Ali Tantavi
Dikur isha i vogël dhe nuk kuptoja asgjë se çfarë ndodhte përreth. Sa herë që kthehesha nga shkolla dhe i tregoja babait tim (rahmet pastë) se çfarë kisha mësuar atë ditë nga “libri i shenjtë” (Bibla) dhe gjuha spanjolle, ai vihej në siklet dhe i prishej çehrja e tij. Më linte dhe shkonte në dhomën e tij që ishte në fund të shtëpisë dhe nuk lejonte askënd të afrohej tek dera e saj. Aty vetmohej me orë të tëra. Nuk e dija se ç’bënte brenda. Pastaj dilte prej dhomës me sy të skuqur, sikur të kishte qarë pa pushim. Çdo ditë kur përballësha me të, më shikonte i shqetësuar dhe i mërzitur i lëvizte buzët, sikur donte të thoshte diçka, por pas pak më kthente shpinën, largohej nga unë dhe nuk fliste.
Ndërsa nëna ime, sa herë që shkoja në shkollë, më përcillte e pikëlluar dhe me lot në sy. Më puthte me mallëngjim dhe nuk ngopej me mua. Kur afrohesha tek dera e shkollës, më thirrte përsëri, më puthte për herë të dytë dhe nuk ndahej nga unë vetëmse me lot në sy. Gjatë gjithë kohës, e ndjeja ngrohtësinë e lotëve të saj që stamposeshin në faqet e mia. Mirëpo, më vinte çudi dhe nuk e kuptoja arsyen përse qante! Pastaj kur kthehesha nga shkolla, më priste me padurim dhe përmallohej aq shumë për mua, sikur s’më kishte parë për shumë vite. Ditët në vijim, fillova të vërej prindërit e mi që çdo herë kur largoheshin nga unë, bisedonin me zë të ulët, jo në gjuhën spanjolle, por në një gjuhë të panjohur që nuk e kuptoja. Kur afrohesha pranë tyre, e ndërprenin bisedën dhe fillonin të flisnin spanjisht. Kjo më habiste dhe më lëndonte aq shumë, saqë nisa të mendoj: vallë, a thua nuk jam biri i tyre?! Apo ndoshta jam një fëmijë kopil të cilin e kanë gjetur në ndonjë rrugicë?! Vetmohesha në një qoshe të shtëpisë dhe qaja i hidhëruar. Qëndroja vazhdimisht i mërzitur, i vetmuar, teksa moshatarët e mi, kënaqeshin duke luajtur dhe duke u zbavitur. Një ditë, ashtu i vetmuar, u thellova në mendime, vura kokën midis duarve të mia dhe përpiqesha t’i zgjidh problemet që më kishin kapluar…. Ashtu si isha duke menduar, më afrohet prifti, më kap për mëngën e këmishës sime, duke më bërë të ditur se kishte ardhur koha për të shkuar në kishë për t’u lutur.
Kalonin ditët dhe nëna ime lindi. Kur i dhanë lajmin babait se ajo ka sjellë në këtë botë një foshnje të bukur, ai fare nuk u gëzua, bile as nuk buzëqeshi, por vetëm i tërhiqte këmbët e tij i mërzitur dhe i trishtuar..
Shkoi te prifti, e ftoi atë ta pagëzonte fëmijën dhe ecte pas tij kokëulur. Në fytyrën e babait dukeshin shenja të mëdha të mërzisë dhe dëshpërimit. Pasi arritën në shtëpi, u futën në dhomën ku ishte nëna me foshnjën e porsalindur.. Në ato momente, e shikoja nënën e cila mbeti e shtangur dhe nuk fliste asnjë fjalë. Fytyra e saj u ndryshua. Me lot në sy, e frikësuar dhe e tronditur, ia dha foshnjën priftit për ta pagëzuar…Kjo skenë, më shtonte dhimbjet edhe më tepër. Pyesja vetën time: Në vend që prindërit e mi të gëzohen me lindjen e fëmiut të tyre, ashtu siç gëzohet çdo prind, ata qajnë dhe dëshpërohen! Çfarë po ndodh kështu?!
Brenga ime vazhdoi deri në natën e pashkëve. Para festës së pashkëve, qyteti i Granadës zbukurohej me drita dhe dekoracion të veçantë, ndërsa pallati madhështor (Alhambra) ndriçohej me qirinj dhe kandila me vaj, kurse balkonet dhe minaret e saj zbukuroheshin me kryqe të mëdhenj. Atë natë, diku ka gjysma e natës, kur të gjithë njerëzit flinin, papritur, babai hyn ngadalë në dhomën time, më zgjon nga gjumi dhe më çon në dhomën e tij. Kisha frikë dhe nuk kuptoja se çfarë po ndodhte. Zemra kishte filluar të më rrihte më shpejtë. Pasi hymë në dhomën e tij ku vetmohej, babai e mbylli derën dhe shkoi të kërkonte llambën. Qëndrova për pak çaste në errësirë. Isha tepër i shqetësuar. E paramendoja së çfarë mund të kishte brenda në dhomë, por pasi e ndezi llambën, pashë se dhoma ishte e zbrazur, s’kishte asgjë, përveç një qilim, një libër i vendosur në një raft të vogël dhe një shpatë e varur për muri. Më uli në qilim dhe më shikonte çuditshëm. Në ato momente ndjeva sikur isha shkëputur nga kjo botë dhe kisha kaluar në botën tjetër. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë atë që përjetoja… Pastaj mi kapi duart e mia me dhembshuri e dashuri dhe me zë të ulët më tha:
“O biri im, tani je dhjetë vjeç dhe je bërë burrë, andaj dua të të tregoj një sekret tepër të rëndësishëm që për shumë kohë e mbajta të fshehur nga ti. A mund ta mbash në gjoksin tënd këtë fshehtësi dhe mos t’i tregosh askujt, as nënës, as familjes, as shokëve, askujt? Dije se vetëm një sinjal, sado i vogël në zbulimin e këtij sekreti, do merr fund jeta ime. Ditën që do të bëhet publik ky sekret, trupi i babait tënd do t’i nënshtrohet dënimeve të rrepta të xhelatëve të inkuizicionit spanjoll..”
Kur dëgjova emrin “Inkuizicion”, fillova të dridhem nga maja e kokës e gjer në fund të këmbëve. Vërtet isha i vogël, por e dija se ç’ishte “Inkuizicioni spanjoll”, pasi çdo ditë kur shkoja dhe kthehesha nga shkolla, shihja viktima të këtij terrori (inkuizicionit). Burrat i kryqëzonin dhe i digjnin, kurse gratë i varrnin për flokësh derisa vdisnin..
Unë qëndroja i heshtur dhe nuk përgjigjesha.
Babai më tha: “Çfarë ke, përse nuk përgjigjesh? A nuk mund ta ruash sekretin?”
I thashë: “Po, do ta ruaj sekretin tënd dhe të premtoj se nuk do t’i tregoj askujt.”
Më tha: “Mund ta fshehësh edhe nga nëna dhe njerëzit tu më të afërt?”
I thashë: “Po.”
Atëherë më tha: “Afrohu te unë dhe dëgjo mirë, se nuk mund ta ngre zërin tim. Kam frikë që edhe muret kanë veshë, e kjo mjafton që t’më dërgojnë në burgjet e inkuizicionit dhe t’më djegin për së gjalli.”
U afrova pranë tij dhe i thashë: “Po të dëgjoj o baba.”
Bëri shenjë kah libri që ishte në raft dhe më tha: “E di çfarë libri është ai?”
“Jo” – i thashë.
“Është Libri i Zotit” – mu përgjigj.
I thashë: “Libri i shenjtë me të cilin ka ardhur Jezusi, biri i Zotit?” (Kështu e kishim mësuar në shkollë).
“Jo – (u përgjigj i shqetësuar), nuk është Bibla, por Kur’ani. Ky është Libri të cilën Allahu i Madhërishëm (filloi t’i përmend atributet e Zotit: i Cili është Një dhe i vetëm, çdokush dhe çdo gjë ka nevojë për Të, ndërsa Ai s’ka nevojë për askënd dhe për asgjë. Nuk ka lindur kënd dhe nuk është i lindur. Asgjë dhe askush nuk është identik me Të), ia zbriti krijesës më të ndershme dhe të parit të të gjithë Profetëve, hazreti Muhammedit, birit të Abdullahut, Profetit arab (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).
I hapa sytë i habitur dhe s’kuptoja asgjë. Hera e parë që e dëgjoja këtë..
Pastaj babai vazhdoi: “Ky është Libri i fesë Islame. Islami është feja të cilën Allahu i Madhërishëm e zgjodhi për mbarë njerëzimin… Disa shekuj më parë, në vitin 571, erdhi në jetë i dashtuni i zemrave tona, profeti për mbarë njerëzimin, hazreti Muhammedi (a.s.). Ai u shfaq diku larg (në Arabi)…. Përtej deteve dhe shkretëtirave…. U lind dhe u rrit në Mekë, në mesin e një populli idhujtar, të paditur e të paarsimuar… Por Allahu i Madhëruar përmes të Dërguarit të Tij, i udhëzoi në rrugën e drejtë, i nxorri nga errësira në dritë. Pasi pranuan Islamin, u bënë besimtarë të devotshëm, të drejtë, të ditur e të kulturuar dhe e përhapën Islamin anekënd botës, derisa arritën tek ne, në Gadishullin Iberik, pra, në Spanjë. Pasi çliruan Spanjën dhe sollën fenë Islame, i dhanë jetë kësaj toke. Mbajtën drejtësi dhe u treguan tepër të njerëzishëm. Gjaku, nderi dhe pasuria e të gjithëve ishte e mbrojtur. Myslimanët sunduan në Spanjë rreth tetë shekuj dhe e shndërruan në vendin më të qytetëruar, më të zhvilluar, më të bukur dhe më tërheqës në botë.
Po o biri im, ne, arabët mysliman..
Nuk mund ta mbaja gjuhën time nga çudia dhe habia dhe pëshpërita:
Çfarë?!….Ne?!…Arabë mysliman?!…
Po biri im, ky është sekreti im të cilin e kam mbajtur të fshehtë nga ti.
Po… Pikërisht ne… Banorët e këtij vendi… Ne i ndërtuam këto pallate të bukura të cilat na përkisnin neve por u bënë pronë e armiqëve tanë…Ne i ndërtuam këto minare të larta në të cilat dëgjohej zëri i muezinit, kurse tani dëgjohet zëri i këmbanave. Ne ishim ata që hapëm shumë xhamia, ku muslimanët të rreshtuar në rreshta qëndronin në këmbë para madhërisë së Allahut, gjersa imamët në mihrabe lexonin fjalën e Allahut, Kur’anin. Por, këto xhami, krishterët i shndërruan në kisha ku priftërinjtë dhe murgjit recitonin Inxhilin (Biblën).
Po o bir…Ne arabët mysliman…Në çdo vend të Spanjës kemi lënë gjurmë. Në çdo pëllëmbë të kësaj toke gjenden eshtrat e gjyshërve tanë. Kudo ka varre të martirëve (dëshmorëve) tanë….Po…Ne i ngritëm këto qytete, ndërtuam këto ura dhe rrugë që i sheh, hapëm plot kanale dhe mbollëm këto pemë…
Por dyzet vjet më parë… A po më dëgjon?…Dyzet vjet më parë, mbreti i fundit (i myslimanëve) në këto vende, Ebu Abdullahu u mashtrua nga premtimet e spanjollëve dhe ua dorëzoi atyre çelësat e qytetit të Granadës, kurse vet mori rrugën drejt Marokut, për të vdekur atje i vetmuar dhe i persekutuar. Spanjollët na garantuan lirinë, drejtësinë dhe pavarësinë, mirëpo, sapo morrën pushtetin në duar, na tradhtuan dhe na prenë në besë. Formuan “Gjykatën e Zyrës së Shenjtë të Inkuizicionit”, ku na detyruan me dhunë të bëhemi të krishterë, na detyruan me forcë të linim gjuhën tonë, na i morën fëmijët tanë që t’i rrisin në fenë krishtere…Siç po e sheh, ky pra, është ai sekreti që e mbaja të fshehtë. Jemi duke përjetuar vuajtje të rënda o bir, pasi nuk guxojmë ta adhurojmë Zotin dhe ta praktikojmë lirshëm fenë tonë, e as të mbrojmë besimin e fëmijëve tanë.
Që dyzet vjet o biri im, jemi duke e duruar këtë vuajtje dhe dhimbje që nuk mund ta përballojnë dot as gurët..Çdo ditë jemi duke pritur ndihmën e Allahut dhe ne assesi nuk i humbim shpresat, sepse pesimizmi është i ndaluar në fenë tonë.. Islami është fe e forcës, durimit dhe përpjekjes…
Ky është sekreti o bir im, prandaj ruaje fort dhe mos i trego askujt! Dije se jeta e babait tënd është e varur nga buzët tua, jo se kam frikë nga vdekja, apo se urrej takimin me Allahun, kurrsesi, por do të doja të mbetesha gjallë, në mënyrë që ta mësoj ty gjuhën arabe dhe fenë Islame dhe më këtë të të shpëtoj nga errësira e mosbesimit dhe të futesh në dritën e besimit. Tani çohu dhe ik në krevatin tënd..
Pas kësaj që dëgjova nga babai, sa herë që shihja ballkonet e minareve të Granadës, me kaplonte një dridhje e fuqishme, ndjeja mall dhe pikëllim, kurse zemra më ishte mbushur me urrejtje dhe dashuri. Shpesh mendoja për vetën time për orë të tëra. Një ditë, u zgjova herët dhe u nisa drejt Alhambrasë (Pallatit të Kuq). U ndala para saj dhe fillova ta qortoj: “ Oj e dashura Alhambra, si i harrove ndërtuesit dhe miqtë e tu që të ushqyen me shpirtërat dhe gjakun e tyre? Si e injorove besën që të dhanë? Si i harrove mbretërit dhe dijetarët, të cilët shëtisnin nëpër çardakë dhe mbështeteshin në shtyllat e tua? Si ju ktheve shpinën atyre që të dhanë lavdi e madhështi, shkëlqim e bukuri si dhe gjithë atë që dëshiroje?! Ato personalitete të nderuara kur flsnin, i dëgjonte e gjithë bota, ndërsa urdhërat e tyre menjëherë zbatoheshin. Si pranove që në vend të ezanit, të dëgjohet këmbana? Si ishe e kënaqur që vendin e imamëve ta zëvendësojnë priftërinjtë??
Kisha frikë se mund t’më dëgjonte ndonjë spiun i inkuzicionit. Pastaj vazhdova rrugën dhe nxitova për të arritur në kohë në orën e mësimit të gjuhës arabe. Mësues e kisha babain tim dhe mësonim fshehtazi e me zë të ulët. E përfytyroj babain i cili duke më mësuar shkrimin dhe shqiptimin e shkronjave të arabishtes, më thoshte: “Biri im, këto janë shkronjat (germat) tona.” Pastaj më mbante mësime rreth fesë Islame. Më mësoi abdestin dhe namazin. Kështu fillova të falem pas tij në atë dhomën e vogël dhe të frikshme.
Gjithmonë e kishte frikën se mos po rrëshqas e po e zbuloj sekretin. Nganjëherë më provonte (testonte) se sa e ruaj sekretin dhe e dërgonte nënën tek unë e cila më pyeste:
Çfarë të mëson babai?
Asgjë – i them unë.
Më thotë: Më duket se babai është duke të mësuar diçka, andaj të lutem më trego e mos e mbaj të fshehtë nga unë.
I përgjigjem përsëri: Ai nuk më mëson asgjë.
Kështu vazhdova ta mbaj të fshehtë derisa mësova arabishten, e kuptova Kur’anin dhe mësova bazat e fesë. Pastaj babai më njoftoi me një shok të tij (musliman i devotshëm) ku takoheshim ne të tre, bënim ibadet dhe lexonim Kur’anin së bashku.
Pas kësaj, Inkuzicioni Spanjoll vazhdoi me persekutime dhe dënime edhe më të ashpra ndaj myslimanëve (arabëve) që kishin mbetur në Spanjë. Nuk kalonte ndonjë ditë që nuk shihnim njëzet apo tridhjetë kryqëzime (ekzekutime në kryq), ose të djegur në zjarr për së gjalli. Nuk kalonte ndonjë ditë që nuk dëgjonim për qindra njerëz duke vuajtur torturat më çnjerëzore. U heqnin thonjtë në praninë e të tjerëve; u jepnin ujë shumë për të pirë derisa u zihej fryma; U digjnin këmbët me zjarr; U prenin gishta dhe i detyronin t’i hanin ato dhe i rrihnin derisa mishi binte nga trupi…
Kjo gjendje e rëndë vazhdoi për një kohë të gjatë..
Një ditë, babai im më drejtohet dhe më thotë: “O biri im, po e ndjej sikur më është afruar vdekja, prandaj dua të bie shehid (martir) në duart e tyre (kryqtarëve), ndoshta Allahu më fut në Xhennet dhe me këtë të fitoj një shpërblim të madh. Tashmë nuk kam asnjë dobi nga kjo botë, pasi jam shumë i lumtur që të nxjerra nga errësira e mosbesimit e të futa në dritën e besimit (me ndihmën e Zotit) dhe e hoqa përgjegjësinë dhe barrën e rëndë që kisha mbi supet e mia. Nëse mua më ndodh diçka, po ta lë amanet që ta dëgjosh xhaxhain tënd dhe mos ta kundërshtosh për asgjë.
Kaluan ditët.. dhe ishte një natë e zezë, ku xhaxhai im më thërret dhe më urdhëron të nisem me të, pra të bëjmë emigrim. Dhe kështu Allahu na lehtësojë rrugën e largimi (emigrimit) për në Marok, vendin e myslimanëve.
(Rrugës) e pyes xhaxhain tim: Po çfarë ka ndodhur me babain dhe nënën time?
Ai më thotë: “Po a nuk të porositi babai që t’më dëgjosh?
Ashtu i mërzitur vazhdova rrugën. Kur kaluam qytetin, na zuri nata (errësira), e xhaxhai më tha: Ji i duruar biri im, Zoti e kishte shkruar për prindërit e tu besimtarë lumturinë e përjetshme (shehidllëkun) në duart e ikuzicionistëve (kryqtarëve spanjoll).
Djaloshi i shpëton vdekjes dhe kalon në tokën e Marokut, i cili më vonë do të bëhet një ndër dijetarët më të mëdhenj të botës islame.
Personazhi i kësaj ngjarjeje: Muhammed bin Abdur-Refi’ El-Endelusij. (978 h. 1062)
Në bibliotekën popullore në Rabat–Marok gjendet vepra në dorëshkrim e autorit Muhammed bin Abdur-Refiut i cili e tregon këtë rrëfim të vërtetë.
Përktheu:
Enes Koshi
(Islampress)