Hipokritët nuk ndalen së hedhuri breshëri shpifjesh, gënjeshtrash e akuzash ndaj muslimanëve, prej të cilave më e rënda dhe më e vështira për t’u përballuar është akuza ndaj Profetit Muhammed, alejhi’s selam.
Është akuzuar në moral, respektivisht, gruaja e tij, e cila qe shfajësuar prej mbi shtatë palë qiej, akuzohet. Akuzohet asketja, e devotshmja, e ditura, adhuruesja, e pastra, nëna e besimtareve, Aisheja, vajza e Ebu Bekrit, Halifes së të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të...
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ishte gruaja më e dashur tek Pejgamberi, alejhi’s selam. Dashuria e tij për të vërehej qartë, ashtu siç vërehet hëna e plotë. Asnjë grua tjetër nuk e pati beqare. Luante dhe argëtohej me të. E thërriste me emër përkëdhelës dhe garonte me të. Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) rrëfen: “Pejgamberi, alejhi’s selam qëndronte në derën e dhomës sime ndërsa habeshët (etiopiasit) luanin me shtiza në xhami. Ai me mbulonte me pelerinën e tij që unë të shikoja lojën e tyre, dhe qëndronte për mua derisa mua më bëhej shikimi monoton…”
Pejgamberi, alejhi’s selam ia jepte Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të) ndonjë copë ushqimi (ndonjë copë mishi me asht), të cilën pasi që Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) e hante, e merrte ai (ashtin) dhe e vendoste gojën aty ku e kishte vendosur edhe Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të).
Në një udhëtim kur i pati humbur qaforja, Pejgamberi, alejhi’s selam u ndal ta kërkonte atë, e bashkë me të e kërkuan edhe njerëzit.
Ajo që dëfton dashurinë e tij ndaj saj është se kur u sëmur, Pejgamberi, alejhi’s selam shkonte tek gratë e tij dhe iu thoshte: Ku jam nesër? Ku jam nesër? Me shprese se do të jetë në shtëpinë – dhomën e Aishes. Kur i erdhi radha tek unë – rrëfen Aisheja, u qetësua. Madje edhe vdekja, siç rrëfen Aisheja, e kishte zënë në dhomën e saj, e më konkretisht të mbështetur për trupit – gjoksit të saj.
Amr b. El-Asi rrëfen: Shkova tek Pejgamberi, alejhi’s selam dhe i thashë: O i dërguari i Allahut! Kë e do më së shumti prej njerëzve? Aishen- mu përgjigj. Po nga burrat? Babanë e saj- tha. Pastaj kë? E pyeta. Omerin- mu përgjigj.
Asim b. Kulejbi citon babanë të ketë thënë se: Shkuam tek Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe ai e përmendi Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të): E dashura e të Dërguarit të Allahut....Aisheja juriste (e ditur)...Si të mos ketë qenë e ditur dhe juriste (fekihe) kur ajo ka qenë në shoqërim të zotërisë së dijetarëve dhe juristëve?!
Mesruku kur transmetonte diç prej Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të) thoshte: Më ka treguar e sinqerta, bija e të sinqertit, e dashura e të dashurit të Allahut, e shfajësuara prej mbi shtatë palë qiej...
Mesruku një herë qe pyetur për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të) në kishte dituri për Feraid (ndarjen e trashëgimisë), për çka ishte përgjigjur: Pasha Allahun, kam parë shokë të Pejgamberit, alejhi’s selam, të mëdhenj, duke e pyetur atë për Feraid.
Zuhriu ka thënë: Sikur dituria e Aishes të krahasohej me diturinë e të gjitha grave, do tua kalonte në vlerë.
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) adhuruese
Si të mos ketë qenë e tillë kur ajo ka qëndruar në shtëpinë e zotërisë së adhuruesve dhe e ka parë duke qëndruar para Zotit të vet?!
Kasimi tregon: Çdo mëngjes, fillimin e nisja me shtëpinë e Aishes, të cilën e përshëndesja. Një mëngjes shkova, por ajo falte namaz dhe lexonte ajetin:
“فَمَنَّ اللَّهُ عَلَيْنَا وَوَقَانَا عَذَابَ السَّمُومِ
E All-llahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit.” et-Tur, 27.
E lexonte, lutej dhe qante. Qëndrova aty derisa u mërzita e pastaj shkova në treg për ca nevoja personale dhe u ktheva kur ja ajo ende ishte ashtu duke u falur dhe duke qarë.
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) këshilltare
Amiri rrëfen se Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) i kishte shkruar Muaviut: “Kur njeriu të bëjë mëkate, atëherë edhe ai që e ka lëvduar nga njerëzit, do të kthehet në urryes për të.”
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe shpifja
U akuzua në moralin e saj ndërsa Pejgamberi, alejhi’s selam u mërzit shumë. Njerëzit filluan ta përhapin lajmin kurse hipokritët u gëzuan tej mase. Nuk zgjati shumë e Allahu zbuloi pafajësinë dhe nderin e saj. Pejgamberi, alejhi’s selam u gëzua shumë dhe fjalët e para që tha ishin: Oj Aishe! Allahu i Madhëruar të shfajësoi. Allahu shpalli:
“إِنَّ الَّذِينَ جَاؤُوا بِالْإِفْكِ عُصْبَةٌ مِّنكُمْ لَا تَحْسَبُوهُ شَرّاً لَّكُم بَلْ هُوَ خَيْرٌ لَّكُمْ لِكُلِّ امْرِئٍ مِّنْهُم مَّا اكْتَسَبَ مِنَ الْإِثْمِ وَالَّذِي تَوَلَّى كِبْرَهُ مِنْهُمْ لَهُ عَذَابٌ عَظِيمٌ لَوْلَا إِذْ سَمِعْتُمُوهُ ظَنَّ الْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بِأَنفُسِهِمْ خَيْراً وَقَالُوا هَذَا إِفْكٌ مُّبِينٌ
S'ka dyshim se ata që trilluan shpifjen, janë një grup prej jush. Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj. Secilit prej tyre do t'i takojë dënimi sipas pjesëmarrjes në mëkat, e atij prej tyre që e barti pjesën e madhe (të shpifjes), i takon dënimi i madh. 12. E përse kur e dëgjuan atë (shpifje) besimtarët dhe besimtaret të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thonin: "Kjo është shpifje e qartë?!” en-Nur, 11-12.
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe çasti i ndarjes
Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, vdiq në vitin 56 h. (apo 58 sipas një versioni), respektivisht natën e së martës pasi që kishin kaluar 17 net të Ramazanit. U varros natën në Beki, siç pati urdhëruar, ndërsa namazin ia fali Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
Autor: Abdu’l Aziz es-Saig
Burimi: http://www.denana.com/essay/articles.aspx?selected_article_no=9186
Përshtati me pak shkurtesa: Sedat ISLAMI
Vushtrri, 2010