Shërbehet bakllava në qendër të Prishtinës, dy ditë para fillimit të Ramazanit

Të hënën, në qendër të Prishtinë, në sheshin Nëna Terezë, disa të rinj besimtarë muslimanë, në vigjilje të muajit të Ramazanit, kanë shpërndarë bakllava.

Dimensionet e bakllavasë më të madhe të shërbyer në Kosovë deri më tani kanë qenë 4 metër katror.
Përgatitjen e saj në mënyrë vullnetare e ka bërë fabrika e ëmbëlsirave “Missini Sweets”.
Qytetarë të shumtë u mblodhën në vendin ku janë shërbyer 4,500 copë bakllava falas. Aty, gjithashtu janë shpërndarë edhe broshura dhe fletushka informative lidhur me agjërimin.
Në emër të organizatorëve, Asdren Bytyqi në një prononcim për AA tha se që pesë vite me radhë në vigjilje të muajit Ramazan janë duke e bërë shpërndarjen e kalendarit të ramazanit, bakllavasë ose ëmbëlsirave të ndryshme në Prishtinë. Ai theksoi se janë të rinj vullnetarë qëllimi i të cilëve është që t’i ëmbëlsojnë njerëzit në vigjilje të këtij muaji që sjell paqe, mirësi dhe më shumë solidaritet në mes të njerëzve.
“Andaj, dëshirojmë të fusim në psikologjinë e qytetarëve të rinj dhe të vjetër që ky muaj është i veçantë dhe duhet të dallohet nga të tjerët për nga simbolika e ushqimit, por edhe për nga simbolika e ëmbëlsimit, meqë ashtu siç fillon, ashtu edhe mbaron”, tha Bytyqi.
Ai përmendi rekordin për bakllavanë më të madhe në botë të cilin e mban Anakaraja, duke thënë se me këtë bakllava që po e servojnë, kanë arritur 40 përqindëshin e bakllavasë në Turqi. Ai tha se janë të përgatitur që vitin e ardhshëm ta thyejnë rekordin e bakllavasë prej 11.800 copëve.
“Për vitin e ardhshëm synojmë që të futemi në regjistrat e Librit Guinness, ngase këtë vit kemi përgatit një bakllava me 4.500 copë, kurse vitin e ardhshëm synojmë t’ia thyejmë rekordin Turqisë në një ngjarje e cila është mbajtur në Ankara”, shtoi Bytyqi.




Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme