Morali i prishur i idhujtarëve
“Andaj,ti mos u pajto me gënjeshtarët! Ata dëshirojnë që ti të bësh lëshime, kështu që dhe ata të bëjnë lëshime. Mos e respekto askënd që betohet shumë dhe që është i poshtër! Që është përgojues e bart fjalë (thashetheme) ndër njerëz. (Që është) Pengues i veprave të mira, shkelës i pafrenueshëm, mëkatar.” (El-Kalem,8-12)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Këto ajete kanë lidhje të pashkëputshme kup timore me ato paraprake, në të cilat kishim përshkrimin e Resulullahut s.a.v.s. , si pronar - i moralit të lartë e të përkryer, i edukuar nga vetë Zoti i botëve. Meqë në ajetet paraprake pamë shpifjet e mekasve ndaj të Dërguarit a.s. se qenkësh i çmendur, tash në këtë grup ajetesh, kemi përshkrimin e cilësive më të neveritshme e më të këqia të idhujtarëve. Përshkrimi i njërit prej idhujtarëve e që i përfshin të gjithë sikurse ai, si gënjeshtar, lajkatar servil, betues i rrejshëm, i poshtër, përgojues, bartës i thashethemeve, koprrac, i pafrenueshëm, mëkatar i vrazhdët, pa prejardhje fisnike dhe mbi të gjitha mohues i Zotit dhe i Ditës së Gjykimit, shpërfaq llumin e mjerimit shpirtëror dhe të degradimit moral ku kishin rënë idhujtarët mekas.
Shkaku i zbritjes së ajetit të 10-të
Lidhur me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, ka disa mendime se për cilin prej idhujtarëve ka zbritur. Ibn Ebi Hatimi transmeton nga Suddiu se ky ajet ka zbritur për Ahnes bin Sherikun,(1) Të njëjtin transmetim e përcjell edhe Ibn Mundhiri nga Kelbiu.(2) Kurse Ibn Ebi Hatimi transmeton nga Muxhahidi se ky ajet ka zbritur për Esved ibn Abdu Jeguthin(3) ose për Abdurrahman ibnul Esvedin.(4)
Megjithatë, transmetimi më i pranuar në lidhje me shkakun e zbritjes është se ky ajet ka zbritur për Velid ibn Mugiren, transmetim të cilin e ka përcjellë Ibn Xheriri nga Ibn Abasi.(5)
Koment:
8. Andaj, ti mos u pajto me gënjeshtarët!
Në ajetin paraprak, në ajetin e shtatë: “S’ka dyshim se Zoti yt është Ai që e di më së miri se kush është ai që ka humbur prej rrugës së Tij dhe Ai e di më së miri për të udhëzuarit”, shohim qartë qetësimin e zemrës së Resulullahut s.a.v.s. nga ana e Allahut xh.sh.që të mos brengosej për shpifjet që po i bënin atij idhujtarët, duke i thënë se i mjafton fakti që Allahu e di më së miri se cili grup është në rrugën e drejtë; tash në ajetin e tetë, vijues, kemi fillimin e porosive të qarta për të, që ai kurrë të mos pajtohej e as të mos i zbutej zemra ndaj jobesimtarëve, gjatë thirrjes së tij. Këto porosi hyjnore, ashtu siç thamë më herët, synojnë forcimin shpirtëror së Resulullahut s.a.v.s., që të qëndronte stoik dhe i pathyeshëm në misionin e tij të shenjtë. Ai në asnjë mënyrë nuk duhet të pajtohej me besimin e mbrapshtë të idhujtarëve, ashtu siç nuk duhet të pajtohej as me nënçmimin që ata po i bënin fesë islame dhe myslimanëve. I Dërguari i Allahut, kur ishte fjala për lartësimin e Fjalës së Allahut dhe për ngadhënjimin e fesë, ishte i pakompromis. Ai, në asnjë mënyrë, nuk ligështohej para parisë kurejshite, por vazhdonte t’i ftonte ata në besimin e vërtetë. Ndërkohë, kur ishte fjala për ndonjë çështje jashtë sferës së thirrjes, ishte shembull i përkryer i mirësjelljes dhe dhembshurisë njerëzore.
Nga fletët e historisë islame, jemi të njohur me propozimin që i patën bërë të Dërguarit a.s. paria kurejshite që të lidhnin një marrëveshje e cila nënkuptonte që një vit t’i adhuronin së bashku idhujt e tyre e vitin tjetër ta adhuronin Allahun e pastaj të vendosnin bashkërisht se çfarë të bënin në vitin e tretë. Natyrisht, ky propozim ishte hedhur poshtë kategorikisht, përse kishte zbritur edhe sureja “El-Kafirun”, e cila ka përcaktuar qartë vijat ndarëse në mes të imanit dhe kufrit.
9. Ata dëshirojnë që ti të bësh lëshime, kështu që dhe ata të bëjnë lëshime.
Porositë e Allahut fuqiplotë janë shumë të qarta. I Madhërishmi e njofton të Dërguarin a.s. se idhujtarët kanë dëshirë që të jetë i butë ndaj tyre, t’i lajkatojë me fjalë të mira dhe t’u bëjë lëshime në kërkesat e tyre të marra, në mënyrë që edhe ata, duke u mbështetur në prejardhjen e tij fisnike, ta lajkatojnë e ta bëjnë ndonjë lëshim ndaj kërkesave të tij, por Allahu i kërkon që kurrsesi të mos e pranojë një gjë të tillë. Mos të tregojë asnjë shenjë dobësie ndaj tyre, sepse ata janë të padenjë për një nder dhe respekt të tillë. Cilësitë dhe vetitë e tyre janë shumë të ulëta e të nënçmuara, e strumbullar i tyre është kufri-mosbesimi.
Sa i përket kuptimit të këtij ajeti, dijetarët kanë dhënë disa mendime. Disa prej tyre mendojnë se fjala “fe tud’hinu” nënkupton: “të mohosh-të bësh kufër”, “të dobësohesh”, “të zbutesh”, “të gënjesh” “ta lësh” dhe “të bësh lëshime”.(6)
Megjithatë, mendimi i fundit të cilin e ka thënë Ibn Abbasi, është mendimi më i pranuar dhe më i përafërti me synimin e vërtetë, mendim të cilin e përkrahim edhe ne.
10. Mos e respekto askënd që betohet shumë dhe që është i poshtër!
Porosia e radhës për të Dërguarin a.s. është që të mos i bindej e as të mos e respektonte askënd prej idhujtarëve që betohet shumë dhe mbi të gjitha, rrejshëm, sepse i tilli është i pabesë, dhe tradhton për çfarëdo interesi.
Shumica e dijetarëve anojnë kah mendimi se me termat: “që betohet shumë dhe që është i poshtër”, është synuar Velid ibnul Mugire, ndonëse ka edhe të tillë që mendojnë se me këtë janë synuar Ebu Xhehli, Esvedi, Ahnesi etj.
Sidoqoftë, sipas Ibn Ashurit, te këta katër persona, janë grumbulluar shumica e këtyre vetive të urryera, dhe që të katërtit ishin më të zëshmit në zullumin ndaj Pejgamberit a.s., prandaj edhe shprehja në këtë ajet ka ardhur me kuptim shumësi“kul-le hal-lafin mehin”.(7)
Sipas dijetarëve, kuptimi i ajetit-“hal-lafin mehin”, nënkupton gënjeshtarin që betohet shumë dhe që është i poshtër. Ai njeri që e ka zakon të betohet shpeshherë, ai është i pasigurt në veten, andaj që dikush t’i besojë, ai detyrohet të betohet. Por, ashtu siç ndodh rëndom, ai që betohet shpesh, rrëshqet në gënjeshtra dhe zakonisht është jo i besueshëm tek të tjerët.
Ndërkohë, fjala “mehin” nënkupton njeriun e lig, të poshtër, armiqësor dhe gënjeshtar të fëlliqur. Meqë betimi i tepërt është cilësi jo e pëlqyeshme, pikërisht për këtë arsye, në Islam, e kemi të ndaluar të betohemi shpesh dhe pa nevojë. Në lidhje me këtë, i Dërguari i Allahut na ka porositur që të mos betohemi në dikë tjetër përveç Allahut, madje i shoqëruar me kushtin që ai betim të jetë për një çështje shumë madhore, teksa thotë: “Me të vërtetë Allahu xh.sh.jua ndalon të betoheni në prindërit tuaj, por ai që betohet le të betohet vetëm në Allahun, ose le të heshtë.”(8)
Dijetarët kanë thënë se fshehtësia e ndalesës së betimit përveç në Allahun xh.sh., qëndron në faktin se betimi në diçka nënkupton madhërimin e asaj gjëje, ndërsa dihet se madhërimi i vërtetë i takon vetëm Allahut xh.sh., prandaj robi nuk duhet të betohet në asgjë tjetër përveçse në Allahun, në qenien e Tij dhe në atributet e Tij.(9)
11. Që është përgojues-përqeshës e bart fjalë (thashetheme) ndër njerëz.
Pas këshillës që të mos përfillë gënjeshtarët që betohen rrejshëm dhe betohen në dikë tjetër përveçse në Allahun, porosia e radhës ka të bëjë me shmangien e një grupi tjetër njerëzish, të cilët përgojojnë, përqeshin dhe bartin fjalë e shpifje nëpër njerëz.
Fjala ‘Hemmaz’ nënkupton njeriun i cili i lëndon njerëzit e tjerë duke i përqeshur për të metat dhe dobësitë e tyre haptazi, në praninë e të tjerëve, ndërkohë që fjala “Lemmaz” që është përmendur në suren “Humeze”, ajeti i parë: “Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit)”, nënkupton atë njeri që i përqesh e i ofendon të tjerët duke mos qenë ata të pranishëm.
Në Islam, përqeshja dhe përgojimi janë prej vetive më të urryera dhe, rrjedhimisht, të ndaluara. Pikërisht për këtë arsye, në shumë ajete kuranore i Lartmadhërishmi na e tërheq vërejtjen që të mos tallemi e as ta përqeshim dikë, qoftë edhe në formë shakaje, përse na flet edhe ajeti i 11-të i kaptinës“El-Huxhurat”: “O ju që keni besuar, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër...”
E në lidhje me përgojuesin dhe bartësin e fjalëve kemi edhe hadithin e Resulullahit s.a.v.s. i cili thotë: “Nuk do të hyjë në Xhenet bartësi i fjalëve (shpifësi)”.(10)
Madje i Dërguari i Allahut ua kishte ndaluar rreptësisht sahabëve që të bartnin tek ai ndonjë fjalë për njëri-tjetrin, nga të cilat fjalë atij mund t’i lëndohej zemra, duke thënë: “Mos të më përcjellë askush prej jush fjalë
për njëri-tjetrin, sepse unë dëshiroj që, kur të dal para jush, ta kem zemrën të qetë e të shëndoshë (nga ndonjë mendim i keq apo paragjykim)”.(11)
Kjo porosi ka një dimension të jashtëzakonshëm sociologjik, sepse, kur dikush na e paraqet qëndrimin negativ apo fjalën e keqe të dikujt në raport me ne, ka rrezik që, si krijesa të brishta që jemi ne njerëzit, në zemrën apo mendjen tonë, edhe padashur, të bëjë vend ndonjë mendim i keq apo paragjykim. Prandaj, kur njeriu nuk merret me gjëra të tilla, del ballëhapur dhe i konsideron të gjithë njësoj para vetes, ashtu siç na ka mësuar i Dërguari a.s. me edukatën e tij të pashoqe profetike.
12. (Që është) Pengues (koprrac) i veprave të mira, shkelës i pafrenueshëm, mëkatar.
Në këtë ajet, janë përmendur tri cilësi të tjera të idhujtarëve, përpos kufrit, të cilat shpërfaqin natyrën e tyre të egër e të vrazhdë shpirtërore. Tek ata kishte humbur ndjenja humane që e karakterizon pothuajse çdo njeri, nga natyrshmëria e çiltër dhe e pastër në të cilën na ka krijuar Allahu xh.sh.
Me fjalën ‘mennain lil hajri’ – nënkuptojmë penguesin e veprave të mira apo koprracin, i cili në çdo mënyrë mundohet të pengojë që edhe të tjerët t’i përshkojë mirësia dhe hajri, qoftë në besim, qoftë në furnizim apo punë të mirë.
“Me fjalët‘muë’tedin ethim’ nënkuptojmë mëkatarin i cili është mizor dhe tejkalues i dispozitave të Allahut, është shkelës dhe mosmirënjohës ndaj çdo mirësie, e mbi të gjitha është edhe i pafrenueshëm në mëkate, qofshin ato të mëdha apo të vogla.
Velid ibnul Mugire i kishte dhjetë djem dhe shpeshherë u drejtohej atyre me fjalët: Nëse ndonjëri prej jush do ta pasojë fenë e Muhamedit, nuk do ta përkrah atë në asgjë dhe nuk do të ketë më asnjë dobi prej meje.
Ky pengim nga Islami, është pengimi ndaj së mirës më të madhe(12) që është drita e udhëzimit në të vërtetën.
- vijon –
_____________
(1) Imam Sujutiu, Ed-DurrulMenthur, vëll. 14, f. 631.
(2) Po aty.
(3) Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 272.
(4) Tefsiri i Kurtubiut, vëll. XXI, f. 148.
(5) Et-TefsirulMunir, (29/54); Të një- jtin mendim e ndanedhe Sejjid Kutbi. Shih: Fi Dhilali-l Kuran, vëll. VI, f. 3662.
(6) Tefsiri i Maverdit, vëll. VI, f. 62.
(7) Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. 29, f. 71.
(8) Shih: Fet`hul Bari, V. 14 f. 335- 336; Sahihu Muslim, V. 3 f. 1266.
(9) Shih Dr. Musa Vila, http:// www. islamgjakova. net/artikulli. php?id=7254.
(10) Buhariu (5709); Muslimi (105); Ebu Davudi (4871); Tirmidhiu (2026).
(11) Fi Dhilali-l Kuran, vëll. VI, f. 3662. (e transmetojnë Ebu Davudi dheTirmidhiu, nga Ibn Mes’udi).
(12) Fahru-R-Rraziu, Mefatihu-l Gajb, vëll. XXX, f. 84.
Sabri Bajgora