Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë pritet të rivitalizohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. E më pas, edhe rindërtimi i Xhamisë së Ibrit në cepin verior të urës kryesore mbi këtë lumë.
Kështu u tha në takimin që pati kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, me anëtarët e grupit punues të Qeverisë së Kosovës për bisedimet me Qeverinë e Serbisë në Bruksel, Edita Tahiri, Arben Çitaku dhe Rashid Çalaj,
Në kuadër të këtij takimi, ministrja Tahiri dhe kryetari Bahtiri bashkë me delegacionin kanë takuar edhe Kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Asllan Murati, me të cilin kanë biseduar edhe për çështjen e xhamisë së Ibrit që ishte shkatërruar gjatë luftës gjenocidale të Serbisë në Kosovë.
z.Murati tha se kjo xhami është me vlera kulturore-fetare dhe rindërtimi i saj duhet të bëhet sa më shpejtë dhe për këtë kërkoi edhe përkrahjen e autoriteteve qendrore të Kosovës. Ministrja Tahiri tha se Qeveria e Kosovës vlerëson dhe përkrahë këtë kërkesë legjitime dhe se kombi shqiptarë ka si pasuri të veçantë të tri religjionet dhe se kemi qenë historikisht të suksesshëm në luftën tonë për liri, sepse jemi unik në doktrinën tonë kombëtare se kombi shqiptar është para çdo feje. Ajo bëri me dije se delegacioni i Kosovës në Bruksel ka mbrojtur para autoriteteve të BE-së çështjen e moscenimit të truallit të kësaj xhamie e cila do duhet të rindërtohet mbi projektin autentik të vjetërsisë së saj dhe në lokacionin ku ka qenë. Ajo tha se kryetari Bahtiri ka prezantuar në Bruksel fakte që kanë dokumentuar ekzistimin, pronësinë dhe shkatërrimin e xhamisë në kohën e luftës. Ministrja Tahiri tha se pas përfundimit të revitalizimit të urës dhe heqjes së barrikadës do të krijohen kushtet urbanistike që kjo xhami të rindërtohet dhe të realizoj misionin e saj në shërbim të besimtarëve.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1469086673.jpg[/img]