Një sundimtar bashkë me shoqëruesit e tij, doli për shëtitje. Gjatë rrugës kaloi nga një fshat ku shikoi një plak, i cili po punonte me shumë zell kopshtin e vet.
E thirri plakun nga larg dhe i tha: - Baba, përse po mbjell fidanë? Qenke thinjur e të paska ecur goxha mosha, ndoshta nuk do të arrish që të shijosh frytet e këtyre fidanëve.
– Biri im, nuk është e thënë që të korr frytet e asaj që mbjell. Ashtu si kemi ngrënë frutat e të parëve tanë, ashtu do të hanë edhe të rinjtë frutat e punëve tona.
Sundimtarit i pëlqeu shumë kjo përgjigje dhe dha urdhër që t’i jepnin plakut një qese me florinj.
Plaku duke komentuar tha: - E shikove, biri im? Fidanët e mi i dhanë menjëherë frytet.
Edhe kjo përgjigje u pëlqye nga sundimtari, i cili urdhëroi sërish që t’i jepet plakut të urtë edhe një qese tjetër me florinj.
Plaku i mençur në vazhdim tha: - Biri im, fidanët e njerëzve të tjerë japin fryte vetëm një herë në vit ndërsa këta tanët dhanë dy herë në vit.
Edhe kjo përgjigje i pëlqeu shumë sundimtarit dhe urdhëroi që t’i jepet një qese e tretë.
Por, këtë herë ndërhyri veziri i cili i tha: - Të lutem o mbreti im, hajde të largohemi prej këtu se kështu si po vete puna, plaku po mbjellë fidanë në arë dhe po korrë thesarin e shtetit!