Komentimi i kaptinës “Jasin” - (5)




(ajetet 45-54)

Disa shenja (argumente) të manifestimit të fuqisë së Allahut

45. E kur u thuhet atyre: “Kini frikë asaj që ngjau para jush dhe asaj çka do t’ju ngjajë më vonë, e që të mëshiroheni (ata nuk dëgjojnë).
46. Nuk ka asnjë argument që u erdhi atyre nga argumentet e Zotit, e që ata nuk ia kthyen shpinën.
47. Dhe kur u thuhej: “Jepni nga ajo që Allahu u begatoi, ata që nuk besuan, besimtarëve u thanë: “A ta ushqejmë atë që sikur të donte Allahu do ta ushqente? Ju nuk jeni tjetër vetëm se të humbur qartë!”.
48. Dhe thoshin: “Po qe se jeni të vërtetë, kur do të jetë ai premtim?”
49. (Allahu u përgjigjet) Nuk janë duke pritur tjetër vetëm se një britmë që i rrëmben ata kur janë duke u zënë mes vete.
50. E nuk do të mund të lënë as porosi (vasijet-testament) as të kthehen në familjet e tyre.
51. Dhe i fryhet Surit, kur qe, duke u ngutur prej varrezave paraqiten te Zoti i tyre.
52. thonë: “Të mjerët ne! Po kush na ngriti prej ku ishim të shtrirë në varre?” E, kjo është ajo që premtoi Zoti dhe vërtetuan të dërguarit.
53. jo nuk është tjetër, përveç një zë i fuqishëm dhe ata të gjithë të paraqitur para Nesh.
54. Sot pra, askujt nuk i bëhet e padrejtë diçka dhe nuk shpërbleheni me tjetër vetëm për atë që vepruat.

Lidhmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake

Në ajetet paraprake, shohim se Allahu u ofroi mohuesve të ringjalljes argumente të shumta që e vërtetojnë atë, duke u ofruar atyre të hidhnin shikimin në proceset natyrore që i shihnin çdo ditë, siç ishin ndërrimi i ditës dhe i natës, lëvizja e Diellit dhe e Hënës si dhe ringjallja e tokës, duke e gjelbëruar atë pas thatësisë së madhe. Por ata njerëz që me vetëdëshirë dhe vullnet të lirë kishin zgjedhur kufrin dhe të mirat vetëm të kësaj bote, tash në këto ajete vijuese shohim përfundimisht rrugën që e kishin zgjedhur, rrugën e mohimit të ringjalljes dhe mohimin e të dërguarit. Në zemrat e tyre nuk kishte mbetur asnjë pikë mëshire për krijesat e Allahut, njerëzit e varfër të nevojshëm për zgjatjen e dorës së ndihmës. Këta më nuk ndjenin asnjë ndjenjë dhembshurie dhe këtë kategori njerëzish e shikonin me përbuzje e neveri.
Më pas në ajetet vijuese Allahu i vë ata në dijeni për shenjat e kataklizmës, duke i njoftuar se do të jetë vetëm një britmë e tmerrshme dhe ata do të vdesin, për t’u dhënë më pas shenja nga “suri” kur të gjithë do të ringjallen e do të dalin para Zotit të tyre. Në atë ditë, askujt nuk do t’i bëhet e padrejtë, por secili do të shpërblehet apo ndëshkohet sipas asaj që ka punuar në këtë botë.

Koment:

Verbëria e pabesimtarëve ndaj të së vërtetës, shmangia nga udhëzimi, mohimi i ringjalljes dhe dëftimi nga ana Allahut për shenjat e Kiametit:

45. “E kur u thuhet atyre: “Kini frikë asaj që ngjau para jush dhe asaj çka do t’ju ngjajë më vonë, e që të mëshiroheni (ata nuk dëgjojnë).”
Edhe pse idhujtarët e Mekës, nuk dëshironin të përudheshin, dhe madje as nuk po tregonin shenja se do ta bënin një gjë të tillë, megjithatë Allahu i Gjithëmëshirshëm nga mëshira e Tij, sikur dëshiron t’i zgjojë ndjenjat dhe ndërgjegjiet e tyre të fjetura, duke I këshilluar që të kishin frikë për fatin e tyre, që të mos pësonin sikurse popujt e mëhershëm, të cilët u ndëshkuan rëndë për shkak të mohimit dhe kryeneçësisë së tyre.
Gjurmët e popujve të shkatërruar mund t’i shihnin kudo përreth, madje shumë afër dhe pranë tyre, por ata megjithatë, nuk dëshironi të shihnin asnjë nga këto paralajmërime. Ata ishin mbyllur në pabesimin e tyre dhe ishin blinduar në këtë mugëtirë të tyre shpirtërore.
Allahu ua tërheq vërejtjen që të kenë frikë për mëkatet të cilat po i bënin në çdo çast me mohimin e tyre të dritës hyjnore dhe me injorimin e misionit të Muhamedit a.s., dhe të kishin po ashtu frikë edhe më të madhe nga ajo që do t’i priste nga ndëshkimi me zjarr në Ahiret.(1)
Në lidhje me pjesën e ajetit: “Kini frikë asaj që ngjau para jush dhe asaj çka do t’ju ngjajë më vonë...” dijetarët islam kanë dhënë disa mendime: Ibn Abbasi, Ibn Xhubejri dhe Muxhahidi kanë thënë se ky ajet nënkupton atë çka ka kaluar nga mëkatet e bëra dhe mëkatet që mund të bëhen në të ardhmen(2), ndërsa Mukatili, Katadeja(3) dhe Meragiu(4) mendojnë se
kjo pjesë e ajetit ka për qëllim, ndëshkimin e popujve të kaluar dhe ndëshkimin që i pret pabesimtarët në Ahiret, kurse Hasen el Basriu, ka një mendim tjetër nga këta kur thotë se këtu është në pyetje pjesa e jetës që tashmë ka kaluar dhe pjesa e jetës së mbetur të njeriut, pra ajo çka ka mbetur nga exheli. Kurse mufessiri më i madh i shekullit XX Sha’raviu mendon se fjala “ma bejne ejdikum” nënkupton atë që është para jush dhe që do të vjen si Ringjallja, Tubimi dhe Llogaria dhe në fund ndëshkimi me zjarr, kurse me fjalën “ma halfekum” nënkupton fatin e popujve të kaluar, në mënyrë që të merrni mësim nga pësimet dhe fundi i tyre tragjik.(5) Po të merrnim mendimin e tij, ky ajet do të duhej përkthyer kështu: “Kini frikën e asaj që keni para jush (ringjallja, llogaria etj...) dhe të asaj që keni pas jush (mësimet nga ndëshkimet që pësuan popujt e kaluar)...”
Sidoqoftë ka edhe disa mendime të tjera, por të vërtetën dhe synimin e mirëfilltë të këtij ajeti e di më së miri vetëm Allahu xh.sh.

46. Nuk ka asnjë argument që u erdhi atyre nga argumentet e Zotit, e që ata nuk ia kthyen shpinën.

Allahu i gjithëmëshirshëm, sikur nuk dëshiron ta dënojë këtë popull, për faktin se nga mesi i tyre zgjodhi më të dashurin e Tij-Muhamedin a.s., Ai me çdo kusht dëshiron udhëzimin e tyre dhe dëshiron t’i mëshirojë. Mu për këtë arsye Ai vazhdimisht i thërret që të besonin e të largoheshin nga e kota, duke u ofruar argumente e argumente, ndonëse shejtani i kishte robëruar zemrat dhe shikimet e tyre dhe ata nuk shihnin asgjë përpos luksit dhe kënaqësive të kësaj bote.
Të gjitha argumente nga ana e Tij, ata i hodhën pas shpine. Asnjërin prej tyre nuk e morën në konsideratë. Atyre thjesht nuk u bënte përshtypje më asnjë argument hyjnor. Ata nuk mund të pranonin faktin se shpallja i kishte ardhur një njeriu të varfër nga mesi i tyre, ndonëse me gjysmë zemre e pranonin autoritetin e pakontestuar të familjes së tij. Atyre nuk u bënte përshtypje as fakti se para dyzet e ca vitesh, Allahu, për hir të Muhamedit a.s. e kishte shkatërruar ushtrinë e Ebrehesë. Ata përpiqeshin ta pengonin çdo shkëndijëz të dritës që përpiqej të depërtonte në zemrat dhe mendjet e tyre. Në zemrat e tyre më nuk kishte vend as për mëshirë ndaj të varfërve dhe skamnorëve. Ata konsideroheshin prej tyre si një shtresë e pavlerë e shoqërisë. Ata, sipas tyre, nuk meritonin as të ushqeheshin e as të furnizoheshin me ndonjë rrësk.

47. Dhe kur u thuhej: “Jepni nga ajo që Allahu u begatoi, ata që nuk besuan, besimtarëve u thanë: “A ta ushqejmë atë që sikur të donte Allahu do ta ushqente? Ju nuk jeni tjetër vetëm se të humbur qartë!”.

Allahu i thërret idhujtarët që nga rrësku që Ai i kishte furnizuar, të ushqenin të varfrit, por ata kishin refuzuar një gjë të tillë, duke u tallur me besimtarët e duke thënë: “Pse t’i ushqejmë ata njerëz, të cilët po të donte Allahu do t’i kishte ushqyer e furnizuar me begatitë dhe rrëskun e Tij”. Ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj tyre, ndërsa padyshim ju jeni në humbje dhe në lajthitje të qartë. Ky qëndrim dhe botëkuptim naiv i pabesimtarëve, na bën të kuptojmë se ata absolutisht nuk kuptonin asgjë nga rregullat e përgjithshme të kësaj gjithësie, ku dihet se Allahu, është Furnizuesi dhe Ushqyesi i të gjithëve. Vallë si nuk mund ta kuptonin, se ata, përkundër një pasurie që përkohësisht e kishin në dorë, nuk ishin të aftë të furnizoheshin e as të përfitonin ndonjë të mirë të kësaj bote, pa dëshirën dhe vullnetin e Tij. Megjithatë, Allahu i madhëruar nga mëshira e Tij, bëri që njeriu të përpiqet ta gjejë rrëskun e Allahut duke bërë tregti, shitblerje, duke u munduar e përpjekur ta mbjellë tokën, dhe të shfrytëzojë këto të mira e begati. Duke u nisur nga të gjitha këto mirësi dhe mundësi që të bëjmë mirë, njeriu nuk duhet të jetë dorështrënguar ndaj të varfërve dhe skamnorëve, sepse si ata, si të pasurit janë vënë në sprovë të madhe nga Allahu i Plotfuqishëm. Të parët janë vënë në sprovën e durimit, kurse të dytët në sprovën e bujarisë e të zemërgjerësisë ndaj të varfëve...
Për çudi, idhujtarët mekas, ishin aq të pandjenja, saqë nga kjo verbëri e tyre, ata tash filluan edhe ta ironizonin Pejgamberin a.s. dhe besimtarët e tjerë duke u thënë: Dijeni, ne më nuk ua kemi frikën as juve e as kërcënimeve tuaja me të ashtuquajturën ringjallje, me të cilën vazhdimisht po na kërcënoni. Ne thjesht nuk besojmë në të... Të shohim në vazhdim të ajeteve fjalët e tyre plot cinizëm e hipokrizi, kur u drejtohen besimtarëve duke thënë...

48. Dhe thoshin: “Po qe se jeni të vërtetë, kur do të jetë ai premtim?”

Pabesimtarët, të bindur se ata janë në të drejtë, të bindur plotësisht se nuk ka botë tjetër përveç kësaj, se nuk ka ringjallje e as llogari në botën tjetër, tash fillojnë edhe të tallen me besimtarët dhe me Muhamedin a.s. duke i përqeshur e thënë: Kur do të jetë ai premtim (kërcënimi me Kiamet), nëse po ua merr mendja se e keni me gjithë mend këtë pohim qesharak?! Ne nuk u besojmë juve sepse një gjë e tillë thjesht është e pamundur të ndodhë, thoshin ata me ironi e përbuzje. Por Allahu i Plotfuqishëm, sakaq, kësaj ironie të tyre u përgjigjet me fjalët:

49. (Allahu u përgjigjet) Nuk janë duke pritur tjetër vetëm se një britmë që i rrëmben ata kur janë duke u zënë mes vete.
50. E nuk do të mund të lënë as porosi (vasiet-testament) as të kthehen në familjet e tyre.

Krijuesi i gjithësisë ua bën me dije pabesimtarëve se momenti i Kiametiti dhe i shkatërrimit të ekzistencës do të vjen dhe ai do të jetë vetëm një britmë e tmerrshme dhe e shpejtë, që do t’i rrëmbejë e do t’i marrë ata, kur ata do të jenë në punët e tyre të përditshme duke bërë shitblerjet e zakonshme mes vete.
Kjo nënkupton fryrjen e parë në sur nga ana e Israfilit, melekut të ngarkuar me këtë gjë, në formë të një britme të tmerrshme, që sinjalizon fundin dhe shkatërrimin e kësaj botë. Kjo do të ndodhë aq shpejt e befasishëm, sa një rrahje e qerpikut e mbase edhe më e shpejtë. Ky shkatërrim i befasishëm i gjithësisë, do t’i zë njerëzit në huti të plotë duke u marrë me punët e tyre të përditshme, kështu që vdekja e përcjellë me lemeri dhe llahtari të këtij momenti të frikshëm, do t’i zë ata në një gjendje të tillë, pa pasur mundësi të flasin me njëri-tjetrin, pa pasur mundësi të lënë ndonjë testament, e madje as pa pasur kohë të kthehen në familjet e tyre. Kjo faktikisht, na vë në dijeni, se ky moment nuk do të zgjasë me orë apo minuta, por me sekonda të numëruara, ku shumë prej njerëzve, as nuk do të kuptojnë se ç’është duke ngjarë. Ata do të mbesin të shtanguar në vend nga kjo britmë e rrufeshme e cila do t’i lë të vdekur në vend...

51. Dhe i fryhet Surit, kur qe, duke u ngutur prej varrezave paraqiten te Zoti i tyre.
52. thonë: “Të mjerët ne! Po kush na ngriti prej ku ishim të shtrirë në varre?” E, kjo është ajo që premtoi Zoti dhe vërtetuan të dërguarit.
53. jo nuk është tjetër, përveç një zë i fuqishëm dhe ata të gjithë të paraqitur para Nesh.

Menjëherë pas kësaj britme të parë, apo fryrjes së parë në “Sur”, do të pasojë fryrja e dytë në këtë “Sur” nga ana e Israfilit, që nënkupton ringjalljen dhe ngritjen nga varrezat, të të gjithë njerëzimit për t’u nisur në vend dhënien e llogarisë para Allahut. Pabesimtarët do të tmerrohen nga vetë fakti se janë ngritur e ringjallur, sepse e dinë se janë duke u nisur në ballafaqimin final me veprat e tyre të shëmtuara që i bënë në këtë botë. Duke u nisur në vendin e turpërimit të tyre të përjetshëm, ata do të thonë: Ah ç ‘mjerim i madh për ne. Po kush na ngriti nga varret. Aty ishim më rehat. A thua ku po shkojmë dhe çfarë do të na presë?!
Këtu shihet fuqia e pakufishme e Allahut, i Cili do T’i vdesë të gjitha krijesat dhe pastaj sërish me një urdhër I ringjall, e kjo ringjallje vjen pas fryrjes së dytë në “Sur”, dhe nënkupton paraqitjen e njerëzve dhe exhinëve para Madhërisë së Tij për të dhënë llogarinë përfundimtare. Tashti, të gjithë pabesimtarët, në këto momente të vështira, do të pendohen dhe do të shprehin keqardhje për të kaluarën e tyre të errët në humbëtirat dhe errësirat e kufrit, por ky pendim nuk do t’u bëjë dobi. Ata përjetësisht do të jenë në ndëshkimin e Allahut fuqiplotë, për të shijuar atë që e mohuan me ngulm gjatë jetës së tyre në këtë botë, edhe pse Allahu vazhdimisht u kishte dhënë argumente dhe udhëzime nëpërmjet të dërguarve.


54. Sot pra, askujt nuk i bëhet e padrejtë diçka dhe nuk shpërbleheni me tjetër vetëm për atë që vepruat.

Ky ajet, më së miri ilustron faktin se tek Allahu xh.sh. ka drejtësi absolute, sepse Ai nuk do T’i bëjë askujt të padrejtën në këtë ditë të Llogarisë së madhe, por secili njeri do ta marrë atë që e ka merituar, në bazë të veprave të tij në këtë botë. Dhe, njerëzit, nuk do të kenë kurrfarë arsye e as argumenti t’i kundërvihen kësaj Drejtësie Absolute, sepse Ai më parë, krijesën njerëzore e kishte dalluar nga krijesat e tjera me dhuntinë e të logjikuarit, I kishte lënë në dispozicion të gjitha mundësitë e zgjedhjes së lirë dhe I kishte dërguar libra të shenjtë e pejgamberë. Ai zaten, edhe nuk do të na merrte fare në Llogari, po që se ne do të ishim krijesa që vetëm zbatojmë atë që na urdhërohet, sikurse melaiket, por neve na dalloi prej tyre, duke na dhënë ndjenja, emocione, mendje dhe logjikë. Prandaj, sot, në këtë Ditë të madhe të Gjykimit, secili do ta marrë shpërblimin apo ndëshkimin e merituar, në mënyrë që Vullneti dhe Drejtësia e Allahut të vijë në vendin e vet.

Margaritarë të urtësisë nga këto ajete

1. Idhujtarët, sikurse edhe pabesimtarët e tjerë përgjatë shekujve dhe historisë së shkuar, ishin zhytur në humbje dhe kufër. Ata nuk dëshironin të merrnin mësim nga pësimet e popujve të kaluar për shkak të mosbesimit të tyre. Madje ata nuk dëshironin të mendonin fare për botën e ardhshme-Ahiretin. Ata, të mpirë e të verbuar nga pasuria dhe luksi në të cilin po jetonin, dalëngadalë, kishin humbur edhe ndjenjat e mëshirës dhe të dhembshurisë ndaj të varfërve.(6) Ata nga koprracia e tyre nuk dëshironin të preokupoheshin me asgjë tjetër përpos mirëqenies së tyre, duke lënë qëllimisht një shtresë të caktuar njerëzish në mjerim e skamje, në mënyrë që prej tyre të krijonin vartës, robër dhe shërbëtorë të dëgjuar, në këmbim të një furnizimi të mjerë për ta...
2. Përgjigjja e prerë nga Allahu për talljen e idhujtarëve nëse do të vinte apo jo Dita e Gjykimit, ishte njoftimi hyjnor se ajo do të vinte shumë shpejt, me një ushtimë dhe britmë të tmerrshme, e cila njerëzit do t’i zinte në huti, saqë asnjëri prej tyre as që do ketë kohë të mendojë t’i lë dikujt testament e as të shkojë tek familja e tij, nëse do të ishte jashtë shtëpisë.
3. Nga këto ajete mësojmë se menjëherë pas fryrjes së parë në sur, do të pasojë edhe fryrja e dytë, e cila simbolizon ringjalljen dhe ngritjen nga varrezat të çdo njeriu
Mubareku bin Fedale transmeton nga Hasen el Basriu të ketë thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut: “Në mes dy fryrjeve janë dyzet vjet. Pas fryrjes së parë, Allahu i vdes të gjitha krijesat, kurse pas fryrjes së dytë Ai e ringjall çdo krijesë të vdekur”.
4. Ajeti i 54 i kësaj sureje, na vë në dijeni se Llogaria në Ditën e Gjykimit do të jetë shumë e drejtë. Secili njeri do ta marrë shpërblimin ose ndëshkimin e merituar në bazë të veprave të tij në këtë botë.


- vijon –

___________________


Fusntotat:

1. Versioni i shkurtuar i Tefsirit të Ibn Kethirit “Tejsirul Alijjil Kadir...” vëll. III, fq.571, Rijad 1989.
2. Tefsiri i Kurtubiut, vëll. 17, fq.456.
3. Ebu Hajjan el Endelusi “El-Bahrul Muhit” vëll. 7, fq. 234, Bejrut 1993.
4. Shih më gjerësisht në lidhje me këtë tefsirin e Meragiut, vëll. 23., fq. 16.
5. Shih Tefsirin e Muhammed Mutevel-li Sha’ravit- surja Jasin, fq. 12673.
6. Dr. Vehbe ez-Zuhajli “Et-Tefsirul Munir” vëll. 23, fq. 24.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)