“(Që është shumë) I vrazhdë e veç kësaj është edhe i pafis. (Mos e respekto) Vetëm pse ka pasuri e djem! Kur i lexohen ajetet Tona, ai thotë: “ Legjenda të të parëve!” Ne do ta damkosim atë në turi (në hundë)” - (El Kalem, 13-16)
13. Që është shumë i vrazhdë, e veç kësaj është edhe i pa fis.
Edhe në këtë ajet, Allahu i Lartmadhërishëm vazhdon me përshkrimin e cilësive të idhujtarëve arrogantë e të pacipë. Gjithnjë sipas tefsirologëve, në këtë ajet synohet pikërisht Velid ibnul Mugire, i cili ishte ndër më të vrazhdët në sjellje ndaj Resulullahit s.a.v.s.. Zemra e tij ishte pa kurrfarë ndjenje dhembshurie a butësie. Ishte shembulli më i keq i arrogancës dhe ashpërsisë ndaj myslimanëve.
Në lidhje me fjalën “utul-lin”, transmeton Imam Ahmedi si dhe ashabët e sunenëve, përveç Ebu Davudit, nga Harithe ibn Vehb të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut: “A t'ju njoh me banorët e Xhenetit” - Ata janë: secili i dobët e i pakrah, (të cilin e shkelin njerëzit me përbuzje e nënçmim), i cili po të betohej në Allahun (për diçka), Ai (menjëherë) do t'ia plotësonte çdo kërkesë. A t'ju njoh me banorët e Xhehenemit” - Ata janë: secili njeri i vrazhdë (utul-lin), secili tubues i pasurisë që nuk jep dhe secili mendjemadh.”(1)
Edhe nga hadithi i Resulullahit s.a.v.s., po edhe nga mendimet e dijetarëve, fjala “utul-lin nënkupton: të vrazhdin, zemërgurin, zullumqarin, njeriun e pandjenja, atë që ha e pi pa bërë dallim në mes hallallit e haramit etj.(2)
Ndërsa fjala 'zenim' në pjesën e dytë të ajetit: “e veç kësaj është edhe i pafis”, në gjuhën arabe ka disa kuptime.
- Ibn Xheriri mendon se “zenim” është ai që shtiret dhe pretendon se i takon një fisi a populli, por i është bashkëngjitur atij fisi ndonëse nuk është prej tyre.
- Është transmetuar nga Ibn Abasi r.a. të ketë thënë: “Ez-Zenim” është i shtiruri-pretenduesi, apo burri që ka ndonjë shenjë (larë) në qafë nëpërmjet së cilës njihet a dallohet.
- Ndërkohë kuptimi i fjalës 'zenim sipas Ikrimes, nënkupton të lindurin jashtëmartesor (kopil), mendim i cili mbase më së tepërmi i përgjigjet kuptimit të ajetit në fjalë.
Përderisa jemi te kjo pjesë e ajetit, duke analizuar mendimet e mufesirëve, na del në shesh edhe një fakt tjetër për Velid ibnul Mugiren. Ai, në realitet, nuk ishte kurejsh, por pretendonte të ishte një prej tyre, dhe si i tillë nuk konsiderohet të jetë me prejardhje fisnike.(3)
Sipas transmetimeve, vetëm pas 18 vjetëve të lindjes së tij, babai i tij e kishte “pranuar” si të vetin.(4)
Transmetohet se kur patën zbritur këto ajete, Velidi kishte shkuar të nëna e tij dhe i kishte thënë: Muhamedi më ka përshkruar me nëntë cilësi, të gjitha dihen botërisht, përveç të nëntës zenim'. Më trego të vërtetën për mua, ose do të ta këpus qafën me shpatë. Atëherë ajo i tha: “ Babai yt ka qenë i dëkuar (ka qenë steril, fara e tij nuk ka qenë pjellore)e unë u frikësova për pasurinë, dhe e afrova pranë vetes një bari..., dhe tije i biri i atij bariu. Tërë kjo histori, ishte e panjohur për kurejshët, derisa zbriti ky ajet dhe sqaroi prejardhjen e vërtetë të Velidit.(5)
14. (Mos e respekto) Vetëm pse ka pasuri e djem!
Allahu i Gjithëmëshirshëm, disa njerëz në jetën e kësaj botë i ka sprovuar me pasuri dhe fëmijë. Atë që i ka dhuruar pasuri të shumtë, e ka vënë në sprovë të rëndë, sepse nëse nuk do të dijë ta menaxhojë siç duhet, ajo do të jetë shkak që ai njeri të jetë prej banorëve të skëterrës. E njëjta gjë është edhe me fëmijët. Nëse dashuria dhe kujdesi ndaj tyre i tejkalojnë kufijtë e normales, duke u mburrur me numrin e madh të tyre, ata do të jenë shkas për shkatërrimin e tij nesër në Ahiret. Mburrja duhet të jetë vetëm me besim në Allahun dhe me devotshmëri. Nëse pasuria dhe fëmijët bëhen shkak që të harrohen dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, madje edhe të mohohet fare Krijuesi fuqiplotë, atëherë edhe porosia e Allahut për të Dërguarin e Tij që të mos e respektonte dikë vetëm pse kishte pasuri e fëmijë të shumtë, ka një domethënie jashtëzakonisht të madhe. Mbase ky ajet i përshtatet më së miri Velid ibnul Mugires, i cili, siç thamë pak më parë, i kishte dhjetë djem dhe i kishte mësuar vazhdimisht për të pasur armiqësi ndaj Muhamedit a.s. dhe Islamit.
15. Kur atij i lexohen ajetet Tona, ai thotë: “ Legjenda të të parëve!”
Idhujtarëve mekas, të përhumbur në agoninë e tyre të kufrit, nuk u bënte kurrfarë përshtypjeje ftesa fisnike e të Dërguarit të Allahut kur ky i ftonte për udhëzimin e pastër islam. Madje, kur ata dëgjonin disa prej ajeteve kuranore, të cilat ua lexonte Muhamedi a.s., duke shpresuar në zbutjen e zemrave të tyre, ata me ironi e tallje thoshin: “këto janë përralla dhe legjenda të të parëve”. Atyre u vinte çudi të linin besimin e tyre pagan në shumë idhuj, për të besuar në një Zot-Allahun, në besimin e të Cilit i ftonte Muhamedi a.s.. Ata assesi nuk mund të bindeshin në ekzistencën e Allahut dhe thoshin si mund të besonin në një 'zot', të cilin nuk mund ta shihnin e as ta preknin”?!
Nga të dhënat që na janë përcjellë, nga librat e historisë, ai që për herë të parë e përshkroi Kuranin me fjalët: “Legjenda të të parëve!, është Velid ibnul Mugire,(6) për shkak të të cilit, siç duket, kanë zbritur ky grup ajetesh që i komentuam.
Ky qëndrim i tij indiferent ndaj Shpalljes, kjo tallje dhe ironi, nuk do të mbeten pa u ndëshkuar nga Krijuesi fuqiplotë dhe i gjithëpushtetshëm, i Cili njeriut ia dha të gjitha këto mirësi e dhunti. I Lartmadhërishmi qysh në fillet e para të shpalljes pati zbritur suren El- Muddeth-thir', në të cilën kishte sqaruar sjelljet e idhujtarëve e sidomos të Velid Ibnul Mugires, për shkak të të cilit thuhet të kenë zbritur edhe këto ajete: “Më lër Mua (të merrem) me atë që e krijova të vetmuar dhe i dhashë pasuri të shumtë. E bëra edhe me djem që t'i ketë pranë vetes dhe Unë i lashë në dispozicion të gjitha mundësitë. E, megjithatë, ai lakmon që t'i shtojë edhe më tepër. Jo, kurrsesi! Vërtet, ai mohoi me kryeneçësi faktet (argumentet-shpalljet) Tona, prandaj Unë do ta ngarkoj atë me dënime të rënda. Ai mendoi dhe kurdisi (kundër Kuranit). Qoftë i mallkuar, si kurdisi! Dhe sërish qoftë i mallkuar, si kurdisi! Pastaj vështroi rreth vetes, u vrenjt dhe u bë i vrazhdë, pastaj u kthye dhe me mendjemadhësi (i kapardisur) tha: “Ky (Kuran) nuk është gjë tjetër veçse magji që përcillet prej të tjerëve. Ky (Kuran) nuk është tjetër veçse fjalë njerëzish” - (El-Muddeth-thir, 11-25).
16. Ne do ta damkosim atë në turi (në hundë)
Dënimi i Allahut gjithsesi do t'i arrijë këta njerëz kryeneçë, edhe në këtë botë para tjetrës. Arroganca, vrazhdësia dhe tallja me Fjalët e Allahut, janë gjëra që nuk i tolerohen një krijese të vockël siç është njeriu. Pikërisht për këtë arsye dhe për ta qetësuar zemrën e të Dërguarit të Vet, Allahu xh. sh., ia bën me dije atij se atë, që e shpërfill Kuranin dhe mburret me cilësitë më të urryera që u përmendën në ajetet paraprake, do të arrijë ndëshkimi i tmerrshëm.
Kuptimi i ajetit: “Ne do ta damkosim atë në turi (në hundë)” mbase figurativisht nënkupton damkosjen e arrogantit mendjemadh në hundën apo fytyrën e tij, që të jetë shembull i keq i shëmtisë para të tjerëve. Dënimi i tillë mund të jetë edhe në këtë botë, ndërkohë që është i sigurt në Ahiret, ku idhujtarët-jobesimtarët do të ringjallen me fytyra të nxira nga turpi, si shkak i mosbesimit të tyre. Në lidhje me këtë, Imam Kurtubiu thotë: Krejt këto ajete kanë zbritur për Velid Ibnul Mugiren, dhe nuk dimë që Allahu i Plotfuqishëm (Allahu e di më së miri) t'i ketë përmendur të metat dikujt më tepër sesa këtij. Atij i është ngjitur turpi i cili nuk do t'i ndahet kurrë as në dynja e as në Ahiret...(7)
Porosia e ajeteve (8-16)
- Allahu xh.sh. ia ka ndaluar rreptësishtë të Dërguarit a.s. e nëpërmjet tij edhe krejt besimtarëve myslimanë që zemrat e tyre të anojnë ndaj përgënjeshtruesve të Shpalljes. Idhujtarët mekas përpiqeshin ta bindnin Muhamedin a.s. që të lidhnin një marrëveshje e cila nënkuptonte që një vit të adhuroheshin idhujt e tyre e një vit Allahu, por kjo gjë u hodh poshtë menjëherë, sepse nuk mund të bashkohen në një zemër në të njëjtën kohë edhe Imani dhe kufri.
- Thirrësit islam nuk i lejohet në asnjë mënyrë që të heqë dorë apo të lëshojë pe në parimet e tij fetare.
- Çdo thirrës po edhe çdo mysliman i sinqertë duhet të largohet e t'i shmanget shoqërimit me ata që i kanë këto cilësi të ndyra e të urryera:
1. Betuesin e tepërt:
2. Të poshtrin i cili ka mendimet të këqija, i tilli në radhë të parë nuk e respekton vetveten dhe si rrjedhojë e kësaj, j atë nuk e respektojnë as të tjerët. Pikërisht kjo poshtërsi, është shkak që ai vazhdimisht të betohet, që dikush ta marrë më seriozisht,
3. Përgojuesin i cili ua shfaq njerëzve të metat në prezencë të tyre,
4. Shpifësin-bartësin e fjalëve në mes njerëzve:
5. Penguesin e mirësive, sidomos atë që i pengon njerëzit ta përqafojnë dritën e Islamit:
6. Mizorin e pafrenueshëm që tejkalon çdo kufi në padrejtësi,
7. Mëkatarin e madh,
8. Të vrazhdin-arrogantin në kufër-mosbesim,
9. Njeriun e pafis.
- Allahu xh.sh. e ka qortuar haptazi Velid ibnul Mugiren, për kufrin dhe arrogancën e tij, sepse nuk ishte fare mirënjohës ndaj Tij, ndonëse i kishte dhuruar pasuri e fëmijë të shumtë. Andaj një prej cilësive të urryera tek Allahu është edhe mburrja e panevojshme me pasuri e fëmijë.
- Vetitë e urryera do ta damkosin pronarin e tyre me shenjën e kufrit dhe të turpit të përbotshëm, si në këtë dynja, ashtu edhe në Ahiret.
- (vijon) -
____________________
(1) Sahihul Buhari (6071), Sahihu Muslim (2853), Imam Ahmedi (18728).
(2) Muhamed Sejiid Tantavi, Et-Tefsirul vesit lil Ku-ranil Kerim,Kajro 1986, vëll. XXIX, f. 61.
(3) Tefsiri i Kurtubiut, Bejrut, 2006, vëll. XXI, £. 151, Shih edhe: Hadaiku-r-Rrevhi ve-r- Rrejhan, vëll. 30, £. 89.
(4) Zemahsheriu, El-Kesh-shaf..., Rijad, 1998, vëll VI. f. 183.
(5) Et-Tefsiru-I mevdui li suveri-I Kuran, vëll. VII, £. 299.
(6) Et-Tahriruve-t-Tenviru, vëll. 29, £. 71.
(7) Imam Kurtubiu, El-Xhamiu liahkami-l Kuran,vëll. XXI, f. 159 (Redaktuarnga Dr. Abdullah bin Abdul Hasen et-Turki).
Sabri Bajgora