Haris Çengiç
1. Hyrje
Njëri prej koncepteve të kapërcyeshme që ka të bëjë me fenomenin e fesë në përgjithësi, gjithsesi është koncepti faltore. Në të vërtetë, feja në qenësinë e saj paraqet raportin në mes Zotit xh.sh. dhe besimtarit që adhuron Atë, dhe ai raport gjithmonë lidhet në një mënyrë për vendin ku adhuruesi bën adhurimin.
Ky vend gjithmonë ka karakter të veçantë, për shkak se kuptohet dhe emërtohet “Faltore e Zotit” ose “Shtëpi e Zotit”, d.m.th. shtëpi a vend ku në një mënyrë është e pranishme mëshira e Allahut xh.sh.. Në këtë kuptim besimtarët në mënyrë të veçantë shënojnë dhe zbukurojnë faltoret, i vizitojnë për të bërë ibadet ose për të prerë kurban.
Vendi dhe roli i faltores në Islam, fe e natyrshme e njeriut, është shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye faltorja emërtohet “mesxhid” (vendi ku bëhet sexhde), respektivisht “Bejtullah” (Shtëpi e Zotit, vend i bekuar në të cilin Allahu xh.sh. derdh mëshirë dhe begati).
Këta dy emra të kujtojnë dy rolet themelore që ka faltorja në Islam: roli i vendit të sexhdes, respektivisht faljes, dhe roli i vendit të bekuar, në të cilin pastrohet dhe rilind shpirti i njeriut. Po t’i shtojmë këtyre edhe rolin e kujtimit të Allahut, atëherë do t’i përmbledhim tri rolet kryesore të faltores islame.
Në këtë kuptim flasim për faltoren islame si vend ku bëhet sexhdeja (mesxhidi), për faltoren si Shtëpi e Zotit (Bejtullah) si dhe për faltoren rreth së cilës bëhet adhurimi vetëm për Allahun xh.sh.
2. Mesxhidi
Fjala mesxhid në gjuhën arabe, siç u tha, do të thotë ‘vendi ku bëhet sexhde’. Prandaj, nga vetë fjala, kuptohet se aty parësor është ibadeti. Mesxhidet, respektivisht xhamitë, siç quhen rëndom tek ne, janë ngrehina të veçanta, në të cilat në rend të parë falen namazet dhe kujtohen emrat e Allahut xh.sh.. Vendi dhe roli i mesxhidit është ndërruar me ndërrimin e formës historike të Islamit, respektivisht varësisht nga Libri i vlefshëm dhe Ligji i vlefshëm (Sheriati) në kohën përkatëse. Me sa kemi njohuri, sipas Sheriatit të Teuratit, Zeburit dhe Inxhilit, ibadeti nuk mund të bëhej kudo. Asokohe ibadeti do të ishte i vlefshëm vetëm atëherë kur të kryhej në tempull, përkatësisht në faltore. Natyrisht, ne nuk themi se besimtarët nuk kanë pasur mundësi që adhurimet (ibadetet) t’i bënin edhe jashtë faltoreve, madje kemi bindjen se Ligji me siguri u jepte disa mundësi në atë drejtim, - këtë më së miri e di Allahu xh.sh., - po megjithatë, për format e vjetra të Islamit kërkesa kryesore ishte që ibadeti të bëhej në faltore.
Për këtë arsye myslimanët izraelitë (benu-Israilët) kishin një tendë të veçantë në të cilën ruanin arkën e bekuar. Ajo tendë përbënte vendin e adhurimit (faljes), ku bënin ibadet dhe përsëritnin Emrat e Allahut xh.sh. Ata po ashtu kishin vende të veçanta për sakrificë (kurban), në të cilat prisnin kurbane për Allahun xh.sh.. Atë tendë me arkën e bekuar e bartnin me vete, dhe kjo praktikë ka vazhduar të zbatohej gjithnjë deri tek Davudi a.s. dhe Sylejmani a.s., kur u ndërtua, përkatësisht u riparua faltorja në Jerusalem - Mesxhidul-Aksaja, ose, siç quhet ndryshe, Bejtul-makdisi. Bejtul-makdis ka qenë vendi qendror i Islamit gjatë atyre kohëve, sepse Qabeja, pa dyshim që atëherë ishte e mbushur me idhuj dhe institucioni i haxhit ishte ndotur me rituale të mushrikëve, kështu që myslimanët pjesëtarë të benu-Izrailëve nuk shkonin atje. Rëndësia e Bejtulmakdisit u rrit edhe më shumë nga koha e Sylejmanit a.s., sepse nga ajo kohë arka e bekuar u vendos aty dhe ibadetet e adhurimet kryesore kryheshin po aty.
Një rëndësi të veçantë kishin mihrabet. Fjala mihrab lidhet me fjalën arabe “harb”, që do të thotë ‘luftë’ dhe prej kësaj kuptohet se ato (mihrabet) ishin vende të luftës kundër veseve të veta negative, respektivisht kundër nefsit. Si duket, asokohe mihrabe quheshin hapësirat e veçanta brenda Bejtul makdesit, ku besimtarët bënin intensivisht ibadet, sexhde dhe rite të tjera fetare. Në njërin nga ato mihrabe ka jetuar edhe Merjemja, nëna e Isait a.s., dhe aty ka kaluar kohën duke falënderuar Allahun xh.sh. Sipas disa transmetimeve, mihrabi i saj ka qenë i ngritur, kështu që në të mund të arrihej vetëm me shkallë të veçanta, dhe aty mund të shkonte vetëm familja e ngushtë dhe furnizuesi i saj - Zekeriai a.s., por të vërtetën absolute për këtë e di vetëm Allahu xh.sh.
Mirëpo, me ardhjen e Muhamedit a.s., situata ndryshoi mjaft, për arsye se Resulullahu kishte lehtësi të veçanta tek Allahu xh.sh., atij (Pejgamberit a.s.) dhe mbarë ymetit të tij e tërë sipërfaqja e Tokës iu bë mesxhid, me, përjashtim të kulmit të Qabesë dhe të disa vendeve të ndaluara me Sheriat, si dhe vendeve të papastra, si WC-të e hapësira të ngjashme.
Rregullat islame të sotme dhe deri në fund të kësaj bote (deri në Ditën e Kiametit) urdhërojnë të falet namazi në cilindo vend të pastër, ku njeriu-myslimani gjendet në kohën e namazit. Mirëpo, edhe pse tani mesxhidi ka humbur vetinë e ekskluzivitetit që ka të bëjë me namazin për Allahun xh.sh., ai megjithatë nuk është mënjanuar nga praktika myslimane.
Edhe pse myslimanët mund të bëjnë ibadet në të gjitha vendet e pastra, mesxhidi vazhdon të jetë vend ku falet namazi më shumë. Shkak për këtë janë aktivitetet e tjera që janë të lidhura me mesxhidin jashtë namazit. Mesxhidi, besojmë se edhe para Resulullahut - Muhamedit a.s., e me siguri edhe pas tij, paraqet edhe vendin në të cilin tubohen myslimanët (xhemati), pastaj vendin për mësim (mekteb) dhe, më në fund, vendin për shqyrtimin
e çështjeve të ndryshme jetësore (mexhlisi).
Pasi është rregull në Islam që namazet farze të falen me xhemat, është nevojë praktike që secila lagje të ketë mesxhidin e vet, përkatësisht xhaminë
ku pesë herë brenda dite do të tuboheshin myslimanët në namaz. Prandaj, edhe pse xhemati mund të formohet në secilin vend të pastër, arsyet praktike (mbrojtja nga ndikimet atmosferike, çështja e nxehjes e të tjera), kanë ndikuar që të ndërtohen xhami si vende për kryerjen e ibadeteve, por edhe vende mësimi (mektebe) si dhe për grumbullimin e myslimanëve në përgjithësi. Gjithsesi, gjithë kësaj i ka paraprirë shembulli i parë, d.m.th. xhamia e Muhamedit a.s. në Medinë, sepse pikërisht ajo ka qenë edhe vendi i sexhdesë, vendi i ibadetit, por në të njëjtën kohë edhe vendi për tubimin e myslimanëve, vendi për mësim dhe për shqyrtimin e problemeve të kohës të myslimanëve. Për më tepër, ajo ka qenë edhe shtëpi për Pejgamberin a.s. dhe familjen e tij (banesa e tij ka qenë brenda kompleksit të xhamisë, në pjesën lindore të saj), madje e tillë ka qenë për gjithë myslimanët e varfër, të cilët njiheshin me emrin “ehlus-safa”.
Edhe pse mesxhidi me ardhjen e Pejgamberit të fundit - Muhamedit a.s., humb ekskluzivitetin e vet, ai aspak nuk humb rëndësinë si vend i sexhdesë dhe ibadetit, përkundrazi, mesxhidi edhe më shumë bëhet vend qendror i jetës së përditshme të myslimanëve, i shprehur përmes namazeve të përbashkëta, mësimit të fesë dhe shoqërimit në përgjithësi.
3. Bejtullahu
E pamë se faltorja, përveç cilësisë së mesxhidit, ka edhe epitetin e Shtëpisë së Zotit, respektivisht vendit të bekuar nga Allahu xh.sh.. Me këtë dëshirohet të thuhet se mesxhidet janë vende që kanë një shkallë të caktuar bekimi, vende ku njeriu, duke qëndruar aty dhe duke bërë ibadet, mund ta pastrojë shpirtin e vet dhe të jetë i mbuluar nga begatitë dhe mëshira e Allahut xh.sh..
Kjo do me thënë se esenca e mesxhideve në këtë koncept është se ato janë vende të mbuluara me begatinë dhe mëshirën e Allahut xh.sh. Kështu, duke qëndruar në ato vende, njerëzit mund t’i shfrytëzojnë ato dhunti të Allahut xh.sh.. Në të vërtetë, të jesh i bekuar nuk do të thotë asgjë tjetër veçse të jesh i dashur dhe i respektuar tek Allahu xh.sh. dhe i përfshirë në dashurinë, mëshirën dhe begatitë e Tij. Për këtë arsye, mund të themi se secili mysliman i sinqertë posedon një shkallë të konsiderueshme bekimi, sikundërqë secila xhami si vend i përmendjes, falënderimit, lartësimit dhe përuljes vetëm ndaj Allahut xh.sh., po ashtu posedon një shkallë të konsiderueshme bekimi.
Me siguri, të gjitha mesxhidet, respektivisht të gjitha xhamitë, nuk e kanë të njëjtën vlerë bekimi. Në të vërtetë, me Kuran dhe Hadith janë përkufizuar tri vendet më të bekuara, krahas rregullës së qartë se vetëm ato duhen vizituar. Ato janë: Mesxhdul-harami, d.m.th. Qabeja në Mekë, Xhamia e Pejgamberit në Medinë dhe Mesxhidul-aksa, d.m.th. Bejtulmakdisi në Kuds (Jerusalem).
3.1. Qabeja
(Mesxhidul-harami) dhe Xhamia e Pejgamberit a.s. Qabeja është shtëpia e parë rreth së cilës adhurohet Allahu xh.sh., d.m.th. faltorja e parë e ndërtuar në Tokë, në të cilën është lartësuar, adhuruar dhe madhështuar vetëm Allahu xh.sh., Krijues dhe Sundues i gjithçkaje që ekziston: ”Tempulli i parë i ndërtuar për njerëz, është ai që u ngrit në Mekë, i bekuar dhe udhërrëfyes i botëve”. (Kuran, 3:96).
Ekzistojnë rrëfime të ndryshme lidhur me faktin se kush e ndërtoi i pari Qabenë. Disa mendojnë se këtë e kanë bërë melaqet para se njerëzit të paraqiteshin në Tokë; të tjerët mendojnë se këtë e kishte bërë Ademi a.s., kur erdhi nga Xheneti; disa të tjerë, ndërkaq, mendojnë se atë e ka ndërtuar Ibrahimi a.s. Prandaj, nuk dihet me siguri se kush i pari e ndërtoi Qabenë, por dihet me siguri të plotë se atë e ndërtoi Ibrahimi a.s. mbi themelet e saj të sotme (respektivisht, sipas një qëndrimi tjetër, e rindërtoi në vendin e lashtë, sepse ajo me siguri ishte rrënuar tërësisht gjatë Vërshimit -Tufanit të Nuhut a.s.): ”Dhe, derisa Ibrahimi dhe Ismaili ngrinin themelet e faltores, ata luteshin: ”O Zoti ynë, pranoje prej nesh, sepse Ti, me të vërtetë dëgjon dhe di!” (Kuran, 2:127).
Pa dyshim, dihet se ndërtesa origjinale e Ibrahimit a.s. gjatë historisë është meremetuar dhe rinovuar shumë herë, por mendojmë se themelet e saj askush nuk i ka lëvizur, andaj me të drejtë besojmë se Qabeja edhe sot e kësaj dite qëndron mbi themelet që kishte vënë Ibrahimi a.s..Ai, siç na tregon historia, i pari, në anën juglindore të Qabesë vendosi gurin e Xhenetit të quajtur “Haxherul-esved”. Ai gur, së bashku me gurin “Mekami-Ibrahim”, kishte ardhur nga Xheneti, dhe kishte pritur në brigjet e afërta për shumë vite, gjithnjë derisa meleku nuk ia dha Ibrahimit a.s. që ta vendoste në anën juglindore të Qabesë.
Konsiderohet se Haxherul-esvedi, në të vërtetë, është vulë në kontratën midis Allahut xh.sh. dhe njerëzve, kontratë kjo me të cilën njerëzit i janë detyruar Sunduesit të tyre për dorëzim dhe robërim të sinqertë vetëm ndaj Atij dhe askujt tjetër, dhe se në Ditën e Gjykimit ai gur do të dëshmojë se kush e ka prekur me “tevhid” e kush jo. Kështu, sipas disa transmetimeve, hazreti Ali ibn Ebi Talib r.a. i kishte thënë hazreti Omer ibn Hatabit r.a., për qëllimin dhe rolin e këtij guri të bekuar.
Për këtë gur transmetohet se në fillim ka qenë i bardhë sikur qumështi, por mëkatet e bijve të Ademit a.s. kishin qenë shkaktarë që ai të bëhej i zi. Konsiderohet se Haxherul-esvedi dhe Mekami- Ibrahim (guri në të cilin kishte qëndruar Ibrahimi a.s. kur po ndërtonte Qabenë dhe në të cilin kanë mbetur shenjat e këmbëve të tij si shenja të përhershme) - janë të vetmet dy objekte që gjenden në Tokë me prejardhje nga Xheneti, dhe se ata janë pjesë përbërëse të Qabesë, të tërësisë arkitektonike të ndërtesës së Qabesë. Haxherul-esvedi, de fakto, është pjesë përbërëse e Qabesë, sepse është vendosur në këndin e juglindjes, ndërsa Mekami-Ibrahimi gjendet afër dhjetë metra larg murit lindor të Qabesë.
Me përcaktimin e Allahut xh.sh. Qabeja është vendi më i bekuar në Tokë dhe bekimi i saj manifestohet edhe për faktin se ajo (Qabeja) është rilindje e njerëzve dhe pikërisht në të qëndron edhe një nga fshehtësitë dhe qëllimet e kryerjes së haxhit: ”Allahu e ka bërë Qabenë tempull të shenjtë, që njerëzit të kryejnë haxhin, si dhe muajin e shenjtë dhe kurbanet, edhe ata të shenjuarit me qafore, që ta dinë se All-llahu e di se ç’ka në qiej edhe në tokë, dhe All-llahu, me siguri di çdo send”. (Kuran,5:97)
Nga ky ajet bëhet e qartë se haxhi paraqet një rilindje radikale dhe rivitalizimin e tërësishëm të njeriut, zemrës dhe shpirtit të tij. Ai është pastrim jetësor i shpirtit të njeriut nga ndotja e zemrës dhe shpirtit të njeriut në të njëjtin kuptim sikur namazi e bën për çdo ditë, xhumaja për çdo javë dhe agjërimi i Ramazanit për çdo vit. Bekueshmëria e Qabesë manifestohet edhe për faktin se ajo është Kibla, drejtim nga i cili ymeti i zgjedhur i Muhamedit a.s., i kthejnë fytyrat e tyre gjatë kryerjes së namazit. Bekueshmëria e Qabesë bartet edhe në vetë qytetin e Mekës ku gjendet. Në këtë kuptim, Meka është qytet i bekuar, në të cilin të gjithë njerëzit janë të mbrojtur nga çdo dhunë: ”Mosbesimtarëve dhe atyre që pengojnë nga rruga e Allahut dhe Mesxhidi-l-Harami, të cilin ne e kemi dedikuar për tërë njerëzimin të jenë të barabartë si ai vendësi ashtu edhe ai i ardhuri. Kush bën çfarëdo qoftë krimi, do ta bëjmë të shijojë vuajtje të dhembshme”. (Kuran, 22:25).
Në Mekë nuk lejohet të ushtrohet dhunë (zullum) as ndaj kafshëve as ndaj bimëve; aty duhet të jetohet në paqe me të gjithë njerëzit (sjellja duhet të jetë sikur në Xhenet, ku s’ka zili, grindje, përlarje, ku dëgjohen vetëm fjalët “Selam, Selam”; edhe me kafshët (dihet se gjatë kohës së haxhit është e ndaluar gjuetia në tokë, e po ashtu duhet pasur kujdes të mos mbytet ndonjë insekt); edhe me bimët (gjatë kohës së haxhit nuk bën të priten drurët, të hiqen degë, fletë ose lule).
Faltorja e dytë e rëndësishme në Islam është Xhamia e Pejgamberit në Medinë. Atë xhami e ka ngritur personalisht Muhamedi a.s. dhe, me që ai është krijesa më e zgjedhur e Allahut xh.sh., me pozitë të tillë që nuk e ka gëzuar askush dhe nuk do ta gëzojë tjetërkush (duhet ta kujtojmë faktin se me rastin e mi’raxhit, Muhamedi a.s. iu afrua Allahut xh.sh., Sunduesit dhe Krijuesit të të gjitha botëve, duke kaluar kufirin që nuk e kishte kaluar meleku Xhibril) - kjo ka ndikuar që ajo xhami, së cilës ai vetë ia kishte vënë themelet, të bëhet ndërtesë me rëndësi si dhe vetë qyteti i Medinës, që e kishte pritur Pejgamberin a.s. krah hapur pas hixhretit nga Meka.
Rëndësia e xhamisë së Muhamedit a.s. pasqyrohet edhe në faktin se është ndërtuar në themel të dorëzimit dhe frikës vetëm nga Allahu xh.sh.: ”…Xhamia që qysh prej ditës së parë është ngritur për devotshmëri, me të vërtetë meriton më së shumti që aty të kryesh namaz…” (Kuran, 9:108).
Megjithëse në mes të shkencëtarëve islamë ekzistojnë mendime se këto ajete kanë të bëjnë me xhaminë e Kubasë, që gjendet afër Medinës, të cilën Pejgamberi a.s. e filloi ta ndërtonte disa ditë para se ta fillonte atë kryesoren, e cila do t’i bëhej edhe shtëpi, - kjo nuk ndryshon porosinë themelore se tek Allahu secila xhami, e ndërtuar sinqerisht vetëm për Të, për nënshtrim dhe dashuri vetëm për Të e për pejgamberin e Tij në shkallë të jashtëzakonshme, - në një masë është e bekuar. Madje, rëndësia e xhamisë së Pejgamberit a.s. është vërtetuar me shumë hadithe, nga të cilat pa dyshim më i njohuri është ai në të cilin theksohen fjalët e Pejgamberit a.s. se hapësira në mes banesës së tij dhe mihrabit është një nga parqet e Xhenetit.
Po ashtu me hadithe theksohet rëndësia që luajtën Medina, së bashku me Mekën, gjatë kohës së pejgamberit të rremë Dexhallit në Tokë, sepse në atë kohë të fitnes (konfuzionit) dhe sprovës më të madhe, ato dy qytete do të jenë plotësisht të mbrojtura nga prania e tij dhe pasuesve të tij, andaj do të bëhen oaza shpëtimi për shumë besimtarë.
Medina, ajo oazë e zbutur në luginën e rrethuar nga bjeshkë të skuqura nga dielli, jeton më shumë se 1.400 vjet në një dashuri të pandarë me banorin e saj më të dashur. Kjo mund të vërehet nga vizita në atë qytet, sepse sikur tërë jeta në të edhe sot e kësaj dite është e lidhur me Muhamedin a.s. në atë masë, saqë njeriu mendon se sikur vetë ai në një moment do të shfaqet në xhami në mesin e falësve të namazit.
3.2. Mesxhidul-aksa
(Bejtul-makdis) Mesxhidi në Kuds është vendi i tretë sipas rëndësisë në Islam. Të mirat e këtij vendi janë të shumta, por do t’i përmendim vetëm disa sosh. Mesxhidul-aksa është mesxhidi i dytë në Tokë që është ndërtuar për të lartësuar Allahun xh.sh., dhe kjo, siç transmetohet nga Muhamedi a.s. në një hadith, ka ndodhur dyzet vjet pas ndërtimit të Mesxhidul-haramit.
Gjendet në hapësirën e tokës së bekuar që Allahu xh.sh. ia kishte lënë trashëgim Ibrahimit a.s.. Në atë hapësirë për shekuj kishin vepruar, njëri pas tjetrit, pejgamberët e dërguar tek Benu-Israilët, kështu që, siç tregojnë disa transmetime, atje nuk ka vend ku të mos i ketë bërë sexhde Allahut xh.sh. ndonjë pejgamber ose ndonjë melek.
Në atë vend, Israili, d.m.th. Jakubi a.s. kishte parë në ëndërr shkallët që ngriheshin në qiell dhe engjëjt se si zbrisnin e ngjiteshin kur iu shpall: Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje. Këtë tokë të bekuar jua kam dhënë trashëgim ty Jakub dhe trashëgimtarëve të tu. Unë jam pranë teje dhe të ruaj derisa të kthehesh në këtë vend, në të cilin do ta bëj shtëpinë ku do të jem i adhuruar vetëm Unë.
Prej aty Isa a.s. u ngrit në qiell, dhe aty apo në Damask, do të kthehet para Kiametit për të përmbushur misionin e tij.
Në Mesxhidul-aksa, në prag të Israsë dhe Mi’raxhit, është kryer namazi, me siguri më madhështori nga të gjithë namazet, në të cilin safet i përbënin pejgamberët, kurse imam kishte qenë Muhamedi a.s., i cili prej aty shkoi për vizitë në shtatë qiejt dhe në takim me Allahun xh.sh. (mi’raxh). Në atë vend, siç konsiderohet, do të grumbullohen njerëzit në Ditën e Gjykimit për t’u gjykuar.
Këto janë vetëm disa shenja për të mirat e vendit të tretë të dalluar në Islam, dhe këtë tekst po e përfundojmë edhe me disa fjalë për fenomenin mesxhid, ku adhurohet vetëm Allahu xh.sh..
4. Mesxhidi vend i dalluar nga Allahu xh.sh.
Një nga fenomenet më madhështore të Allahut xh.sh. është Bejtul-me’mur. Kjo është Qabeja e melaqeve dhe, sipas haditheve të besueshme, gjendet në qiell në pikën e njëjtë me faltoren mbi Qabenë
në Mekë. Sipas haditheve, në atë faltore për çdo ditë hyjnë shtatëdhjetë mijë melaqe që ta lartësojnë dhe ta madhështojnë Allahun xh.sh. dhe, kur e kryejnë ibadetin ditor, nuk kthehen më kurrë. Do të thotë se ajo faltore për çdo ditë është e mbushur me adhurues të të Gjithëmëshirshmit që i bëjnë ibadet.
Konsiderohet se pikërisht me këtë Qabe qiellore kanë të bëjnë ajetet e të Gjithëmëshirshmit nga sureja “Bjeshka” (Et- Tur): ”Pasha Turin. Pasha Librin me rreshta të shkruar, në lëkurë të përpunuar, pasha Haremin përplot të banuar”. (Kuran, 52:1-4).
Në ajetet e cituara shihet se Allahu xh. sh. betohet në faltoren me
adhurues përplot: aq shumë Ai i do robërit e Vet, dhe kështu Ai i ka dalluar mesxhidet ku bëhet vetëm ibadet. Konsiderojmë së këtu del në pah fakti për të cilin në këtë tekst folëm më lart: Se secila xhami tek Allahu ka një shkallë
rëndësie të veçantë. Natyrisht shkalla varet për situatën konkrete, por me siguri mund të themi se Allahu xh. sh. i do pa masë ata që i bëjnë ibadet vetëm Atij dhe i vlerëson shumë ato vende dhe ato ndërtesa, në të cilat njerëzit I bien në sexhde vetëm Atij.
Përfundim
Dy Qabe, ajo qiellorja dhe ajo tokësorja, pastaj Xhamia e Pejgamberit në
Medinë dhe Mesxhidul-aksaja në Jerusalem, - janë të dalluara nga ana e
Allahut xh.sh.. Mirëpo, edhe çdo mesxhid në Tokë, i ndërtuar me besim të vërtetë, për të adhuruar vetëm Allahun xh.sh., paraqet një nga fenomenet e Allahut xh.sh. në Tokë.
Nga kjo, rrjedhimisht del përgjegjësia dhe pozita shumë e rëndë tek Allahu xh.sh. e atyre që i shkatërrojnë mesxhidet: ”Kush është më mizor se ai i cili pengon që në xhamitë e Allahut të përmendet Emri i Tij, dhe përpiqet për rrënimin e tyre. Ata nuk kanë për të hyrë aty, përveçse me frikë. Ata në këtë botë kanë turpin, kurse në atë botë dënimin e madh” (Kuran, 2:114).
Njeriu nuk mund të mos e përmendë në këtë vend atë popull ballkanik, veprimtaria e të cilit ka të bëjë me këto fjalë të Allahut xh.sh., të cilit popull i mjaftuan vetëm pesëdhjetë vjet që në territorin e shtetit të vet t’i bëjë rrafsh me tokë të gjitha xhamitë, përveç njërës, dhe iu deshën më pak se katër vjet që në territorin e Bosnjës e Hercegovinës t’i shkatërrojë më shumë se njëmijë xhami - krahas faktit që objektet e tyre fetare qëndruan të paprekura për pesë shekuj të pushtetit mysliman (për më tepër, gjatë asaj periudhe është ndërtuar një numër i konsiderueshëm i objekteve fetare të tyre). Kësaj i duhet shtuar edhe shkatërrimi i një numri të madh të xhamive edhe në Kosovë gjatë vitit 1999. Vërtet serbët mund të identifikohen në kontekstin e ajetit të sipërcituar, që mbi ata pjesërisht edhe u realizua (“…Në këtë do të përjetojnë turpin…”), sepse ata sot mbi supet e tyre bartin turpin dhe përgjegjësinë për krimet e bëra.
Tërë bota këtë po e sheh dhe tërë bota ka drejtuar gishtin nga ata, a thua ky nuk është poshtërim në këtë botë!? A thua vallë, ç’do të ndodhë me ta në Ditën e Gjykimit, përveç atyre të ndershmëve prej tyre, të cilët me siguri Allahu i di?!
Vërtet, të gjithë njerëzit duhet të mendojnë sinqerisht për këto fjalë të Allahut xh.sh., të cilat kanë të bëjnë me këtë temë: ”…Sikur Allahu të mos i zmbrapste disa njerëz me disa të tjerë, do të ishin shembur deri në themel manastiret, kishat, havret si edhe xhamitë në të cilat me të madhe përmendet Emri i Allahut…” (Kuran, 22:40).
Dhe ajeti: “Nuk u ka mbetur politeistëve që të përkujdesen për faltoret e Allahut, kur e dëshmojnë vetë se janë mosbesimtarë. Ata janë, veprat e të cilëve do të zhduken, dhe ata do të mbesin përgjithmonë në zjarr. Faltoret e Allahut i mirëmbajnë ata që besojnë Allahun dhe botën tjetër dhe që kryejnë faljen e japin zukatin, dhe të cilët nuk i janë trembur askujt përveç Allahut. Ata, mbase, do të jenë të përudhur në rrugë të drejtë”. (Kuran, 9:17, 18.)
Dhe hadithi: “Allahu xh.sh. thotë: ”Unë nganjëherë mendoj t’i ndëshkoj njerëzit në Tokë, por kur në mesin e tyre i shoh ata që ndërtojnë shtëpitë e Mia, si dhe ata që duhen në mes tyre për hir Timin, edhe ata që zgjohen herët që të më adhurojnë Mua dhe nga Unë kërkojnë mëshirë, ndëshkimin nuk e bëj”. (Hadith).
Përktheu nga boshnjakishtja:
Ismail Rexhepi
Burimi: www. znaci.com_Sarajevo-BiH