Bëhu shi në kohën e thatësirës!

Të veprosh në të tashmen dhe të mendosh për të nesërmen, duhet ta njohësh të kaluarën.

Njeriu për të gjykuar gjendjen e tanishme të vetes dhe shoqërisë fillimisht duhet ta përkujtojë të kaluarën e të parëve të tij. T'i njohë rrethanat, gjendjen, përjetimet, ngadhënjimin dhe islamin e tyre. Sidomos ne si femra kemi nevojë ta marrim si model femrën myslimane e cila padyshim u edukua me Islam të mirëfilltë, u pajis me dije dhe moral të lart si dhe trasoi rrugën e pastër e të drejtë islame.
Ne sot mburremi për avancim dhe civilizim, por a ndalemi të mendojmë se si kemi arritur deri këtu? A e shfletojmë historinë e mbushur me suksese në të gjitha fushat e jetës? Përveç tjerash, cili ishte roli dhe rëndësia e gruas në jetën familjare dhe shoqërore? Çfarë kontributi dhanë ato në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë dhe me plotë vullnet?
Ndoshta të gjitha këto, në shikim të parë, duken se nuk kanë ndonjë lidhshmëri me kohën në të cilën jemi dhe me mënyrën e jetës tonë bashkëkohore.

Nga e kaluara e artë

Një ndër zërat e shumtë që ngrihen kundrejt Islamit është cenimi i të drejtave të grave dhe mosinkuadrimi i tyre në shoqëri. Sot, kërkohet barazia gjinore, të drejtat e gruas e të ngjashme, por këtë problematikë e ka sqaruar Allahu në Kuranin e shenjtë, kur thotë: "Myslimanëve dhe myslimaneve, besimtarëve e besimtareve, të dëgjueshmëve e të dëgjueshmeve, të sinqertëve e të sinqertave, të durueshmëve e të durueshmeve, të përulurve e të përulurave, edhe meshkujve që japin sadaka, edhe femrave që japin sadaka, edhe meshkujve që agjërojnë, edhe femrave që agjërojnë, edhe femrave që kujdesen për pjesët e turpshme të trupit të tyre, edhe meshkujve që e përmendin shpesh Allahun, si edhe femrave, Allahu me të vërtetë u ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.”(1)
Umu Amar një ditë shkon te Pejgamberi a.s., dhe i ankohet duke i thënë se ajetet që zbresin po u dedikohen vetëm meshkujve e jo edhe femrave?! Atëherë zbriti ajeti i lartpërmendur, për të treguar se të gjitha vlejnë për të dy gjinitë, si për mashkullin ashtu edhe për femrën, d.m.th. se femra nuk është e neglizhuar dhe e lënë anash ashtu siç mendojnë shumë njerëz që nuk e kuptojnë drejtë Islamin, por është e barabartë në të gjitha çështjet. Kujto sa e kaluara jote të ka dhënë nderë! Ajo e kaluar tregon se kush ke qenë në të vërtetë.
Femra në shoqërinë islame gjithmonë ka pasur rol të veçantë. Ajo është ngritur për vlerat dhe virtytet e veta, është mbrojtur dhe ruajtur si gjëja më e shenjtë e shoqërisë. Mirëpo sot, me keqardhje mund të themi se gjendja ka ndryshuar shumë te një pjesë e madhe. Sot, femra myslimane pothuajse e ka harruar detyrën e saj të shenjtë, edukimin e brezave të rinj, dhe njëkohësisht kontributin në shoqëri. Ajo ka filluar t'i humbas normat e moralit, e besimi i saj është zbehur, saqë i ka harruar porositë pejgamberike. Imitimi i verbër i femrës moderne të Perëndimit, keqkuptimi i gjërave brenda fesë, moskryerja e obligimeve dhe detyrave, ka bërë që ajo të jetë larg avancimit dhe zhvillimit. Kjo gjë mendoj se është për t'u shqetësuar; ka filluar të ndizet një alarm brenda nesh, mirëpo ne nuk jemi duke e parë sepse fokusimi ynë është diku tjetër.
Nga jeta e sahabeve mund të nxjerrim shumë dobi dhe mësime, po tani t'i përmendim vetëm disa nga ata shembuj që neve na e rikujtojnë se femra myslimane ka qenë shembull i punës, sakrificës dhe vetëbesimit. Ndër njerëzit e parë që pranuan Islamin ishte Hadixheja r.a., një grua me autoritet dhe e respektuar nga të gjithë. Dëshmorja e parë që sakrifikoi jetën për Islam ishte Sumeja r.a., e cila kishte vendosmëri të palëkundur. Esma, e bija e Ebu Bekrit, vetëm për të qenë e dobishme në mesin ku jetoi, udhëtonte nëpër shkretëtirë për t'ua dërguar ushqimin Resulullahit dhe babait të saj. Ajo e dinte që i kanosej një rrezik i madh nga mushrikët kurejshë, por e bënte udhëtimin duke e pasur për mbrojtës Allahun xh.sh. Aisheja r.a., qe një grua e cila gjatë jetës që jetoi me të Dërguarin a.s. mblodhi hadithe të shumta, pa të cilat sot shoqëria islame nuk do të ishte e plotë.
Prej grave thirrëse-daviste në karvanin e thirrjes në Islam ishte edhe Umi Sherik, kurejshitja e Beni Amirëve, e cila shkonte te gratë e kurejshëve fshehtazi dhe i thërriste në Islam.(2) Për këtë ajo pësoi shumë vuajtje dhe mundime fizike, por nuk e ndërpreu rrugëtimin e thirrjes në të vërtetën.
Të gjitha këto femra, si edhe shumë e shumë të tjera, dhanë kontribut të veçantë në sfera të ndryshme ku kishin mundësi. Këtu dua të shtoj edhe diçka: të gjitha këto femra që i përmendëm ishin të ushqyera me mësimet islame, e morali i tyre ishte në një shkallë të lartë; interesoheshin për fenë e tyre dhe mësonin nga pyetjet që i bënin.
Në vazhdim do ta sjellim një shembull nga jeta e ndritur e Muhamedit a.s., i cili në ditën e marrëveshjes së paqes në Hudejbi kishte hyrë tek Umi Seleme (gruaja e tij), dhe ishte ankuar se u kishte urdhëruar shokëve të tij të thernin kurbanet dhe t'i rruajnë kokat, por ata nga keqardhja nuk e kishin kryer urdhrin. Atëherë Umi Seleme i tha: "O Pejgamber i Allahut, a gëzohesh kur e bëjnë këtë? Dil dhe mos fol gjë me asnjërin prej tyre, gjersa të mos therësh devenë (kurban), dhe gjersa ta ftosh berberin për ta rruar kokën.”- pas kësaj Pejgamberi a.s., doli dhe bëri ashtu siç i kishte thënë Umi Seleme, r.a.”(3)
Të gjithë e dimë se Pejgamberi a.s., ka pasur dije të gjerë dhe vendime të sakta, mirëpo ai nuk ka hezituar të pranojë këshillë nga ndokush tjetër, e sidomos nga gratë e tij. Kështu kanë vepruar edhe shumë shokë të Muhamedit a.s., duke u nisur nga Omeri r.a., i cili shpeshherë është këshilluar me Aishen r.a., pra në gjërat që kanë të bëjnë me gratë dhe me jetën familjare.

Realiteti i hidhur

Ky ishte një kapitull i shkurtër i të kaluarës sonë të artë, ndërsa tani le t'i kthehemi faqes së jetës sonë. A e kemi pyetur veten nëse zemra jonë është e mbushur me besim dhe sinqeritet ndaj Allahut xh.sh?! A jemi të lidhur aq sa duhet me librin e Zotit, Kuranin?! A e kërkojmë diturinë aq sa nevojitet, në mënyrë që ta njohim veten dhe krijimin e këtij universi?! Këto, si edhe shumë pyetje të tjera, duhet t'ia shtrojmë vetes secili, në mënyrë që pas analizimit të tyre të marrim një qëndrim ndaj realitetit që po mbizotëron në kohën tonë post-moderne. Marrja e zakoneve tëhuaja dhe të dëmshme nga imitimi i të tjerëve tregon mangësinë dhe perspektivën e pavlerë. Mendon se ato femra gëzojnë të drejta dhe liri më shumë sesa ti?!Krahas këtij mendimi kemi një të vërtetë që na e përshkruan profesor Muhamed Jusuf Musai. Gjatë kohës kur ai po mbronte doktoraturën në Paris, në librin e tij "Islami dhe nevoja e njeriut për të”, shkruan dhe tregon një rast interesant: ”Jetonim në një shtëpi, ku na shërbente një femër franceze. Nga sjellja dhe karakteri i saj kuptohej se rridhte nga një familje e ndershme dhe autoritare. Nuk ishte prej atyre femrave që e ngacmojnë epshin, e as nuk ishte e përdalë, si dhe nuk ishte prej atyre femrave që e reklamojnë trupin nëpër lokale të natës. Ishte një vajzë që e kryente punën e saj me nder dhe respekt. Për këtë vajzë pyetëm zonjën e shtëpisë ku banonim, e ajo na tha: "A e njihni filanin, atë tregtarin me famë?” ”Po”- i thamë. Pastaj zonja na tregoi se ai ishte xhaxhai i saj. "Si është e mundur të lejojë që vajza e vëllait të tij të shërbejë në shtëpi të huaj?" - pyetëm ne. "Kjo vajzë duhet të ankohet në gjyq dhe të kërkojë që për nevojat e saj jetësore ta ndihmojë xhaxhai i saj, e jo të punojë shtëpive të huaja." - thamë ne. Atëherë zonja e shtëpisë, duke buzëqeshur, na tha: "Cili gjyq do të gjykonte për të? Pse a ekzistojnë rregulla të tilla?” ”Po." - i thamë ne, kemi një sistem të tillë që çdo vajzë si kjo do të kishte mundur ta ngrejë zërin kundër xhaxhait të saj, dhe ta detyrojë atë të bëhet mbikëqyrës i saj, të jetë e sigurt për nevojat e përditshme.” Ndërsa zonja në fund tha: "Sikur ky sistem të sundonte ndër ne, nuk do të ishte parë ai varg femrash të cilat që nga mëngjesi e deri në mbrëmje punojnë nëpër fabrika, tregje e kompani të ndryshme. Ato janë të detyruara të punojnë kështu, sepse nuk mund të gjejnë njerëz për t'i financuar dhe për t'u kujdesur për to materialisht.”(4)
Mendojmë se nuk ka asnjë pengesë që femra të punojë, nëse ajo dëshiron apo shoqëria ka nevojë për kontributin e saj, qoftë si mjeke, edukatore, mësuese etj., mirëpo kjo të bëhet nga vullneti i saj e jo të jetë detyrim për t'i mbijetuar kohës së egër, siç ndodh me "femrën e emancipuar" moderne.
Islami është ai që gruan e nderon dhe e ngrit, duke ia mundësuar kujdesin e Vazhdueshëm në çdo aspekt. Nëse je ende vajzë, ti ndodhesh nën përkujdesjen e babait; nëse je motër, kujdesin e merr vëllai, po që se je grua, burri e ka për detyrë të të furnizojë dhe të kujdeset për ty, e nëse jenë në, kujdeset biri yt. Edhe në qoftë se je pasanikja më e madhe e vendit, apo ke pasuri të mjaftueshme për të jetuar, barra qëndron mbi kujdestarin tënd. Kjo gjë në botën e "civilizuar të Perëndimit" nuk ndodh. Këto dhe shumë fakte të tjera nuk mjaftojnë që ne si shoqëri e pastër myslimane, si femra që Islami na dha të drejtat dhe liritë tona, kënaqësinë ta kërkojmë diku tjetër përveçse aty. Prandaj të dashura motra, e nesërmja na pret në një situatë pak më ndryshe sesa e dita e sotme. Prandaj, le ta ndryshojmë mendimin e gabuar, e që deri më sot i ka verbuar mendjet tona! Le t'i largojmë dyshimet nga ajo se: "Unë si myslimane kam mangësi në krahasim me femrën që nuk njeh kufij dhe nuk njeh normë të moralit."Kështu Allahu, duke e njohur natyrën e gruas, vendos rregulla dhe ligje për të, në mënyrë që jetesa e saj të jetë e sigurt. Shembuj të tillë na bëjnë me dije se femra perëndimore është në një mjerim. Ajo vuan të jetë si myslimania. Prandaj, për fund dua të shtoj edhe ca fjalë për çdo myslimane:
- Pastroje mendjen dhe zemrën nga mendimet e humbura, dhe ngrite zërin e arsyes brenda vetes që ta gjesh të vërtetën e vetme;
- Rruga jote është Islami. Rruga që të largoi nga injoranca, rruga që vendosi drejtësinë, ngriti vlerat e njeriut, e sidomos vlerën tënde;
- Bëri që morali të jetë në një piedestal të lartë, dhe i bashkoi zemrat e ndara dhe urdhëroi vëllazërimin;
- Prandaj, kujto të djeshmen e largët..., kohën kur jetoje në mënyrën më të denjë, në formën e një qenie të veçantë dhe me virtyte të posaçme;
- Mendohu për respektin dhe nderin që kishe..., kujdesin dhe kontributin që dhe në çdo aspekt, qoftë ai në edukimin familjar, shoqëror, diturinë që përhape, moralin që tregove, modestinë, bukurinë e zemrës...
- Ti asnjëherë nuk iu shmange rrugës së vërtetë, edhe në qoftë se të është kërkuar sakrificë e madhe;
- Ti e ke bërë çdo sakrificë pa u hamendur dhe me dëshirë të flaktë, vetëm për kënaqësinë e Zotit tënd;
- Ti je ajo që edukon breza të tërë, që nxjerr në dritë njerëz me cilësi të veçanta;
- Je ajo që mund ta çosh civilizimin përpara, e bukurinë e moralit t'ua shfaqësh si shi në kohën e thatësirës;
- Ti, dhe vetëm ti, mund të bësh diçka për ta ndryshuar gjendjen e mjeruar në të cilën po vuan femra modeme;
- Pra, duhet të përgatitesh për të nesërmen, dhe duhet ta mbash të bashkuar familjen dhe të vendosur shoqërinë, për ta ruajtur botën nga imoraliteti dhe shfrenimi;
- Ti duhet ta ndryshosh fillimisht veten, me nënshtrim ndaj Krijuesit, me ibadete, përulje dhe ëmbëlsi;
- Duhet të jesh shembull për të mbarë, e pikësynim duhet ta kesh botën tjetër.
Të gjitha këto arrihen me vullnet, besim, mund e punë të madhe. Mirëpo ti duhet të jesh ajo që bën hapin e parë drejt një bote të qetë dhe të lumtur. Botës i duhet Islami, e për këtë edhe duhet t'ia ofrosh atë në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë. Mos të të mashtrojnë gjërat e bukura të kësaj bote, sepse gjithçka është iluzion. "Ajo që keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është tek Allahu është e përjetshme."(5) Je e përkohshme, e për këtë edhe mundohu ta fitosh botën e përjetësisë në mënyrën më të denjë.


_____________
(1) El Ahzab, 35.
(2) Mustafa Tahhan, "Gruaja ne karvanin e thirrjes”, Shkup 2010, f. 89.
(3) Muhammed Seid Ramadan El Buti, "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor", Shkup, 2007, f. 83.
(4) Jusuf Kardavi, "Myslimanja e së nesërmes", f. 11.
(5) En Nahl, 96.



Bardha Kqiku- Luma


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)