Aloe vera (arab. ulva; sabir)

Kajs bin Rafi' el-Kajsi ka treguar që i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ka thënë: "Agava (lat. aloe vera) dhe pulikthi me xhunga (lat. Senecio) i familjes Asteraceae 1 janë ilaçe për sëmundje". 2

Ummu Seleme ka treguar se pas vdekjes së Ebu Selemesë, tek ajo kishte shkuar për vizitë i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., dhe atë ditë ajo e kishte lyer fytyrën me lëngun e freskët të aloes. I Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., e kishte pyetur: "Çfarë ndodhi, oj Ummu Seleme?" Ajo u përgjigj: "Ky është vetëm lëng i aloes 3 me të cilin e kam lyer fytyrën për freskim (për ta zbutur), o i Dërguar i All-llahut, dhe nuk ka aromë". Ai i tha: "Ai i tkurr indet natën, e jo gjatë ditës". 4

Aloe vera (agaveja) është e nxehtë dhe e thatë në shkallën e dytë. Nga ajo njeriu ka dobi të shumta, sidomos nënlloji i aloes indiane. Ajo neutralizon tepricat e mbledhura të vrerit të verdhë (bilurubina) në tru, të cilat ndonjëherë ndikojnë dëmshëm në nervin e syrit (N. opticus). Masazhi i ballit dhe kokës me masën që është përfituar nga përzierja e vajit të aloes me vajin e trëndafilit mënjanon dhembjen e kokës, shëron të thatin (furunkulet) në hundë, inflamacionet dhe të thatin në gojë. Ajo mënjanon inflamacionet dhe gëlqerosjet në mëlçi dhe zbut depresionin dhe melankolinë. Nënlloji i aloes persiane e rrit mendjemprehtësinë dhe gjallëron zemrën. Në qoftë se pihen dy lugë të bimës aloja, që i kemi hedhur në një gotë ujë, kjo ndihmon pastrimin e sekrecioneve të prishura të trupit, të vrerit, të mukusit të tepërt që krijohet në lukth, dhe mënjanon ndjenjën e rreme të urisë. Pirja e lëngut të aloes kur bën ftohtë mund të shkaktojë irritim (ngacmim) të vrerit, gjakderdhje në zorrë dhe barkqitje (diarrea) që shkaktohet nga kjo gjakderdhje (melaena - nevojë me ngjyrë të zezë).

Aloja vera mënjanon verdhëzën dhe ndihmon gjithashtu në shërimin e ulcerës në zorrë, shëron tajitjen nga kapakët e syrit dhe mënjanon gurët në veshka. Përzierja e alojes me ilaçe bën që të shfaqen pasojat e tyre të dëmshme.

Sot në botë përdoret Aloja vera e përpunuar nga një lloj kaktusi amerikan, i cili përpunim bëhet në laboratore të sofistikuara. Është i pranishëm në 56 shtete të botës dhe ka mbi 5.500.000 distributorë. Deri më tani Aloja vera është njohur vetëm si shtojcë në kozmetikë. Pas përdorimit dhe përvojës së përdoruesve, u dëshmua se kjo bimë e çuditshme ekzotike ka veti të jashtëzakonshme shëruese. Praktika mjekësore ka vërtetuar se gati nuk ka pjesë të saj që nuk mund të përdoret. Xhelatina e Aloe vera e bën të mundur një shfrytëzim më të mirë të materieve ushqyese, përthithje më të mirë të ilaçeve, pengon ose zbut ndikimet e padëshirueshme gjatë përdorimit të ilaçeve (neverinë, dhembjen e kokës, plogështinë, molisjen etj.), përdoret në kemoterapi, rrezatim, citostatikë (ilaçe kundër kancerit).

Autorë të shumtë kanë vërtetuar se xhelatina e Aloe vera është e përshtatshme të përdoret në rastet me verdhëz, në inflamacionet e tëmblit, pankreasit dhe zorrës së trashë. Pastaj përdorimi i saj normalizon punën e gjëndrës mbrojtëse (gl. thyroidea), pastron gjakun, rregullon shtypjen e lartë të gjakut, venat e zgjeruara, prostatën, cirozën e mëlçisë dhe tumoret. Në gjethet e alojes gjenden materie vepruese-alkaloide që kanë veti fitoterapeutike. 5


Druri i alojes (arab. arak)
Misvaku i alojes
Salvadora persika

Imam Buhariu ka treguar se i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., kishte zakon që për çdo mëngjes t'i fërkonte dhëmbët e vet me misvak. 6

Ekzistojnë lloje të ndryshme të misvakut, por i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ka përdorur disa lloje të drurit të shegës (lat. Punica granatum), të drurit të borzilokut (lat. Ocimum basilicum) dhe, ndonjëherë, kallamin. Druri i alojes ka aromë më të këndshme sesa llojet e tjera dhe është më i miri për pastrimin e dhëmbëve. Duke përshkruar dobitë që ka njeriu nga pastrimi i rregullt i dhëmbëve, Ibn Abbasi , r.a., ka thënë: "Ekzistojnë dhjetë dobi nga pastrimi i dhëmbëve: freskon gojën, forcon mishin e dhëmbëve, mënjanon sekrecionin, lufton plagëzat (që i shoqërojnë disa sëmundje të mukozës së gojës), e përgatit lukthin për shujtën tjetër, përmban në vete hadithin, e kënaq Zotin, e pasuron virtytin individual dhe u ofron kënaqësi meleqve". Po ashtu, ndër shumë dobi të tjera, pastrimi i dhëmbëve qartëson të folurit, pastron trurin, nxit bamirësinë dhe, bile, është më i këndshëm kur përdoret pas njomjes së një cope të këtij druri në ujë trëndafili (Shih gjithashtu: druri i alojes indiane).


Druri i alojes (arab. ulva)
Fruti i alojes (arab. kebas)

Njëherë Xhabir bin Abdullahu , r.a., ka thënë: "Bashkë me Pejgamberin e All-llahut , s.a.v.s., vilnim fruta të pjekur të alojes, dhe ai tha: 'Vilni ato që janë gati të zeza, sepse ato janë më të mirat'". 7

Kebas është fryti i pjekur i alojes, ndërsa fryti i papjekur i alojes në gjuhën arabe quhet el-barir. Fryti i alojes është një ndër bimët e shkretëtirës dhe është autokton në Gadishullin Arabik. Fryti i alojes është i nxehtë dhe i thatë dhe përmban dobitë e bimës së alojes: e forcon lukthin, ndihmon tretjen, zbërthen sekrecionin (këlbazën), vepron si eleminues i dhembjeve në shpinë (analgjetik), si dhe rrit e ndihmon veprimet e ilaçeve të ndryshme.

Ibn Xhalxhali pohon se pirja e lëngut që nxirret nga aloja e bluar rrit tajitjen e urinës dhe shëron raste të caktuara të bllokimit të urinimit, pastron fshikëzën e urinës, ndërsa Ibn Ridvani ka shtuar se fryti i alojes forcon lukthin dhe mënjanon barkqitjen (diarrenë).




1. Pulithi me xhunga; arab. Zufa'; Reshad beri.
2. Ebu Davudi në Murasil, hadithi është da'if.
3. Aloa përmban alaun, i cili është stipsë. Aloa (arab. sabar) nënkupton gjithashtu dietën; imponimin e heqjes dorë nga ushqimi nga kafsha që shërohet. Kjo bëhet për ta ndihmuar kafshën.
4. Ebu DEavudi, 2305; Nesiu, 6/204; hadithi është daif (i dobët).
5.Shpjegim i përkthyesit në gjuhën shqipe.
6. Buhariu, 2/312; Muslimi, 252.
7. (Shënuan imamët Buhariu dhe Muslimi)




MJEKËSIA E PEJGAMBERIT MUHAMMED
Përktheu nga boshnjakishtja
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi