Dje, më 28 mars 2022, në hapësirat e qendrës për konferenca Lilienberg, në Ermatingen të kantonit Thurgau, buzë liqenit te Konstancës, u zhvillua seminari i radhës me imamët e Zvicrës, të organizuar nga Qendra Zvicerane për Islam dhe Shoqëri (SZIG) nga Friburgu, Federata e Organizatave Islame në Zvicër (FIDS), si dhe organizatat e tjera etnike, në mesin e të cilave ishte edhe Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër.
Në seminar morën pjesë 22 imamë shqiptarë, turq e boshnjakë, të cilët që një kohë të gjatë jetojnë dhe veprojnë në Zvicër. Seminari u zhvillua në gjuhën gjermane.Në fillim të pranishmit i përshëndeti drejtori i SZIG-ut z. Hansjörg Schmid. Pas tij fjalë përshëndetëse pati edhe kryetari i FIDS-it, dr. Montassar BenMrad si dhe ministrja kantonale nga Thurgau znj. Carmen Haag.Ligjëratën e parë e mbajti z. Hansjörg Schmid me titullin «Imamët midis pritshmërive shoqërore dhe ndryshimit të roleve», në të cilën ai fillimisht foli për debatin politik dhe mediatik që zhvillohet në Zvicër rreth imamëve.
Më pas ai foli për ndryshimin e rolit të imamëve dhe shkarkimin e tyre nga rolet e shumta që ai i ka marrë ose që i janë vënë përsipër, si pasojë e pritshmërive të ndryshme nga vetë komuniteti musliman, por edhe nga shoqëria mbarë. Këto role tjetërkund trajtohen si profesione të ndryshme dhe ushtrohen nga persona të tjerë profesionistë. Ai e përfundoi ligjëratën e tij me sfidat që e presin imamin në të ardhmen, duke vënë theks të veçantë në diferencimin detyrave si dhe në standardizimin e arsimimit të tyre.
Pas një pauze të paradites, në foltore u paraqitën imamët Yusuf Gürgün dhe Sakib Halilovi? si dhe Hakan Gören, një i punësuar në departamentin për integrim pranë Basel-Landschaftit. Këta folën për përvojat dhe sfidat e tyre si imamë në xhamitë e tyre, ndërsa i treti për kontaktet e tij me imamët dhe drejtuesit e xhamive atje.Në sesionin e pasditës ligjëroi mr. Rehan Neziri në temën «Predikimi, ligjërimi dhe komunikimi në bashkësi».
Ai fillimisht foli për komunikimin nga këndvështrimi psikologjik, për modelet e komunikimit, për elementet parësore të komunikimit si dhe për pengesat që mund të paraqiten gjatë komunikimt. Më pas ai foli edhe për komunikimin fetar islam, për llojet e predikimit, për mënyrën e përgatitjes pedagogjike të një predikimi, ligjërate ose mësimi fetar në xhami dhe jashtë saj.Ligjëruesi i fundit ishte Dr. Montassar BenMrad, i cili foli për temën «Sfidat e imamëve dhe përfytyrimi i detaryve të tij».
Kjo ishte dita e parë e këtij seminari, ndërsa takimi i dytë do të zhvillohet në shtator 2022.
Përgatiti: Rejhan Neziri