Tmerret dhe llahtaritë e Ditës së Kiametit
“Kur të çahet qielli, duke iu bindur urdhrit të Zotit të vet, ashtu siç i takon, dhe kur toka të jetë sheshuar (nga rrënimi i kodrave) në gjerësinë e saj, e të nxjerr çka ka brenda dhe të zbrazet, duke iu bindur Zotit të vet, ashtu siç i takon.” - (El-Inshikak, 1-5)
***
Koment:
1. Kur të çahet qielli
Kjo sure madhështore që përshkruan tmerret e ditës së kataklizmës, fillon pikërisht me ajetin që flet për fillimin e shkatërrimit të këtij Universi, shkatërrim i cili së pari shpërfaqet në qiell. Si nocion astrofizik, qielli përfshin të gjitha galaktikat, yjësitë, planetët dhe çdo gjë që lëviz e zhvillohet në të me lejen e Allahut Fuqiplotë. Dhe kur të vijë momenti që Israfili t’i fryjë “surit” - borisë, ai e zbaton këtë urdhëresë hyjnore, e cila nënkupton shembjen dhe shkatërrimin e gjithësisë, përfshirë qiellin dhe tokën tonë, si dhe të gjitha krijesat që gjenden në to, përveç atyre që do Allahu.
Në ditën e fundit të gjithësisë, madhështia e së cilës i ka preokupuar e sfiduar të gjitha mendjet njerëzore, në vazhdimësi, çdo gjë do të shkatërrohet. Yjet do të shuhen, planetët do të shkatërrohen e qielli do të çahet. “Kur yjet të shuhen, dhe kur qielli të hapet” - (El-Murselat, 8-9)
Ngjarjet e Ditës së Fundit, pasqyrojnë madhështinë e Krijuesit, sepse Allahu ashtu siç e ka krijuar gjithësinë nga mosqenia, Ai po ashtu ka përgatitur një mbarim unik dhe po aq madhështor për qiejt dhe për këtë gjithësi. Qielli i cili përherë ka qenë si një mbulojë apo kulm për njerëzit, nëpërmjet atmosferës sonë, që na ka mbrojtur prej rreziqeve të panumërta (nga rrezatimi ultravjollcë, meteoritët dhe temperaturat e akullta të hapësirës etj.), në këtë ditë të fundit më nuk do ta kryejë funksionin e tij, sepse i ka ardhur fundi.
Ka shumë ajete në Kuranin famëlartë që sqarojnë ndryshimin që do ta pësojë qielli në këtë ditë si: “Atë Ditë, qielli do të çahet, dhe premtimi i Tij do të realizohet” - (El-Muzzemmil, 18);
“Dhe Qielli do të çahet, sepse ai atë Ditë do të jetë i rraskapitur” - (El-Hakka, 16).
Njerëzit, gjatë jetës së tyre, qiellin rëndom e kanë parë të kaltër, kurse në këtë ditë të fundit, si pasojë e ndezjes së atmosferës së tij, ai do të marrë ngjyrë të kuqërremë, për çka flet edhe ajeti 37 i sures “Er-Rrahman”: “E kur të çahet qielli e të bëhet i kuq si vaji i shkrirë”.
Ky moment është aq i llahtarshëm dhe trishtues saqë kur të fillojë momenti i kataklizmës, asnjë krijesë nuk do të mbesë e gjallë. Njerëzit nuk do të kenë kohë as për pendim e madje as të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, nëse kanë qenë jashtë. Ai është një çast që i ngrin zemrat dhe trupat e tyre, duke i shndërruar ata në krijesa të vdekura e të pajetë.
2. duke iu bindur urdhrit të Zotit të vet, ashtu siç i takon, Qielli, si çdo krijesë tjetër, do t’i bindet menjëherë urdhrit të Zotit të vet dhe do të shkatërrohet. Fjala “idhn” në këtë ajet, nënkupton se qielli do t’i nënshtrohet me bindje urdhëresës së Krijuesit, do të thotë qielli do të çahet e pëlcasë dhe do të shkatërrohet me urdhër hyjnor, ashtu siç edhe ishte krijuar me urdhër hyjnor, sepse urdhri i Tij është i zbatueshëm detyrimisht për çdo gjë të krijuar.
Ky ajet, përmban edhe një alegori të fuqishme, drejtuar qenies njerëzore, e sidomos atyre të pabindurve në ekzistimin e Zotit. Nëse qielli me tërë madhështinë e tij, dhe nëse toka më tërë gjerësinë e saj, i binden urdhrit të Krijuesit të tyre, atëherë përse tërë ky refuzim i një krijese kaq të brishtë siç është njeriu, për ekzistimin e Krijuesit të tij.
3. dhe kur toka të jetë sheshuar (nga rrënimi i kodrave) në gjerësinë e saj
4. e të nxjerr çka ka brenda dhe të zbrazet
5. duke iu bindur Zotit të vet, ashtu siç i takon.
Edhe Toka si një trup qiellor, në të cilën Allahu na bëri mëkëmbës dhe prej elementeve të së cilës na krijoi, do të shkatërrohet, duke pësuar ndryshime dhe transformime të hatashme. Sipas shumicës së dijetarëve, kjo shtrirje apo sheshim i tokës nënkupton se çdo kodër e lartë dhe çdo ultësirë, në Ditën e Gjykimit do të sheshohet, ashtu siç japin shenjë edhe ajetet 105-107 të sures “Ta Ha”: “Ty të pyesin edhe për kodrat, thuaj: Zoti im do t’i bëjë hi e pluhur, dhe vendin e tyre do ta bëjë rrafsh si fushë të shkretë, e nuk do të shohësh në të ultësirë e as lartësirë.”
Fillimi i shkatërrimit të Tokës, ashtu siç u kuptua edhe nga ajeti i tretë, nënkupton se asnjë kodër apo mal, nuk do të mbetet ashtu siç e shohim tash. Madje nuk do të ketë as ultësira, lugina e kanione të thella, por çdo gjë do të jetë e sheshtë.(15) Toka do të nxjerrë nga brendia e saj tërë ato thesare të fshehura, ashtu siç do t’i qesë jashtë edhe të gjithë ata trupa të vdekur që janë varrosur në të, përgjatë shekujve. Kjo do të thotë se brendia e saj do të mbetet e zbrazët nga gjëra të tilla, duke iu bindur urdhrit të Zotit të vet.
Në lidhje me këtë, është transmetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Toka do të nxjerrë (vjellë) nga brendia e saj shtresa të mëdha nga ari dhe argjendi në formë pllakash. Do të vijë vrasësi e do të thotë: “A për këtë paskam vrarë?! Pastaj do të vijë shkëputësi i lidhjeve familjare e do të thotë: A për këtë i paskam shkëputur lidhjet familjare?! E pastaj do të vijë hajni e do të thotë: A për këtë më është prerë dora?! Pastaj do ta lënë atë (ar dhe argjend) ashtu siç është dhe nuk do të marrin gjë prej tij.”(16)
Edhe ajeti i pestë, ashtu sikurse ajeti i dytë, flet se edhe toka, ashtu si qielli do t’i bindet plotësisht urdhrit të Allahut dhe do të shkatërrohet, duke qenë si një mësim për të gjithë
ata njerëz të pabindur në fuqinë absolute të Allahut. Nëse qielli dhe toka, i binden Krijuesit të tyre në plotni, atëherë njerëzit si krijesa me intelekt, do të ishte më parësore t’i binden dhe të mos e mohonin Atë.
Porosia e këtyre ajeteve (1-5):
- Nga shenjat më trishtuese të momentit të Kiametit është fillimi i shkatërrimit të gjithësisë, që nënkupton çarjen apo pëlcitjen e qiellit. Ky shkatërrim vjen me urdhër të Zotit Fuqiplotë, ndërsa Qielli do ta zbatojë urdhëresën hyjnore, me bindje dhe përulësi, ashtu edhe siç i takon një krijese të tillë, duke e kryer misionin që i është destinuar e përcaktuar që në fillim të krijimit.
- Edhe Toka, si një prej krijesave më madhështore të Allahut, nga elementet e së cilës u krijua njeriu, si krijesa më e përsosur e këtij Universi, po ashtu do të shkatërrohet. Toka, me kodra e male të larta do të sheshohet e rrafshohet, dhe gjatë shkatërrimit të saj, do të nxjerrë nga brendia çdo gjë, madje edhe të vdekurit e varrosur në të. Edhe ajo do t’i bindet urdhrit të Zotit të gjithëpushtetshëm, sepse tashmë ka ardhur fundi i misionit të saj.
________________________
15. Ibn Adil ed-Dimeshkij el Hanbelij, El-Lubabu fi Ulumi-l Kitab, Bejrut, 1998, f. 229.
16. Sahihu Muslim, “Kapitulli mbi Zekatin”, vëll. II, f. 701, hadithi nr. (1013).
Sabri Bajgora