(ajetet 13-32)
- Tregimi i banorëve të fshatit -
13. Përmendu atyre një shembull të banorëve të fshatit, kur atyre u patën ardhur të dërguarit.
14. Kur Ne i dërguam tek ata dy, e ata i përgënjeshtruan që të dy, atëherë i përforcuam me një të tretë dhe u thanë: “Ne jemi të dërguar tek ju”.
15. Ata (fshatarët) thanë: “Ju nuk jeni tjetër, veçse njerëz sikurse ne, dhe se Allahu nuk u ka shpallur asgjë; ju nuk jeni tjetër veçse rrenacakë”.
16. Ata thanë: “Zoti ynë e di se me të vërtetë ne jemi të dërguar tek ju.
17. Dhe nuk jemi të obliguar për tjetër, përveçse t’ju kumtojmë ashtu qartë”.
18. Ata (fshatarët) thanë: “Ne parandiejmë kob me ju dhe, nëse nuk tërhiqeni, ne do t’ju godasim me gurë dhe do të përjetoni ndëshkim të idhët prej nesh”.
19. Ata (të dërguarit) thanë: “Fati i keq është juaji, pse u këshilluat, a (na kërcënoni)? Jo, por ju jeni popull i shfrenuar!”
20. Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: “O populli im, dëgjoni të dërguarit!”
21. “Dëgjoni ata që nuk kërkojnë prej jush ndonjë shpërblim dhe janë udhërrëfyes!
22. E, ç’kam unë që të mos e adhuroj atë që më krijoi dhe, tek Ai kthehemi.
23. A mos do të pranoj zota tjerë përveç Tij, e nëse do Mëshiruesi të më godasë me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i tyre nuk do të më vlejë asgjë, e as që do të më shpëtojnë.
24. Unë do të jem atëherë në një humbje të hapët.
25. Unë i kam besuar Zotit tuaj, pra më dëgjoni!”
26. Atij i është thënë: “Hyr në Xhenet”! e ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im,
27. për se më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!”
28. Pas tij, Ne nuk zbritëm ndonjë ushtri nga qielli kundër popullit të tij, e as që ishte vendimi ynë që të zbresim tjetër,
29. përveç një britme të tmerrshme, kur qe, ata të ftohur (të vdekur).
30. O sa dëshpërim i madh për ata robër të cilëve sa herë që u erdhi ndonjë i dërguar, vetëm se u tallën me të.
31. A nuk e panë ata se sa gjenerata kemi zhdukur para tyre dhe ata nuk u kthyen.
32. Dhe të gjithë, të tubuar, do të paraqiten pranë Nesh.
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Pas betimeve të Allahut në ajetet paraprake, se Kurani ishte libër i urtë e i zbritur nga Allahu, se Muhamedi a.s. ishte i dërguar i Tij, dhe pasi u tërheq vërejtjen pabesimtarëve që të mos bëheshin sikur të verbër e të shurdhër ndaj fjalëve dhe ftesës së Allahut, sepse pa dyshim që të gjithë mohuesit do të ringjallen e do të dalin para Krijuesit të tyre për të dhënë llogarinë për atë që vepruan në këtë botë, - tash edhe praktikisht atyre u sillet shembulli i banorëve të një vendbanimi, që kishin refuzuar të dërguarit e Allahut, dhe për këtë shkak kishte pasuar ndëshkimi nga qielli...
Koment:
13. Përmendu atyre një shembull të banorëve të fshatit, kur atyre u patën ardhur të dërguarit.
14. Kur Ne dërguam tek ata dy, e ata i përgënjeshtruan që të dy, atëherë i përforcuam me një të tretë dhe u thanë: “Ne jemi të dërguar tek ju.”. Duke filluar nga këto dy ajete fisnike,
Allahu i Madhëruar e këshilloi të dërguarin e Tij, që idhujtarëve t’ua përmendte tregimin e banorëve të një fshati me të dërguarit e Allahut, kur ata kishin refuzuar udhëzimin hyjnor, për se kishte pasuar ndëshkimi nga qielli. Kjo ishte një tërheqje e vërejtjes për idhujtarët mekas, se edhe ata po silleshin ndaj Muhamedit a.s. sikur banorët e fshatit të përmendur në suren Jasin, që ishin sjellë ndaj të dërguarve të Allahut. Idhujtarët tërthorazi viheshin në dijeni se edhe mund t’i godiste dënimi nga Allahu, nëse do të vazhdonin brutalitetin dhe vrazhdësinë e sjelljeve të tyre ndaj të dërguarit të fundit dërguar njerëzimit, mëshirë për mbarë botët-Muhamedit a.s.
Nga aspekti historik, shumica e mufessirëve tregimin e sures Jasin, e ndërlidhin me qytetin Entakia apo Antiokia në Turqinë e sotme, një vend në afërsi të kufirit me Sirinë, ndërsa të dërguarit, sipas tyre, ishin apostujt e dërguar nga Isai a.s. me lejen e Allahut xh.sh., që të ftonin popullin e Antiokisë në fenë e Isait a.s. Madje shumë prej tyre përmendin edhe emrat e atyre apostujve. Megjithatë, unë këtu përkrah fuqishëm mendimin e Ibn Kethirit, njëri prej dijetarëve dhe historianëve më të mëdhenj islamë, i cili demanton në tërësi një gjë të tillë, duke e quajtur tërë këtë si një supozim të paqëndrueshëm. Ai thotë se fshati (qyteti) i përmendur në suren Jasin, nuk është Antiokia, por një vend tjetër i banuar me beni israilë (çifutë), dhe kjo shumë kohë para ardhjes së Isait a.s.
Ibn Kethiri jep tri arsyetime në lidhje me mendimin e tij për se thotë:
1. Së pari, po të ishin këta të dërguar nga ana e Isait, me lejen e Allahut, do të sqarohej, qoftë edhe tërthorazi, misioni i tyre, që të kuptohej se këta ishin vërtet të dërguar nga Isai a.s. tek ai popull.
2. Së dyti, siç dihet nga burime të sigurta historike, qyteti Antiokia (Entakia) ishte i pari prej 4 qyteteve të mëdha që kishin besuar fenë e Isait a.s., së bashku me banorët e Jerusalemit, Romës(1) dhe Aleksandrisë, e më pas edhe
Konstantinopojës, dhe nuk është i njohur fakti se këta i kishin refuzuar apostujt dhe as që është shënuar që t’i kishte dënuar Allahu me ndonjë dënim prej qielli. Por arsyeja pse mufessirët menduan se qyteti i përmendur në suren Jasin mund të ishte Antiokia, ka të bëjë me faktin se apostujt (havarijunët) vërtet kishin shkuar në Antioki dhe kishin ftuar popullin e saj që të besonin Krishterimin, kështu që mufessirët këtë mendim të tyre kryesisht e kanë mbështetur në rrëfimet e krishtera lidhur me këtë udhëtim të apostujve atje. Ç’është e drejta, as në Kuran dhe as në hadithet e Pejgamberit a.s., nuk përmenden as emri i këtij qyteti dhe as emrat e të dërguarve.
3. Është përmendur nga Ebu Seid el Huderiu r.a., po dhe prej shumë të tjerëve nga të parët e këtij Ymeti, se pas zbritjes së Tevratit, Allahu nuk ka dënuar më ndonjë popull me ndëshkim nga qielli, por i ka urdhëruar besimtarët që të luftojnë kundër idhujtarëve e ta mbrojnë të vërtetën. Nga kjo del se fshati (qyteti) i përmendur në këtë ajet të kaptinës Jasin, nuk mund të jetë Antiokia, meqë dihet se ajo nuk është shkatërruar as në epokën e krishterë dhe as para saj. Megjithatë, të vërtetën e di vetëm Allahu i Plotfuqishëm.(2)
Por t’i kthehemi komentimit për të parë se Allahu xh.sh. tregon se kishte dërguar tek një popull dy nga të dërguarit e Tij, të cilët nuk i përmend me emra, e dihet se Allahu ka dërguar tek njerëzit shumë pejgamberë, në mesin e të cilëve edhe këta që përmenden në suren Jasin. Por, banorët e këtij vendi kishin përgënjeshtruar dy të dërguarit e parë, kështu që Allahu i kishte përforcuar ata me të tretin, duke i bërë të qartë atij populli se ata vërtet ishin të dërguar nga Allahu. Por, mjerisht, siç është thënë shumë herë, disa njerëzve Allahu ua ka vulosur zemrat e tyre me kufër, prandaj ata kurrsesi të bindeshin se këta njerëz, nga pamja sikurse ata, të ishin të dërguar. Madje ata i kishin përgënjeshtruar e u kishin thënë të dërguarve:
15. Ata (fshatarët) thanë: “Ju nuk jeni tjetër, veçse njerëz sikurse ne, dhe se Allahu nuk ju ka shpallur asgjë; ju nuk jeni tjetër veçse rrenacakë.
Ky popull injorant assesi të kuptonte mëshirën nga Allahu dhe udhëzimin hyjnor, që dëshironte t’i nxirrte nga errësira në dritë. Këta madje me plot mburrje, po u thoshin atyre njerëzve të urtë se ishin sikurse ata (populli), ishin njerëz dhe nuk kishin sjellë kurrfarë argumenti se ishin të dërguar, andaj si mund t’u besonin se i kishte dërguar i Mëshirshmi?! Këtu del në pah se ai popull tërthorazi pranonte ekzistencën e Allahut, por refuzonin të dërguarit e Tij, duke kërkuar prej tyre ndonjë mrekulli të mbinatyrshme, që t’i bindnin e t’u besonin, ashtu siç i thoshin Muhamedit a.s. edhe idhujtarët mekas, se ata adhuronin idhujt vetëm që t’i afronin më shumë tek Allahu:
“...Ne nuk i adhurojmë ata (idhujt) për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut...” (Ez-Zumer, 3).
Në këto ajete, ku ceket refuzimi i përsëritur për shkak të natyrës njerëzore të pejgamberëve nga ana e fshatarëve, vërehet naiviteti i përfytyrimit dhe mosnjohjes sa duhet të misionit të pejgamberëve nga ana e atyre injorantëve. Të tillët, përgjatë gjithë historisë njerëzore, kanë pritur gjithmonë që të gjejnë ndonjë mister të paqartë në personalitetin dhe jetën e pejgamberit, pas të cilit fshihen iluzionet dhe legjendat. Ata mendonin se një pejgamber i dërguar nga qielli në Tokë, nuk mund të jetë pejgamber pa pasur ndonjë sekret të mistershëm ose ndonjë mrekulli të mbinatyrshme!
16. Ata thanë: “Zoti ynë e di se me të vërtetë ne jemi të dërguar tek ju.
17. Dhe nuk jemi të obliguar për tjetër, përveçqë t’ju kumtojmë ashtu qartë.
Të dërguarit e Allahut, kur panë gjithë këtë dëbim dhe injorim nga ana e tyre, u thanë fshatarëve: Për ne mjafton që Zoti e di se jemi të dërguarit e Tij, dhe nuk kemi kurrfarë detyrimi tjetër përveçse t’jua kumtojmë mesazhin e Allahut e t’ju ftojmë në besimin e pastër në një Zot. Ju këshillojmë të lini idhujt që jeni duke i besuar së koti, dhe të kapeni pas litarit të Allahut, dritës dhe fesë së Tij, e cila e vetmja garanton shpëtimin tuaj nga zjarri i Xhehenemit.
18. Ata (fshatarët) thanë: “Ne parandiejmë kob me ju dhe nëse nuk tërhiqeni, ne do t’ju godasim me gurë dhe do të përjetoni ndëshkim të idhët prej nesh.
Të lodhur nga predikimet e këtyre profetëve, fshatarët filluan me kërcënimet e tyre se, nëse nuk do të ndaleshin, ata do të ndëshkoheshin rëndë duke i goditur me gurë deri në mbytje. Ata thjesht ndienin një kob dhe ndjenjë ndjellakeqe kundër të dërguarve. Shejtani nuk po i linte ta shihnin dritën e vërtetë. Ai me iluzionet e tij kishte rrëmbyer zemrat e atyre njerëzve, kështu që ata kishin filluar të mendonin edhe të ngrinin dorë mbi ta. Zaten, kjo nuk është hera e parë në historinë e çifutëve që të vrisnin pejgamberët e Allahut. A nuk kishin vepruar kështu çifutët edhe me Zekerijain dhe Jahjain a.s.?! Prandaj edhe për këtë arsye Allahu ishte i mllefosur e i hidhëruar ndaj tyre, siç thotë edhe në suren “El- Fatiha” kur cek hidhërimin e Tij ndaj të dyja grupeve: çifutëve (El-Magdubi alejhim) dhe (Ed-Dal-lin) ndaj të krishterëve.
19. Ata (të dërguarit) thanë: “Fati i keq është juaji, pse u këshilluat, a (na kërcënoni)? Jo, por ju jeni popull i shfrenuar!”
Kur të dërguarit e Allahut panë se çështja kishte arritur pikën e vlimit, dhe se më nuk kishte shpresë për udhëzimin e tyre, ua kthyen përgjigjen, duke u thënë se fati i keq dhe pesimizmi ishte nga shkaku i veprave të tyre të liga e kurrsesi nga ana e pejgamberëve.(3) Ata po ndillnin kob e fatkeqësi, që nuk do të vononte e do t’i përfshinte, sepse ishin një popull pa ndjenja, një popull i shfrenuar, një popull që ia kthen shpinën udhëzimit dhe dritës hyjnore. Ata e qortuan ashpër atë popull që nuk u bind ndaj së vërtetës, duke u thënë se ishin popull kryeneç, tejkalues e planprishës, sepse po refuzonin me vetëdije të plotë dritën e Allahut. Sidoqoftë, ata të dërguar përfunduan misionin e tyre ashtu siç u ka hije njerëzve të dërguar nga Allahu, plot urti, mëshirë, butësi e këshilla të ngrohta.
20. Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: “O populli im, dëgjoni të dërguarit!”
21. Dëgjoni ata që nuk kërkojnë prej jush ndonjë shpërblim dhe janë udhërrëfyes!
22. E, ç’kam unë që të mos e adhuroj atë që më krijoi dhe, tek Ai kthehemi.
23. A mos do të pranoj zota të tjerë përveç Tij, e nëse do Mëshiruesi të më godasë me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i tyre nuk do të më vlejë asgjë, e as që do të më shpëtojnë.
24. Unë do të jem atëherë në një humbje të hapët.
25. Unë i kam besuar Zotit tuaj, pra më dëgjoni!”
Kur të dërguarit e Allahut pothuajse kishin humbur shpresat se të paktën një njeri do të udhëzohej nëpërmjet duarve të tyre, nga skaji i largët i qytetit, kishte ardhur një burrë duke ngarendur e duke thënë: “O populli im, dëgjoni të dërguarit!”. Ishte kjo një thirrje dhe zë i vetmuar nga tërë ai oqean i mizërisë e i mjerimit, i cili po i drejtohej popullit të vet që të dëgjonin se çfarë po thoshin profetët, të cilët nuk po kërkonin ndonjë shpërblim prej tyre për këtë, por vetëm dëshironin t’i përudhnin në rrugën e drejtë. A nuk e shihnin ata se profetët ishin vërtet udhërrëfyes, a nuk e shihnin se atë thirrje nuk po e bënin ngase lakmonin pasurinë e popullit dhe as diçka të ngjashme. Ai po përpiqej t’ua shpjegonte atyre se të dërguarit thjesht ishin të ngarkuar me misionin fisnik vetëm për ata, prandaj i thërriste të besonin, nëse donin të shpëtonin nga dënimi me zjarr. “Largojuni adhurimit të këtyre idhujve që po i ndërtoni me duart tuaja dhe kthejeni fytyrën drejt Atij Që ka krijuar qiejt dhe Tokën, sepse në fund rikthimi dhe ringjallja e të gjithë neve do të jetë para Tij”, - u pati thënë ai njeri i urtë. Dialogu i atij njeriu besimtar me popullin e tij po vazhdonte. Ai tash po u drejtohej atyre me pyetjen: “Po të më pyesni mua se pse besova në këta të dërguar, do t’u them: Pse të mos E adhuroj Allahun, i cili më krijoi dhe tek Ai të gjithë do të kthehemi? Pse të adhuroj këto statuja të pavlera e pa shpirt, të cilat, po të më godiste Allahu me ndonjë sprovë a fatkeqësi, nuk do të ishin në gjendje të më ndihmonin? Pse atëherë t’i besoj këta gurë e drunj, të cilët nuk mund të më ndihmojnë gjë? Prandaj, o populli im, po ju thërras edhe një herë, logjikoni me arsyen e shëndoshë, largojeni pëlhurën e zezë nga sytë dhe mendjet tuaja, dhe besoni Allahut xh.sh., sepse unë vërtet i besova me bindje Zotit tim, Krijuesit të kësaj gjithësie dhe vetëm prej Tij pres shpërblim e mëshirë”...
Këtu sikur mbyllet tabloja e dynjasë, sepse, siç duket, populli pabesimtar, duke mos duruar këto këshilla, e mbytën(4) atë njeri të mirë e besimtar, kurse, për të na treguar neve se kjo botë është vetëm një fazë kalimtare e rrugëtimit tonë në këtë botë, - në ajetet vijuese, Allahu xh.sh. thotë:
26. Atij i është thënë: “Hyr në Xhenet! e ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im,
27. për se më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!”
Si shpërblim për rënien dëshmor (shehid) të atij besimtari, i është thënë: “Hyr në Xhenet!”. Ky është shpërblimi i merituar për sakrificën e tij në jetën e dynjasë. Dhe, ai besimtar, me zemërgjerësinë që karakterizon çdo zemër që ka besuar në Allahun xh.sh. thotë: “Ah, sikur ta dinte populli im, për se më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!”.
Këto fjalë, të përjetësuara edhe në Kuranin fisnik, janë vetëm sa për të vënë në dijeni pabesimtarët kudo dhe kurdo qofshin ata, se pas kësaj jete ekziston edhe jeta tjetër e amshueshme, dhe u tërhiqet vërejtja të mos jetojnë në errësirë, kur kanë mundësi të shijojnë dritën dhe ëmbëlsinë e imanit, nëse besojnë Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Njeriu, sado mëkatar qoftë në këtë botë, nëse pendohet, ai pa dyshim do të jetë i falur prej Allahut, siç ishte edhe rasti i këtij besimtari, të cilin Allahu e gradoi me gradën e shehidit, e shpërbleu me Xhenet dhe e bëri prej të nderuarve e të respektuarve, siç i gradon me shehidllëk edhe të gjithë ata besimtarë që flijojnë jetën e tyre për idealet e Islamit, sepse i Madhërishmi në Kuran thotë:
“Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer tek Zoti i tyre.” (Ali Imran, 196)
28. Pas tij, Ne nuk zbritëm ndonjë ushtri nga qielli kundër popullit të tij, e as që ishte vendimi ynë të zbrisnim tjetër,
29. përveç një britme të tmerrshme, kur qe, ata të ftohur (të vdekur).
Rëndom, pas përgënjeshtrimit të të dërguarve të Allahut, pason edhe ndëshkimi hyjnor. Ky popull meritoi një ndëshkim të tmerrshëm, sepse e mbyti edhe njeriun e urtë që u besoi të dërguarve, i cili, duke dhënë shpirt, po thoshte: “O Allah, udhëzoje popullin tim!”
Allahu i Madhëruar këtu thekson faktin se nuk kishte nevojë të dërgonte asnjë ushtri nga qielli për t’i shkatërruar ata mohues e pabesimtarë, sepse Ai, siç është shënuar në librat e tefsirit, i shkatërroi ata vetëm me një britmë të tmerrshme, të Xhibrilit a.s., dhe i la të vdekur, të ftohur, të pajetë, të pashpirt e të pandjenja.(5) Ky është fati i atyre që mohojnë dhe sillen vrazhdë ndaj urdhrave të Allahut dhe tallen e i nënçmojnë ato.
30. O sa dëshpërim i madh për ata robër, të cilëve sa herë që u erdhi ndonjë i dërguar, vetëm se u tallën me të.
31. A nuk e panë ata se sa gjenerata kemi zhdukur para tyre dhe ata nuk u kthyen.
32. Dhe të gjithë, të tubuar, do të paraqiten pranë Nesh.
Këto ajete, shfaqin pendimin e atij populli, pas kryeneçësisë dhe mendjemadhësisë që kishin treguar ndaj të dërguarve, dhe sidomos pas vrasjes së besimtarit që i kishte këshilluar për t’i besuar misionit të profetëve të dërguar nga Allahu.
Dijetarët në lidhje me këto ajete kanë dhënë disa mendime se kush për kë ka ndier keqardhje, ndonëse mendimi më i fuqishëm është se keqardhja ishte e vetë fshatarëve, kur nesër në Ahiret do të jenë penduar para Allahut pse nuk kishin pranuar udhëzimin. Madje është thënë se britma dhe keqardhja e qafirëve kur të jenë ballafaquar me vdekjen, është aq e tmerrshme, saqë, po ta dëgjonte ndonjë banor i tokës, do t’ia kallte datën e do ta lemeriste.
Disa mendojnë se këto fjalë janë të melaikeve të ndëshkimit për fshatarët që do të ndëshkoheshin për shkak të verbërisë së tyre në zemra, ndërsa disa të tjerë mendojnë se këto janë fjalët e të dërguarve lidhur me atë popull mizor, sepse e dinin se çfarë ndëshkimi i tmerrshëm po u përgatitej atyre, nga i cili do binin përdhe të vdekur.(6)
Vërtet ishte me vend kjo keqardhje, pa marrë parasysh se nga ç’anë vinte ajo, sepse këta njerëz thjesht nuk deshën të udhëzoheshin kur e kishin rastin e ofruar nga Allahu xh.sh.. Pse vallë nuk morën mësim nga pësimet e popujve të kaluar, nga Adi, Themudi, populli i faraonit etj? Përse, vallë, verbëria e tyre ishte aq e fortë, saqë nuk po arrinin ta hiqnin dot perden nga sytë e tyre? Përse nuk po donin të kuptonin se ky fat tragjik do të mund t’i godiste edhe ata? E një gjë e tillë edhe ngjau. Ata u shkatërruan sa çel e mbyll sytë, por mjerimi dhe pendimi më i madh për ta do të jetë kur do të dalin para Allahut nesër, në Ditën e Gjykimit të madh.
Margaritarët e urtësisë në këto ajete
1. Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran ua ka tërhequr vërejtjen njerëzve në forma të ndryshme; disave u ka sjellë argumente, disave u ka sjellë si shembuj ngjarje të popujve të kaluar; disa i ka ftuar të logjikonin e të meditonin për Madhërinë e Allahut, e në këtë rast ka sjellë një shembull shumë të qartë për ndëshkimin e banorëve të fshatit (qytetit), banorët e të cilit kishin refuzuar ftesën për udhëzim nga tre të dërguar prej Allahut. Ky tregim, si prapavijë, kishte tërheqjen e vërejtjes për idhujtarët mekas, që të mos lejonin të viheshin në pozitën e atyre pabesimtarëve, sepse në Islam dhe në rrugën e Allahut po i ftonte vetë Muhamedi a.s., vula e të gjithë profetëve, pishtari ndriçues dhe mëshira e dërguar për mbarë njerëzinë, nga ana e Mëshirëplotit - Subhanehu ve Teala...
2. Të dërguarit, gjithmonë kanë qenë prej sojit njerëzor, sepse natyrshmëria e tyre njerëzore ishte e përshtatshme për t’i ftuar ata që të besonin me logjikë e arsye. Po të ishin të dërguarit prej melaikeve, atëherë njerëzit detyrimisht do të besonin, por atëherë kjo nuk do të ishte në sferën e lirë të të besuarit, po të të imponuarit, e këtë gjë Allahu nuk e dëshiron. Ai kërkon nga njerëzit që ta besojnë Atë duke logjikuar e duke vrojtuar argumentet e Tij në këtë gjithësi. Për këtë arsye edhe ekzistojnë shpërblimi dhe ndëshkimi nga ana e Tij.
3. Nga të dërguarit e shumtë të Allahut tek njerëzit, pati prej tyre që Allahu i përforcoi me mrekulli karshi popullit të tyre, e pati prej tyre që nuk kishin mrekulli, por ishin të obliguar vetëm të përcillnin revelatën, siç ishte rasti i këtyre tre të dërguarve.
4. E vërteta gjithmonë dhe në çdo vend ka përkrahësit e saj, qoftë edhe të paktë. Ngadhënjimi i së vërtetës do të ndodhë gjithsesi, ndonëse mund të vonohet për një kohë, por Fjala e Allahut patjetër që do të jetë më e larta, kurse poshtërimi dhe nënçmimi do të jenë për pabesimtarët, kriminelët dhe mohuesit e mirësive të Allahut xh.sh.
5. Besimtari i vërtetë dëshiron për të tjerët atë të mirë që dëshiron edhe për veten, siç është rasti i besimtarit nga surja “Jasin”, i cili e këshilloi popullin e tij për të mirën e tyre.(7)
6. Misioni i thirrjes në Islam, nuk duhet të jetë ekskluzivisht detyrë vetëm e imamëve apo hoxhallarëve, veçse kjo duhet të jetë brenga e gjithë pjesëtarëve të Ymetit, duke shfrytëzuar autoritetin dhe urtësinë e dhënë nga ana e Allahut xh.sh.
7. Thirrësi në rrugën e Allahut, që nënkupton pothuajse çdo mysliman, duhet të jetë i gatshëm për çdo sfidë dhe sakrificë në emër të këtyre idealeve të shenjta. Në misionin e tij nuk bën të ngurrojë. Njeriu në kryerjen e këtij misioni fisnik, nëse kërkohet dhe është e nevojshme, duhet të sakrifikojë përveç pasurisë së tij, edhe gjënë më të shtrenjtë-jetën.
8. Është me rëndësi të theksohet se aktiviteti i thirrjes në Islam duhet të jetë preokupim i çdo pjesëtari të Islamit, kurse i dhënies së fetvave, vetëm i njerëzve të shkolluar e të arsimuar fetarisht. Shembulli më i mirë i kësaj është besimtari i sures “Jasin”, kur thotë: “O populli im, dëgjoni të dërguarit!”.
9. Metodologjia e thirrjes në rrugën e Allahut duhet të jetë e këndshme, e ngrohtë, pa emocione dhe pa ngarkesa negative. Le të marrim shembull njeriun e urtë nga surja “Jasin”, i cili me aq butësi e ngrohtësi i thirri bashkëqytetarët e tij që t’u besonin dhe t’i pasonin të dërguarit e Allahut. F.v., nëse dëshirojmë të largojmë një njeri që është në rrugë të gabuar, nuk duhet t’i themi me arrogancë: Hej, o filan! Kjo që bën ti, është e shëmtuar, ti nuk ke çfarë të presësh më nga Allahu asnjë mëshirë, pasuria jote është krejt haram etj., por në vend të këtyre fjalëve të ashpra, le të përdorim shprehjet si: Vëlla i dashur, kam menduar mirë për jetën time dhe të ardhmen e kam parë vetëm duke qëndruar pranë Urdhrave të Allahut. E kam kuptuar se në çastet e vdekjes nuk do të më bëjë dobi as fëmija e as pasuria, përveç veprave të mia të mira, prandaj të përpiqemi që, me veprat tona, ta zbukurojmë momentin tonë të fundit etj.. Me këtë lloj komunikimi, do ta përfitonim edhe zemrën më të ngurtë.
10. Ringjallja, e cila ceket në fund të këtyre ajeteve, i vë në dijeni të gjithë njerëzit se ata do të tubohen e do të paraqiten para Allahut, dhe njëkohësisht paraqet mesazhin kuranor, që njerëzit të kenë në konsideratë këto momente të vështira e të mos mohojnë atë që nuk duhet mohuar...
- vijon –
_________________
Fusnotat:
1. Këtu përveç Romës (ku sot gjendet Vatikani (Selia e Kishës Katolike romane), mund të nënkuptohet edhe pjesa evropiane e Turqisë së sotme ose Rumelia etj.
2. Shih Tefsirin “Tejsirul Alijji-l Kadir” shkurtim i Tefsirit të Ibn Kethirit nga Muhamed Nesib Er-Rufai, vëll. 3 fq.567, Rijad, 1989.
3. Tefsiri i Meragiut, vëll. 23, fq. 152.
4. Transmetohet nga Ibn Abbasi,, Ka’b el Ahbari, Vehb bin Munebbeh dhe Katadeja se ky njeri u mbyt mizorisht nga bashkëfshatarët e tij. (Shih: “Et-Tefsirul munir”, vëll. 22, fq. 305).
5. Tefsiri i Kurtubiut, vëll.17, fq.433
6. Për më tepër lexo: “Ed-Durru-l menthur fi tefsiri bil me’thur” nga Imam Sujutiu, vëll.12, fq. 342-343
7. “El-Kavlu-l-mubin fi tefsiri sureti Jasin”- fq.48.
Sabri Bajgora