Islami dhe bashkëqeverisja te shqiptarët në periudhën e osmanlinjve (2)

Shqiptarët ishin bashkëqeverisës në kalifatin Osman

Duhet pranuar se shteti Osman ishte një shtet me një shoqëri multietnike dhe multikonfesionale, kurse në asnjë mënyrë nuk ishte shtet një nacional, siç pretendon dikush, edhe pse elementi dominues në të ka qenë elementi turk. Osmanët nuk ishin vetëm turqit, por të gjithë popujt shtet formues në të: arabët, persët, urdët, kurdët, shqiptarët, boshnjakët etj.
Të thuhet se shteti Osman është vetëm shtet turk, atëherë për shqiptarët është një nënçmim shumë i madh, sepse atyre u mohohet pjesëmarrja aktive në atë shtet, e kaluara historike dhe besimi i tyre islam, kur dihet se shqiptarët kanë dominuar në komandimin e ushtrisë osmane dhe kanë qenë njerëzit më të besueshëm të Sulltanit. Shqiptarët, siç dihet përfaqësoheshin në elitën ushtarake, politike e kulturore të Perandorisë në përmasa që nuk ishin aspak në raport me numrin e tyre si popullsi. Për më tepër, nën sundimin osman shqiptarët e zgjeruan qenësisht hapësirën e tyre. Në postin e vezirit të madh nga mesi i shek. XV e deri në fund të shek. XVII, u graduan 25 persona me origjinë (shqiptare), ndërsa gjatë gjithë kohës se sundimit osman, prej gjithsej 96 sadriazemeve, me sa janë identifikuar, 39 ishin me origjinë shqiptare.(1)
Doktor i shkencave historike prof. dr. Abdul Kadir Ozcan(2) në veprat e tij: "Historia e Perandorisë Osmane", "Betejat e Sulltan Fatiut", "Saderazamet e perandorisë" etj., duke u marrë për një kohë të gjatë me sadriazamet (kryeministrat) që kanë qeverisur Perandorinë Osmane, vuri re se gjatë 500 vjetëve të perandorisë, për 100 vjet rresht në kohë të ndryshme, atë nuk
e kishin qeverisur turqit, por shqiptarët e ardhur nga skaji më perëndimor i saj dhe çuditërisht ata ishin edhe njerëzit më besnikë të perandorisë. Profesori Ozcan në një intervistë ekskluzivisht për "Koha Jonë", thotë: "Ja ku janë, për herë të parë në faqet e kësaj gazete, të gjithë bashkë njeri pas tjetrit, 39 kryeministrat shqiptarë që kanë udhëhequr Perandorinë Osmane. Pra rreth 2 shekuj shqiptarët nuk ishin pa pushtet, por disa kishin fituar pavarësinë nga sulltani, dhe qeverisnin për llogari të vetë në disa shtete, si në Arabi, Siri, Egjipt etj.(3)
Vlen të përmendet se në shekullin e XV, i pari shqiptar që u bë kryeministër në shtetin osman ka qenë Koxho Daut Pasha më 1493, ndërsa kryeministri i fundit shqiptar në qeverinë osmane ka qenë Ferit Pasha nga Vlora, në kohën e Sulltan Abdul Hamitit të dytë nga viti 1903 deri në vitin 1908.

Kryeministrat shqiptarë gjatë kalifatit osman

1. Gjedik Ahmet Pasha

Kryeministër i shtetit osman me origjinë shqiptare.
Ai ka qenë kryeministër në vitet 1475-1479. Gjatë kohës së qeverisjes së tij me anë të flotës ushtarake arriti të pushtojë pjesën më të madhe të Krimesë, e cila bllokoi rrugën tregtare të Evropës për në lindje.

2. Daut Pasha

Sipas Sami Frashrit, është me origjinë shqiptare.
Në saje të aftësive dhe talentit të tij të lindur, në vitin 1483, në kohën e Sulltan Bajazitit, duke qenë bej lerë i Anadollit, kaloi në postin e kryeministrit dhe arriti të drejtojë me sukses punët e rëndësishme të shtetit osman.

3. Haim Ahmet Pasha

Kryeministër me origjinë shqiptare nga vitet 1496- 1514. Gjatë qeverisjes së tij nënshtroi Hercegovinën dhe ndërmori disa ekspedita plaçkitëse në Hungari, Austri, Poloni.

4. Ahmet Pashë Dukagjini

Ka qenë kryeministër për një periudhë të shkurtër 1514 deri në vitin 1515. Rrjedh nga familja e Dukagjinëve. Gjatë qeverisjes së Sulltan Selimit, ka qenë ushtarak- gjeneral, ka qenë edhe bejlerë i Rumelisë qeveritar i Ballkanit, e pastaj edhe kryeministër.

5. Ibrahim Pasha

Ishte me origjinë nga Butrinti, por ka studiues që thonë nga Parga e Çamërisë, gjithsesi ishte shqiptar. Si u bë kryeministër drejtoi fushatat për pushtimin e Beogradit dhe Rodosit.

6. Ajaz Mehmet Pasha

Qe kryeministër në vitet 1536-1539, pas vdekjes së Ibrahimit. Ishte nga Vlora dhe kishte lindur në Vuno. Shtypi kryengritjen e shqiptarit Ahmet Pasha, një funksionar i lartë i shtetit i rebeluar ndaj qeverisë qendrore.

7. Lutfi Pasha

Qeverisi si kryeministër në vitet 1539-1541. Ishte me origjinë nga Vlora, nga ku osmanët e morën që të vogël. Ai u rrit në pallatin e sulltanit, ku mori të gjithë edukimin e nevojshëm politiko-ushtarak.

8. Rustem Pasha

Kryeministër i kalifatit me origjinë shqiptare, që qeveris i në vitet 1544-1552 dhe për herë të dytë, në vitet 1555-1560 pas vdekjes së Kara Ahmet Pashës, pra ai qeverisi kalifatin për 13 vjet.

9. Kara Ahmet Pasha

Atë e morën të vogël nga trojet shqiptare dhe e rritën në pallatin e sulltanit, ku mori dhe edukimin e nevojshëm. Sulltani i dha të motrën për grua, ashtu siç bënin shpesh sulltanët me figura të mëdha të shtetit.
Gjatë kohës që ishte kryeministër, në vitet 1553-1555 u ngarkua të merrej vesh me shahun e Iranit dhe nënshkroi me të një marrëveshje paqeje.

10. Semiz Ahmet Pasha

Ishte kryeministër me origjinë shqiptare gjatë viteve 1579-1580, pra për një kohë të shkurtër, ku nuk janë shënuar shumë ngjarje të rëndësishme. Përpara se të bëhej kryeministër ishte bej lerë i Rumelisë. Ai mori për grua të bijën e ish-kryeministrit Rustem Pasha.

11. Koxha Sinan Pasha (1506-1596)
Ka qenë kryeministër i kalifati pesë herë në vitet 1580-1582; 1584-1585; 1589-1591; në 1593; 1595-1596. Ka lindur në Topjanë të Lumës. Vendlindjes së tij, Lumës ia lehtësoi taksat dhe detyrimet, gjithashtu ngriti në Kaçanik një kështjellë dhe një xhami.

12. Ferad Pasha

Edhe ai si kryeministrat e tjerë shqiptarë u rrit në pallatin e sulltanit ku mori edukimin e nevojshëm. Gjatë karrierës së tij qeverisi Rumelinë, si bejlerë. Qe kryeministër gjatë viteve 1591-1592 dhe në vitin 1595.

13. Merre Husein Pasha

Ishte me origjinë shqiptare. Ka nisur karrierën si kuzhinier, dhe më vonë shërbeu si vali në Misir. Shërbeu si kryeministër në vitet 1601-1602, pra për një kohë të shkurtër.

14. Jemishxhi Hasan Pasha

Sipas Sami Frashrit është me origjinë shqiptare. (Sami Frashri f. komp.45). Ka ngjitur shkallët e karrierës ushtarake dhe qeveritare në saje të aftësive të tij. Në vitin 1602-1603, ishte kryeministër i kalifatit.

15. Kujxhu Murat Pasha

Ka qenë me origjinë shqiptare. Ishte kryeministër gjatë viteve 1606-1611, pra për rreth pesë vjet. Gjatë qeverisjes së tij u nënshkrua marrëveshja e paqes me Austrinë, me të cilën perandoria kishte disa vite që kishte rifilluar luftën.

16. Nasuh Pasha

Ishte shqiptar dhe qeverisi si kryeministër në vitet 1611-1614, vite gjatë të cilave mbretëroi një gjendje paqeje pa luftëra të mëdha. Para se të bëhej kryeministër ka punuar si qeveritar i Halepit dhe i Bagdadit.

17. Ohril Hysein Pasha

Ai lindi në zonën e Pogradecit, dhe vdiq në vitin 1622.
U rrit në pallatin e sulltanit dhe më pas u bë komandant i jeniçerëve dhe qeveritar i Rumelisë. Mori gradën vezir dhe shërbeu si kryeministër gjatë vitit 1621.

18. Hasan Pasha

Ai ishte me origjinë shqiptare. U mor i vogël dhe u edukua në oborrin e sulltanit. Në fillim ka qenë bejlerë i Rumelisë, pastaj vezir i gradës së ulët deri sa u bë vezir i madh ose kryeministër në vitin 1624.

19. Taban Mehmet Pasha

Ishte kryeministër me origjinë shqiptare i kalifatit në vitet 1631-1637, pra për pesë vjet. Vite që nuk patën ngjarje të mëdha. Pas detyrës u burgos dhe u ekzekutua.

20. Mustafa Pashë Kamekeshi

Lindi në Vlorë. Ai nuk ishte vetëm ushtarak i zoti, por edhe financier i zoti, sepse arriti të kryejë me sukses një reformë financiare. Sulltan Murati IV, për suksesin e së cilës mori dhe titullin vezir i madh (kryeministër) dhe qeverisi vendin në vitet 1637-1644.


____________________________________
(1) Feraj H. "Skicë e mendimit politik shqiptar", Sh. B. "Logos-A", fq. 52-53, Shkup, 1999.
(2) Prof. dr. Abdul Kadir Ozcan jep mësim ne Universitetin." Arkitekt Sinani". në Stamboll, duke punuar aktivisht edhe për institutin e historisë në Stamboll.
(3) www.albeu.com.



Prof. dr. Qazim Qazimi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)