Pas takimi mes myftiut të Kosovës, Naim ef.Tërnava dhe ministrit të Diasporës, Valon Murati, është rënë dakord që në të gjitha xhamitë e Kosovës, një pjesë e ligjëratës së xhumasë t’i kushtohet regjistrimit të popullatës shqiptare nga diaspora që arrin në Kosovë për pushimet verore.
“Ju jeni në dijeni se nga regjistrimi i fundit ka dalë se numri i qytetarëve të Kosovës nuk e ka arritur shifrën dy milionë. Kjo si shkak edhe i neglizhimit të regjistrimit nga ana e vetë popullatës shqiptare, sidomos atyre në diasporë,” thuhet në fjalimin e hoxhës në një prej xhamive të kryeqytetit.
Apeli i plotë, me të cilin imamët e xhamive u janë drejtuar xhemateve të tyre:
“Ministria e Diasporës edhe sivjet vazhdon me projektin e regjistrimit të diasporës sonë. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe diasporën tonë sepse përmes bazës së të dhënave të krijuar nga regjistrimi, institucionet e vendit do të kenë informata më të sakta lidhur me numrin e bashkatdhetarëve tanë, profesionet e tyre dhe të ngjashme, e në këtë mënyrë do të mund të hartojnë politika më të mira karshi diasporës. Kështu do të mund të identifikohet potenciali ynë jashtë vendit dhe do të mund të rritet bashkëpunimi me interes reciprok në fusha të ndryshme.
Për regjistrimin e bashkatdhetarëve kërkohen vetëm informata bazike të cilat do të mbeten konfidenciale dhe do të jenë vetëm në shërbim të shtetit.
Ashtu sikur vitin e kaluar edhe sivjet, zyrtarët e Ministrisë së Diasporës, të cilët do të merren me regjistrim, do të jenë të vendosur në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, nëpër sheshet e qyteteve dhe objektet komunale. Gjithashtu, regjistrimi mund të bëhet edhe online.
I ftojmë të gjithë bashkatdhetarët që t’i përgjigjen kësaj thirrjeje dhe të regjistrohen. Gjithashtu, ju bëjmë thirrje të gjithë ju që t’i motivoni të afërmit tuaj në diasporë që t’i përgjigjen këtij procesi për të mirën e vendit tonë.”