Një vajzë 15 vjeçare nga Arabia Saudite që jeton në Gjermani ka propozuar hartimin e simboleve të quajtur “emoji” me shami në kokë nëpër rrjetet sociale.
Rayouf Alhumedhi, i ka dërguar një propozim Konsorciumit të standardit ndërkombëtar të kodimit, një korporatë jo-fitimprurëse që shqyrton dhe zhvillon emojis (figura) të reja, shkruan BBC.
Kjo ide fitoi mbështetjen e Alexis Ohanian, bashkë-themeluesit të forumit online të diskutimit Reddit.
Nëse miratohet ky propozim, atëherë “emoji” i saj do të jetë në dispozicion në vitin 2017.
Rayouf Alhumedhi, ka thënë për BBC, se ideja e saj ka ardhur gjatë një bisede me miqtë e saj në rrjetet sociale, me ç’rast nuk kishte gjetur asnjë “emoji” për ta përfaqësuar atë, një vajzë të mbuluar me shami në kokë.
Pas kësaj, ajo kishte vendosur menjëherë një projektim të këtij simboli, dhe i dërgoi idenë e saj Unicode.
“Në këtë ditë dhe moshë, përfaqësimi është shumë i rëndësishëm. Njerëzit duan të jenë të njohur, sidomos në botën e teknologjisë. Kjo është masive. “Emojit” janë kudo në botë. Ka aq shumë gra muslimane në këtë botë që mbajnë shami. Kjo mund të duket e parëndësishme, por është ndryshe kur shikoni vetën në tastierë në tërë botën. Kur e përjetoni këtë, është me të vërtetë diçka e madhe”, thotë ajo.
Për të rritur mbështetjen e kësaj iniciative, Ohanian organizoi një diskutim live online, ku përdoruesit e Reddit mund të japin idetë e tyre për këtë.