës nga popullsia Shqiptare dhe organizimi i emigrimit të tyre për në Turqi. Gjatë Kohës së Luftës së II-të Botërore, afërsisht një ose dy vjet pa e sulmuar Hitleri Jugosllavinë, kishte qenë bërë një marrëveshje, me sa duket në mes të Serbisë dhe të Turqisë. Kjo marrëveshje ishte bërë për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të Kosovës, nga aty për Anadoll, vend në të cilin ua kishin ndërtuar edhe barakat e strehimit. Kjo politikë ndiqej në mënyrë të maskuar, sikur gjoja shqiptarët donin vet për të shkuar atje, me vullnetin e tyre të lirë. Aq prezente ishte në atë kohë zbatimi i asaj politike, sa që me atë rast për të jetësuar zbatimin e sajë, në fshatin Brovinë , rrethinë e Gjakovës kishin shkuar disa disa cernogoras (Malazez) për të parë shtëpitë, ku atyre përfaqësues të shtetit u kishin thënë se do të sistemoheshin për banim e jetesë.
Me atë rast, cerrnogorasit ishin zënë me njëri tjetrin dhe rrahur, sepse nuk kishin rënë dakord në ndarjen se kush ta kishte më të mirën nga banesat e shqiptarëve që akoma ishin në to.
Kur njerëzit kanë pyetur njëri tjetrin, se çfarë kanë ata që po zihen me njëri tjetrin, ata që kanë ditur shkakun, janë përgjigjur se ata po zihen dhe po rrihen për shtëpitë tona, duke pretenduar se cili ta marrë më të mirën për vete!
Për këtë ndodhi të jetuar, ai tha se më kanë treguar disa pleq të Brovinës.
Njëri quhej Nimon Haxhia, kurse tjetri Nimon Sejda, të dy nga fshati Brovinë.
Imeri ka treguar se lidhur me këtë ndërmarrje për dëbimin e shqiptarëve, naçellniku kishte pas organizuar një mbledhje në Gjakovë dhe për atë qëllim kishte planifikuar të aktivizonte imamët e xhamive dhe kryepleqtë, me qëllim që përmes tyre të realizonte planin dhe ata të nënshkruanin kërkesat se ngjashme popullsia shqiptare e Kosovës, po kërkon të shpërngulet për në Turqi.
Imeri tregon se ditën që ishte thirr mbledhja, ajo kishte pas dështuar, sepse në të nuk kishin marr pjesë të gjithë të ftuarit e sajë e kanë shtyrë për tu organizuar edhe një herë tjetër 4-5 më vonë.
Pas rastit të dështimit të mbledhjes së parë organizuar, Miftari (kryeplaku) Babaj të Bokës, Mehmet Rama, meqenëse kishte pasur kohë të mendonte kishte thënë me veten e tij që të shkoj njëherë ti tregoj e ta pyes për këtë problem edhe Gani Beg Kryeziun, se çfarë është duke u bërë me ne.
Pikërisht lidhur me këtë rast, më ka treguar Ramë Ozmani i Hoxhaje të Gashit, i cili rrinte te Gani Beg Kryeziu dhe më ka thënë: “ Ka ardhur Mehmet Rama i Babaj të Bokës tek banesa e Gani Beg Kryeziut në Gjakovë, në oborrin e banesës më takue mue, që isha aty në at rast”.
Rama më ka thënë për Mehmetin se më ka pyetur a është Gani Begu këtu.
I thash se është në gjumë dhe po futem brenda dhe të shoh nëse është zgjuar apo jo. Kur u futa në dhomën ku po rrinte Ganiu, atë e gjeta zgjuar dhe i tregova se po donë të takojë Mehmet Rama i Babaje të Bokës. Ai e pruni kërkesën e tij dhe menjëherë e ka pritë, pasi është ulur i ka sjell kafenë dhe janë dvet (pyet) me njëri tjetrin. Pasi ata janë dvet me njëri tjetrin, i thotë Mehmet Rama: Gani Beg, jam ardhur me të pyetur diçka.
Urdhëro i thotë Gani Begu! Ai filloi menjëherë të tregojë, duke i thënë Ganiut se po e kërkonin të shkonte në Turqi.
Pasi Gani Begu i ka dëgjuar këto fjalë, me nervozizëm është ngritur në këmbë dhe sikur ta kishte pickuar gjarpri, ka filluar të eci poshtë e përpjetë kuturu në dhomën ku po rrinim.
I revoltuar në kulm Ganiu filloi që të thoshte “ kush me shkue në Turki, na jemi shqiptarë e në vendin tonë”.
Pasi qetësohet i ka thënë Mehmet Rames: “as të mos e bëni atë gabim, se ne jemi shqiptarë e jo Turq” dhe ka vazhduar prapë që të sillet nëpër dhomë shumë i shqetësuar.
Biles daja Ramë për atë rast më ka thënë se ndryshe nga çdo rast tjetër që e kishte zakon, Gania nuk ka ditur as ta përcjellë Mehmet Ramen e Babaje të Bokës dhe kam dalë unë dhe e kam përcjellë atë. Pas kësaj bisede menjëherë, pa u vonuar e me shqetësim ani Begu ka marrë dhe u ka shkruar letrat, Ferat Beg Dragës në Mitrovicë, Sherif Vocës dhe Çdo kund tjetër, ku i ka pasur bazat e veta. Përmes atyre letrave i ka njoftuar ata për rrezikun me shpërnguljen që po u kanosej shqiptarëve. U ka dhënë porosi atyre që për atë qëllim të punojnë me popullatën, e të mos e lëshojnë atë të shpërngulet për në Turqi. Afërsisht pas një muaji nga kjo që ndodhi, Gani Begun e kanë përzënë nga Gjakova, ia kanë hequr edhe emigrantët që rrinin me të, të vetëm e kam quar në Beligrad, për të mos guxuar të kthehet prapë aty. Kurse vëllaun e Ganuit, Hasan Begun, me një pjesë të emigrantëve e kanë dërguar në Sarajevë dhe i kanë thënë të mos guxojë të shkelë në Gjakovë. Me këtë rast Ganiut ia hoqën edhe mandatin (statusin) e emigrantit që e kishte fituar pasi ishte larguar nga Shqipëria. Po ashtu Gani Beg Kryeziut ia kanë hequr edhe shpërblimin që merrte si emigrant, ashtu sikurse emigrantët e tjerë shqiptarë që ishin në Jugosllavi dhe kjo situatë ka vazhduar derisa në vitin 1941, kur e ka sulmuar mbretëria Jugosllave Italinë në territoret e pushtuara nga ajo në Shqipëri. Me këtë rast edhe Gania u nis për në Shqipëri, në krye të disa forcave kryengritëse shqiptare. Pas pushtimit të Jugosllavisë nga forcat pushtuese hitleriane, Gani Begu Kryeziu e ka ngritë ushtrinë e vet në Vlad të krahinës së Bytyçit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
2)- Disa nga aspektet e fundit të lëvizjes nacionaliste të bytyçasve në Malësinë e Gjakovës, gjatë luftës së dytë Botërore të udhëhequr për një periudhë kohë të gjatë nga Gani Beg Kryeziu, kjo sipas përjetimit direkt dhe kujtimeve të Imer Zmajl Ukshinit të Morinës. Në pragun e përfundimit të luftës së dytë Botërore, vjen tek shtëpia e djalit të xhaxhait, Ejup Binaku dhera i thotë atij: “ Kam me shkue e me marr do armatim tek Gani Beg Kryeziu, në Vlad të Krahinës së Bytyçit në Malësinë e Gjakovës dhe duhet me më nimue për këtë qëllim”. Me Ejup Binakun na ka pas njohur Ramë Ozmani dhe Shpend Halili, të këta nga Hoxhajt e Gashit, kurse me Selman Rizën e Gjakovës na kishte njoftuar Ejup Binaku. Në atë rast e dëgjova Ejupin ka i thotë Brahimit, djalit të xhaxhait: “ -.... kjo është me porosi të Syejman Rizës. Ati i kanë thënë anglezët se po e çliruat Gjakovën me forcat e juaja, do të biem ushtarë me parashuta e do tu mshtesim”. Ai shtoi në bisedë e sipër me Brahimin, se për këtë qëllim duhej mobilizuar ushtarë sikurse i ka mobilizuar në Vlad të krahinës së Bytyçit edhe Gani Beg Kryeziu. Pasi të realizohej kjo të kërkohej edhe misioni anglez e të vinte për tu vendosur më vendqëndrim në Morinë, ashtu sikurse ishte edhe ai pranë forcave të Ganiut në Bytyç. Edhe armët duheshin për këtë qëllim. Një natë më parë se sa ajo ditë që erdhi Ejupi për këtë qëllim, Brahimi ishte larguar nga ushtria shqiptare që vepronte në Vitomericë të Pejës dhe ishte i lodhur dhe nga kjo lodhje i thotë Ejupit: “ – a po të duhna të vi si ushtar i thjesht, apo si Brahim”. Jo i thotë, si ushtarë i thjesht. Pas kësaj përgjigje i thotë Ejupit të më marrë mua dhe jemi nisur së bashku për në Vlad të krahinës së Bytyqit, unë, Ejup Binaku dhe Sahit Uka i Molliqit. Kur shkuam në Vlad gjetëm shtabin e Gani Begut, të vendosur në çadra në krye të fshatit të Vladit. Shkon Ejupi në çadra të Ganiut dhe e takon atë dhe i tregon për qëllimin e vajtjes atje, por Ganiu që e kishte pas njohur mirë situatën, i kishte thënë: “ Ik more Ejup, se e kanë marr vendin komunistat deri në Zhur. Janë ka i mobilizojnë në ushtrinë e tyre dhe çobat e fshatit dhe kush nuk u bindet e mobilizojnë me zor në brigadë”. – “Këto fjalë i kam ndigjue nga Ejup Binaku, kur u kthyem në shtëpinë tonë në Morinë”, - Ato po ja tregonte Brahimit. Kur jemi nda nga shtabi i Gani Begut, pa u vonuar kemi marr rrugën e kthimit për në Morinë të Gjakovës dhe jemi ngjitur shpatit për në Qafën e Qukut, që i takon pjesës veriore të Vladit. Gjatë asaj rruge Sahiti po vinte me kalë për dorë, kurse ne të dy, unë dhe Ejup Binaku po ecnim afër njëri tjetrit, pak më para se Sahiti. Kur kemi shkuar nga gjysma e shpatit, posht në fushë e më tutje i kemi parë shtarët duke ecur një nga një dhe larg njëri me tjetrin, askund nga dy bashkë!
Kur i kemi parë ushtarët, Ejupin e kanë lëshuar këmbët, ai ishte me opinga gogishte e me themra të grisura. Thotë Ejupi: -“mozomakeq për për ne, ti ik se ska nana ma tjetër djalë, e po të marrë në qafë kot”. Kur Ejupi mi tha këto fjalë, i kamë thënë se kur kamë ardhë me ty e kam dit se nuk jam duke shkuar në dasëm, por në luftë dhe çfar do që të bëhet me ty, të bëhet edhe me mua. Po këto fjalë ia ka thënë edhe Sahit Uka i Molliqit, biles ai edhe më rrept se unë. Njëri nga batalionet, i I-ri (për nga pozicioni në fusë të Vladit) mori drejtimin e në krahun e majtë të fushës së Vladit dhe rrethoi Gani Begun me ato pak forca që kishte në atë rast me vete. Kurse njëri nga batalionet, ai i II –ti për nga radhitja në fushë, e mori drejtimin e djathtë të fushës për në Qafën e Gjone. Kurse një Batalion, i III-ti ishte më mbrapa në pozicionin e mesit, në drejtimin tonë. Në atë rast Ejupi tha se n.q.s na thërrasin ushtarët, po e vrasim kalin dhe po vendosemi pas tij që të luftojmë. Ata nuk na thirrën edhe pse ne të tre ishim të armatosur me pushkë dhe na shifshin qartë, sepse na u patëm afruar deri në 70 – 80 metra.
Pasi i rivlerësuam rrethanat, e vendosëm Ejupin në kali dhe vazhduam të ngjiteshim përpjetë shpatit për në Qafën e Qukut, jemi liruar nga ankthi i të pa priturave dhe aty Ejupi i thotë Sahit Ukës që të vinte avash me kali, kurse unë dhe Imeri po shkojmë nëpër Tropojë, se atje janë xhandarët e Tahir Hoxhës, e nuk na pengojnë për të kaluar. Kemi kaluar Lug të Zi, nëpër Prifç, nëpër fshatin Kasaj, kemi kaluar Qafën e Morinës dhe më në fund kemi arritur në Morinë tek oda e burrave të djalit të xhaxhait, Brahimit.
Kur jemi futur në odën e burrave, Ejupi ka filluar për ti treguar Brahimit për të gjitha ndodhitë dhe shtoi se me këtë ditë mbaroi Kosova, mbaroi Shqipëria dhe se vendin e mori shkau. Pas kësaj ndodhie, Ejupi përkohësisht u vendos në shtëpinë tonë, në Morinë. Me atë rast dërgoi dhe e mori në Gjakovë gruan dhe fëmijët. Kurse unë ia lëshova dhomën time të gjumit për tu vendosur me gjithë familjen e tij. Gruan e Ejupit e quanin Fetie, ishte Gjakovare. Kurse fëmijët i quanin Shqiponja, e cila ishte rreth 16 vjeçare, tjetren e quanin Fellenzë dhe ishte rreth 14 – 15 vjeçare, kurse djalin e quanin Fatos ishte afro 7 – 8 vjeçar. Afërsisht pas tre javësh të qëndrimit të Ejupit në shtëpinë tonë, ai e dërgon Brahimin për tu takuar me Fadil Hoxhën. E porosinë për ti thënë se: - “ ka thënë Ejup Binaku a’ka mundësi me ardhur në ushtrinë tënde”. Ejup Binaku e ka pasur shkollën për prefekt . Para se të dilte në mal, me urdhër të Selman Rizës në kohën e Italisë, kur e kishin zënë Fadil Hoxhën në burg, e kishte shpëtuar atë. Fadili e pranoi kërkesën e Ejupit dhe atë e bëri komandant të një brigade partizane. Kurse më vonë, pasi rrinë afërsisht 4-5 muaj në Gjakovë, e heton se po duan ta arrestojnë. Së bashku me Ahmet Krajkën e Gjakovës, kanë ikur nga Gjakova të maskuar me sofrabez të grave dhe kanë dalë në mal koçak. Ejupi ka ndenjur koçak nëpër male për afro 2 – 3 muaj dhe më fund ka përfunduar në Amerikë.



Marrë përmes shënimeve dhe përshtatur për botim nga Agron Isa Gjedia.
Gazeta Bytyçi
Përgatiti: E.Rexha


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)