Islami, nëpërmjet ruajtjes së moralit dhe ndalimit të amoralitetit, synon realizimin e një stabiliteti shoqëror të përgjithshëm në të gjitha sferat. Kjo ngase amoraliteti është një sëmundje që nuk shkatërron vetëm moralin, por edhe shëndetin, mirëqenien, raportet familjare, miqësore, si dhe ato shoqërore. Një ndër karakteristikat e shoqërisë së vërtetë myslimane është natyra sublime e marrëdhënieve ndërmjet individëve, që ndërtohen mbi dashurinë, mëshirën, mbështetjen e ndërsjellë, vëllazërinë dhe sinqeritetin.
Në shoqërinë islame, qëllimi i jetës është zhvillimi dhe avancimi i saj për hir të Allahut xh.sh., duke kërkuar kështu kënaqësinë e Tij. Kjo i shtynë njerëzit të kenë ambicie të larta përtej interesave individuale të përkohshme. Ndërsa, shoqëritë perëndimore materialiste, në të cilat dominon interesi personal dhe konkurrenca klasore, kanë mungesë në dashuri, mëshirë dhe lidhje vëllazërore, vlera që janë themelore në shoqërinë islame. Kjo është vetëm një pikë uji në oqeanin e moralit, edukatës dhe traditave, që e dallojnë shoqërinë myslimane nga shoqëritë e tjera.(1) Detyra e shoqërisë myslimane është shtimi dhe përhapja e traditave, zakoneve dhe edukatës islame; edukimi i brezave të rinj me këto vlera; si dhe përdorimi i mediave, artit, letërsisë dhe ligjëratave për promovimin e moralit të mirë.
Vlerat morale islame janë të larta, ato janë të gjitha të zbatueshme, sepse i përgjigjen natyrshmërisë së shëndoshë njerëzore. Të gjitha ato vlera, janë praktikuar në faza të ndryshme në historinë e Islamit dhe myslimanëve, duke ndërtuar shoqëri të virtytshme në historinë e Islamit. Përkundrejt prapambeturisë, dobësisë dhe ndarjes që e kanë prekur ymetin islam, shumica e këtyre virtyteve dhe moraleve ende janë të pranishme.
Shoqëria islame, përmes ligjeve dhe legjislacionit, ka për obligim të mbrojë këto zakone dhe morale nga çdo formë devijimi, sepse devijimet morale në shoqëri kanë pasoja shumëdimensionale. Allahu i Lartësuar e përshkruan qartë lidhjen midis mëkateve dhe pasojave të tyre shoqërore duke na thënë: "Çfarëdo e keqe që mund t'ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë."(2)
Ky ajet thekson se çdo krizë e përhapur në shoqëri i ka rrënjët në devijimet morale të vetë njerëzve. Amoraliteti, me të gjitha format e tij si: korrupsioni, imoraliteti seksual, gënjeshtra, mashtrimi, padrejtësia, prishja e marrëdhënieve familjare, është burim i sëmundjeve të rënda shoqërore, që e shkatërrojnë strukturën morale të një shoqërie. Kur këto përhapen, ato krijojnë krizë morale që shpie në sëmundje shoqërore.
Kuptimi i amoralitetit dhe format e tij
Amoraliteti është vepër e turpshme, njollosëse, e cila njeriun e privon nga qetësia shpirtërore, gjë të cilën e përjeton vetëm ai që ka shpirt (moral) të pastër.(3) Fjala "amoralitet" nënkupton çdo sjellje që bie ndesh me parimet e moralit të shëndoshë dhe normat e ligjit hyjnor. Edhe në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe kuptimet janë të njëjta.(4) Në Islam, morali nuk është thjesht një çështje kulturore, pot pjesë e besimit-fesë. Pejgamberi a.s., ka thënë: "Unë jam dërguar për ta përsosur moralin e mirë."(5)
Amoraliteti - burim i krizave shoqërore
Për të siguruar një stabilitet, ligjet hyjnore mbrojnë të drejtat themelore të të gjithë njerëzve. Ata që përhapin çrregullime në tokë ndëshkohen. Një ndër mëkatet më të rënda dhe rreptësisht të ndaluara, sipas Islamit, është prostitucioni. Si i tillë bie në kategorinë e mëkateve të mëdha (kebair). Prostitucion (ar. zina), llogaritet çdo marrëdhënie seksuale e paligjshme ndërmjet mashkullit dhe femrës jashtë aktit martesor, pa kurorë (nikah), pa marrë parasysh motivet, rrethanat dhe mundësitë në të cilat është kryer një marrëdhënie e tillë. Në këtë kategori hynë gjithashtu edhe marrëdhënia e pazakonshme dhe e pamoralshme në mes gjinisë së njëjtë, qoftë ndërmjet meshkujve ose ndërmjet femrave. Qëndrimi i Islamit ndaj prostitucionit është i qartë dhe kategorik: "Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe."(6)
Nga këto fjalë të Zotit të Madhëruar, qartë dhe fuqishëm kuptojmë për ndalesën e aktit të turpshëm dhe pasojat e tij të dëmshme që prostitucioni i bartë me vete.(7) Kjo ndalesë përfshin çdo rrugë që mund të afrojë drejt mëkatit, qoftë fjalë, sjellje, shikim të ndaluar, veshje të rrobave transparente dhe provokuese, apo edhe shfaqje e pjesëve të ndaluara të trupit.
Instinkti natyror dhe qëndrimi i islamit
Islami e njeh ekzistencën e dëshirave natyrore dhe prirjen ndaj gjinisë së kundërt. Kjo dëshirë është njëra ndër pasionet më të forta dhe ndër faktorët e natyrshëm të njeriut. Këto gjëra janë të njohura, për të cilat mendojmë se nuk ka nevojë shumë të flitet. Mirëpo, problemi qëndron në atë se si ato epshe natyrore, për gjininë tjetër të kuptohen, si të dirigjohen, dhe si t'i menaxhosh ato. Në lidhje me këtë çështje janë marrë dhe kanë kërkuar zgjidhje pasuesit e librave të shpallura dhe besimet e ndryshme. Të gjithë kanë dhënë mendime dhe zgjidhje të ndryshme. Disa përmes shtypjes së dëshirave dhe drejt murgërisë, e disa në skajin tjetër, të lirisë së pakufizuar epshore.
Islami e merr mesin, qëndrimin më të matur. Ai nuk i konsideron si të turpshme dëshirat e natyrshme të njeriut karshi gjinisë tjetër, së këndejmi edhe nuk e konsideron si virtyt largimin nga martesa, por e favorizon, e porositë dhe e lavdëron atë. Në anën tjetër, nuk e lejon shfrenimin e pakufizuar në plotësimin e dëshirave dhe instinkteve epshore të njeriut. Sipas Islamit, lakmitë, prirjet dhe instinktet e njeriut nuk duhet të përbuzen dhe të ngulfaten, por duhet kuptuar drejt dhe të shfrytëzohen ashtu si i ka hije, por, asnjëherë të mos iu jepet liri absolute dhe hov (vrull) i pakontrolluar dhe i pakufizuar. Kjo mënyrë e zgjidhjes së kësaj çështje, jetës intime të njerëzve, përqendrohet në institucionin e martesës (kurorëzimit), që nënkupton vetëm përmes rrugës legale, rrugës së drejtë islame të martesës. Myslimani dhe myslimaneje mund ta rregullojnë jetën e tyre intime (seksuale), duke i plotësuar dëshirat gjithmonë vetëm përmes aktit martesor. Pa martesë të drejtë askush nuk guxon të ketë marrëdhënie intime.(8) Ky është qëndrimi i drejtë dhe i matur i Islamit.
Shembulli i të riut që kërkoi leje për zina
Muhamedi a.s., për t'i mbyllur rrugët që shpien në imoralitet, tregonte rreziqet dhe pasojat shumëdimensionale, si në aspektin e besimit, të shëndetit, të familjes dhe të shoqërisë. Ai ka thënë: "O ju rini, ai që i ka mundësitë, le të martohet. Ndërkaq, ai që nuk i ka mundësitë, le të agjërojë, sepse agjërimi ia shuan epshin."(9) Pejgamberi a.s., e vë në dukje martesën si masën më të rëndësishme për ta parandaluar zinanë. Ai gjithashtu na ka treguar për rrezikun e zinasë duke thënë: "Nuk ndodh që zinaqari të jetë besimtar teksa bënë zina..."(10)
Lidhja e drejtpërdrejtë që i bëhet në hadith marrëdhënies jo legjitime me besimin, padyshim tregon se sa mëkat i madh është kjo vepër e shëmtuar. Do ta përmendim një rast të çuditshëm kur një i ri kishte ardhur te Pejgamberi a.s., për t'i kërkuar një leje tejet interesante. Shokët që ishin të pranishëm menjëherë reaguan duke i thënë: "Hesht, hesht!". Ky i ri dëshironte që për të, të bëhej një përjashtim, rregulli për ndalimin e prostitucionit të mos vlente për të. Kërkesa e tij nuk u trajtua nga aspekti banal i saj, pot nga rreziku që mund të paraqiste dukuria e shthurjes morale. Si ta ndalë Muhamedi a.s., këtë të ri?! Çfarë është ajo që do të mund ta largonte prej këtij mëkati për të mos iu kthyer më kurrë?! Shikoni, poenta nuk është largimi nga mëkati aty për aty, e për t'iu kthyer më pas, ngase ka njerëz që turpërohen por nuk binden, kështu që në vetmi bëjnë mëkate të mëdha. Pejgamberi a.s., e afroi dhe me butësi dhe moral të lartë i tha: "A do të doje një gjë të tillë për nënën tënde?" "Jo", iu përgjigj, "Po me motrën, vajzën, tezen, hallën tënde?" "Jo, o i Dërguari i Allahut!" Pejgamberi a.s., i tha: "Po kështu edhe njerëzit nuk e duan një gjë të tillë për nënat, vajzat, motrat, tezet dhe hallat e tyre." Pejgamberi a.s., vendosi dorën e tij në kokën e të riut dhe u lut: "O Zot! Falja mëkatet, pastroja zemrën nga të këqijat dhe ruaja nderin e tij."(11) Transmetuesi i kësaj ngjarje thotë se, që atëherë ai djalosh kurrë më nuk iu drejtua një vepre të tillë.
I riu, si pasojë e trysnisë së dendur epshore, i kërkoi leje të Dërguarit të Allahut për marrëdhënie të jashtëligjshme. Muhamedi a.s., i kuptoi ndjenjat e tij, pa e qortuar dhe pa e fyer atë, e uli pranë tij dhe duke i parashtruar pyetjet, ia bëri të qartë se sa gabim është që, një punë që nuk e dëshiron për vete, t'ia dëshirosh tjetërkujt.
Paralajmërimi i Pejgamberit a.s., për sëmundjet shoqërore si pasojë e amoralitetit
Muhamedi a.s., na ka paralajmëruar qysh herët për rrezikun e degjenerimit moral. Ai a.s., një ditë, u afrua pranë muhaxhirëve që ishin të ulur dhe u tha se ishte i shqetësuar për pesë gjëra me të cilat ata mund të sprovoheshin. Njëra prej tyre ishte edhe shfaqja e sëmundjeve dhe epidemive të panjohura më parë nga etërit e tyre, në rast se zinaja do të përhapet aq sa kryhet haptazi, duke thënë: "Kur imoraliteti të hapet në mesin e njerëzve dhe njerëzit e bëjnë atë haptas, Allahu do të dërgojë një murtajë dhe sëmundje që nuk ka qenë e njohur më parë te paraardhësit e tyre."(12)
Ky është paralajmërim për pasojat e dëmshme të prostitucionit, që janë të shumëfishta, jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në atë shëndetësor, moral, familjar dhe shoqëror.
Prostitucioni (zinaja) është shkak dhe burim i sëmundjeve (veneriane) të rrezikshme si: Sifilisi, Gonorea (triperi), Herpesi (urdhja), dhe SIDA (HIV/AIDS).
Këto sëmundje janë të tmerrshme, infektive, perfide dhe të cilat barten përmes marrëdhënieve jolegjitime-kontaktimit.(13) Është fakt se sot në botë, sidomos në vendet e zhvilluara, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, Franca dhe Gjermania, përkundrejt mjekësisë së zhvilluar, lëngojnë me qindra mija njerëz, meshkuj dhe femra.
Sëmundja e kësaj kohe, SIDA (HIV/AIDS), është sëmundje që nganjëherë përshkruhet si "epidemi globale". Ajo është bërë fenomen frikësues, që ka përhapur frikë në mesin e njerëzve që nga viti 1981. Kjo sëmundje është përhapur në formë të epidemisë dhe është vështirë të kontrollohet ose të gjendet ilaç për të. Kombet e Bashkuara kanë raportuar se 2.8 milionë njerëz kanë vdekur nga kjo sëmundje në vitin 2002. Dhe sipas statistikave zyrtare, deri më tani, nga kjo sëmundje kanë vdekur
Amoraliteti është vepër, e cila sjellë dëme të mëdha si në familje ashtu edhe në shoqëri. Kjo sjellje joetike, i hap rrugën humbjes së botëkuptimit dhe përçarjes familjare, humbjes së paqes mes anëtarëve të familjes, rritjes së numrit të fëmijëve problematik me prejardhje të panjohur dhe të rritur pa dhembshuri prindërore dhe pa edukim dhe përkujdesje.
44.1 milionë njerëz. Në ShBA, Sida konsiderohet shkaktari numër dy i vdekjes te të rinjtë.(14)
Kjo sëmundje, fatkeqësisht, ka zënë vend edhe në vendin tonë. Që nga fillimi i regjistrimit në vitin 1986 e deri më 2025, në Kosovë janë evidentuar gjithsej 234 raste me HIV/AIDS, ndërsa 53 persona kanë humbur jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka raportuar se nga 1 janari deri më 31 korrik 2025 janë regjistruar 19 raste të reja me HIV/AIDS, prej të cilave 16 raste janë meshkuj dhe 3 femra.(15)
Pasojat familjare dhe shoqërore të amoralitetit
Amoraliteti është vepër, e cila sjellë dëme të mëdha si në familje ashtu edhe në shoqëri. Kjo sjellje joetike, i hap rrugën humbjes së botëkuptimit dhe përçarjes familjare, humbjes së paqes mes anëtarëve të familjes, rritjes së numrit të fëmijëve problematik me prejardhje të panjohur dhe të rritur pa dhembshuri prindërore dhe pa edukim dhe përkujdesje.
Gjithashtu, amoraliteti shkakton prishjen e sistemit shoqëror, rritjen e ndjenjës së urrejtjes dhe neverisë në mes njerëzve, rritjen e konflikteve dhe të krimeve në shoqëri, prishjen e lidhjeve familjare, fqinjësore dhe shoqërore, tronditjen në themel të vlerave etike dhe shpirtërore në shoqëri, humbjen e nderit të femrës dhe të mashkullit dhe poshtërimin e njeriut, duke e bërë atë rob të epsheve trupore.
Nga të gjitha këto pasoja dhe shumë të tjera, Islami synon t'i eliminojë devijimet siç janë prostitucioni, homoseksualizmi etj., dëmet dhe ndikimet negative të të cilave nuk mbarojnë së numëruari. Feja islame synon të ndërtojë individin dhe shoqërinë, duke e bërë të ditur se rruga e plotësimit të nevojave dhe dëshirave seksuale, është bashkëjetesa legjitime, pra martesa. E ardhmja e njerëzimit varet nga familja, e cila ndërtohet mbi marrëdhëniet e shëndosha mes burrit dhe gruas. Familja është themeli i shoqërisë, dhe stabiliteti i saj është garanci për ardhmërinë e njerëzimit. Në fund, po e përfundoj këtë shkrim me lutjen e Pejgamberit a.s., që e bëri për të riun, i cili kërkoi leje për prostitucion: "Zoti ynë! Na i fal mëkatet, na pastro nga të këqijat dhe na e ruaj nderin tonë." Amin!
__________________________________
1. Dr. Muhamed Ali el Hashimi, Shoqëria ideale, (Prishtinë, 2008), f. 425.
2. Esh Shura, 30.
3. Afif Abdul Fet-tah Tabbareh, Shpirti i fesë islame, Përktheu dhe përshtati nga arabishtja mr. Driton Arifi. (Prishtinë 2020), f. 316.
4. Amoral. Që i mohon normat e moralit, që i mungojnë parimet morale. (Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe, Rilindja, Prishtinë, f. 29.
Imoral. Që sillet a vepron në kundërshtim me kërkesat e moralit, i pa moral, i pandershëm. Burrë (djalë, njeri) imoral. Grua imorale.
Imoralitet. Të qenët imoral; veprim a sjellje e pandershme, pandershmëri. (Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe, Rilindja, Prishtinë, f. 715).
5. Sahihu el Xhamiu, 2833.
6. El Isra, 32.
7. Kasim Dobraça, Ruhu nga të këqijat, (Prishtinë, 1990), f. 47.
8. Po aty, f. 51.
9. Sahihu i Buhariut, 5065, vëll. IV, Harfi, Prishtinë, 2024.
10. Buhariu, 5578.
11. Ahmedi, 22211.
12. Ibën Maxhe, 4019.
13. Kasim Dobraça, Ruhu nga të këqijat, (Prishtinë, 1990), f. 54.
14 Dr. Muhamed Ali el Hashimi, Shoqëria ideale, (Prishtinë, 2008), f. 440.
15. Gazeta online: Metro. 12.08.2025.
Dituria Islame 421