Komentimi i kaptinës Muhamed (III)


Dispozitat sheriatike rreth luftës, robërve të luftës dhe të vrarëve në rrugën e Allahut
“Kur të ndesheni me jobesimtarët, goditni në qafë derisa t’i mposhtni (rraskapitni)! Më pas, lidhni mirë, e pastaj, ose lironi falas ose kërkoni dëmshpërblim për ta, derisa të përfundojë lufta. Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njëri-tjetrin. Ai nuk ua humb veprat atyre që vdesin në rrugën e Allahut. Ai do t’i udhëzojë ata, do t’ua përmirësojë gjendjen, dhe do t’i shpjerë në Xhenet, të cilin ua ka bërë të njohur më parë.” (Muhamed, 4-6)

Shkaku i zbritjes së ajeteve (4-6)

Transmetohet nga Ibn Ebi Hatimi e ky nga Katadeja që në lidhje me fjalët e Allahut:
“Ai nuk ua humb veprat atyre që vdesin në rrugën e Allahut. Ai do t’i udhëzojë ata, do t’ua përmirësojë gjendjen dhe do t’i shpjerë në Xhenet, të cilin ua ka bërë të njohur më parë”, të ketë thënë: “Na është përmendur neve se këto ajete kanë zbritur në ditën e betejës së Uhudit, kur i Dërguari a.s. ishte në një kodrinë, e përreth tij kishte të plagosur e të vrarë. Atë ditë idhujtarët kishin thirrur me zë të lartë: “Madhëroni “Hubelin”(1), kurse myslimanët ua kthyen: “Allahu është më i Madhi dhe më madhështori”. Idhujtarët bërtitën me zë të lartë: “Ne kemi Uzzanë e ju nuk keni Uzza”, ndërsa i Dërguari a.s. u tha: “Thoni atyre: “Allahu është Zoti-Kujdestari ynë, e ju nuk keni Zot- kujdestar”(2)

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Në ajetet paraprake pamë se janë dy grupe njerëzish: jobesimtarët në njërën anë, të cilët e pasojnë të shtrembëtën duke ndjekur intrigat e shejtanit, dhe besimtarët në anën tjetër, që ndjekin të vërtetën dhe udhëzimin e Allahut. Ndërsa tash në këto ajete, shohim se si Allahu ua sqaron dispozitat e luftës ndaj idhujtarëve-jobesimtarëve, gjatë betejës dhe pas përfundimit të saj, si dhe dispozitat që kanë të bëjnë me robërit e luftës.

Koment

4. Kur të ndesheni me jobesimtarët, goditni në qafë derisa t’i mposhtni (rraskapitni)! Më pas, lidhni mirë, e pastaj, ose lironi falas ose kërkoni dëmshpërblim për ta, derisa të përfundojë lufta. Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njëri-tjetrin.
Me këtë ajet, fillojnë së përmenduri dispozitat dhe rregullat e luftës sipas legjislacionit islam. Ndonëse lufta kurrë nuk është opsioni i parë në lartësimin e Fjalës së Allahut, ajo gjithnjë vazhdon të mbetet opsioni i tretë, kur ballafaqimi me armikun është i detyrueshëm, atëherë kur besimtarët porositen që të jenë të qëndrueshëm në mbrojtjen e vlerave dhe të së vërtetës.
Pjesa e parë e këtij ajeti: “Kur të ndesheni me jobesimtarët, goditni në qafë derisa t’i mposhtni (rraskapitni)!”, ua bën me dije besimtarëve që kur të konfrontohen me armikun në betejë, të mos ligështohen, por të jenë të qëndrueshëm e të mbështeten te Zoti, duke synuar vetëm ngadhënjimin. Rraskapitja e armikut në këtë rast nënkupton dërrmimin dhe mundjen e tyre në betejë, duke përdorur të gjitha strategjitë e mundshme ushtarake, e pastaj nëse myslimanët kanë zënë robër lufte (pengje) nga tabori i armikut, atëherë kryekomandanti mysliman ka para vetes dy mundësi të veprimit me ta:
1. Lirimin e tyre pa kurrfarë kushtesh (pa dëmshpërblim) ose
2. Lirimin e tyre me kushte (me dëmshpërblim), etj.
Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. në këtë ajet (4), të kësaj sureje, thotë: “... e pastaj, ose lironi falas ose kërkoni dëmshpërblim (për ta), derisa të përfundojë lufta”.
Shembull praktik të një veprimi të tillë përgjatë historisë kemi rastin e luftës së Salahudin Ejubit me të krishterët, të cilët ani pse ia kishin masakruar më se 70 mijë luftëtarë, Salahudini u soll mirë me robërit e tyre, duke i liruar ata pa kurrfarë kushtesh. Ai, me këtë gjest human, i tregoi botës së atëhershme të krishterë, se Islami nuk është fe e dhunës dhe nuk dëshiron hakmarrje.
Lirimi i tyre me dëmshpërblim, është mundësia e dytë, dhe kjo përdoret edhe sot e kësaj dite nga shumë ushtri të botës, ku shpeshherë ndodh që të bëhet edhe shkëmbimi i robërve të luftës, bazuar në Konventat ndërkombëtare që janë në fuqi.
Sipas Islamit, lufta në të cilën lejohet zënia e robërve është lufta e ligjshme në rrugën e Allahut, e cila për të qenë e tillë duhet t’i plotësojë këto katër kushte:
1. Lufta për ta larguar rrezikun e armikut ndaj myslimanëve;
2. Lufta që të thyhet fuqia luftë-nxitëse, e cila fut përçarje në mes njerëzve;
3. Lufta për mënjanimin e pengesave, çfarëdo qofshin ato, gjatë misionit të përhapjes së fjalës së Allahut te njerëzit (popujt); dhe
4. Lufta me rastin e thyerjes (prishjes) së marrëveshjes për armëpushim.
Sa i përket pjesës së tretë të ajetit: “Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njëri-tjetrin.”, kjo na vë në dijeni, se Allahu i Madhërishëm, ka mundësi dhe fuqi që po të dojë, mund t’i shkatërrojë jobesimtarët edhe pa luftë, duke i fundosur, në det, duke i shkatërruar me gurë nga qielli ose me ndonjë ndëshkim tjetër, por nuk e bën këtë, sepse Ai dëshiron që t’i vë besimtarët në sprovën e Imanit dhe të qëndrueshmërisë. Pikërisht, gjatë luftërave për lartësimin e Fesë së Allahut, vjen në shprehje besimi i paluhatshëm në Allahun, dhe gatishmëria për të ngadhënjyer në luftë ose për të rënë shehid. Myslimanët e parë, duke iu përmbajtur këtyre dy rregullave, kanë arritur që për një kohë të shkurtër të sundojnë me drejtësi gati gjysmën e botës së atëhershme, sepse ata nuk kishin frikë nga vdekja, madje garonin se cili do të kishte nderin të binte dëshmor në rrugën e Zotit.
Ndërsa pjesa e fundit përmbyllëse e ajetit të katërt të kësaj sureje: “Ai nuk ua humb veprat atyre që vdesin në rrugën e Allahut”, e vërteton konstatimin e thënë më parë, se Allahu nuk ua humb mundin e as veprat atyre që ranë dëshmor në rrugën e Allahut, përkundrazi, ata do të jenë në kopshtet e Xhenetit, duke shijuar kënaqësitë e Krijuesit të tyre. Përveç kësaj, shehidët, kanë edhe një privilegj shtesë ndaj të tjerëve, ata e kanë të garantuar Xhenetin, dhe për ta nuk do të ketë llogari në Ditën e Gjykimit. Madje, ata pas rënies dëshmorë, nuk konsiderohen si të vdekur, por të gjallë tek Allahu dhe të furnizuar me begatitë e Xhenetit: “E për ata që u mbytën në rrugën e Allahut mos thoni: “Janë të vdekur”, Jo, ata gjallë janë (nuk kanë vdekur), por ju nuk e kuptoni (gjallërinë e tyre).” - (El-Bekare, 154).
Transmetojnë Imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe nga Mikdam
el Ma’dikerib el-Kindi të ketë thënë:
Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Shehidi-dëshmori i ka gjashtë epitete tek Allahu: Atij i falen të gjitha gjynahet, qysh me rënien në tokë të pikës së parë të gjakut dhe e sheh vendin e vet në Xhenet; stoliset me petkat e Imanit; është i mbrojtur nga ndëshkimi në varr; është i siguruar nga trishtimi i Ditës së Kiametit; mbi kokë i vendoset kurora e nderit, e stolisur dhe e zbukuruar me margaritarë e smeraldë, martohet me hyritë e Xhenetit dhe do t’i jepet mundësia të ndërmjetësojë për 70 persona nga të afërmit e tij.”(3)
4. Ai do t’i udhëzojë ata, do t’ua përmirësojë gjendjen,
5. dhe do t’i shpjerë në Xhenet, të cilin ua ka bërë të njohur më parë.
Këto dy ajete flasin për gjendjen e besimtarëve, në veçanti të atyre që bien dëshmorë në rrugën e Allahut. Këta, Allahu do t’i udhëzojë, do t’ua përmirësoje gjendjen e tyre dhe do të jetë i kënaqur ndaj tyre. Shpërblimi i tyre do të jetë Xheneti, të cilin i Madhërishmi ua ka bërë të njohur më parë, si përshkrim dhe si përjetim. Këta njerëz për hir të veprave që i bënë në këtë botë, duke flijuar edhe jetën e tyre në lartësimin e Fjalës së Allahut, do të banojnë nëpër shtëpi e pallate të zbukuruara me gurë të çmueshëm e margaritarë. Ata do t’I njohin shtëpitë që u janë caktuar atyre sikur të kishin jetuar në to përjetësisht. Në lidhje me këtë i Dërguari a.s. ka thënë: “Pasha Atë që shpirti im është në Dorën e Tij, çdonjëri prej tyre do ta dijë shtëpinë e tij në Xhenet, më mirë se sa e ka ditur shtëpinë e tij në këtë dynja.”(4)
Edhe Muxhahidi, teksa e komenton këtë ajet thotë: “Njerëzit do të drejtohen kah shtëpitë dhe vendbanimet e tyre në Xhenet, të cilat ua ka caktuar Allahu Fuqiplotë, dhe nuk do ta gabojnë rrugën drejt tyre, sikur të kishin banuar në to qysh prej kur janë krijuar, duke mos pasur nevojë ta pyesin askënd.”(5)

Porosia e ajeteve (4-6)

- Ndonëse lufta në Islam, nuk është kurrë e preferuar si opsion i parë, megjithatë, ajo lejohet për vetëmbrojtje dhe për lartësimin e Fjalës dhe fesë së Allahut. Gjatë luftës, besimtari nuk guxon të shfaqi dobësi a ligështim, por duhet të kërkojë ndihmën e Allahut dhe të jetë i qëndrueshëm deri në realizmin e dy objektivave finale, ose ngadhënjimin me lejen e Allahut, ose rënien dëshmor në rrugën e Allahut.
Nëse myslimanët ngadhënjejnë në luftë, dhe si pasojë kanë zënë robër nga radhët e armikut, ata kanë mundësi t’i lirojnë ata pa dëmshpërblim, ose me dëmshpërblim, ose t’i shkëmbejnë robërit me palën armike apo ndërluftuese.
- Lufta është një sprovë për besimtarët, për të parë se sa janë të vendosur në ngadhënjimin e së vërtetës. Por sigurisht, në cilëndo rrethanë a gjendje, besimtarët janë në fitim, ose si ngadhënjyes në luftë, ose rënia dëshmor-shehid, dhe fitimi i Xhenetit përjetësisht.
- Allahu askujt nuk ua humb veprat e mira që i kanë bërë, sidomos atyre që merituan epitetin e shehidit, të cilët do t’i shpjerë në Xhenetet e Tij, për t’i shijuar kënaqësitë që janë dedikuar enkas për ta.

- vijon -


____________________________
1. Idhulli më i madh i idhujtarëve kurejshë.
2. Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 234.
3. Imam Ahmedi (17182); Et-Tirmidhij, (1663); Ibn Maxhe (2799); hadith sahih.
4. Transmeton Buhariu (2440).
5. Tefsiri i Muxhahid bin Xheberit, Kajro, 1989, f. 604-605.



Sabri Bajgora