(ajetet 33-44)
Disa shenja (argumente) të manifestimit të fuqisë së Allahut
33. Dhe për ata është argument (për fuqinë e Zotit) toka e vdekur, të cilën Ne e ngjallim, nxjerrim prej saj drithë, nga i cili ata hanë.
34. Dhe në të Ne u kemi bërë kopshte hurmash e rrushi dhe në të u kemi dhënë burime (uji).
35. Ashtu që ata të hanë nga ato fruta dhe nga çka prodhojnë vetë duart e tyre. A i gëzojnë këto dhe nuk falënderojnë.
36. I pastër nga të metat është Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga ç’mban toka, nga vetë ata dhe nga ç’nuk dinë ata.
37. Për ata është argument edhe nata, prej së cilës largojmë ditën, kurse ata mbesin në terr.
38. Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit, të Dijshmit.
39. Edhe Hënës i kemi caktuar (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harku (rremb i hurmës së tharë).
40. As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën, e as nata paraditen, po secili noton në një galaksi.
41. Argument për ta është edhe ajo se Ne pasardhësit e tyre (të Ademit) i bartëm në anije të mbushur përplot.
42. Dhe ngjashëm me të, u krijuam atyre diçka që të hipnin.
43. E sikur të duam Ne, i përmbytim ata, e nuk ka efekt as lutja e tyre dhe as që do të shpëtonin.
44. Përveç nga mëshira Jonë ndaj tyre, dhe që të përjetojnë të mirat deri në një kohë të caktuar.
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Këto ajete ndërlidhen fuqishëm me ajetet paraprake, për faktin se në ajetet e shkuara pamë mohimin e banorëve të fshatit ndaj ftesës së pejgamberëve të dërguar nga Allahu xh.sh., saqë, me arrogancën dhe kryeneçësinë e tyre, merituan ndëshkimin e tmerrshëm nga ana e Fuqiplotit. Këta u ndëshkuan, sepse mohuan dritën e udhëzimit hyjnor, mohuan edhe ringjalljen, prandaj i Lartmadhërishmi, ua tërhiqte vërejtjen idhujtarëve mekas, që të mos shkonin rrugës së njerëzve të humbur dhe të shkatërroheshin si banorët e fshatit të përmendur në ajetet paraprake. Natyra njerëzore është që të merret mësim nga pësimet e të tjerëve e jo të vazhdohen gabimet dhe hapat e paraardhësve të tyre.
Koment:
Tash jemi në pjesën e ajeteve të sures Jasin, të cilat flasin për manifestimin e fuqisë së Allahut në natyrë, nëpërmjet argumenteve lëndore, të cilat i shohim çdo ditë me sytë tanë, i sodisim dhe bashkëjetojmë më to për shekuj me radhë, argumente e shenja qiellore të cilat do të na ndjekin deri në ditën e fundit të jetës në këtë botë. Prandaj, është çudi e madhe se si njerëzit vazhdojnë të qëndrojnë indiferentë ndaj besimit të pastër në Krijuesin, kur para syve të tyre kanë të gjitha këto argumente të pakontestueshme.
Mjafton të hedhim vetëm një shikim sipër nesh, në kupën qiellore, dhe do të mbetemi të mahnitur e të magjepsur nga bukuria dhe harmonia e përkryer e lëvizjeve të miliarda-miliarda yjeve, planetëve dhe galaktikave, të cilat janë larg nesh miliona-miliona vjet dritë. Po, për të kuptuar se kjo ekzistencë ka Krijues, i Cili pas vdekjes sonë do të na ringjallë dhe do të na marrë në llogari, na mësojnë edhe ajetet në vazhdim…
33. Dhe për ata është argument (për fuqinë e Zotit) toka e vdekur, të cilën Ne e ngjallim, nxjerrim prej saj drithë, nga i cili ata hanë.
Këto ajete argumentuese, të cituara në vazhdim të kaptinës Jasin, ishin argumente të pakontestueshme për idhujtarët mekas, që të mos hezitonin ta pranonin dritën e besimit që kishte filluar të ndriçonte Siujdhesën Arabike.
Këtu fjala “ajet”-argument, u drejtohet vetëm pabesimtarëve, sepse besimtarët nuk kanë nevojë për ndonjë argument.
Ata i ka udhëzuar Allahu në besim dhe në iman, kështu që zemrat dhe mendjet e tyre nuk kanë nevojë për ndonjë argument shtesë që të binden.(1)
Këto argumente ishin shenjë për ata që po mohonin ringjalljen, po mohonin pejgamberinë e Muhamedit a.s. dhe në këtë mënyrë po mohonin edhe vetë ekzistencën e Allahut xh.sh..
Por, i Lartmadhërishmi, nga mëshira e Tij, këtyre njerëzve megjithatë u solli argumente nga ambienti që i rrethon, vetëm e vetëm të bindeshin në ringjalljen, të cilën po e mohonin kot së koti.
Pyetja që u drejtohet atyre, është nëse po e shihnin tokën të vdekur e të tharë nga thatësia se si Allahu e ringjall kur mbi të derdh shiun e me bollëk, duke bërë që nga ajo tokë etharë të mbijë bar i gjelbër dhe drithëra, të cilat bimë e drithëra njeriu pastaj i përdor për ushqimin e tij të përditshëm. Ky argument është aq i qartë, sidomos në tokat shkretinore sikur është Meka me rrethinë. Ata vetë ishin dëshmitarë se gjatë verës dhe ditëve me vapë të padurueshme, çdo gjë thahej e shkretërohej, kurse pas një shiu, çdo gjë merrte një pamje të blertë, me plot jetë e gjallëri.
Me këtë ajet, fillon vargu i ajeteve argumentuese, nëpërmjet të cilave Allahu xh.sh. fton në rrugën e Tij. Kjo rrugë fillon me njohjen e Allahut si Krijues, e njohuria është një prej fondamenteve bazë të fesë islame.
E surja Jasin është një ndër suret që në mënyrë madhështore shtjellon shumë prej këtyre argumenteve të imanit, prandaj është quajtur me plot të drejtë “Zemra e Kuranit”.
34. Dhe në të Ne u kemi bërë kopshte hurmash e rrushi dhe në të u kemi dhënë burime (uji).
35. Ashtu që ata të hanë nga ato fruta dhe nga ç’ prodhojnë vetë duart e tyre. A i gëzojnë këto dhe nuk falënderojnë.
Në këtë Tokë, në të cilën Allahu na ka krijuar, Ai na ka mundësuar të gëzojmë e të përjetojmë të gjitha të mirat e begatitë e Tij. Pamjet e kopshteve me palma të larta nga hurmat dhe hardhitë e rrushit, nëpër të cilat burojnë burime uji të pastër, janë gjëra që kënaqin syrin e çdo njeriu dhe krijojnë një ndjenjë prehjeje e qetësie shpirtërore. Dhe njerëzit hanë nga frutat e tyre, por në fund megjithatë nuk janë mirënjohës dhe falënderues ndaj Allahut, po vazhdojnë të jenë mendjemëdhenj e të pandërgjegjshëm duke menduar se çdo gjë që fitojnë, e fitojnë nga puna e duarve të tyre.
Është me rëndësi të theksohet zinxhiri lidhës i këtyre veprimeve të cekura në këto dy ajete kuranore, ku Allahu na dëfton se këto kopshte me palma e me rrush, nuk do të mund të ishin të tilla, po të mos ujiteshin nga burimet e ujit, të cilat Allahu i ka bërë të gufojnë nga toka. Si rezultat i kësaj ujitjeje, ne vjelim edhe frutat e palmave dhe të rrushit, të cilat njëkohësisht janë edhe si pemë, por edhe si ushqim me rëndësi jetike për organizmin e njeriut, sepse, sikur dihet, këto dy lloje të pemëve përmbajnë glukozën e nevojshme, sheqernat, vitaminat etj., të cilat trupit të njeriut i japin vitalitet, forcë dhe energji. Allahu xh.sh. në këtë ajet nuk ia humb mundin as njeriut, kur thekson se edhe njeriu ka një rol në këtë proces, gjatë përgatitjes së farës, pastrimit dhe mbjelljes së saj, ndërsa procesi tjetër i mbirjes, i përket vetëm Allahut xh.sh., me dëshirën dhe përcaktimin e të Cilit çdo gjë mbin, rritet dhe jep fryte. Por, përderisa Allahu nuk ia humbi mundin dhe rolin njeriut në një pjesë të këtij procesi, njeriu megjithatë aspak nuk është falënderues dhe mirënjohës ndaj të mirave të Allahut, dhe mendon padrejtësisht se ai është vetë fitues dhe krijues i këtyre mirësive.
36. I pastër nga të metat është Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga ç’mban toka, nga vetë ata dhe nga ç’nuk dinë ata.
I Madhi Allah, me urtësinë e Tij, që është I pastër dhe I zhveshur nga çdo e metë, ka krijuar nga të gjitha llojet që ekzistojnë në tokë, çiftet, përfshirë këtu edhe racën njerëzore. Kësaj krijese, të cilën e përzgjodhi që të ishte mëkëmbës i Tij në tokë, ia nënshtroi çdo gjë në këtë tokë, i dha hapësirë të mjaftueshme por mbi të gjitha, i dha gjënë më të çmuar - mendjen, nëpërmjet së cilës ai mund të dallojë të mirën nga e keqja. Nderimi tjetër që iu bë kësaj krijese-njeriut, është edhe fakti se Allahu i dha vullnetin dhe lirinë e veprimit, duke e dalluar kështu prej melaikeve. Të gjitha krijesat në këtë ekzistencë dëshmojnë se janë krijesa të Allahut, vetëm Atij I përulen dhe vetëm Atë e madhërojnë. Atij I bëjnë tesbih Toka e qielli, dhe melaiket e pastra.
Allahu i Madhëruar, çdo gjë në këtë gjithësi që krijoi, e krijoi në çift, mashkull dhe femër, po krijoi edhe krijesa të tjera, për të cilat ne nuk dimë, sepse edhe ato krijesa të panjohura për ne, E madhërojnë Allahun, ndonëse ne nuk e kuptojmë këtë mënyrë të tyre të madhërimit.
37. Për ata është argument edhe nata, prej së cilës largojmë ditën, kurse ata mbesin në terr.
Një prej argumenteve që Allahu u ofroi idhujtarëve mekas, është edhe nata, për të cilën i lajmëron pabesimtarët se kur e largon ditën, atëherë vjen errësira, që mbulon çdo gjë.
Kjo, edhe shkencërisht argumenton faktin se çdo proces natyror, është një argument shtesë se Allahu është Krijuesi, dhe se do të ketë patjetër ringjallje. Ky ajet po ashtu argumenton bindshëm se Toka është në formë elipse dhe se, me lëvizjen e saj rreth Diellit, mbi sipërfaqen e saj paralelisht ndërrohen dita e nata.
Por në këtë ajet saktësohet prerazi se dita simbolizon dritën dhe shkëlqimin, e kur kjo dritë që për ne vjen nga Dielli, ikën, atëherë Toka mbetet në errësirë. Pra, pyetja që u parashtrohet pabesimtarëve, është: Nëse Ne jua largojmë dritën e ditës, ju do të mbeteni në errësirë, dhe a thua kush tjetër, përveç Allahut, mund t’jua rikthejë dritën dhe gjallërinë e ditës?
38. Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit, të Dijshmit.
Ky ajet, në mënyrën më madhështore, vërteton teorinë e lëvizjeve të planetëve dhe trupave qiellorë në gjithësi. Ndër këta trupa gjigantë qiellorë, është edhe Dielli, në bazë të të cilit e ka marrë emrin edhe sistemi ynë - Diellor, rreth të cilit sillen planetët, të “robëruar” dhe të detyruar të sillen nëpër orbita spirale nga fuqia e gravitetit të tij.
Shkencërisht është vërtetuar se nga tërë masa e Sistemit diellor, Dielli zë 99,86%, ndërsa masën tjetër të mbetur: 0.14 % e përbëjnë nëntë planetët e tjerë të Sistemit. Sipas shkencëtarëve, jeta e Diellit është më shumë se 5 miliardë vjet. Largësia ndërmjet Diellit dhe Tokës është rreth 150 milionë km. Lëvizja e Diellit për ne ka rëndësi të veçantë, sepse drita e tij për ne do të thotë jetë e gjallëri. Ky yll i shkëlqyeshëm është në gjendje të gaztë me lava e temperatura të larta. Ai vazhdimisht udhëton deri në kufirin e vet përfundimtar, të cilin ia ka caktuar Allahu, Ngadhënjyesi dhe i Urti. Para shkatërrimit të kësaj ekzistence, që ndryshe quhet edhe kataklizëmkiamet, Dielli vetëm një herë do ta ndërrojë orbitën dhe rrugën e vet, pikërisht në ditën e fundit të rrugëtimit të tij, duke lindur nga Perëndimi. Ajo ditë do të jetë përgjithësisht dita e fundit në këtë tokë, e cila, sipas urdhrit të Allahut, do të shkatërrohet së bashku me Diellin, planetët, galaktikat dhe çdo gjë që ekziston në këtë gjithësi.
39. Edhe Hënës i kemi caktuar (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harkut (rremb i hurmës së tharë).
Allahu i Lartmadhërishëm, sikurse Diellit dhe çdo trupi qiellor, ashtu edhe Hënës i ka caktuar pozicionet e saj, e ato janë 28 pozicione, dhe për çdo ditë ndërron nga një pozicion. Nëse muaji hënor është 29 ditësh, ajo fshihet për një natë, përkatësisht dy net nëse muaji ka 30 ditë. Në fund të kësaj trajektoreje të Hënës, shohim se ajo rikthehet në formën e saj paraprake, që i ngjan një harku shumë të hollë, i cili mezi mund të vërehet, për se edhe është quajtur forma e saj si rremb i hurmës së tharë.
Urtësia pse Allahu shpeshherë e ka cekur Hënën në Kuran, kthehet tek fakti se arabët dhe myslimanët, përgjithësisht njehsimin e kalendarit të tyre e kanë pikërisht në bazë të lëvizjeve dhe pozicioneve të Hënës. Ky kalendar është shumë herë më i saktë e më i përpiktë se ai diellor, sipas të cilit sot punon pothuajse tërë bota.
Ne myslimanët, në bazë të lëvizjeve të Hënës, fillojmë agjërimin e Ramazanit; me pamjen e Hënës së re të Shevvalit, bëjmë bajram, e pastaj edhe detyrimi i haxhit, po ashtu, ndërlidhet me lëvizjet e Hënës etj.. Sa për ilustrim, do të përmendim disa ajete kuranore, që bëjnë fjalë pikërisht për këto rituale fetare, që ndërlidhen me lëvizjet e Hënës:
“Të pyesin për Hënën e re (dhe fazat e saj) Thuaj: “Ato janë përcaktime të kohës për njerëz dhe për haxh.” (El- Bekare, 189). dhe
“Ai e bëri Diellin shndritës, e Hënën dritë dhe asaj (Hënës) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. Allahu nuk e krijoi këtë për tjetër, përveçse me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton.” (Junus, 5)
40. As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën, e as nata paraditën, po secili noton në një galaksi.
Ky ajet tregon qartë për madhështinë e Krijuesit, i cili përsosi çdo gjë në krijimin e trupave qiellorë, të shpërndarë gjithandej nëpër këtë gjithësi.
Nga kjo nënkuptohet se as Dielli nuk mund ta arrijë Hënën gjatë lëvizjes së tij, po as Hëna nuk mund ta arrijë atë, për arsye se secili ka orbitën e vet, të cilën ia ka caktuar Allahu Fuqiplotë. Pavarësisht se nëpër kanalet e kësaj hapësire të pafund kozmike, enden dhe notojnë miliarda e biliarda trupa planetarë, yje, kometa, asteroide, galaktika etj., ato megjithatë kanë orbitat dhe lëvizjet e përcaktuara të tyre, sipas urtësisë dhe përcaktimit të Allahut të Gjithëdijshëm.
41. Argument për ta është edhe se Ne pasardhësit e tyre (të Ademit) i bartëm në anije të mbushur përplot.
42. Dhe ngjashëm me të, u krijuam atyre diçka që të hipnin.
43. E sikur të duam Ne, i përmbytim ata, e nuk ka efekt as lutja e tyre, dhe as që do të shpëtonin.
44. Përveç nga mëshira Jonë ndaj tyre, dhe që të përjetojnë të mirat deri në një kohë të caktuar.
Në këto ajete shihet qartë se ekziston një lidhshmëri imagjinative po edhe alegorike në mes të lëvizjeve të yjeve dhe planetëve lundrues si dhe anijes së mbushur përplot të Nuhut a.s., e cila lundroi me pasardhësit e Ademit! Mbase anija e mbushur përplot që ceket këtu, mund të jetë ajo e Nuhut a.s., babait të dytë të njerëzimit...
Zoti mundësoi që me anije të tilla të kapërceheshin valët! Ata i mbajti fuqia e Zotit xh.sh., i Cili ka krijuar rregulla për gjithësinë. Fuqia e Tij e bëri anijen të lundrojë në ujë, sikurse që në hapësirat kozmike lundrojnë yjet, planetët dhe trupat e tjerë qiellorë. S’do mend se horizontet e gjithësisë, uji, era, avulli, fuqia atomike ose fuqitë e tjera janë çështje, krijesa dhe caktime të Zotit fuqiplotë!(2)
A nuk thotë Allahu xh.sh.:
“A nuk e sheh se anijet lundrojnë në saje të mirësisë së Allahut, e për t’ju treguar juve madhërinë e Tij. Vërtet, edhe në këtë ka argument për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë mirënjohës.” (Junus, 31)
Sipas komentatorëve më eminentë, kuptimi i këtij ajeti ka të bëjë kryesisht me momentin kur Allahu xh.sh., me fuqinë e Tij, i ka bartur gjyshët e njerëzve (të parët e tyre) në anijen e Nuhut a.s., një ngjarje e njohur nga Kurani famëlartë. etj..
Lidhur me kuptimin e ajetit 42 të sures Jasin, Ibn Abbasi, Dahhaku dhe Katadeja janë të mendimit se këtu është fjala për anijet lundruese të njerëzve pas kohës së Nuhut a.s.(3)
Ndërsa Ibn Abbasi, në një mendim tjetër të tij4, po edhe një grup tjetër dijetarësh, mendojnë se këtu fjala është për devetë, të cilat Allahu i ka krijuar si mjete transportuese në tokë, për të qenë në shërbim të njerëzve. Ato, në fakt edhe quhen anijet e shkretëtirës, për shkak të qëndrueshmërisë së madhe të tyre, sepse mund të mbijetojnë në kushte të vështira atmosferike të shkretëtirës, ku mbretëron vapa e padurueshme, për plot dy javë, pa pirë ujë e pa ngrënë asgjë.
Në anën tjetër, Imam Fahru Rraziu është i mendimit se këtu nuk bëhet fjalë për devetë, siç kanë theksuar këta dijetarë, po për një lloj tjetër transporti ujor të ngjashëm me anijen, ndërkohë që dijetarët bashkëkohorë mendojnë se ky ajet bën fjalë për çdo lloj mjeti transportues, përfshirë këtu edhe mjetet bashkëkohore tona të transportit, si veturat, trenat, aeroplanët, anijet etj..
Argument i mëshirës dhe dhembshurisë së Allahut ndaj robërve të Tij, është se Ai, nëse dëshiron, mund t’i përmbytë këta njerëz në ujë apo në çfarëdo qoftë forme tjetër, dhe t’i shkatërrojë, dhe asnjë lutje as kërkim mëshire nuk ka ndonjë efekt, sepse atë që Allahu dëshiron të shkatërrojë, nuk ka kush që mund ta shpëtojë, përveç atyre ndaj të cilëve Allahu ka mëshirë dhe i lë në këtë botë të gjallë deri në një kohë të caktuar.
Dhe këtu është ai çasti pse besimtari duhet të jetë falënderues ndaj të gjitha mirësive të Allahut ndaj tij, ta falënderojë Krijuesin që e ka udhëzuar në rrugën e drejtë, e ka bërë të mëshirshëm e të kujdesshëm ndaj familjes, prindërve dhe fëmijëve. Le ta imagjinojë njeriu veten të hipur në ndonjë anije, dhe këtë anije ta kenë kapluar shtrëngata e valët gjigante të detit të trazuar. A thua çfarë, përveç mëshirës së Allahut mund ta shpëtojë?
Njeriu duhet ta kuptojë se atij, gjatë rrugëtimit të tij në këtë botë, i duhen ndihma dhe mëshira e Allahut, sepse, nëse do t’i mungojë kjo ndihmë, si pasojë e mosbesimit të tij, atëherë ky njeri do të jetë fatkeq edhe në këtë botë edhe në botën e ardhshme... Njeriun mund ta mbrojë vetëm mëshira hyjnore e jo ndonjë fuqi tjetër, deri në një kohë të caktuar, deri në Ditën kur Fuqiploti dhe Ngadhënjyesi do të realizojë premtimin e Tij, kur të gjithë ne do të dalim para Tij, për të dhënë Llogarinë e fundit...
Margaritarët e urtësisë në këto ajete
1. Prej argumenteve të pakontestueshme të ekzistencës dhe njëshmërisë së Allahut xh.sh. si dhe Fuqisë e Mundësisë së Tij për të ringjallur të vdekurit, është edhe gjallërimi i tokës me gjelbërim e fruta të ndryshme, pasi të ketë qenë tharë ajo më parë. Mrekullia e Allahut në këtë rast shfaqet në farërat që mbjellim në këtë tokë të tharë, të cilat mbijnë pasi që Allahu, me Fuqinë e Tij, t’i ketë ujitur me shi nga retë, për të na dhuruar ushqimin tonë aq të nevojshëm për të mbijetuar në këtë botë.
2. Po ashtu, prej këtyre argumenteve mahnitëse të ekzistimit të Allahut është edhe krijimi i kopshteve me palma hurmash dhe hardhi rrushi, nga të cilët burojnë kroje e burime uji. Allahu ka veçuar rrushin dhe hurmat, për shkak të dobisë së shumëfishtë të tyre.
3. Të gjitha këto mirësi e dhunti nga Allahu xh.sh., pa dyshim që na detyrojnë që t’i jemi mirënjohës krijuesit tonë, duke E falënderuar Atë dhe duke Iu nënshtruar urdhrave të Tij.
4. Besimtarët duhet ta lartësojnë Allahun Fuqiplotë duke mos I mveshur Atij ndonjë cilësi që nuk përkon me Madhërinë e Tij, dhe tërë adhurimin e tyre duhet ta orientojnë aty ku duhet, duke mos humbur e devijuar nga rruga e drejtë.
5. Madhështia dhe Fuqia e Allahut në këtë botë, shfaqen dhe manifestohen në forma të ndryshme. Ndër to është fakti se Ai ka krijuar këtë ekzistencë, e në të edhe shumë bimësi të ndryshme, të cilat dallojnë nga njëra-tjetra për nga shija, forma, ngjyra e madhësia. Pastaj ka krijuar edhe botën shtazore, po ashtu me diversitete llojesh, ashtu siç ka krijuar edhe gjininë njerëzore, të cilët i ka bërë meshkuj e femra, kurse, krahas këtyre, i Madhërishmi ka krijuar edhe krijesa të tjera, për të cilat ne nuk kemi njohuri, por që janë në Dijen e Allahut xh.sh..
6. Argumentet më të mëdha në këtë gjithësi janë edhe lëvizjet e trupave qiellorë, Diellit, Tokës, Hënës e galaktikave, pastaj ndërrimi i ditës e i natës, si pasojë e lëvizjeve të Diellit dhe Hënës. Të gjitha këto kanë rëndësi të madhe për ne, sepse, në bazë të lëvizjeve të tyre, ne llogarisim kohën.
7. Nga argumentet e tjera të manifestimit të kësaj fuqie hyjnore, është edhe fakti se Allahu i Plotfuqishëm paraardhësit e njerëzve i ka bartur në anijen e Nuhut a.s., dhe pastaj prej tyre është shtuar e rritur prapë njerëzimi.
8. Allahu, me mëshirën e Tij, krijesës njerëzore i ka mundësuar të shfrytëzojë mirësitë dhe të mirat e kësaj bote, ndër të cilat edhe anijet e mjetet e tjera transportuese, siç janë devetë, kuajt, veturat, aeroplanët, raketat etj.. Atij njeriu që është mirënjohës ndaj këtyre dhuntive të Allahut, Allahu ia shton të mirat, kurse atij që nuk është falënderues, Allahu i ka përgatitur një dënim të tmerrshëm në Ahiret. Madje, po të dojë Allahu, Ai edhe në këtë botë mund t’i fundosë e t’i shkatërrojë këta njerëz, kur të dëshirojë, përveç atyre ndaj të cilëve ka mëshirë dhe i lë deri në një kohë të caktuar.
- vijon –
___________________
Fusnotat:
1. Muhammed Mutevel-li Sha’ravi - “Tefsir suretu Jasin”, fq. 89
2. Sejjid Kutb “Fi Dhilalil Kur’an”.
3. Muhtesar tefsir Ibn Kethir, vëll. III, fq. 164. 4. Jusuf Bedri, “Suretu Jasin”, fq. 133.
Sabri Bajgora