Nata e Beraetit dhe ndërrimi i Kibles

Është quajtur Nata e Beraetit është Nata e Shpëtimit, se në këtë natë i Madhi Zot fal gabimet e robërve të tij. Gabimet tona janë të mëdha, por dhe falja e Allahut në këtë natë përfshin një pjesë të madhe të njerëzve.

Kjo natë është quajtur dhe “Lejletul Mubarekeh” Nata e Begatshme dhe “Lejletur-Rahmeh” Nata e Mëshirës, ngase Allahu begaton, mëshiron dhe i falë krijesat e Tij.

Në një Hadith Sherif transmetohet nga nëna e besimtarëve, Aishja (r.a): “Një herë Resulullahi (a.s.) fali namazin e natës dhe qëndroi shumë gjatë në sexhde deri sa u frikësova se kishte ndërruar jetë. Kur e pashë, u ngrita dhe i luajta gishtin e madh të dorës (për të parë a është gjallë apo jo). Gishti luajti dhe unë u ktheva (në shtrat). Pastaj dëgjova atë duke thënë në sexhde:

أعوذ بعفوك من عقابك وأعوذ برضاك من سخطك وأعوذ بك منك ، جل وجهك ، لا أحصي ثناء عليك أنت كما أثنيت على نفسك
“Allahumme In-ni eudhu bi áfvike min ikãbike, ve eudhu bi ridãke min sekhatike, ve eudhu bike ninke, xhel-le vexh-huke, la uhśĩ thenãen álejke, ente kema ethnejte álã nefsike.”

“Kërkoj strehim në mëshirën tënde nga dënimi Yt. Kërkoj strehim në kënaqësinë Tënde nga mërzitja Yte dhe kërkoj strehim në Ty nga Ti. E madhërishme është fytyra jote. Nuk arrij të lavdëroj plotësisht siç e meriton. Ti je saktësisht ashtu siç e ke përkufizuar vetveten Tënde.” Pastaj, kur e ngriti kokën nga sexhdeja dhe mbaroi Namazin, më tha mua: O Aishe! A mendove se Profeti të ka tradhtuar? Unë i thashë: Jo, o i Dërguari i Allahut, por kisha frikë se mos ishe larguar nga kjo botë, nga që sexhdeja jote ishte shumë e gjatë. Ai më pyeti mua: A e di se cila natë është kjo? I thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Ai tha: Kjo është nata e gjysmës së Shabanit (muajit Sha’ban). Allahu i Madhëruar shikon robërit e Tij këtë natë dhe, falë robërit e Tij që kërkojnë falje dhe i dhuron mëshirë atyre që luten për mëshirë, por i mban siç kanë qenë ata të cilët kanë urrejtje.”

Dhe në një Hadith tjetër që transmetohet nga Sahabiu Muadh Ibn Xhebel:

عَنْ مُعَاذِ بن جَبَلٍ، عَن ِالنَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، قَالَ:يَطَّلِعُ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ عَلَى خَلْقِهِ لَيْلَةَ النِّصْفِ مِنْ
شَعْبَانَ فَيَغْفِرُ لِجَمِيعِ خَلْقِهِ إِلا لِمُشْرِكٍ أَوْ مُشَاحِنٍ

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “ Allahu I Madhëruar shikon të gjitha krijesat e krijuara nga Ai gjatë natës së midisit të Sha’banit dhe i falë të gjitha krijesat e krijuara nga Ai, përveç atij që i bën partner Allahut në adhurim dhe atij që ka urrejtje në zemër.”

Përveç faljes së Allahut, kjo natë përmban një domethënie të rëndësishme për të gjithë muslimanët kudo që janë. Ishte koha kur muslimanët ndërruan drejtimin e tyre të faljes, nga Bejtul Makdis, Palestinë, në Qaben e shenjtë, Mekke. Muslimanet në Medine për një kohë më shumë se një vit drejtonin rreshtat e tyre të Namazit drejt Bejtul Makdis në Palestinë. Në fillim të misionit Profetik në Medine, Muhamedi (a.s.) kishte përkrahje nga çifutët e Medinës, ku disa prej tyre u kthyen në Islam. Nuk mund të lihet jashtë dhe fakti se disa prej tyre u kthyen në Islam për hipokrizi. Kur pjesa tjetër e tyre filluan të kuptonin se Muhamedi (a.s.) nuk shkonte sipas “politikës” së tyre, por shkonte mbas asaj që urdhërohej nga qielli, ata filluan ta kundërshtonin atë dhe t’i sillnin pengesa nga më të ndryshmet. Allahu urdhëroi Pejgamberin (a.s.) dhe besimtarët të drejtonin në Namaz fytyrat e tyre nga Qabja.

فَوَلِّ وَجۡهَكَ شَطۡرَ ٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡحَرَامِ‌ۚ وَحَيۡثُ مَا كُنتُمۡ فَوَلُّواْ وُجُوهَكُمۡ شَطۡرَهُ

“…Kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes), dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë…”

Kibla simbolizon unitetin e besimtarëve. Ashtu duke qenë të bashkuar adhurohet më së miri Allahu dhe shkohet drejt Tij. Kibla i tregon besimtarit që në fillim duhet të ketë unitet me veten e tij duke unifikuar pjesët pozitive të karakterit të tij dhe duke i vendosur në shërbim për të mirën e njerëzisë. Pastaj Kibla i tregon atij se mbasi të arrijë unifikimin e vetes së tij, të ketë unifikim në familjen e tij, që do të thotë mirësjellja, harmonia dhe përmbushja e obligimeve familjare. Kibla i tregon besimtarit gjithashtu të ketë unifikim në komunitetin dhe Ummetin e tij, duke u lutur dhe duke shpresuar mbarësi dhe duke mos ecur me mendimin se ka kush punon, por të kontribuojë në mënyra të ndryshme nga mirësitë që i ka dhuruar Allahu.

Imam Qurtubi në librin e tij të Tefsirit “El xhamiul ahkamil Kur’an” përmend se Abu Aliyeh ka thënë se dhe profetët që janë dërguar tek Beni Israilët (çifutët) i kryenin faljet e tyre drejt Qudsit, vendit të quajtur “Es-sakhreh”, në Palestinë dhe poashtu drejt Qabes në Mekke. Kjo është shumë e logjikshme se Qabja është shtëpia e parë e krijuar për adhurim ndaj Allahut që në kohën e Ademit (a.s.). Është bërë rrafsh në kohën e Hz. Nuhit (a.s.) nga përmbytja dhe është urdhëruar Hz. Ibrahimi me djalin e tij Ismailin (a.s.) ta rindërtojnë përsëri. Është quajtur “Bejtullah”, që do të thotë: Shtëpia e Allahut (xh.sh.). Ky emër nuk është vetëm për Qaben e shenjtë, por për çdo xhami të pastër ku në të përmendet Allahu (xh.sh.). Në shtëpitë tona ndjejmë ngrohje dhe qetësi, ashtu besimtari duhet të ndjeje një ngrohje dhe qetësi të një shkalle të lartë shpirtërore kur këmba dhe zemra e tij shkelin në xhami, duke pasur në mendje se çdo shtëpi ka një kryetar dhe “Kryetari” i xhamisë është Allahu (xh.sh.) nga i Cili zbret paqja dhe mëshira në zemrën e besimtarit.

Ngjarja e ndërrimit të Kibles nuk u prit mirë nga jo-muslimanët e asaj kohe dhe disa shpifën se Muhamedi (a.s.) është duke shkuar përsëri tek rrënjët e Kurejshve, idhujt. Po, ai shkoi tek rrënjët e tij, jo në adhurimin e idhujve, por në adhurimin e Allahut (xh.sh.), besim ky i Hazreti Ibrahimit (a.s.) dhe i pasardhësve të tij.
Zhurma nga pabesimtarët, që u krijua me rastin e ndërrimit të Kibles, përshkruhet në Kur’anin famëlartë në Suren Bekareh, ajeti 142, ku Allahu (xh.sh.) thotë:

سَيَقُولُ ٱلسُّفَهَآءُ مِنَ ٱلنَّاسِ مَا وَلَّٮٰهُمۡ عَن قِبۡلَتِہِمُ ٱلَّتِى كَانُواْ عَلَيۡهَا‌ۚ قُل لِّلَّهِ ٱلۡمَشۡرِقُ وَٱلۡمَغۡرِبُ‌ۚ يَہۡدِى مَن يَشَآءُ إِلَىٰ صِرَٲطٍ۬ مُّسۡتَقِيمٍ۬

“Disa mendjelehtë nga njerëzit do të thonë: “Çka i ktheu ata (muslimanët) prej kiblës (drejtimit) në të cilin ishin ata (Bejtul Makdis)? Thuaj: “Të All-llahut janë lindja dhe perëndimi, Ai e vë në rrugën e drejtë atë që do”

Profeti (a.s.) bashkë me besimtarët iu nënshtruan urdhrit të Allahut dhe pas zbritjes së ajeteve që bënin fjalë për ndërrimin e Kibles, falën namazin e Iqindisë në drejtim të Qabes në Mekke. Veçori e besimtarëve është, kur Allahu (xh.sh.) i urdhëron ata për diçka, ata thonë dhe veprojnë ashtu siç sqaron Kur’ani, “semi’na ve eta’na”, dëgjuam dhe u bindëm dhe jo ashtu siç thonë dhe veprojnë njerëz të disa besimeve tjera “semi’na ve asajna”, dëgjuam dhe kundërshtuam.
Lajmi i ndërrimit të Kibles nuk kishte arritur ende në xhamitë që ishin në periferi të Medines, por në njërën nga xhamitë, me të dëgjuar lajmin në namazin e Sabahut, Imami bashkë me besimtarët duke u falur, ndërruan drejtim për në Mekke. Kjo dhe një herë tregon bindjen e thellë edhe pse ishin në Namaz. Për këtë dhe Allahu (xh.sh.) zbriti ajetin më poshtë ku tha:

وَكَذَٲلِكَ جَعَلۡنَـٰكُمۡ أُمَّةً۬ وَسَطً۬ا لِّتَڪُونُواْ شُہَدَآءَ عَلَى ٱلنَّاسِ وَيَكُونَ ٱلرَّسُولُ عَلَيۡكُمۡ شَهِيدً۬ا‌ۗ وَمَا جَعَلۡنَا ٱلۡقِبۡلَةَ ٱلَّتِى كُنتَ عَلَيۡہَآ إِلَّا لِنَعۡلَمَ مَن يَتَّبِعُ ٱلرَّسُولَ مِمَّن يَنقَلِبُ عَلَىٰ عَقِبَيۡهِ‌ۚ وَإِن كَانَتۡ لَكَبِيرَةً إِلَّا عَلَى ٱلَّذِينَ هَدَى ٱللَّهُ‌ۗ وَمَا كَانَ ٱللَّهُ لِيُضِيعَ إِيمَـٰنَكُمۡ‌ۚ إِنَّ ٱللَّهَ بِٱلنَّاسِ لَرَءُوفٌ۬ رَّحِيمٌ۬

Kështu, Ne ju kemi bërë një Ummet të mesëm (ose të drejtë)që të bëheni dëshmitarë ndaj njerëzve , dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush. E kiblen nga e cila ti u drejtove nuk e bëmë për tjetër, vetëm se për të provuar atë që shkon pas të dërguarit, nga ai që kthehet prapa, ndonëse kjo ka qenë vështirë (për disa), por jo edhe për ata që All-llahu i drejtoi. All-llahu nuk është që t’ua humbë besimin tuaj. S’ka dyshim se All-llahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve.

Ummet i mesëm do të thotë Ummet i balancuar. Njeriu i balancuar është ai, i cili ka arritur një piedestal të lartë pjekurie. Allahu (xh.sh.), i tregon njeriut rreth rëndësisë së balancës edhe në shëndetin e tij. Kur presioni i gjakut, temperatura e trupit, kolesteroli ose sheqeri nuk janë të balancuara, tregojnë shenja të problemeve të ndryshme shëndetësore.
Zemra e njeriut është krijuar në midisin e trupit të tij.
Pozicioni gjeografik i Qabes në Arabinë Saudite është në qendrën e rruzullit tokësor. Nata e Beraetit gjindet në mesin e Muajit të shenjtë Sha’ban dhe për këtë muaj Resulullahi (a.s.) ka thënë: “Sha’bani është muaji im.” Pra Allahu përmes gjithë këtyre shembujve i tregon njeriut rëndësinë e balancës.

Le t’i kthehemi përsëri Ajetit: “Kështu, Ne ju kemi bërë një Ummet të mesëm (ose të drejtë)që të bëheni dëshmitarë ndaj njerëzve , dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush…”
Nga Ebu Said El Khudri transmetohet se Resulull-llahi (.a.s.) ka thënë: “Ditën e Kiametit thirret Nuhi a.s. (nga Allahu xh.sh.), e Nuhi a.s. thotë: Lebbejke ve Sa’dejk,( që do të thotë, i përgjigjem thirrjes Tënde dhe i bindem urdhërave Tuaja). Allahu( xh.sh.) i thotë: A e ke përcjellur Mesazhin? Nuhi (a.s.) thotë: Po. Atëherë i thuhet popullit të Nuhit (a.s.). A ju ka përcjellur Mesazhin? Populli thotë: Nuk na ka ardhur neve qortues. Allahu(xh.sh) i thotë Nuhit (a.s.): Kush është dëshmitar për ty? Nuhi (a.s.) thotë: Muhamedi (a.s.) dhe Ummeti i tij. Atëherë dëshmojnë (Muhamedi a.s. dhe Ummeti i tij) se Nuhi e ka kryer misionin e tij. Për këtë arsye Allahu thotë: Ne u bëmë juve një popull të mesëm për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush.”

Për të dëshmuar në gjykatë, duhet të jesh i drejtë, prandaj dhe Ummeten Vesaten mund të përkthehet si Ummet i drejtë.
Ummetin tonë të balancuar, Allahu (xh.sh.) e ka cilësuar si Ummetin më të mirë. Në Suren Ali Imran, Ajeti 110

كُنتُمۡ خَيۡرَ أُمَّةٍ أُخۡرِجَتۡ لِلنَّاسِ تَأۡمُرُونَ بِٱلۡمَعۡرُوفِ وَتَنۡهَوۡنَ عَنِ ٱلۡمُنڪَرِ وَتُؤۡمِنُونَ بِٱللَّهِ‌ۗ

“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun.”

Të mendojmë pak për domethënien e këtij Ajeti. Allahu (xh.sh), Ummetin e Hz. Muhamrdit (a.s.) e ka konsideruar më të dobishmin Ummet, për vetë faktin se vetëm ata të balancuarit mund të urdhërojnë për të mirë dhe të ndalojnë të tjerët nga veprat e këqija.

“O Zot, të lutem Ty, të na i falësh gabimet tona në këtë natë të bekuar dhe të na ruash nga zjarri i Xhehenemit. T’i bashkosh Muslimanët si një trup i vetëm. Të rikthesh në dorën e besimtareve musliman Kiblen e tyre të pare, Xhaminë Aksa.



Nga Imam Didmar Faja
Arizona, 26 Korrik 2010


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)