Ndër personalitetet më në zë që me punën e tyre lanë gjurmë në historinë tonë kombëtare janë: Mulla Jahja Plava, Mulla Osman Çela, Ismail efendi Nikoçi, Hoxhë Nokshiqi, Mulla Sadi Musaj, Mulla Hysen Ali Gjonbalaj (Vuthi), Mulla Agan Koja etj.
Historia ka përmendur, ka studiuar dhe ka përkujtuar me shumë nderim shumë nga figurat historike që qëndruan stoikisht në shumë ngjarje me rëndësi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, por jo shumë është folur edhe për figura që qëndruan dhe kontribuuan në këto ngjarje madhore për historinë tonë kombëtare. Në këto ngjarje ndoshta ekzistonte edhe ndonjë moment shpirtëror, e që lidhet me figurat e parisë fetare të kohës. Ishin edhe ata që ditën të qëndronin pranë shumë figurave të mëdha intelektuale dhe luftëtarëve të kohës.(1)
Ishin shumë figura të ulemave shqiptarë të asaj kohe që, për një arsye apo tjetër, pothuajse ishin fshirë krejtësisht nga faqet e historisë, pavarësisht se mungesa e një copëze në mozaikun e madh të historisë sonë kombëtare e bën ngjarjen historike të paplotë. Janë ndoshta këto aspekte, në dukje të vogla, që mund të bashkohen ashtu që të kontribuojnë që pamja të qartësohet edhe gjithnjë e më shumë.(2) Një fat të tillë e kishin edhe ulemaja e Plavës dhe Gucisë, të cilët edhe përkundër kontributit të tyre të gjithanshme në të mirë të çështjes kombëtare u "anashkaluan".
Ndër personalitetet më në zë që me punën e tyre lanë gjurmë në historinë tonë kombëtare janë: Mulla Jahja Plava, Mulla Osman Çela, Ismail efendi Nikoçi, Hoxhë Nokshiqi, Mulla Sadi Musaj, Mulla Hysen Ali Gjonbalaj (Vuthi), Mulla Agan Koja etj. Këta patriotë, të pajisur me dije fetare dhe kombëtare, nuk do ta ndalin veprimtarinë e tyre, qoftë kur ishte fjala me pushkë, e qoftë edhe në aspektin arsimor. Në veçanti kontribut të pakursyer dhanë për t' i dalë në ndihmë Ymer Prizrenit, Haxhi Zekës, e Hoxhë Kadri Prishtinës e krerëve të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndërsa puna e tyre përshkruhet kështu: "Prej minareve të xhamive të "Kasabavet" të Plavës e të Gucisë hoxhallarët thërrisnin me zë të lartë, sipas Kuranit, "ezanin" për shpëtimin e vatanit.”(3)
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/histori-gjurmev_1483696987.jpg[/img]
Ulemaja e Plavës dhe Gucisë në mbrojtje të vatanit
Ndër veprimtarët më të dalluar të ulemave të kësaj ane, që gjithë jetën ia kushtuan çështjes së çlirimit dhe bashkimit kombëtar, janë: Mulla Jahja Plava: Sekretar dhe këshilltar i Ali Pash Gucisë, kadi i Plavës, shok e bashkëpunëtor i Jakup Ferrit, mik i Haxhi Zekes. Kur në vitin 1878 po bëheshin provokime të ndryshme, si ai i ngjyrosjes së xhamisë me gjak derri në Pepaj, në Ditën e Bajramit, dhe kur Paria e asaj ane, si Binak Alia, e kërkuan mendimin e Mulla Jahjasë për këtë çështje, ai, në mes tjerash, do të deklaroj: "... populli duhet të mos binte në grackën e atyre që sajojnë incidente si ai i përdhosjes së xhamisë në Pepaj me gjak thiu ... , ne kemi hesape me ta për punë të vatanit, sepse vatani është i shejt."(4)
Mulla Osman Çela: Hoxhë në krahinën e Plavës e Gucisë, në vitin 1878 do t’ia djegin xhaminë ku shërbente, do ta vrasin hoxhën dhe kokën do t' ia vënë në majën e një huri. Kokën së bashku me hurin do ta vendosin në majën e një kodre, me qëllim që të shihej prej së largu. Ky veprim ndaj hoxhës kishte ndodhur pas reagimit të tij ndaj veprimit të pushtuesve kundër grave; të cilave ua kishin prerë sisat për së gjalli dhe i kishin lënë derisa kishin vdekur. Hoxha kishte organizuar rezistencë ndaj tyre, sepse gjërat e tilla ishin të papërballueshme për hoxhën dhe xhematin e tij. Ishte shok i Jakup Ferrit.(5)
Ismail efendi Nikoçi: Ismail Ferhat Nikoçi(6) u lind në Guci, më 1876. Ishte i shquar si bashkëpunëtor i Ali Pashë Gucisë. Me interesimin e Ali Pash Gucisë, në moshën dhjetëvjeçare, e dërguan në shkollën fillore, për të vazhduar më pas të mesmen në medresenë e Pejës, dhe më pas studimin e sheriatit në Selanik, ndërsa në moshën njëzetekatërvjeçare kthehet në vendlindje. Një kohë qëndroi pranë Mulla Jahja Plavës, për të fituar eksperiencë nga fusha e kadiut për Plavë e Guci. Ishte edhe njeri nga udhëheqësit e Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës", si dhe bashkëpunëtor i Isa Boletinit.(7)
Mulla Agan Koja: Lindi në Plavë, më 1892. Ishte imam në Plavë, si dhe një nga drejtuesit e luftës kundër pushtuesve serbë në krahinën e Plavës dhe Gucisë, veçanërisht gjatë viteve 1919- 1924. Ishte edhe përkrahës i H. Ferrit e Ismail ef. Nikoçit, bashkëthemelues dhe drejtues i Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.”(8) për Plavë dhe Guci(9), si dhe udhëheqës i çetës kundër forcave pushtuese së bashku me Mulla Xhemën.(10) Pas vitit 1919 ishte shpërngulur në krahinën e Tropojës, ndërsa i vazhdoi aksionet luftarake dhe propagandën atdhetare dhe nuk u ndal së vepruari në dobi të çështjes kombëtare e fetare deri në vitin 1930, kur edhe vritet nga forcat serbe.(11)
Ulemaja e Plavës dhe Gucisë, kontribuues të arsimit kombëtar
Dy patriotët nga Plava: mulla Sadi Musaj dhe mulla Hysen Ali Gjonbalaj (Vuthi), ishin ndër të parët që do t'ua mësonin shkronjat shqipe popullatës të asaj ane.
Mulla Hysen Ali Gjonbalaj (Vuthi): Shkronjat shqipe ishin sjellë në këto anë nga mulla Sadi Musaj dhe mulla Hysen Ali Gjonbalaj (Vuthit), përkatësisht në vitin 1909, dhe ishin futur në jetë në fill të pranverës së vitit 1916. Ishin ndër shpresat e para për ruajtjen e ndjenjës kombëtare. Vonesën e përdorimit e pengoi gjendja e atëhershme ballkanike etj. Më pas, me arritjen e pushtuesit austro-hungarez, i cili duke pasur interesat e veta u paraqit me metoda të buta ndaj popullatës që kishte përjetuar vetëm vuajtje, tmerr dhe gjenocid, edhe vetë popullata e kësaj ane u habit nga një reklamë e tillë. Sundimi i tillë (1916-1918) me sjellje të urtë arriti që popullatës në varfëri të skajshme t'i pëlqejë, sepse kishte shenjat e para të lirisë. Për herë të parë pushtuesit jo vetëm se nuk i pengonin të flisnin shqip, por bënë edhe disa lëshime administrative në dobi të shqipes.(12) Për realizimin e këtyre befasive mbetej që edhe paria e vendit të angazhohej për realizimin e tyre më për së afërmi. Ndër "shpresat fatlume" ishte rasti i hapjes të shkollës shqipe, së pari në Vuthaj e pastaj edhe në Guci e Plavë. Kujtimet e ish- nxënësve të këtyre alimëve të mbledhur me kujdes nga Hasan Gjonbalaj, ne mendojmë t'jua risjellim edhe njëherë lexuesve, dhe atë për disa arsye:
E para - të shihet se me dashamirësi i kanë ruajtur dhe i tregojnë kujtimet për hoxhallarët e tyre.
E dyta - se si i trajtoi populli ku shërbyen ata, duke i respektuar maksimalisht, por edhe duke u thurur vargje për dijen dhe trimërinë e tyre.
E treta - ndoshta kjo formë e mbledhjes së kujtimeve do të troket edhe në ndërgjegjen tonë, që edhe ne të fillojmë të mbledhim kujtime prej hoxhallarëve tanë, të cilët ende jetojnë dhe kanë mjaftë çfarë të na tregojnë.
"Në qendër të lagjes Gjonbalaj ishte ndërtesa "mejtep", e punuar dekada më parë. Aty zuri fill jo vetëm që mësuesi të flasë shqip, Hysen efendi Vuthi, por edhe ua prezantoi shkronjat shqipe.(13)
Ja si rrëfenin nxënësit e parë që ndiqnin mësimin në këtë fill gëzimi: " ... me tellall lajmëruan për me u bashkua popullata e moshës 8 - deri në 20 vjeç. Shumica ishim çobanët por lajmi na erdhi kudo edhe nëpër maja bjeshkësh, ngase thoshin se thërret paria e vendit, ku u bashkuam shumë vuthjanë në Mokna, nën hije të Plepit, meqë ishte pranverë. Përshëndeteshim me njeri-tjetrin, dhe uleshim lirshëm në atë bari të blertë. Para nesh u ngrit në këmbë Hysen Alia Gjonbalaj. E njihnim, por atë ditë ishte me mjekër, e edhe më serioz. - "Dëgjoni vuthjanët e mi, sot e pas kemi me mësua bashkë në "mejtep"." Ngase e çmonim me respekt shenjën e ngritjes në këmbë, sikur skifteri kur bie në pula, u gjetëm pip në këmbë. - "Të gjithë pas meje,
nga mosha 8-deri në njëzet vjeç." Mori brisë në drejtim të "mejtepit". - "Nuk na nxënë të gjithëve, sot të hyjmë brenda vetëm ata nga 8-15 vjeç!" Brendia ishte e pandarë, e lyer me gëlqere të bardhë. Dyshemeja e shtruar me çullë, rreth e përqark me jastëk. Zumë vend si kishim edhe shprehi nëpër odat tona "këmbëkryq". Një pjesë mbeti pip në këmbë, ngase nuk kishte vend. Të tjerët, të moshave të ndryshme, dëgjonin para dere. Mulla Hyseni, se emrin mësues edhe nuk e dinim, derisa e kuptuam nga ai, nisi "vasin", ndryshe nga ajo që kishim dëgjuar hoxhë më parë. Ne qëndronim në këmbë derisa ai i thoshte duatë me lëvizje të qetë të buzëve, duke përfunduar zëshëm: "Amin!", kur edhe ne iu bashkëngjitëm: "Zoti na fali për me ditë për veti, familje, farefis, gjuhën e nënës, komb dhe vatan. Sa ma shumë që dimë, aq ma tepër edhe Zoti na donë, dhe aq më të mirë jemi, aq më bujar dhe, gjithsesi, edhe ma trima. Kush nuk ka vatan, nuk ka din as iman. Vatani është toka e babagjyshave, që na e lan edhe gjuhën shqipe."
Kështu e nisi dhe e përfundoi me shprehje edhe më të afërta për ne, meqë edhe më të moshuarit ishim mësuar që nga goja e hoxhës të dalë vetëm dua drejtuar Zotit, e jo edhe këso fjalë. Ai e ngriti tonin e zërit kur pa se në oborr arritën një turmë e madhe njerëzish. Mori qëndrim të tërthortë në derë, dhe shtoi: "Me veti solla shkronjat në gjuhën shqipe." Nuk duartrokisnim në atë kohë. E mira përcillej me shprehjet: "Të lumtë!", "Kjofsh faqebardhë!" etj. Shprehje të tilla mori edhe nga ne që ishim të vegjël. Meqë Hyseni ishte nga ai mes, dhe i dinte mëhallët, ai nisi shpërndarjen e fletave, nga një fletë për mëhallë. Në shikim të parë dukej letër e bardhë, por kur e morëm në dorë vërehej shkrimi nëpër të, për ne i pakuptimtë. "Ruani si sytë atë letër, ta shohin edhe familjet tuaja. Nesër të vijnë kush të dojë se kemi me fol për secilin shenj", përfundoi fjalët me lëvizjen e buzëve dhe me shprehjen" Amin!", që e tha së fundmi. Ai qëndroi me ne disa orë. Nuk dinim për t'i bërë pyetje, por ai na kuptonte dhe na kënaqte me shprehje të ëmbla, duke bërë bisedën rreth atyre shkronjave. "Nuk e harrova për ta fal "namazin" e mesditës, edhe pse edhe xhaminë e kemi vetëm dhjetë metra larg nesh. Ju sot po më dukeni shumë më të afërt se gjithherë më parë. Një ajet i Kuranit thotë: " ... sevapin e madh e merr njeriu që përhap dije", ku do të fitoj "sevap" ma shumë se sot me ju. Me njerëzit e mi, në katundin tim dhe të të parëve tanë."
Me buzagaz përfundoi me: "Do të dalim një nga një në oborr, dhe pastaj të afrohen njëri afër tjetrit dhe ta këndojmë këngën malësorçe, fjalën e kam për këngën e kushtrimit." Brofëm në këmbë, duke mos iu përmbajtur porosisë për dalje nëpër derë. Në oborr formuam rrethin, për ta lënë mësuesin në mesin tonë. "Kush e din këngën përmendsh?", pyeti mësuesi me zë të thekshëm. Të gjithë lëshonim zërin: "Unë e di", duke përsëritur edhe disa herë rresht, e meqë atëherë e dinim se ngritja e dorës lart është shenjë nderimi dhe pëlqimi, ashtu edhe vepronim. Heshtja e njërit i ra në sy mësuesit, si shkas për ta pyetur: "Pse nuk jep zë ti Shpen?" - " Unë e di me lëshua zërin e kushtrimi t e fjalët t'i thonë të tjerët", tha ai. Aty ditëm të duartrokasim, bashkangjitur me qeshje. "Qe, unë do t'ia filloj me fjalë, e ju bashkohuni, aq sa majat të na ndihmojnë!", tha mësuesi. Lëshuam zërin deri në kup të qiellit, edhe ai na shoqëronte me zë edhe më bukur se ne:
"Kush po i del asqerit para
Ali pasha e Ahmet aga
Ahmet Vuthi na ka mësua
Kurrë të huajit mos me i besua"
Jehona sikur t'i zbërthente shpatet dhe të betohej në shkëmb. Mori zëri dhen se mësuesi dhe nxënësit po këndojnë. Ditëve tjera mësimet i përcollëm në mejtep, pasi kryenim faljen e namazit në xhami. Mësimin e mbante për çdo ditë, për vërritarët, kurse ata që ishin ngjitur për t'u bjeshkuar nëpër d'bamet e bjeshkëve kishin obligim të merrnin pjesë të hënën, të mërkurën dhe të premten. Të pranishëm më së paku ishin katërdhjetë veta.
Paraqitja e parë ngjashëm ndodhi edhe në Guci, ku prezantues ishte Ismail Nikoçi, kurse në Plavë Sali Musaj, vëllai i Sadi Musajt, i cili nuk pati jetë t'i përgëzoi bashkëvendësit me sihariqin e sjell (alfabetin shqip), sepse hordhitë malazeze e pushkatuan në Plavë tre vjet më parë, bashkë me qindra bashkëvendës të tjerë. Duhet përmendur se në këto dy qendra kishin ekzistuar edhe shkollat në gjuhën malazeze, në të cilat kishin vijuar mësimin edhe fëmijët jopravosllavë. Shkronjat dhe gjuha shqipe, si dhe qëndrimi i pushtuesit të ri, binin ndesh me shkronjat cirilikë dhe gjuhën malazeze, duke shkuar deri edhe në urrejtje.(14)
Merrja informata nga nxënësit e atyre viteve, që ruanin në kujtesë edhe sjelljen e kryehoxhës (myftiut) nga Bosnja, të cilit austro-hungarezët përveç armatosjes ia kishin dhënë edhe autorizimin e lirshëm edhe për t'i përdorur së pari shkopin, pastaj edhe më shumë, ndaj atyre që nuk shkojnë në xhami pesë herë në ditë për "namaz", si dhe ndaj atyre meshkujve që kishin kaluar dyzet vjet dhe nuk mbanin mjekër. Ndaj sjelljes së tillë nisen reagimet e ashpra edhe nga hoxhallarët vendës, që, përveç të tjerash, edhe ky ishte si shkak i humbjes së besimit reciprok.
Austro-hungarezët në shtator i larguan mësuesit vendës, me motivin se ishin të nevojshëm për në Shkodër. Më pas Hysen efendi Vuthi emërohet myfti i Shkodrës. Pastaj paria e vendit i delegoi, Hysenin dhe Ismailin në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës. Sidoqoftë, prania e tyre në vendlindje ishte më e nevojshme. Bindshëm dyshohej se ata nisën të jenë ferrë në sy e administratës pushtuese, prandaj edhe ua bënë dredhinë. Nxënësve u kishte mbetur kujtim filli i mësimit të shkronjave shqipe dhe vallja dora-dorë: "Sjelle vallen në këtë anë Jemi zogj të Shqipnisë nanë"
Me largimin e tyre shërbimi administrativ austro-hungarez ishte përgatitur (që nga muaji gusht 1916), dhe i solli mësuesit më besnikë (për vete) nga vise shumë të largëta, Arbanasi i Zares (bregdetit Adriatik).(15)
Ulemaja e Plavës dhe Gucisë, ndihmuesve të mirëkuptimit ndërfetar
Se dukuria e tolerancës ndërfetare te shqiptarët në këtë kohë ishte e rëndësishme, dhe se elementi mysliman luajti rol konstruktiv në këtë aspekt, shihet edhe nga konstatimi i studiuesit Kujtim Nuro, që thotë: "Për zgjidhjen e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dukuria e tolerancës fetare fitoi statusin e potencialit më të fuqishëm për progresin shoqëror të vendit. Kjo dukuri u bë çelësi kryesor i zgjidhjeve të problemeve aq të mprehta të kohës. Elementi mysliman, që përbënte shumicën për realizimin e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, arriti të krijojë në kushtet e sundimit shekullor osman një unitet ndërmjet përfaqësuesve të kategorive të ndryshme si dhe të elementëve të ndryshëm të besimit. Ky vëllazërim përpara detyrës kryesore të kombit nuk njohu klasë, racë, ngjyrë apo ndryshime të tjera. Dhe nëpërmjet kësaj lidhjeje, dashuria dhe vëllazëria duke qenë secili përgjegjës për ekzistencën e tjetrit për rrjedhojë patën ndikim edhe për ekzistencën e kombit, sepse duke dashur njëri - tjetrin kanë dashur edhe kombin."(16)
Toleranca fetare në këtë periudhe u bë edhe katalizator i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.(17) Pa mëdyshje se ndër kontributdhënësit më të mëdhenj për këtë dukuri te shqiptarët ishin prijësit fetarë. "Falë vetëdijes së tyre të lartë, si edhe interpretimit të drejtë të misionit të fesë nga ana e prijësve fetarë, ndër shqiptarët nuk pati asnjëherë përçarje në baza fetare. Secili prej tyre me liri të plotë e predikonte dhe e praktikon te fenë e vet, e kur atdheut i kanosej rreziku nga armiqtë e jashtëm, ata të gjithë ishin unikë në mbrojtje.(18)
Duke pasur parasysh elementet e lartcekura të tolerancës fetare te shqiptaret, padyshim se ndihmues ishin edhe ulemaja e Plavës dhe e Gucisë. Ne po japim vetëm dy shembuj, që mendojmë se flasin mjaft për personalitetin e ulemave të kësaj anë kundruall kësaj dukurie: Kur në xhamitë ku po shërbenin ulemaja e kësaj ane po bëheshin provokime të ndryshme, si ajo e hedhjes se kokave të derrit në xhami në ditët e caktuara islame, dhe kur popullata po e kërkonte mendimin e ulemave të kësaj ane, me qëllim të sajimit të gjakderdhjeve me popullatën jomyslimane të kësaj ane, ulematë do të përgjigjeshin: "Ju nuk duhet të bini pre e provokimeve të ndryshme. Ne kemi hesape të tjera", duke ua bërë me dije popullatës se provokimet e tilla, nga kushdo qofshin, janë vepra të ulëta, dhe se popullata nuk bën të bjerë pre e këtyre provokimeve.
Vëllezërit At Martin Sirdani dhe Dom Aleksandër Sirdani, të mbetur jetimë, i rriti Hoxha i Gucisë, i cili më vonë, pasi e arritën moshën madhore, i dërgon në Shkodër dhe i vendos në shkollën katolike, për të ndjekur rrugën e priftërisë.(19)
Përfundim
Marrë në përgjithësi, për kontributin e ulemave të Plavës dhe Gucisë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare materialet apo burimet e ndryshme arkivore dhe tregimtare që hedhin dritë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në këtë anë, në përgjithësi, na japin një mbështetje të fortë të konstatojmë se krerët fetarë myslimanë shqiptarë të kësaj ane, përgjithësisht, nuk qenë kundër Lëvizjes. Një konstatim i tillë vlen kryesisht për periudhën e fundit të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX. Si nga krerët fetarë myslimanë, ashtu edhe nga ata katolikë, kishte të atillë që e kuptuan Lëvizjen Kombëtare Shqiptar dhe rolin e saj pozitiv, që e simpatizuan atë, e ndihmuan atë dhe morën pjesë aktive në të. Sidomos në Plavë dhe Guci, ku një numër i ulemave u angazhua edhe drejtpërdrejt në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke marrë pjesë aktive në aksione.
Jemi të bindur se numri i ulemave që u angazhuan në Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Plavë dhe Guci ishte edhe më i madh se ky që kemi përmendur në këtë punim, por emrat e lartcekur kishin një veprimtari më të theksuar gjatë viteve që kemi marrë në shqyrtim. Sidomos është i njohur fakti se një numër i konsiderueshëm i ulemave gjatë viteve 1912-1913 u masakruan nga forcat e ushtrive të Aleancës Ballkanike.(20)
Gjithashtu, rol konstruktiv ulema të e kësaj ane luajtën edhe në rritjen e tolerancës ndërfetare, sepse qarqet e caktuara më shumë se në çdo periudhë tjetër të lëvizjes kombëtare u munduan ta përshkallëzonin në gjirin e popullatës shqiptare, mirëpo ky fenomen u neutralizua falë vetëdijes së lartë të ulemave të kësaj ane.
___________________________________________
(1) llira Çaushi Sulo, Klerikët e harruar të Pavarësisë, në: "Pavarësia e Shqipërisë dhe sfidat e shtetit shqiptar gjatë shek. XX", UT-IH, Tiranë, 2007, f. 84-86.
(2) Po aty.
(3) Elmaz B. Plava, Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (Kujtime dhe dokumente historike), ShB, Marin Barleti, ( përgatiti, Marenglen Verli), Tiranë, 2002, f. 73.
(4) Elmaz B. Plava, vep. e cit., f. 50, 214.
(5) Arkivi i Institutit të Historisë- Tiranë, A- VIII- 356, sipas disa kujtimeve që i ka mbledhur studiuesi Marenglen Verli në Plavë dhe Guci, lidhur me personalitetin e Islamil Nikoçit thuhet se e kanë vrarë francezët. Shih: Elmaz B. Plava, vep. e cit., f. 59.
(6) Fjalori enciklopedik shqiptarë 3, ASHAK, Tiranë, 2009, f. 1844; shih: Elmaz B. Plava, vep. e cit., f. 231.
(7) Lush Culaj, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918-1924, IAP, Prishtinë, 1997, f. 222. Muhmat Shatri, Të dhëna biografike mbi disa veprimtarë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në: "Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" (Përmbledhje kumtesash), ASHSH, nrr. IHP, 2004, f. 163; Hakif Bajrami, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe qeveritë e Tiranës për krimet serbe ndaj shqiptarëve 1918-1941, Prishtinë, 2008.
(8) Liman Rushiti, Lëvizja kaçake dhe Komiteti" Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" në: "Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" (përmbledhje kumtesash), ASHSH, lliT, IHP, 2004, t. 97.
(9) Shih: Marenglen Verli, Roli i Komitetit" MKK", në organizimin e qëndresës kundër ripushtimit serbë në Plavë dhe Guci (tetor 1918- shkurt 1919), në: "Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" (Përmbledhje kumtesash), ASHSH, lHT, IHP, 2004, f. 77-88.
(10) Po aty, f. 79.
(11) Fjalori enciklopedik shqiptarë 3, ASHAK, Tiranë, 2009, f. 1090;
(12) Nuridin Ahmeti, Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës( 1878- 1912), IAP, Prishtnë, 2011, f. 81- 94.
(13) Hasan I Gjonbalaj, Nëntëdhjetë vjetori i shkollës shqipe në Vuthaj, http://www.pashtriku.org/.http://www.shqipnia.eu/Plava_e_Gucia_Historia.htm. Gjithashtu, personalitetin e Hysen et. Vuthin e hasim edhe si redaktor të librave fetare islame në gjuhën shqipe, shih: Njazi Kazazi, Ndihmesa e Hamdi Bushatit për tekstet shkollore islame, në: "Univers", m. 1. ISHMQI, Tiranë, 2001, f. 209- 210.
(14) Po aty.
(15) Po aty.
(16) Kujtim Nuro, Toleranca dhe harmonia e fesë islame te shqiptaretfaktor i rëndësishëm për çështjen kombëtare, në: "Univers" m. 1, ISHMQI, Tiranë, 2001, f. 125-126.
(17) Ismail Hasani, Vetëdija fetare dhe kombëtare tek shqiptarët, UP, Prishrinë, 2001, f. 42.
(18) Qemajl Morina, Mbi fenë, atdheun dhe kombin, në: "Takvimi-1998", nr. 39, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 1998, f. 45.
(19) Mark Krasniqi, Toleranca në traditën shqiptare, ASHAK, Prishtinë, 2007, f. 47. Vinçenc Malaj,
Dr. Nuridin Ahmeti