Myftiu i Kosovës z.Naim Ef. Tërnava i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i BIK z.Resul Ef.Rexhepi dhe anëtarët e kryesisë z.Ahmet Sadriu dhe z.Ramadan Shkodra u prit sot në një takim pune nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Skender Bruçaj.
Kreu i KMSH-së falënderoi Myftiun Tërnava për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve si dhe për ndihmën konkrete që BIK ka dhënë në myftini të ndryshme të Shqipërisë si në atë të Kukësit, Pukës etj.
Nga ana e tij Myftiu Tërnava vlerësoi bashkëpunimin konkret të deritanishëm me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe theksoi nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet dy institucioneve.
Më tej ai i dorëzoi Kryetarit të KMSH-së shumën prej rreth 52.000 eurosh të mbledhura nga besimtarët e Republikës së Kosovës si kontribut për restaurimin e Xhamisë së Gjin Aleksit, Delvinë, restaurim i cili po kryhet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Këto fonde do të përdoren në fazën e dytë të restaurimit të brendshëm të xhamisë së lartpërmendur.
Kryetari Bruçaj i shprehu mirënjohjen e tij personale dhe të institucionit që ai drejton Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, drejtuesve të tjerë të pranishëm si dhe të gjithë besimtarëve të Kosovës që me kontributin e tyre e forcojnë edhe më shumë vëllazërinë e shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1533297148.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1533297256.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/4_1533297272.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1533297291.jpg[/img]