Njëherë një i varfër erdhi te bukëpjekësi dhe i tha: “Dëshiroj pak bukë ju lutem”. “Sa i mençur je” i tha bukëpjekësi “vërtet ke ardhur te bukëpjekësi i vërtetë”.
Bukëpjekësi mori librin nga tavolina dhe filloi t’i tregoj lypësit për bukën. I tregonte për miellin dhe elbin, për grurin dhe krundet. Aq bukur i fliste për këto gjëra sa që filloi të mahnitej me vetveten. Kur ngriti kokën u habit-pos gjurmës së parë të buzëqeshjes në fytyrë, lypësi nuk buzëqeshi më.
“Unë kërkoj bukë” tha lypësi. “Ah, ah” përsëri tha bukëpjekësi “Vërtet je i mençur, eja me mua, ta tregoj furrën time”. Filloi ta udhëheq në shumë korridore, ia tregoi enën ku përgatitej buka duke i thënë: “Askush nuk ka këtë kapacitet, kemi të gjitha llojet e bukës për çdo shije…” Më pas bukëpjekësi duke hapur dyert impozante të qelqit tha: “Kjo është dhoma jonë për inspirim”. Bukëpjekësi “ndiente” se te lypësi kishte lënë përshtypje të madhe. Por, lypësi nuk fliste fare. Bukëpjekësi e “kuptoi” heshtjen e tij. Duke e përqafuar lypësin sikurse të njihen që moti dhe si të ishin vëllezër i tha: “Edhe mua më mahnit kjo sikurse ty” Bukëpjekësi vazhdoi më tutje: “Njerëzit me kilometra larg vijnë tek unë. Një herë në javë punëtorët e mi grumbullohen rreth meje për të dëgjuar recetat e mia me vlerë të paçmuar, librin e recetave të jetës”
Lypësi ishte ulur ngase nuk kishte zgjidhje tjetër përpos të dëgjonte bukëpjekësin e entuziazmuar. “E di çfarë dëshiron, dëshiron të më dëgjon” i tha bukëpjekësi. “Unë dëshiroj vetëm pak bukë” i tha lypësi.
“Ah, ah” u përgjigj bukëpjekësi “Sa i mençur je” Përsëri e përqafoi të varfrin dhe e dërgoi në paradhomën e furrës. “Atë që tani do ta them është shumë me rëndësi. E sheh këtë rrugë? Ka shumë bukëpjekës, andaj bëhu i kujdesshëm, ata nuk bëjnë bukë të mirë. E di, njëri brumit i qet dy lugë krip në vend se t’i qet një lugë. Tjetri e nxënë furrën për tre shkallë më tepër se sa duhet.
I varfëri i llomitur, u nis drejt rrugës. “A nuk dëshiron bukë?” e pyeti bukëpjekësi. I varfëri u ndal, duke i ulur supet e shikoi dhe u përgjigj: “Tani e humba apetitin”. “Dëm i madh” tha bukëpjekësi “Si duket njerëzit nuk dëshirojnë bukë të vërtetë”
Ndoshta vërtet ndonjëherë dëshirojmë t’i ndihmojmë dikujt, por duhet të kemi kujdes që individit t’i japim atë që i nevojitet. Njëra ndër gjërat më të stërholluara te secili individ është zemra e tij. Atë që njeriu e flet, zemra ia kërkon, për atë që njeriu mallëngjehet për atë zemra qanë, për atë që njeriu gjurmon për atë zemra kërkon.
Zemra e secilit njeri është si ena. Rrallë herë kjo enë mbushet. Kur dikush dëshiron të bisedoj me ne, zemra i kërkon përgjigje, nuk duhet ta refuzojmë. Kur dikush na thërret në rrugë ose na shikon në rrugë duhet që në një mënyrë t’i përgjigjemi. Nuk është me rëndësi që të tregojmë shumë, ose të tregojmë gjatë, apo të tregojmë çdo gjë që dimë. Ajo që është e nevojshme është dashuria dhe kujdesi për t’ia mbushur zemrën e tjetrit. Pra, tjetrit duhet ofruar atë që kërkon zemra e tij me kujdes, butësi dhe sinqeritet.
Allahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë: “Andaj, jepja të afërmit atë që i takon, e edhe të varfrit edhe udhëtarit, e kjo është shumë më e dobishme për ata që veprojnë për hir të All-llahut dhe të tillët janë ata të shpëtuarit.” (Er Rrum, 38)
Ndërsa Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Vërtetë Allahu i Madhërishëm i ka enët e Tij në Tokë. Këto enë janë zemrat, dhe enët më të dashura te Allahut të Madhërishëm janë ato më të pastrat, më të qëndrueshmet, më të stërholluarat” (Shënon Taberaniu, transmetuar nga Ebu Utbe el-Havelaniu)
Andaj të varfrit jepi bukë e mos ia trego bukurinë e furrës. Ndërsa zemrës së përvuajtur këshillë të bukur dhe mirëkuptim.
Përgatiti: Dr. Ali F.Iljazi