Komentimi i kaptinës Muhamed (IV)


Ligji i Allahut që nuk ndryshon as për besimtarët as për mohuesit –meditim rreth gjendjes së tyre në dynja e në Ahiret

“O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja. Ndërsa ata që nuk besojnë, qofshin të shkatërruar! Ai do t’ua asgjësojë veprat atyre. Kjo për shkak se ata e urrejnë atë që ka shpallur Allahu, andaj Ai i ka zhvlerësuar veprat e tyre. Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër Tokë, për të parë përfundimin e atyre që qenë përpara tyre!? Allahu i shfarosi ata plotësisht, e kështu do të përfundojnë edhe mohuesit e tjerë. Kjo për shkak se Allahu është Mbrojtës i atyre që besojnë, kurse për mohuesit nuk ka mbrojtës. Pa dyshim, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i shpjerë në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ndërsa ata që nuk besojnë dhe kënaqen e hanë ashtu siç gëlltisin bagëtia, do të kenë Zjarrin si vendbanim! Eh, sa shumë qytete, të cilat kanë qenë më të fuqishme se qyteti yt, që të ka përzënë, Ne i kemi shkatërruar dhe nuk kanë pasur asnjë ndihmës! Vallë, a është i njëjtë ai që i përmbahet udhëzimit të Zotit të tij me atë që i zbukurohen punët e veta të shëmtuara dhe lëshohet pas pasioneve të veta? Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend, ku ka lumenj me ujë të pa ndotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash dhe falje prej Zotit të tyre. A mund të krahasohet ky shembull me Xhehenemin, ku gjynahqarët do të qëndrojnë përherë në zjarr dhe do t’u jepet ujë i valuar, që ua copëton zorrët?!” – (Muhamed, 7-15)

Shkaku i zbritjes së ajetit 11

Transmetohet nga Ibn Ebi Hatimi e ky nga Katadeja të ketë thënë: “Na është përmendur neve se ky ajet ka zbritur në ditën e betejës së Uhudit, kur i Dërguari a.s. ishte në një kodrinë, e përreth tij kishte të plagosur e të vrarë. Atë ditë idhujtarët kishin thirrur me zë të lartë: “Madhëroni “Hubelin”, kurse myslimanët ua kthyen: “Allahu është më i Madhi dhe më madhështori”. Idhujtarët bërtitën me zë të lartë: “Ne kemi Uzzanë e ju nuk keni Uzza”, ndërsa i Dërguari a.s. u tha: “Thoni atyre: “Allahu është Zoti-Kujdestari ynë, e ju nuk keni Zot- kujdestar.”(1)

Shkaku i zbritjes së ajetit 13

- Transmetohet nga Ibn Abasi dhe Katade, se ky ajet ka zbritur pas përfundimit të Haxhit lamtumirës, kur i Dërguari a.s. duke dalë prej Mekës, e shikoi me mall Qabenë e bekuar dhe duke qarë nga pikëllimi tha: “Për Allahun, ti je vendi më i mirë i Allahut në Tokë, dhe vendi më i dashur i Allahut në Tokë! Po të mos më nxirrnin (dëbonin) prej teje, kurrë nuk do të isha larguar”(2) Pas kësaj, Allahu xh.sh. zbriti ajetin e 13 të kësaj sureje: “Eh, sa shumë qytete, të cilat kanë qenë më të fuqishme se qyteti yt, që të ka përzënë, Ne i kemi shkatërruar dhe nuk kanë pasur asnjë ndihmës!”
- Transmeton Ebu Ja’la nga Ibn Abasi të ketë thënë: Kur i Dërguari i Allahut ia mësyu shpellës, (rrugës për hixhret), e shikoi me mall Mekën dhe tha: “Ti je vendi më i dashur i Allahut për mua, dhe po të mos më dëbonin nga ti banorët e tu, kurrë nuk do të isha larguar prej teje”.(3) Pas kësaj, Allahu xh.sh. zbriti ajetin e 13-të të kësaj sureje: “Eh, sa shumë qytete, të cilat kanë qenë më të fuqishme se qyteti yt, që të ka përzënë, Ne i kemi shkatërruar dhe nuk kanë pasur asnjë ndihmës!”(4)

Lidhja e këtyre ajeteve me ata paraprakë

Këto ajete kanë një ndërlidhje të pashkëputur me ajetet paraprake, për faktin se më parë u trajtua çështja e robërve të luftës dhe dispozitat rreth tyre, dhe sprovimi i besimtarëve me luftën, duke i përgëzuar ata të qëndrueshmit me begatitë e Xhenetit, ndërkohë që tash në këto ajete, Allahu xh.sh. ua bën të qartë besimtarëve që nëse mbështeten tek Allahu duke synuar ngadhënjimin në luftë, atëherë Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’i bëjë fitimtarë si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Kurse jobesimtarët, do të jenë të humbur përgjithmonë, së bashku me veprat e tyre, sikur të mos kishin ekzistuar fare. Shembuj të tillë të shkatërrimit të popujve të mëhershëm ka mjaft, për ata që duan të marrin mësim.

Koment:

7. O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.
Nëpërmjet këtij ajeti, Allahu xh.sh. i nxit dhe i motivon besimtarët që në fushëbetejë të jenë të qëndrueshëm, dhe të kërkojnë vetëm ndihmën e Allahut. Ai që mbështetet tek Allahu, nuk do të humbë kurrë, sepse ashtu siç është përmendur më parë, ai gjithsesi do të arrijë njërën prej dy objektivave madhore: rënien shehid- dëshmor në rrugën e Allahut me çka e futë veten në radhët e të dashurve të Allahut dhe të xheneltlinjve, ose ngadhënjimin mbi armikun, dhe lartësimin e Fjalës së Allahut. E nëse besimtarët myslimanë, i kanë këto objektiva si synim final, atëherë ndihma e Allahut është e sigurt, sepse Ai i përforcon zemrat e tyre me qetësi dhe fortësi, që të mos ndjejnë frikë e as mos të zmbrapsen nga fushëbeteja me armikun.
8. Ndërsa ata që nuk besojnë, qofshin të shkatërruar! Ai do t’ua asgjësojë veprat atyre.
Kurse ata që nuk besojnë, e këtu është fjala për ata që nuk e besojnë Allahun xh.sh., që e mohojnë Shpalljen që iu dërgua Muhamedit a.s., atëherë Allahu i Madhërishëm ka përgatitur për ta poshtërim, nënçmim dhe përbuzje në këtë botë dhe në botën e ardhshme. Atyre Allahu Fuqiplotë do t’ua asgjësojë vepra e tyre të mira që mund t’i kenë pasur, dhe do t’i ndëshkojë në zjarrin e Xhehenemit.
9. Kjo për shkak se ata e urrejnë atë që ka shpallur Allahu, andaj Ai i ka zhvlerësuar veprat e tyre.
Arsyeja pse Allahu do t’ua asgjësojë veprat e jobesimtarëve vjen në formë të përgjigjes pikërisht në këtë ajet, ku i Madhi Zot sqaron se jobesimtarët kanë urrejtje patologjike ndaj besimit të pastër islam. Atyre ju pengon drita e Imanit dhe nuk mund të pajtohen se tash, flamurin e Njëshmërisë e mban dikush tjetër e jo ata. Të mashtruar nga egoja dhe mendjemadhësia, duke imagjinuar e supozuar se ata janë në të drejtë, dhe të privilegjuar nga Zoti, e humbën veten dhe e devijuan shpalljen e pastër që ju erdhi atyre më parë. Ata shtrembëruan të vërtetën prandaj edhe e merituan hidhërimin e Krijuesit të gjithësisë dhe përbuzjen e nënçmimin në të dy botët.(5)
10. Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër Tokë, për të parë përfundimin e atyre që qenë përpara tyre!? Allahu i shkatërroi-shfarosi ata plotësisht, e kështu do të përfundojnë edhe mohuesit e tjerë.
Ky ajet është një tërheqje e drejtpërdrejtë e vërejtjes ndaj idhujtarëve që po mohonin me gulm shpalljen që i zbriti Muhamedit a.s. Prandaj Allahu ju drejtohet me të tilla fjalë, që të marrin mësim nga fati i popujve të kaluar, gjurmë e vendbanimeve të të cilëve i keni afër dhe shpeshherë kaloni andej pari gjatë udhëtimeve tuaja, siç ishin populli Ad, Themud dhe populli i Lutit a.s.. Të gjithë këta popuj Allahu xh.sh. i shkatërroi me ndëshkim të tmerrshëm, për shkak të ligësive dhe mbrapshtisë së tyre. Këta sikur i kishin shpallur luftë Allahut dhe të dërguarve të Tij, e dihet se ai që i shpall luftë Allahut, do ta ketë përfundimin e keq në këtë botë dhe përjetësinë në skëterrat e Xhehenemit.
I Madhërishmi, qëllimisht i ka përmendur në këtë ajet fjalët: (Demmere alejhimi shfarosi-shkatërroi plotësisht), për t’ua bëtë me dije kurejshëve dhe jobesimtarëve të çdo kohe, se një fat i tillë i keq mund t’i presë edhe ata, prandaj, le të marrin mësim nga pësimi i atyre që ishin para tyre, dhe ta pasonin ketë pejgamber, që iu erdhi me dritën e udhëzimit dhe të vërtetën. Mekasit, më parë veç kishin pësuar një humbje të turpshme nga myslimanët në Bedër.
11. Kjo për shkak se Allahu është Mbrojtës i atyre që besojnë, kurse për mohuesit nuk ka mbrojtës.
Në këtë ajet sqarohet shkaku pse Allahu i shkatërroi popujt e pabindur të mëhershëm. Ata popuj kishin mohuar Allahun, e madje në disa raste edhe i kishin kërcënuar me jetë të Dërguarit te Zotit. Prandaj, për t’i shpëtuar ata nga rreziku për jetë, kishte pasuar ndërhyrja hyjnore, me shkatërrimin e popujve zullumqarë dhe shpëtimin e të dërguarve dhe besimtarëve që i pasuan ata.
Ashtu siç u përmend te shkaqet e zbritjes, ky ajet me gjasë mund të ketë zbritur gjatë luftës së Uhudit, kur myslimanët pas fitores fillestare, u detyruan të zmbrapseshin pas sulmit të furishëm prapa shpine nga ana e armikut, dhe krejt kjo, për shkak se shigjetarët nuk e respektuan urdhrin e Pejgamberit a.s. që të mos lëviznin nga pozicioni i tyre në kodër, pavarësisht rrethanave dhe situatave të luftës.
I Dërguari i Allahut me shokët e tij u shtrënguan të ngjiteshin drejt një kodrine për të gjetur strehim, dhe prej aty filluan të ndërroni fjalët me idhujtarët të cilët të trimëruar me rikthimin e luftës në favor të tyre, filluan të mburreshin me idhujt e tyre. Prandaj përgjigja e Resulullahut s.a.v.s. ishte e prerë se mbrojtësi i myslimanëve është vetëm Allahu, kurse idhujtarët nuk kanë asnjë mbrojtës. Ata thjesht ishin mbështetur në iluzione të rreme, se ata gurë e drunj që i gdhendnin e skalisnin vetë, ishin zota!
12. Pa dyshim, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i shpjerë në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ndërsa ata që nuk besojnë dhe kënaqen e hanë ashtu siç gëlltisin bagëtia, do të kenë Zjarrin si vendbanim!
Shpërblimi i atyre që besuan dhe krahas kësaj bënë vepra të mira duke respektuar urdhrat e Zotit, duke qenë altruistë dhe ndihmëtar të atyre që kanë nevojë, të tillët për shpërblim do ta kenë Xhenetin, me të gjitha hijeshitë dhe begatitë e tij, të përgatitura enkas për besimtarët. Aty do të jetojnë nëpër shtëpia, poshtë të cilave do të rrjedhin lumenj, ku do të shijojnë dhe përjetojnë kënaqësitë e përjetshme të Allahut të Madhërishëm.
Në anën tjetër, ata që nuk besuan dhe preokupim të vetëm e kanë kënaqësinë e kësaj bote, duke mos çarë fare kokën për Ahiretin dhe jetën pas vdekjes, dhe duke ngrënë në këtë botë, ashtu siç hanë bagëtia, pa ndonjë kontroll, ata do të jenë banorë të Xhehenemit, duke shijuar ndëshkim pas ndëshkimi, përjetësisht. Ky do të jetë “shpërblimi” i arrogancës dhe vrazhdësisë së tyre shpirtërore, sepse mohuan Allahun, dhe iu mbështetën dikujt tjetër pos Tij.
13. Eh, sa shumë qytete, të cilat kanë qenë më të fuqishme se qyteti yt, që të ka përzënë, Ne i kemi shkatërruar dhe nuk kanë pasur asnjë ndihmës!
Allahu i Madhërishëm ua dërgon një mesazh shumë të qartë idhujtarëve mekas nëpërmjet rrëfimit për dëbimin e Resulullahit s.a.v.s. nga Meka, i cili u detyrua të shpërngulej në Medinë, për ta vazhduar misionin e tij të shenjtë, pasi që një gjë e tillë iu pamundësua aty ku lindi dhe ku u gradua në Pejgamber. Ai ua bën me dije, se shumë qytete apo vendbanime të popujve të mëhershëm, të cilët ishin shumë më të fuqishëm e më të zhvilluar se ju në çdo aspekt u shkatërruan për shkak të mohimit dhe vrazhdësisë në sjelljet e tyre ndaj të dërguarve të Zotit dhe besimtarëve. Nëse ata që ishin shumë herë më të fuqishëm se ju, i shkatërruan, atëherë a nuk logjikoni se çfarë mund t’ju godasë juve, që rebeloheni ndaj Shpalljes hyjnore dhe dëboni të Dërguarin e Allahut nga vendlindja e vet?!
Vallë a nuk i shihni gjurmët e atyre që i shkatërruam prej të parit deri tek i mbrami, duke mos pasur ata ndonjë ndihmës, sepse ata në vend së të mbështeteshin te Allahu dhe ta besonin e ta merrnin Atë si mbrojtës, u mbështetën në idhuj të rremë e të shpifur, prandaj edhe pësuan shkatërrim në këtë botë e do të pësojnë ndëshkim të dhembshëm edhe në botën tjetër.
14. Vallë, a është i njëjtë ai që i përmbahet udhëzimit të Zotit të tij me atë që i zbukurohen punët e veta të shëmtuara dhe lëshohet pas pasioneve të veta?
Në këto dy ajetet e fundit, hasim në fraza dhe shprehje krahasimtare, të cilat sikur synojnë të ndezin logjikën dhe vetëdijen e fjetur të jobesimtarëve. Krahasimi i parë është i natyrës nëse mund të jetë njësoj ai që i përmbahet udhëzimit të Allahut dhe ndjek rrugën e dritës që e trasojnë të Dërguarit e Tij, me atë njeri të prishur, i cili lëshohet pas pasioneve të tij të ulëta dhe ndjek rrugën e shëmtuar të shejtanit. Sigurisht se nuk janë njësoj, sepse në mes këtyre të dyve, ekziston një dallim i madh esencial dhe përmbajtjesor, që është Imani në njërën anë dhe Kufri në anën tjetër.
15. Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend, ku ka lumenj me ujë të pa ndotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash dhe falje prej Zotit të tyre. A mund të krahasohet ky shembull me Xhehenemin, ku gjynahqarët do të qëndrojnë përherë në zjarr dhe do t’u jepet ujë i valuar, që ua copëton zorrët?!
Në këtë ajet kuranor, Allahu xh.sh. përshkruan Xhenetin i cili iu është premtuar xhenetlinjve, të cilët me besimin e tyre të pastër dhe me veprat e tyre të mira, e merituan këtë vend si shpërblim të amshueshëm. Xheneti më i lartë e më i vlefshëm është Xheneti Firdevs, nga i cili rrjedhin lumenj me ujë të pastër e të pa ndotur, lumenj qumështi, lumenj me verë me shije të këndshme, por që nuk deh siç deh vera e kësaj bote dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Përveç që xhentelinjtë do ta shuajnë etjen nga ujët e këtyre lumenjve, ata në ta do të gjejnë freski e pranë tyre ka pemë që japin lloj-lloj frutash me asi shije, që njerëzit as i ka shijuar e as parë me sy gjatë jetës së kësaj bote.(6)
Në Xhenet, Allahu xh.sh. ka përgatitur për besimtarët asi mirësi, që syri i njeriut kurrë nuk i ka parë, zëra të mrekullueshëm që veshi kurrë nuk i ka dëgjuar dhe ka krijuar asi gjëra që njeriu as nuk ka mundur t’i imagjinojë e as t’i kenë shkuar ndërmend. Allahu i Lartësuar thotë: “Askush nuk e di se çfarë është ruajtur për ta nga kënaqësitë e syrit, si shpërblim për çfarë ata punuan.” - (Es-Sexhde, 17).
Banorët e Xhenetit duken si mbretër në fronet e tyre nga ari. Mbi kokat e tyre kanë kurora me margaritarë, kurse rrobat e tyre janë prej mëndafshi të gjelbër. Imagjinoje veten të jesh i ulur në një fron të tillë e poshtë teje të rrjedhin lumenjtë e Xhenetit, gurgullima e të cilëve të shkakton ndjesi të papërshkrueshme të kënaqësisë që kurrë nuk përfundon.
I Lartmadhërishmi thotë: “Përshkrimi i Xhenetit që është përgatitur për të devotshmit (ndër të tjera është) se poshtë tij rrjedhin lumenjtë. Ushqimi dhe hijet e tij janë të përhershme. Ky është përfundimi i atyre që ishin të devotshëm, ndërsa përfundimi i atyre që kanë mohuar është zjarri.” – (Er-Rra’d, 35).
Kurse grupi tjetër, të cilët nuk iu bindën Allahut, por e mohuan Atë dhe nuk e pasuan udhëzimin e Tij, do të jenë në zjarr të Xhehenemit, duke përjetuar ndëshkim pas ndëshkimi. Përshkrimi që i bëhet Xhehenemit në pjesën e fundit të këtij ajeti, kur Allahu xh.sh. tregon se atyre u jepet ujë i valuar që ua copëton e këput zorrët. Ushqimi i tyre do të jenë ferrat e pemës zekum, që u ngjajnë kokave të gjarpërinjve, kurse çdo gjë rreth tyre kundërmon erë të pistë e të padurueshme.
Prandaj, me plotë të drejtë, Allahu xh.sh. shtron një pyetje që thotë: Vallë a mund të krahasohen grupi i xhenetlinjve, teksa shijojnë begatitë e panumërta të Xhenetit, me këta njerëz të pabindur, që digjen e përcëllohen në flakërimat e zjarrta të Xhehenemit, duke përjetuar ndëshkim pas ndëshkimi. Sigurisht që jo!

Porosia e ajeteve (7-15)

- Ndihma dhe fitorja për besimtarët është e kushtëzuar me ngadhënjimin dhe përkrahjen e fesë së Allahut, duke zbatuar urdhrat e Fuqiplotit për mirësi dhe duke u larguar nga ato që Ai i ka bërë haram-të ndaluara.
- Ndëshkimi i jobesimtarëve do të jetë i dhimbshëm dhe i rëndë. Ata do t’i përfshijë hidhërimi i Allahut dhe do të përballen më poshtërim e përbuzje, duke qenë humbës në këtë botë, por humbja e tyre më e madhe do të jetë humbja e Ahiretit, kur do të dalin para Madhërisë së Allahut me vepra të asgjësuara.
- Pjesa e ajetit ku Allahu xh.sh. na bën me dije se do t’ua asgjësojë veprat jobesimtarëve, tregon për fundin e dhimbshëm që do ta përjetojnë mohuesit e Njëshmërisë, ndërsa në ajetin e katërt të kësaj sureje kur i Madhërishmi flet për besimtarët që bien dëshmor në fushëbetejë, thotë se atyre nuk do t’ua humbë apo asgjësojë veprat e tyre, përkundrazi do t’i udhëzojë e do t’i qetësojë mendjet, zemrat dhe shpirtrat e tyre me kënaqësitë e Xhenetit.
- Allahu xh.sh. i fton idhujtarët që të udhëtojnë nëpër tokë e të marrin mësim nga pësimet e popujve të pabindur përreth tyre, sikur populli i Hudit, i Salihut dhe i Lutit a.s., përndryshe do të shkatërrohen edhe këta, sepse e dëbuan të Dërguarin e Allahut prej vendit të tij të dashur ku u lind dhe u rrit.
- Besimtarët janë njerëzit më fatlumë, sepse besimi i tyre dhe mbështetja në Allahun, i fut ata nën mbrojtjen e Mbrojtësit më të mirë, Allahut xh.sh., ndërkohë që jobesimtarët nuk e kanë Allahun si Mbrojtës të tyre sepse gjatë jetës në këtë botë e mohuan dhe i përshkruajnë Atij shok.
- Besimdrejtët do të jenë vazhdimisht duke përjetuar kënaqësitë e papërshkrueshme të Xhenetit, kurse mohuesit e Njëshmërisë, do të digjen e do të ndëshkohen në zjarrin e Xhehenemit.

- vijon –


_______________________________
1. Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n- nuzuli, f. 234; Në lidhje me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, shih edhe Et-Tefsiru-l Munir, vëll. 26, f. 417.
2. E transmeton Tirmidhiu në El-Menakib, kreu: ”Vlera e Mekës” 5/722 nr. (3935) me konstatimin: hadith “hasen garib sahih”; El-Hakimi në: El-Mustedrek 3/8, nr. (4271) me konstatimin: hadithi është në përputhje me kushtet e Buhariut dhe të Muslimit, por nuk e kanë transmetuar; Shih edhe: Et-Tefsir el mevdui li suveri-l Kuran, vëll. VII, f. 227.
3. Imam Sujutiu, Lubabu-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 234.
4. Ndonëse Imam Sujutiu si shkak të zbritjes së këtij ajeti i ka përmendur fjalët e të Dërguarit a.s., i cili kur po e lëshonte Mekën, për të marrë rrugën e hixhretit, me lot në sy po shprehte pikëllimin e madh që ndjente në zemër, megjithatë, nuk mund të merret si argument i fortë për të qenë shkak i zbritjes së këtij ajeti. (Të vërtetën e di vetëm Allahu i Madhërishëm!).
5. Për më gjerësisht shih: Te’emmulat imanije fi sureti Muhamed, ff. 107-112.
6. Për më gjerësisht rreth kësaj tematike shih: Ibn Adil ed-Dimeshkij, El-Lubabu fi Ulum-l Kitab, Bejrut, 1998, ff. 443-444.



Sabri Bajgora