Komentimi i kaptinës “Jasin” - (2)


1. Ja, Sin!
2. Pasha Kur’anin e pacenueshëm në urtësinë e tij të lartë!
3. S’ka dyshim se ti (Muhamed) je prej të dërguarve!
4. Je në një rrugë të drejtë.
5. (Kur’ani është) Zbritje e të Plotfuqishmit, e Mëshiruesit.
6. Për t’ia tërhequr vërejtjen një populli, që të parëve të tyre nuk u është tërhequr, e për atë shkak ata janë të hutuar.
7. Për Zotin tashmë ka marrë fund vendimi (thënia) kundër shumicës së tyre, andaj ata edhe nuk besojnë.
8. Ne u kemi varë në qafat e tyre pranga, e ato u arrijnë deri në nofulla, andaj ata mbesin me kokat lart.
9. Ne u kemi vënë edhe para tyre pengesë e edhe prapa tyre pengesë, dhe ua kemi mbuluar sytë, prandaj ata nuk shohin. 10. Dhe për ata është e njëjtë, ua tërhoqe vërejtjen apo nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë.
11. Ti i tërhiq vërejtjen vetëm atij që përvetëson Kur’anin dhe i frikësohet Mëshiruesit edhe kur është vetëm (kur nuk e sheh askush), përgëzoje atë me falje dhe shpërblim të mirë.
12. Vërtet, Ne i ngjallim të vdekurit, i shkruajmë veprat dhe gjurmët e tyre dhe çdo gjë kemi regjistruar në librin e ruajtur (Levhi-Mahfudh).

Shkaku i zbritjes së ajeteve 1-7

Transmeton Ebu Neimi në “Ed-Dela- il en-Nubuvveh” nga Ibn Abasi, të ketë thënë: “Resulullahu s.a.v.s., derisa qëndronte në sexhde, këndonte Kuran me zë të lartë, në mënyrë që të irritonte (dëmtonte) kurejshët. Meqë nuk mund ta duronin, ata u ngritën drejt tij që ta ndalonin me forcë, por, papritmas, duart e tyre iu lidhën rreth qafave të tyre dhe sytë filluan t’u verboheshin, saqë më nuk shihnin. Atëherë, të tmerruar e të frikësuar, i thanë Pejgamberit a.s.: “O Muhamed, të përbejmë për Allahun dhe lidhjet familjare që kemi, na i largo këto...,” e Muhamedi a.s. u lut, dhe atyre iu larguan ato mundime, por, megjithatë, askush prej tyre nuk i besoi..1. Pas kësaj ndodhie zbritën ajetet: 1-7.

Shkaku i zbritjes së ajeteve 8 e 9

Transmeton Ibn Xherir et-Taberiu nga Ikrimja, të ketë thënë: “Ebu Xhehli kishte thënë: “Po ta shihja tash Muhamedin, do ta bëja këtë... (do ta nënçmoja, do ta mundoja), dhe Allahu kishte zbritur ajetet 8 e 9 të kësaj kaptine. Kurejshët e tjerë i thoshin Ebu Xhehlit, ja ku është Muhamedi, ndërsa Ebu Xhehli, që nuk po e shihte dot, bërtiste: “Ku është ai, ku është ai, nuk po e shoh.”2

Shkaku i zbritjes së ajetit 12 Transmetojnë Tirmidhiu dhe Hakimi

nga Ebu Seid el Huderij, të ketë thënë: “Benu Selime dëshiruan të shpërnguleshin pranë xhamisë së Pejgamberit a.s. në Medinë, ndërsa i Dërguari i Allahut u kishte thënë që të mos shpërnguleshin duke shtuar: “O Beni Selime! Edhe në shtëpitë tuaja do t’u shkruhen gjurmët tuaja”.3
Të njëjtin transmetim nga Ibn Abasi e transmeton edhe Taberaniu.

Betimi në Kuran dhe qëndrimi i Resulullahut s.a.v.s. ndaj popullit të tij

1. Ja, Sin!
Shkronjat simbolike që i hasim në fillim të disa kaptinave kuranore, janë fshehtësi prej urtësive hyjnore, të cilat askush, përveç Allahut, nuk mund t’i deshifrojë, ndonëse disa dijetarë janë përpjekur të japin ndonjë mendim për këtë apo atë kuptim të tyre.
Këto shkronja, sipas shumicës së dijetarëve, janë sfida më e madhe me të cilën i sfidoi Allahu xh.sh. idhujtarët arabë, duke ua bërë me dije se ky Kuran është prej fjalëve arabe, që ata i njohin shumë mirë. Gjithashtu ua bëri me dije se ishin të paaftë të sillnin diçka të ngja shme, andaj edhe këto dy shkronja Ja dhe Sin, janë pjesë e kësaj sfide hyjnore.
Megjithatë, dijetarët ndër shekuj janë përpjekur të japin disa mendime për kuptimin e mundshëm të këtyre fjalëve.
- Disa nga dijetarët mendojnë se fjala “Jasin” është betim i Allahut dhe një prej Emrave të Tij të bukur.4
- Disa të tjerë kanë thënë se fjala “Jasin” është një prej emrave të Pejgamberit a.s., prandaj, bazuar në këtë fakt, sot shumë prej myslimanëve i emërtojnë fëmijët e tyre me emra, si: Jasin, Taha, Tasim, Tasin etj. Transmetohet nga Aliu r.a. të ketë thënë: “E kam dëgjuar Resulullahun s.a.v.s. të ketë thënë: “Allahu më ka quajtur në Kuran me këta emra: Muhammed, Ahmed, Taha, Jasin, Muz-zemmil, Muddeth-thir dhe Abdullah”5.
- Është transmetuar nga Katadeja dhe nga Ibn Abbasi, të kenë thënë: “Jasin”do të thotë “o njeri”sipas dialektit Tajj”.6
- Në një transmetim, po ashtu nga Ibn Abbasi, është shënuar se fjala “Jasin” është me prejardhje abisinase dhe do të thotë “o njeri”.7
Megjithatë, kuptimin e vërtetë e të mirëfilltë të fjalës “Jasin”, e di vetëm Allahu Fuqiplotë, dhe mendoj se më së miri është që këto shkronja simbolike të mbeten të tilla çfarë në fakt edhe janë - një sfidim hyjnor, pa u përpjekur për t’u thelluar në ndonjë komentim apo deshifrim të mundshëm të tyre. (Allahu a’ëlem!)

2. Pasha Kur’anin e pacenueshëm në urtësinë e tij të lartë!

Betimi i Allahut në Kuranin famëlartë, tregon për rëndësinë dhe madhështinë e Fjalës së Allahut. Mbi të gjitha, ky është një betim që nënkupton përforcimin dhe lartësimin e Muhamedit a.s., karshi kurejshëve. Allahu dëshiron t’ia bëjë me dije Resulullahut s.a.v.s. se ndima Hyjnore kurrë nuk do të mungojë, duke e ditur se vuajtjet që do të pasonin më vonë, do të ishin shumë të vështira për Pejgamberin a.s., por megjithatë, e Vërteta dhe Drita do të ngadhënjenin ndaj kufrit dhe errësirës.
Kurani si libër dhe mesazh i fundit i Allahut drejtuar njerëzimit, me urtësinë e tij, me bukurinë e të shprehurit dhe me thellësinë e mendimit, paraqet vlerën mbinjerëzore, dhe si i tillë, ai për myslimanët ka qenë, është dhe do të mbetet fuqi nxitëse e zhvillimit të mendimit kreativ në jetën e tyre të përditshme.
Kurani ka një forcë magjepsëse e tërheqëse, e cila për besimtarët paraqet ushqimin e tyre shpirtëror, dhe vizionin për të ardhmen e tyre, ndërkohë që edhe pabesimtarët mahniten nga madhështia e fjalëve të urta të tij, sepse ai, sipas formës së tij e përmbajtjes dhe bukurisë së të shprehurit, paraqet diçka që nuk hyn në sferat e aftësisë njerëzore.
Ftesa e Kuranit drejtuar njerëzimit, përherë është e hapur dhe e pamposhtur dhe, e tillë si një Fjalë e Allahut, si atribut i përhershëm i Tij dhe si një mesazh i përkryer hyjnor, - do të jetë burim i dritës, i përparimit dhe i vizioneve të qarta për të ardhmen e ndritur të njerëzimit.

3. S’ka dyshim se ti (Muhammed) je prej të dërguarve!

Në lidhje me këtë ajet kuranor, dijetarët kanë thënë se është përgjigje e betimit të Allahut në ajetin e dytë të kaptinës “Jasin”: “Pasha Kur’anin e pacenueshëm në urtësinë e tij të lartë!, që nënkupton faktin se Muhamedi, pavarësisht se çfarë thonë për të idhujtarët, pavarësisht nga talljet dhe përqeshjet e tyre, megjithatë, ai është i dërguar i Allahut, siç ishin edhe të dërguarit e tjerë para tij: Ademi, a.s. Nuhu a.s., Ibrahimi a.s., Musai a.s., Isai a.s., por me një dallim, sepse është më i madhi prej tyre, ai është: “mëshirë për botët”, është “kandil ndriçues”, “përgëzues”, “tërheqës i vërejtjes” etj..
Është transmetuar nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Pabesimtarët kurejshë e përqeshnin Muhamedin a.s. duke i thënë se ti as nuk ishe i dërguar e as që të ka dërguar Allahu tek ne”, prandaj Allahu u betua në Kuranin e urtë se Muhamedi ishte pejgamber dhe madje vula e tyre dhe më madhështori prej tyre.”
Besimi në pejgamberët e dërguar është edhe një prej kushteve fundamentale të besimit islam. Ne duhet t’i besojmë të gjithë ata pejgamberë që Allahu i ka cekur në Kuran. Mohimi, qoftë edhe vetëm i njërit prej tyre, do të ishte mohim i besimit islam, që njeriun menjëherë e kthen në pabesimtar. Në një mënyrë tjetër, ky ajet ka ardhur për t’i dhënë kurajë Muhamedit a.s. që të vazhdonte misionin e tij, pa u ligështuar dhe pa humbur shpresën për suksesin e misionit të tij, sepse ndihmën e Allahut dhe ngrohtësinë e Tij do ta kishte gjithmonë pranë.

4. Je në një rrugë të drejtë.

Allahu i sjell porosi dhe këshillë të qartë të dërguarit të Tij se ai vërtet është në rrugë të drejtë, nuk është magjistar dhe as i çmendur, por i zgjedhur nga Allahu mëshirëplotë për të udhëzuar mbarë njerëzimin, duke përcjellë tek ata revelatën e fundit hyjnore. I bëhet me dije këtij të dërguari se është në rrugën e pejgamberëve të Allahut, të cilët nëpër shekuj përcollën mesazhin e Tij tek po ujt e tyre, duke i thirrur njerëzit në besim dhe shpëtim nga kthetrat e shejtanit. Andaj të mos e humbte shpresën nga talljet dhe përqeshjet e tyre. Edhe pejgamberët që ishin para tij kishin përjetuar pothuajse të njëjtat vuajtje, ndonëse vuajtjet e tij do të jenë më të vështirat dhe më të papërballueshmet, por duhej ta dinte se pas errësirës së natës, vjen drita e mëngjesit. I bëhet me dije se e ardhmja e Islamit, ndonëse e zymtë në fillet e para të tij, megjithatë do të jetë e ndritshme.

5. (Kurani është) Zbritje e të Plotfuqishmit, e Mëshiruesit.

S’ka dyshim që Kurani është zbritje e të Plotfuqishmit, për të udhëzuar të humburit në rrugën e drejtë. Është Libër plot urtësi, plot ngrohtësi. Është ftesë hyjnore drejtuar qenieve njerëzore, që të kapen për litarin e Allahut e të mos ndjekin intrigat e shejtanit.
Ky ajet vjen edhe si mohim ndaj thënieve të idhujtarëve se ky Kuran, me të cilin kishte ardhur Muhamedi, është pjellë e mendjes dhe imagjinatës së tij, ose është mësim i ndonjë magjistari. Ky ajet, përkundrazi, vërteton bindshëm se Kurani është Fjalë e Allahut, e Cila nuk mund të imitohet e as të sfidohet nga askush. Allahu xh.sh. thotë: “...ai (Kurani) është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” (Fussilet, 41, 42).

5. (Kurani është) Zbritje e të Plotfuqishmit, e Mëshiruesit.

S’ka dyshim që Kurani është zbritje e të Plotfuqishmit, për të udhëzuar të humburit në rrugën e drejtë. Është Libër plot urtësi, plot ngrohtësi. Është ftesë hyjnore drejtuar qenieve njerëzore, që të kapen për litarin e Allahut e të mos ndjekin intrigat e shejtanit.
Ky ajet vjen edhe si mohim ndaj thënieve të idhujtarëve se ky Kuran, me të cilin kishte ardhur Muhamedi, është pjellë e mendjes dhe imagjinatës së tij, ose është mësim i ndonjë magjistari. Ky ajet, përkundrazi, vërteton bindshëm se Kurani është Fjalë e Allahut, e Cila nuk mund të imitohet e as të sfidohet nga askush. Allahu xh.sh. thotë: “...ai (Kurani) është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” (Fussilet, 41, 42).
Është një fakt i njohur se Allahu i Madhërishëm nuk dënon një popull, pa i tërhequr më parë vërejtjen nëpërmjet të dërguarve të Tij. Vetëm nëse kjo ftesë për udhëzim e shpëtim has në veshë të shurdhër, siç ka ndodhur, fatkeqësisht, shpeshherë në të kaluarën, e po ndodh edhe sot, atëherë pason ndëshkimi nga qielli. Ndëshkimi hyjnor është i ndryshëm; disa i shkatërron fizikisht, disa shpirtërisht e disa prej tyre i bën robër të epsheve dhe pasioneve të tyre. Zemrat dhe mendjet e tyre i kaplon ndryshku i kufrit, kështu që ata përjetësisht janë në grupin e pabesimtarëve, sepse më përpara kishin refuzuar Dritën e udhëzimit hyjnor.

7. Për Zotin tashmë ka marrë fund vendimi (thënia) kundër shumicës së tyre, andaj ata edhe nuk besojnë.

Muhamedi a.s. ishte i obliguar që t’i thërriste në besimin e drejtë popullin e tij, e pastaj edhe krejt njerëzimin. Atëbotë njerëzimi qe katandisur në mjerim dhe pabesim të thellë. Kishin humbur çdo arsye të shëndoshë. Thjesht kishin humbur vlerat më fisnike nga zemrat e njerëzve, kështu që ata qenë shndërruar në armiq të njëri-tjetrit. Në këto shoqëri, thjesht, mbretëronte ligji i xhunglës dhe i të fortit. Vetëm më të fortët mund t’i mbijetonin kësaj katrahure njerëzore. Fatkeqësisht, në këtë shoqëri idhujtariste, kishte pak njerëz që mund të logjikonin drejt dhe t’i përgjigjeshin ftesës së Allahut. Shumica prej tyre preferonin të qëndronin në fenë që kishin trashëguar prej baballarëve dhe paraardhësve të tyre-idhujtarinë. Zemrat dhe mendjet e tyre ishin të damkosura e të vulosura me vulën e kufrit. Të tillëve nuk u bënte dobi asnjë këshillë, prandaj, me të drejtë, ata njerëz do të shijonin dënimet e tmerrshme të Xhehenemit, sepse ata në fakt nuk ishin të verbër nga sytë po nga mendja. Ata kishin mbetur të hutuar në humbëtirat e kësaj bote e do të jenë të humbur përgjithmonë edhe në Ahiret.

8. Ne u kemi varur në qafat e tyre pranga e ato u arrijnë deri në nofulla, andaj ata mbesin me kokat lart.

Në lidhje me zbritjen e këtij ajeti, kemi edhe shkakun e zbritjes që përmendëm pak më parë, por njëkohësisht ky ajet paraqet figurativisht pamjen e shëmtuar të atyre që nuk i përgjigjen thirrjes së Allahut. Ata u ngjajnë kafshëve (deveve), të cilave u vendosen në kokë frerë, rripa e hallka, me të cilët atyre u shtrëngohen qafa dhe koka, dhe nuk mund të shohin poshtë, po vetëm andej nga ne dëshirojmë t’i drejtojmë. Kjo do të thotë se shejtani i mallkuar i ka lidhur me frerë dhe nuk i lejon të shikojnë dritën e Allahut për shkak të kokëfortësisë dhe verbërisë së tyre.


9. Ne u kemi vënë edhe para tyre pengesë e edhe prapa tyre pengesë, dhe ua kemi mbuluar sytë, prandaj ata nuk shohin.

Këta idhujtarë i kishin të mbyllur sytë ndaj së vërtetës. Ata, para dhe prapa tyre kishin perde e pengesa, dhe nuk ishin në gjendje të dallonin dritën e Kuranit. Ata njerëz, të kredhur në luksin dhe kënaqësitë e kësaj bote, e kishin të vështirë t’i linin të gjitha këto mirësi, dhe të pasonin një njeri si Muhamedi, i cili i ftonte në mirësitë e Xhenetit e të Ahiretit, të cilin askush prej tyre nuk e kishte parë. Por kjo nuk ishte e tëra. Ata njerëz kishin sëmundje në zemrat e tyre, ato i kishte mbuluar ndryshku i kufrit, tek ata nuk ndikonin më as fjala e as këshilla e mirë. Për ta, kjo botë simbolizonte mirësinë dhe kënaqësinë e plotë, e cila me çdo kusht duhej shfrytëzuar e përjetuar.
Imam Meragiu në tefsirin e tij, gjendjen e idhujtarëve, në kohën kur atyre u tërhiqej vërejtja nëpërmjet ajeteve kuranore, e përshkruan duke thënë: “Idhujtarët ishin të burgosur në burgun e injorancës së tyre. Kjo i pengonte ata që të vështronin argumentet në veten e tyre dhe në gjithësi. Ishin të privuar nga meditimi se ç’u ngjau popujve para tyre, si dhe nga të menduarit për pasojat që ata mund të kishin në të ardhmen (për shkak të mohimit dhe kryeneçësisë së tyre).”8
Këtë ajet kuranor, shumë prej mufesirëve e ndërlidhin edhe me ngjarjen e lavdishme të Hixhretit, teksa përmendin bisedat e parisë kurejshe që ta hiqnin qafesh Muhamedin. Ndër këto mendime të prishura, kishte mbizotëruar mendimi i Ebu Xhehlit, që të zgjidheshin disa djem të rinj e të fuqishëm nga çdo familje autoritative e Mekës. Ata në një natë dhe në një orë të caktuar do të hynin me forcë në shtëpinë e Muhamedit, dhe të gjithë përnjëherë do ta godisnin me shpata. Gjaku i Muhamedit do të shpërndahej në shumë familje e fise, kështu që hashemitët (farefisi i Muhamedit) do të kishin vështirë të hynin në luftë kundër të gjithë mekasve.
Natyrisht për këtë komplot djallëzor që po i përgatitej, Muhamedi a.s. qe informuar nga Allahu xh.sh.. Është shënuar nëpër librat e Sires, se Muhamedi a.s. kishte marrë në dorë një grusht rërë a pluhur dhe, me Urdhrin e Allahut e duke e kënduar këtë ajet që po komentojmë, ua kishte hedhur këtë pluhur syve. Të gjithë atentatorët i kishte kapluar kotja. Ata nuk e kishin vërejtur fare largimin e tij, sepse ata ishin penguar ta shihnin të dërguarin e Allahut, ndërkohë që Muhamedi a.s. me Ebu Bekrin ishin larguar në drejtim të shpellës “Eth-Thevr”, kurse Aliu r.a. shpejt e shpejt kishte zënë vendin në shtratin e Resulullahut s.a.v.s....”9

10. Dhe për ata është e njëjtë, ua tërhoqe vërejtjen apo nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë.

Ky ajet vetëm i kujtonte Muhamedit a.s. që të mos e mundonte veten aq shumë për t’i bindur në besim këta njerëz, sepse për ta ishte njësoj: ua tërhoqe vërejtjen apo jo, ata prapë nuk do të besonin. Ata ishin pabesimtarë dhe do të vdisnin si të tillë.
Në fillim të Shpalljes, Muhamedi a.s., nga dëshira e madhe që të zgjeronte sa më shumë radhët e besimtarëve, shpresonte se me përkrahjen e Islamit nga paria kurejshite, populli i rëndomtë do ta përqafonte më shpejt Islamin, prandaj një rëndësi tepër të madhe i kishte kushtuar udhëzimit të tyre, për se Allahu ia kishte tërhequr vërejtjen, së pari për anashkalimin e myslimanit të verbër Ibn Mektum (në suren Abese), e pastaj edhe në ajetin 3 të kaptinës Esh-Shuara’ë: “A mos do ta mbysësh ti veten (Muhammed) pse ata nuk bëhen besimtarë?!”

11. Ti i tërhiq vërejtjen vetëm atij që përvetëson Kur’anin dhe i frikësohet Mëshiruesit edhe kur është vetëm (kur nuk e sheh askush), pra përgëzoje atë me falje dhe shpërblim të mirë.

Nëpërmjet këtij ajeti, Allahu xh.sh. i jep direktiva Muhamedit a.s. se në ç’drejtim duhej ta orientonte thirrjen e tij. Ai më tepër duhej të përqendronte vëmendjen për udhëzimin e atyre që pranonin dritën dhe udhëzimin e Allahut dhe që vërtet kishin nevojë të pastroheshin nga ndryshku i kufrit, i cili më herët kishte pasë mbërthyer zemrat e tyre. Të tillët, me ndihmën e Allahut, tashmë kishin shpëtuar nga kurthet e shejtanit, por megjithatë asokohe u nevojiteshin ngrohtësia hyjnore dhe këshillat e Pejgamberit a.s,. që të plotësonin besimin e tyre. Zaten, ata njerëz, në një të ardhme të afërt do t’u dridhnin themelet perandorive tirane të Bizantit dhe Persisë, që sundonin mbi gjysmën e botës. Dhe, ata njerëz sypatrembur, që kishin merituar ofiqin e ashabëve të Pejgamberit a.s., ishin njerëzit më të merituar për të shijuar kënaqësitë e Xhenetit dhe shpërblimin e Allahut xh.sh.

12. Vërtet, Ne i ngjallim të vdekurit, i shkruajmë veprat dhe gjurmët e tyre dhe çdo gjë kemi regjistruar në librin e ruajtur (Levhi-Mahfudh).

Vetëm Allahu, që është Krijuesi ynë, është në gjendje të na ngjallë pas vdekjes. Vetëm Ai e di se ç’fshehin zemrat tona. Çdo vepër dhe gjurmë jona në këtë botë, do të regjistrohet në Librin e ruajtur (Levhi-Mahfudh). Mashtrohet secili që mendon se kjo botë është e tëra, se jeta jonë merr fund me vdekjen. Përkundrazi, vdekja është vetëm fillimi i një procesi tjetër jetësor, që fundin e ka me ringjalljen dhe daljen përpara Allahut për të dhënë llogari për veprat e bëra në këtë botë.
Ky ajet dëshiron t’i vërë në dije pabesimtarët se jeta e kësaj bote, me të gjitha kënaqësitë e rrejshme dhe iluzore, një ditë - megjithatë - do ta ketë fundin, ndërsa në ditarin e jetës së tyre do të mbesin të shkruara të gjitha veprat dhe gjurmët e tyre. Asgjë nuk do të humbë tek Allahu në atë ditë kur Ai do të na gjykojë për bëmat tona në këtë botë.
Atë ditë, siç shpjegon Kurani famëlartë, çdo punë e mirë, qoftë edhe sa një thërrmijë, do të dalë në shesh, por edhe çdo punë a vepër e keqe, po ashtu do të shfaqet, për të mos iu bërë e padrejtë askujt, për se jep shenjë edhe ajeti kuranor: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe sa grimca, atë do ta gjejë.” (Ez-Zelzele, 7-8)
Disa dijetarë, për fjalët e ajetit “dhe gjurmët e tyre..” mendojnë se nënkuptojnë që njerëzit do të merren në llogari edhe për veprat e pasardhësve, duke u nisur nga hadithi i Resulullahut s.a.v.s.: “Ai që fillon në Islam një synet (praktikë) të mirë, atij do t’i takojë shpërblimi i tij dhe shpërblimi i atyre që do të punojnë me atë traditë (synet), pa iu pakësuar këtyre aspak shpërblimi i tyre, ndërsa edhe ai që fillon në Islam një traditë të keqe, atij do t’i takojë barra e vet dhe barra e mëkatit edhe të atyre që do të veprojnë pas tij me atë praktikë, pa iu munguar aspak ndëshkimi i tyre”
Kurse disa dijetarë, si Katadeja, Muxhahidi dhe Haseni fjalën “gjurmë” në këtë ajet e shpjegojnë si gjurmë e hapave, ndërsa Tha’lebiu përcjell nga Enesi r.a. të ketë thënë se gjurmët këtu nënkuptojnë hapat që bën njeriu kur shkon në xhami, ditën e xhumasë.10
Megjithatë, konteksti i ajetit i lë hapur çështjet e të kuptuarit, qoftë në kuptimin e përgjithshëm, qoftë në atë të veçantë a specifik, dhe të vërtetën e di vetëm Allahu i Gjithëdijshëm.
Dijetari i mirënjohur Shenkiti, në lidhje me kuptimin e këtij ajeti, ka disa qasje mjaft interesante, të cilat do t’i cekim shkurtimisht. Ai, ndër të tjera, thotë: “Shohim se Allahu xh.sh. në këtë ajet cek katër gjëra:
- Allahu do t’i ringjallë të vdekurit, pa dyshim, meqë në lidhje me këtë ka folur në cilësinë e të Madhërishmit, se Ne do t’i ringjallim të vdekurit;
- Ai ka shënime të sakta për ato që vepruan njerëzit në këtë botë;
- Ai i regjistron madje edhe gjurmët (hapat) e njerëzve; dhe
- Ai çdo shënim a vepër e ruan në një Libër të sigurt (Levhi Mahfudh).
Në lidhje me këto katër çështje të theksuara, kanë ardhur ajete të shumta në Kuran, sa për të na vërtetuar lidhmërinë e përpiktë dhe të mrekullueshme tematike në mes ajeteve kuranore.
- Për sa i përket ringjalljes së njerëzve pas vdekjes, për se nuk ka pikë dyshimi, do të sjellim vetëm një ajet, ajetin e 7 të sures Et-Tegabun: “Ata që nuk besuan, menduan se kurrsesi nuk do të ringjallen. Thuaj: “Po, pasha Zotin tim, patjetër do të ringjalleni dhe do të njiheni me atë që keni punuar, e ajo për Allahun është lehtë!”
- Për sa i përket faktit se melaiket e Allahut shënojnë dhe shkruajnë veprat e njerëzve në këtë botë, flasin shumë ajete, ndër to edhe ajeti në vazhdim:
“Ky është libri ynë (shënimet e veprave tuaja) që dëshmon të vërtetën (të saktën), Ne kemi kërkuar të shkruhet se ç’vepronit.” (El-Xhathije, 29).
dhe:
“Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të, dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa përfshirë?”, dhe atë që vepruan, e gjejnë të gatshme - para tyre, e Zoti yt nuk i bën padrejtë askujt.” (El-Kehf, 49).
- Për sa u përket gjurmëve (hapave), Allahu thotë:
“...Nuk kapërcejnë ndonjë luginë, e që të mos u shënohet (për shpërblim) atyre...”
Kurse, për sa i përket Librit të ruajtur, Allahu thotë:
“...Asgjë nuk kemi lënë pa evidentuar në Libër (Kur’anin)...” (El-En’am, 38)11

Margaritarët e urtësisë në këto ajete

- Kurani fisnik është mrekulli e përjetshme e Muhamedit a.s. deri në Ditën e Gjykimit. Ai është zbritje dhe Fjalë e Allahut të Plotfuqishëm, të cilit nuk mund t’i vishet ndonjë e pavërtetë a shpifje në asnjë mënyrë.
- Vërtetim hyjnor se Muhamedi a.s. është i Dërguar i Allahut , të cilin Ai e dërgoi si mëshirë dhe udhëzim për mbarë njerëzimin me mesazhin e paqes.
- Mesazhi i Muhamedit a.s. nuk është vetëm për arabët, veçse edhe për tërë njerëzit e botës, sepse pas tij më nuk do të ketë tërheqës të vërejtjeve. Vargu i të dërguarve të Allahut me të ka marrë fund. Ai është vula e të dërguarve.
- Paria e kufrit dhe e mizorisë nga banorët e Mekës, që as nuk dëshironin të përfillnin udhëzimin hyjnor, vërtet e kanë merituar përjetësinë në zjarr dhe ndëshkimin, sepse insistuan në pabesimin e tyre dhe parapëlqyen të mbanin anën e së keqes në këtë botë. Këtë fat do ta kenë edhe pabesimtarët e tjerë në çdo kohë e vend qofshin.
- Mëshirën e Allahut e meritojnë vetëm ata që, kur thirren për të besuar, u hapen zemrat dhe gjokset e tyre nga imani. Këta janë të dashurit e Allahut dhe robërit e Tij të sinqertë.12
- Besimi në ringjalljen pas vdekjes, është një prej kushteve të Imanit, Allahu që na ka krijuar, ka edhe mundësinë që të na ringjallë sërish, duke na kujtuar botën e Ahiretit për çdo imtësi që kemi punuar, qoftë e mirë apo e keqe.
- Allahu xh.sh. betohet në krijesat e Tij, ndërkohë që njeriut nuk i lejohet betimi në askënd tjetër përveç në Allahun xh.sh.. Prapa betimeve të Allahut xh.sh. pa dyshim, qëndrojnë urtësi të shumta, për të cilat ne dimë fare pak..

- vijon-


_____________________
Fusnotat:
1. Ebu Neim El Asbehani “Delail en-Nubuvveh”, vëll. 1-2 fq. 200, (hadithi është klasifikuar nën numrin rendor -153), Bejrut 1986.
2. Po aty, fq. 200
3. Shih: “Esbabun-n-Nuzul” - nga Vahidiu; Imam Tirmidhiu këtë hadith e ka ngritur në gradën “hasen”, ndërkohë që Hakimi këtë hadith e konsideron si “sahih”; Shih edhe: Ibn Atijje “El- Muharreru-l vexhiz fi tefsiri-l-kitabi-l-aziz”, vëll. IV, fq. 445, Bejrut, 2001.
4. Tranmseton Taberiu nga Ali bin Ebi Talha e ky nga Ibn Abbasi; Shih: “Et-Tefsiru-s-Sahih - Mevsuatu-s-Sahih el mesburi mine-t-tefsiri bil me’ëthuri” nga Dr.Hikmet bin Beshir bin Jasin, vëll. IV fq. 178, Medinë, 1999 (1420 h.)
5. Tefsiri i Kurtubiut, vëll. 17, fq.409.
6. Tefsiru-l Kur’ani-l Aziz” nga Ebu Abdullah bin ebi Zemenin, fq.38. vëll.IV, Kajro, 2002.
7. El-Muharreru-l Vexhiz, vëll. IV, fq.445.
8. Tefsiri i Meragiut vëll.22, fq.147, Kajro 1946. 9. Shih më gjerësisht: Ibn Kajjim el Xhevzijj “Ed-Dav’u-l munir ale-t-Tefsir” vëll.V, fq. 112-113, Rijad, pa vit botimi, (Këtë tefsir nga veprat e Ibn Kajjimit e ka tubuar Ali Muhamed es-Sa- lihi).
10. “El-Muharrerul Vexhiz”, 4/448.
11. Shih më gjerësisht Tefsirin e Shenkitit “Advaul Bejan”
12. “Tefsiru-l Munir”, vëll. 22, fq. 297-298.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)