Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti ka vizituar këtë të martë Luginën e Preshevës, si dhe fshatrat e kësaj komune të banuar me shqiptarë për t’u informuar për mbarëvajtjen e jetës fetare, duke shfrytëzuar kështu rastin që t’ua uroi muajin Ramazan.
Në bashkëpunim me Shoqatën “Bereqeti”, kryeimami Sahiti, vizitoi disa familje shqiptare me gjendje të rënduar ekonomike, ku edhe ndihmoi me ato me pako ushqimore.
Në këtë vizitë, kryeimami Sahiti vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Preshevë, ku u prit nga kryetari, Nexhmedin ef. Ademi. Nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës u shtrua edhe iftar i përbashkët me imamët si dhe me besimtarët myslimanë të kësaj pjese.
Kryimami Sahiti tha se vetëm përmes unitetit dhe solidaritetit mund të ecim përpara, andaj këto virtyte duhet të shtohen edhe më shumë.
“Përmes solidaritetit ne kemi tejkaluar gjithmonë sfidat, përmes vëllazërisë, unitetit dhe mbështetjes së njëri-tjetrit kemi tejkaluar shumë vështirësi, vuajtje dhe rreziqe. Këto virtyte dhe vlera duhet t’i ujisim edhe më shumë te gjeneratat e reja që përmes tyre të forcojmë identitetin kombëtar e fetar”, tha kryeimami Sahiti.
Kryetari i Këshillit në Preshevë, Nexhmedin Ademi, çmoi lart kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës për Islamin në këto pjesë të ndjeshme.
“Bashkësia Islame e Kosovës për ne është sikur prindi për fëmijën. Ne duhet të mbështesim jetën institucionale të Bashkësisë Islame. Ky institucion gjatë historisë ka qenë mburoja, kulmi i davetit dhe thirrjes në Islam. Nuk ka institucion më kompetent për organizimin e jetës fetare, thirrjen në Islam, ruajtjen e traditës sonë islame shekullore sesa Bashkësia Islame e Kosovës”, tha ai.
Gjatë kësaj vizite në Preshevë, kryeimami Vedat ef. Sahiti, mbajti një ligjëratë kushtuar muajit Ramazan, për t’i prirë më pas namazit të teravive, me ç’rast u mirëprit nga besimtarët e kësaj pjese.
Kryeimami i Kosovës, gjatë muajit të Ramazanit ka vizituar edhe komunën e Bujanocit dhe atë të Medvegjës së bashku me fshatrat përreth të banuar me shqiptarë, me qëllim që të shoh nga afër mbarëvajtjen fetare në këto vende të ndjeshme.
[IMG]http://www.islamgjakova.net/uploads/untitled_1650458259.jpg[/IMG]