Abdallah b. Muhammed Nexhib Siraxhuddin el Husejni el Halebi
Dimë se Allahu xh.sh., e ka krijuar zotërinë tonë Muhamedin a.s. me pamjen më të këndshme dhe më të bukur njerëzore. Ai është mishërim i bukurisë dhe i përsosmërisë fizike dhe morale. Të gjithë ata që e kanë parë dhe e kanë përshkruar atë janë pajtuar se nuk kanë parë kurrë ndokënd si ai.
El Berra bin Azibi r.a. ka thënë: "Pejgamberi a.s. kishte fytyrën më të hijshme dhe karakterin më të shkëlqyer prej të gjithë njerëzve. Ai nuk ishte as tepër i gjatë dhe as tepër i shkurtër." Ai r.a. gjithashtu ka thënë: "Pejgamberi a.s. ishte me shtat mesatar dhe me shpatulla të gjera. Flokët e tij binin deri te bulat e veshëve të tij. Unë e pashë atë të veshur me një shall të kuq. Nuk kam parë kurrë ndonjë gjë më të bukur se ai a.s."
Transmetohet se Aliu r.a., kur ka përshkruar të Dërguarin e Allahut a.s., ka thënë: "I Dërguari i Allahut a.s. nuk ishte as tepër i gjatë dhe as tepër i shkurtër, por ishte me shtat mesatar. Flokët e tij nuk ishin as kaçurrela dhe as të drejta, por ishin të dallgëzuara dhe të lirshme. Ai nuk ishte i shëndoshë. Fytyra e tij nuk ishte krejtësisht rrethore, por paksa e rrumbullakuar. Ngjyra e tij ishte e bardhë paksa në të kuqe. Sytë e tij ishin shumë të zinj. Qerpikët e tij ishin të gjatë. Kyçet e tij ishin të mëdha dhe shpatullat e tij ishin të gjera. Ai kishte lëkurë të lëmuar; një vijë e hollë qimesh dilte nga gjoksi në drejtim të kërthizës së tij. Duart dhe këmbët e tij ishin të shëndosha. Ai ecte me vrull, sikur të ishte duke zbritur nga një lartësi. Kur kthehej për të shikuar diçka, ai kthehej me tërë trupin e tij. Midis shpatullave të tij ishte vula e Pejgamberisë, dhe ai ishte vula e Pejgamberëve. Zemra e tij ishte më e shëndosha prej zemrave. Të folurit e tij ishte më i sinqerti prej të folurve. Ai ishte më i buti i njerëzve dhe më i sjellshmi prej tyre në shoqëri. Kushdo që e shihte atë papritur, do t' i ngjallej respekti dhe frika. Kushdo që arrinte ta njihte, do ta donte. Kushdo që e përshkruante atë do të thoshte: "Unë nuk kam parë kurrë, para tij e as pas tij, ndokënd si ai."
Muslimi dhe Tirmidhiu transmetojnë, nga El Xhurejri, se ai i ka thënë Ebu el Tufejlit: "A e ke parë të Dërguarin e Allahut a.s.?" Ai i është përgjigjur: "Po." Ebu el Tufejli i ka thënë: "Si t'u duk ai?" Ai i tha: "I Dërguari i Allahut a.s. ishte i bardhë, me një fytyrë të bukur! "
Rrëzëllimi i fytyrës së tij dhe shkëlqimi i pamjes së tij
Prej të gjithë njerëzve Pejgamberi a.s., kishte fytyrën më të bukur dhe pamjen më të ndritshme. Të gjithë sahabët që e kanë përshkruar të Dërguarin e Allahut a.s. pajtohen se fytyra e tij ishte e ndritshme dhe rrëzëlluese dhe ndriçonte me dritë të shkëlqyeshme dhe shndritje të qartë. Disa prej tyre e krahasonin shndritjen e dritës së tij me diellin, të tjerët me hënën. Disa prej tyre e krahasonin dritën e ndritshme të fytyrës së tij me rrezet e hënës. E gjithë kjo na konfirmon rrëzëllimin e qartë të fytyrës së tij dhe shkëlqimin e tij verbues.
Tirmidhiu ka transmetuar, se Ebu Hurejre r.a. ka thënë: "Unë nuk kam parë kurrë ndonjë gjë më të bukur se i Dërguari i Allahut a.s., dukej sikur dielli shndriste nga fytyra e tij."
Ebi Ubejde b. Muhammed b. Ammar b. Jasiri ka thënë: "Unë i thashë Rubejje bint Muavvidhit: "Ma përshkruaj të Dërguarin e Allahut a.s." Ajo më tha: "O biri im, po ta kishe parë atë, do ta kishe parë diellin kur lind."
Tirmidhiu transmeton thënien e Hind b. Ebi Hales, nga Hasan b. Aliu r.a.: "Unë e pyeta xhaxhanë tim Hind b. Ebi Hale, i cili ishte i talentuar për përshkrime , në lidhje me bukurinë e Pejgamberit a.s. dhe ai u përgjigj: "I Dërguari i Allahut a.s. kishte cilësitë më fisnike dhe më të larta dhe nderohej si i tillë nga të tjerët. Fytyra e tij shkëlqente si drita e hënës së plotë."
Xhabir bin Semre r.a. ka thënë: "Unë e kam parë të Dërguarin e Allahut a.s., në një natë të ndriçuar nga hëna dhe ai kishte veshur një shall të kuq. Fillova të shikoj nga ai në drejtim të hënës dhe, për mua, ai ishte më i bukur se hëna. Në Sahihun e Buhariut gjejmë tregimin e Kab bin Malikut, i cili ka thënë: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. ishte i kënaqur, fytyra e tij ndriçonte si një copë hëne."
Bejhekiu ka transmetuar, nga Ebu Is'hak el Hemdani r.a., se një grua nga Hemdani (nga ku Ebu Isaku ka marrë emrin) ka thënë: "E kam kryer haxhin me të Dërguarin e Allahut a.s. disa herë. Njëherë e pashë atë mbi një deve, duke u rrotulluar rreth Qabesë. Në dorë kishte një kërrabë, ishte veshur me dy rroba të kuqe dhe flokët i arrinin pothuajse deri te supet. Kur shkoi te guri i zi, ai e përshëndeti atë me kërrabën e tij, pastaj e ngriti atë te buzët e tij dhe e puthi." Ebu Is'haku i tha: "Krahasoje atë, me diçka." Ajo i tha: "Ashtu si hëna, kur është e plotë. Unë nuk kam parë, as para tij dhe as pas tij, ndokënd si ai."
Fytyra e tij, rrëzëlluese me dritë, e tejmbushur me kuptime dhe sekrete, është një dëshmi e qartë se ai është me të vërtetë i Dërguari i Allahut a.s., Abdullah b.Selami r.a. ka thënë: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. hyri në Medinë për herë të parë, njerëzit nxituan për tek ai dhe unë isha në mesin e tyre. Kur pashë fytyrën e tij dhe e shqyrtova atë, e kuptova se nuk ishte fytyra e një gënjeshtari, ajo ishte fytyra e prijësit të të Dërguarve.
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: "Prej të gjithë njerëzve, i Dërguari i Allahut a.s., kishte fytyrën më të hijshme dhe ngjyrën më të ndritshme. Askush nuk do të mund ta përshkruante atë, pa e krahasuar fytyrën e tij me hënën e plotë. Sumbullat e djersës në fytyrën e tij ishin si perla dhe shumë më aromatike se misku i fortë."
Ibën Asakiri, Ebu Nu'ejmi dhe El Hatibi kanë transmetuar, me një zinxhir të saktë (hasen), nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të), se ajo ka thënë:
"Njëherë isha ulur dhe po tjerrja fije, kurse Pejgamberi a.s., po ndreqte këpucën e tij. Balli i tij filloi të djersitet dhe nga djersa filloi të shkëlqejë dritë. Unë brofa me habi dhe ai më tha: "Çfarë të bëri të brofësh kështu?" Unë u përgjigja: "Balli yt filloi të djersitë dhe djersa lëshoi një dritë të ndritshme."
Ibën ebi Hejthime ka thënë: "Pejgamberi a.s. kishte një ballë të veçantë, në qoftë se shfaqej përmes flokëve të tij, ose midis vijës ndarëse të flokëve të tij, ose gjatë natës, ose nëse ai e kthente fytyrën e tij drejt njerëzve, balli i tij do të dukej sikur të ishte një llambë e ndezur, e ndritshme."
Aroma e djersës së bekuar të tij
Një tjetër prej cilësive të tij, ishte se ai kishte aromë të këndshme, madje edhe pa përdorur parfum, megjithatë ai e përdorte shpesh parfumin në mënyrë që umeti i tij ta pasonte atë si sunet, dhe për shkak se parfumi ishte
i dashur për të. Tirmidhiu transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Tri gjëra të botës suaj janë të dashura për mua: parfumi, gratë dhe freskia e syve të mi është në namaz." Një nga dëshmitë se aroma e këndshme ishte një ndër cilësitë e tij, se ajo ishte më e këndshmja e aromave, dhe se aroma e vetë atij ishte më e këndshme se sa ajo e miskut, është hadithi që transmetohet nga Muslimi sipas Enesit r.a., i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut a.s. ishte rrezatues në fytyrë dhe sumbullat e djersës së tij ishin si perla. Ai lëvizte me vrull kur ecte. Unë kurrë nuk kam prekur ndonjë brokadë apo mëndafsh më të butë se pëllëmba e të Dërguarit të Allahut a.s., as nuk kam ndier erë misku ose erë tjetër më të këndshme se aroma e të Dërguarit të Allahut a.s."
Muslimi transmeton, nga Xhabir b. Semre r.a., se ai ka thënë: "Njëherë po falja namazin e drekës me të Dërguarin e Allahut a.s. Më pas, ai u largua për të shkuar në shtëpi dhe unë shkova me të. Dy djem e takuan atë dhe ai filloi t'i fshijë faqet e tyre, njëri pas tjetrit. Po ashtu, ai fshiu edhe fytyrën time dhe unë e ndjeva dorën e tij të freskët dhe me aromë të këndshme, sikur sapo ta kishte nxjerrë nga ndonjë enë e shitësit të parfumeve."
Musnedi i Imam Ahmedit, përfshin hadithin e Ebi Xhuhajfes, i cili ka thënë: "Njëherë Pejgamberi a.s. mori abdes dhe fali namazin e drekës. Më pas, njerëzit u ngritën në këmbë dhe filluan ta marrin dorën e tij dhe të fshinin me të fytyrat e tyre. Unë e mora dorën e tij, e vendosa atë në fytyrën time dhe ajo ishte më e freskët se akulli dhe më aromatike se misku."
Aroma e tij e këndshme ngjitej pas çdo gjëje që ai prekte dhe çdo rruge ku ai kalonte
Taberaniu dhe Bejhekiu kanë transmetuar se Vaili r.a. ka thënë: "Sa herë që kam tokur dorën e të Dërguarit të Allahut a.s., ose kam prekur lëkurën e tij me timen, unë do të isha i vetëdijshëm për kontaktin e tij me dorën time më pas, era ishte më aromatike sesa misku."
Enesi r.a. ka thënë: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. kalonte në ndonjë nga rrugët e Medinës, njerëzit e ndienin aromën e këndshme aty dhe thoshin: "I Dërguari i Allahut a.s. ka qenë në këtë rrugë."
Taberaniu dhe Ebu Nuejmi rrëfejnë se Amire bint Mesud el Ensarije dhe motrat e saj shkuan te Pejgamberi a.s. për t'u zotuar për besnikëri ndaj tij. Ato ishin pesë. Ato e gjetën atë duke ngrënë mish të tharë, kështu që Pejgamberi a.s. kafshoi me dhëmbë një copë për to. Amira ka thënë: "Pastaj ai më dha mish dhe unë e ndava atë mes tyre dhe të gjitha hëngrën nga një copë. Prej atëherë, e deri atë ditë kur ato u takuan me Allahun xh. sh., aroma e frymëmarrjes së tyre nuk ndryshoi kurrë."
Allahu xh. sh. e ka krijuar zotërinë tonë Muhamedin a.s. në më të bukurën prej shëmbëlltyrave njerëzore dhe në më të përsosurën prej formave ademike. Allahu xh. sh. grumbulloi brenda tij përmbledhjen e bukurisë, madhështisë, mirësisë dhe përsosmërisë. Allahu xh.sh. ka thënë: "Ai shton në krijim atë që do, vërtet Allahu ka fuqi për çdo send."
Pra, Ai e shton përsosmërinë dhe bukurinë e krijimit ashtu si dëshiron ta shtojë, dhe Ai xh. sh. e shtoi bukurinë dhe hijeshinë e krijesës së këtij Pejgamberit fisnik derisa ai a.s. e tejkaloi kulmin e ndërtimit të bukur fizik dhe fisnik, ashtu sikurse, Allahu xh. sh. e shtoi përsosmërinë e moralit të tij, deri sa ai e tejkaloi kulmin e moralit të lartë, ashtu siç Allahu xh. sh. thotë:
"Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!"
Përktheu: Mimoza Sinani