Gjendja e njerëzve në Ahiret në momentet e Llogarisë
“(Atëherë) ti o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt. Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij nga e djathta, do të llogaritet me një llogari të lehtë, dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij. Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës, ai do t’i ndjellë vetes shkatërrim, dhe në skëterrë do të digjet. Ai ka qenë i gëzuar në familjen e vet, dhe ka menduar se nuk ka për t’u kthyer (te Zoti për të dhënë llogari). Po, Zoti i tij, sigurisht që gjithnjë e ka parë (përcjellë) atë.” - (El-Inshikak, 6-15)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake Përderisa në ajetet paraprake, kemi përshkrimin e pamjeve të llahtarshme të shkatërrimit të gjithësisë në Ditën e Kataklizmës, kur qielli shkatërrohet e së bashku me të edhe planetët dhe yjësitë e kësaj gjithësie, kjo nënkupton se jetës në këtë botë i erdhi fundi, dhe tashmë fillon etapa e ringjalljes dhe e Llogarisë para Krijuesit absolut. Pikërisht për këtë flasin ajetet në vazhdim, ku sqarohet se në këtë Ditë të Gjykimit, secili njeri do të ballafaqohet me veprat e tij, qofshin të mira apo të këqija, dhe në bazë të tyre do të shpërblehet apo ndëshkohet.
Koment:
6. (Atëherë) ti o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.
Ky ajet u drejtohet të gjithë njerëzve, pa dallim, besimtarëve dhe jobesimtarëve. Fjala “ked’h” do të thotë përpjekje për ta kryer një punë a veprim, e në këtë rast, ajeti nënkupton se çfarëdo punë a vepre që e bëjmë në këtë botë, pas vdekjes, do ta gjejmë tek Allahu, kur ta takojmë Atë.(17) Nëse jemi me vepra të mira, do të jemi ballëhapur e krenarë, në të kundërtën, nëse njeriu ka lënë pas vetes vepra të shëmtuara, në Ahiret, përveç turpërimit, do ta presë edhe ndëshkimi i pashmangshëm. Për të tillët nuk do të ketë mëshirë e për ta nuk do të qajnë as qiejt e as toka.
Në Kuran ka edhe ajete të tjera të ngjashme për nga kuptimi si f.v.: “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër pos asaj që ka punuar, dhe se mundi i tij më vonë do të shihet” - (En- Nexhm, 39-40).
Në konstelacion me kuptimin e këtij ajeti, vjen edhe hadithi i të Dërguarit të Allahut, kur thotë: “Më ka thënë Xhibrili: O Muhamed! Jeto sa të duash, por prapëseprapë do të vdesësh; duaje kë të duash, por prapëseprapë do të ndahesh prej tij, dhe vepro çfarë të duash, sepse atë (vepër) do të gjesh (te Zoti yt).”(18)
7. Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij nga e djathta,
8. do të llogaritet me një llogari të lehtë,
9. dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij.
Këto tri ajete, flasin për grupin e shpëtuar, të cilëve do t’u vijnë veprat nga ana e djathtë. Llogaria e këtyre besimdrejtëve, do të jetë shumë e lehtë dhe e shpejtë. Ata do të shohin edhe veprat e tyre të këqija, por të cilat i Lartmadhërishmi nga mëshira e Tij e pakufishme do t’ua falë. Ata që pak më parë ishin në ankth se në ç’anë do t’u vijnë librat e veprave të tyre, kur të shohin se u erdhi përgëzimi nga ana e djathtë, do të kthehen te familja e tyre të gëzuar e të lumtur që Allahu xh.sh. i shpëtoi nga më e keqja. Shumë prej dijetarëve, fjalën “familje” e kanë shpjeguar si nocion që nuk nënkupton vetëm familjen e ngushtë nga gjaku, por “familjen” që nënkupton të gjithë besimtarët, me të cilët do të gëzojnë të mirat e
Xhenetit, pavarësisht nëse kishin lidhje farefisnore me ta apo jo.(19)
Ky grupi i shpëtuar, të cilët do të shijojnë begatitë e Allahut të Gjithëmëshirshëm, do të përjetojnë tri gjendje emocionale: librin e veprave të tyre do ta marrin nga ana e djathtë; do të llogariten me llogari të lehtë, dhe do të kthehen te familja e tyre (grupi i besimtarëve) të lumtur e të gëzuar.
Transmetohet nga Aisheja r.a. të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Ai, ndaj të cilit fillon llogaria, ai do të ndëshkohet.” Thotë Aishja: I thashë: O i Dërguar i Allahut, a nuk thotë Allahu: “Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë”? Më tha: “Kjo nuk është llogaria, por çasti i paraqitjes së veprave, ndërsa Ai ndaj të cilit fillon llogaria në Ditën e Gjykimit, do të ndëshkohet”(20)
Fjala “nukishe” në këtë hadith, nënkupton momentin kur atij ndaj të cilit fillon llogaria i thuhet: “Ke bërë këtë dhe këtë; Përse e kë bërë këtë? A nuk të kanë ardhur të dërguarit e Mi? A nuk të kanë arritur Librat e Mi?” etj.(21)
Po ashtu transmetohet nga Aishja r.a. të ketë thënë: E kam dëgjuar shpeshherë të Dërguarin e Allahut që në disa namaze lutej e thoshte: “O Zoti im! Më llogarit me një llogari të lehtë”. I thashë: O i Dërguar i Allahut, çfarë është llogaria e lehtë? Më tha: “Kur njeriu e shikon Librin e (veprave të) tij, dhe i falen-mbulohen (mëkatet), ndërsa ndaj atij të cilit i fillon llogaria, atë ditë, ai do të shkatërrohet oj Aishe. Çdo sprovë të cilën e godet besimtarin, Allahu ia falë-pastron (gjynahet), madje edhe një ferrë e cila e pickon (therë).”(22)
Ajete të ngjashme që flasin për momentin kur xhenetlinjve u jepen librat në anën e djathtë, i hasim edhe në suren “El-Hakkah” - (ajetet 19-21): “Kujt t’i jepet libri i vet nga e djathta e tij, ai do të thotë: “O ju, qe, lexoni librin tim!” Unë kam qenë i bindur se do të japë llogarinë time. Dhe ai atëherë do të ketë një jetë të kënaqshme.”
10. Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës,
11. ai do t’i ndjellë vetes shkatërrim,
12. dhe në skëterrë do të digjet.
Ata njerëz që jetën e kësaj bote e kaluan në shkujdesje, të hutuar dhe të mashtruar nga cytjet e shejtanit të mallkuar, duke mohuar Zotin e tyre dhe ringjalljen pas vdekjes, në Ditën e Gjykimit do të jenë në vuajtje e mjerim. Këtë mjerim, i cili do t’i kaplojë këtë njerëz tashmë të thyer e të pashpresë, e përshkruan më së miri Kurani famëlartë nëpërmjet ajeteve 25-29 të sures “El-Hakkah”: “Ndërsa, kujt i jepet libri i vet (libri i veprave) nga e majta e tij, do të thotë: “Ah, sikur të mos më jepej fare libri im, dhe sikur të mos dija fare llogarinë time! Ah, sikur ajo (vdekja e parë) të kishte qenë mbarim (i amshueshëm për mua). Pasuria ime nuk më solli dobi dhe mu shua çdo fuqi e imja.”
Kjo tregon qartë se rrugëtimit të tyre të turpshëm tashmë i ka ardhur fundi. Ata do të përballen me drejtësinë hyjnore, kur libri i veprave të tyre ju vjen pas shpine ose në anën e majtë. Ne nuk dimë realitetin e këtij libri se në ç’formë dhe mënyrë vjen pas shpine ose nga ana e majtë, por duke parë në ajetet paraprake se atyre që veprat u vijnë përpara ose nga ana e djathtë do të jenë të shpëtuar e të lumtur, mund të perceptojmë se çfarë tmerri e fatkeqësie do t’i godasë këtë njerëz gjynahqarë e mohues. Këta njerëz, në këtë ditë do të jenë të dëshpëruar e fytyrëvrenjtur, sepse gjatë jetës së kësaj bote mohuan Allahun dhe Ringjalljen, mëkatuan e bënë ligësi. Këta tash do ta mallkojnë veten pse nuk ndoqën udhëzimin e Allahut, por u mashtruan nga të mirat e përkohshme të kësaj bote. Këta, do t’ia dëshirojnë vetes shkatërrimin e përjetshëm në mënyrë që të mos i përjetojnë pafundësisht ndëshkimet e Xhehenemit.(23)
Në vazhdim të sures, Allahu i Madhërishëm, cek dy arsyet, të cilat janë shkak për ndëshkimin e këtij grupi në zjarrin e Xhehenemit, të cilat janë përmendur në dy ajetet në vijim.
13. Ai ka qenë i gëzuar në familjen e vet,
Arsyeja e parë përse këtyre njerëzve-jobesimtarëve, do t’u vijë libri i veprave pas shpine ose në anën e majtë, është se këta, jetën e kësaj bote e kaluan të shkujdesur, duke menduar vetëm për kënaqësinë dhe lumturinë e tyre në këtë botë, duke mos çarë fare kokën për jetën pas vdekjes, të cilën madje e kishin mohuar me ngulm.
Ata, gjatë jetës së tyre, preokupim kryesor kishin familjen dhe pasurinë. Ata gëzoheshin në këtë jetë duke festuar festa të ndryshme dhe ngjarje, të cilat i largonin nga të përmendurit e Allahut, duke mos e ditur e as kuptuar se gëzimi i tyre i përkohshëm i kësaj dynjaje, do të zëvendësohej me pikëllim dhe dëshpërim të përjetshëm në skëterrat e Xhehenemit.
Përveç kësaj marrëzie dhe këtij naiviteti, ata kishin rënë në një gabim edhe më të madh, për ç’gjë flet ajeti në vijim.
14. dhe ka menduar se nuk ka për t’u kthyer (te Zoti për të dhënë llogari)
Ky grup i humbur, kurrë nuk kishin menduar se ndonjëherë do të kthehen tek Allahu për të dhënë llogari. Kurrë nuk kishte menduar se do të ketë ringjallje pas vdekjes së tyre. Kjo zemërngushtësi e shkaktuar nga mohimi i Allahut dhe i jetës së Ahiretit, i kishte shndërruar në njerëz të pa ndjenja. Shejtani i mallkuar i kishte mashtruar keq, duke ua zbukuruar jetën e kësaj botë, dhe duke ua ngulur në mendje idenë se ata do ta jetojnë vetëm këtë botë dhe se me vdekjen e tyre përfundon misioni i tyre njerëzor.
15. Po, Zoti i tij, sigurisht që gjithnjë e ka parë (përcjellë) atë
Ata të cilët e kaluan jetën e tyre duke injoruar e mohuar urdhrat e Allahut, nuk besonin madje se mund të ketë një Mbikëqyrës i Cili i përcjell gjatë jetës në këtë botë. Ata, të mbërthyer nga materializmi i tyre i cili ua kishte topitur ndjenjat e besimit, kishin harruar se erdhën në këtë botë me vullnetin dhe dëshirën e Allahut të Plotfuqishëm. I Gjithëpushtetshmi, secilit prej nesh ia ka caktuar dy engjëj (kiramen katibin), njërin në krahun e djathtë e tjetrin në të majtë, të cilët shënojnë çdo vepër të mirë dhe të keqe, dhe nesër do të gjykohemi në bazë të asaj çfarë kemi vepruar në këtë botë. I Gjithëmëshirshmi në Ditën e Gjykimit, askujt nuk i bën të padrejtë.
Porosia e këtyre ajeteve (6-15):
- Çdo njeri, gjatë jetës së tij në këtë botë, përpiqet e mundohet, që të arrijë synimet e tij. Por, sado që të jetojë, vdekja do të jetë përfundimi i tij, dhe ai me bagazhin e veprave të tij do të kthehet tek Allahu dhe do të ballafaqohet me to.
- Në Ditën e Gjykimit, njerëzit do të jenë të ndarë në dy grupe: në njerëz të lumtur e të kënaqur me mëshirën e Allahut ndaj tyre, dhe në njerëz të mjerë, të cilët e shkatërruan Ahiretin e tyre duke qenë jobesimtarë e mohues gjatë jetës në këtë botë.
Grupit të parë, veprat do t’u vijnë përpara ose nga ana e djathtë, dhe ata do të jenë banorë të Xhenetit. Ata do të kthehen të kënaqur e të lumtur te familjet e tyre, Kurse grupi i dytë, të cilëve veprat do t’u vijnë mbrapa ose nga krahu i majtë, do të jenë njerëzit të cilët përgënjeshtruan urdhrat e Zotit, e mohuan Atë dhe Ringjalljen. Këto do të ndjellin vetëm mjerim. Ulërimat dhe çjerrjet e tyre do të jenë të kota. Ata tashmë do të tërhiqen zvarrë me vrazhdësi në destinacionin e tyre të përjetshëm - zjarrin e Xhehenemit.
- Çdo njeri, duhet të dijë e kuptojë, se është i përcjellë nga ana e Allahut për çdo veprim të tij në jetën e kësaj bote. Ata që janë të shkujdesur nga të përkujtuarit e Ahiretit dhe Ringjalljes, ata do të jenë të privuar nga kënaqësitë e Xhenetit, dhe do të ndëshkohen rëndë për mosbesimin e tyre.
___________________________
17. Imam Sherefud-d-in el Husejn bin Abdullah et-Tibbijj, Futuhu-l Gajb fil keshfi an kinai-r-rrejb (Hashijetu-t-Tibbijj ale-l Kesh-shaf (redakturë e Kesh-shafit të Zemahsheriut), Dubai, 2013, f. 357.
18. Transmeton Hakimi në El-Mustedrek, 5/463 nr. (7991).
19. Shih Grup dijetarësh nga Azhari i ndershëm. “Et-Tefsirul Vesit”, Kajro, 1992, vëll.10, f. 1845.
20. Sahihu-l Buhari, vëll. VIII, f. 697, hadithi nr. 4939. 21 Et-Tefsiru-l Mevdui li suveri-l Kuran, vëll. IX, f. 79.
21. Dhe kur u lexohet atyre Kurani, nuk përulen (nuk bien në sexhde)?
22. Musnedi i Imam Ahmedit (6/48); Hakimi (4/249).
23. Sejjid Kutb, Fi Dhilali-l Kuran, Kajro-Bejrut, 2003, vëll. VI, f. 3867.
Sabri Bajgora