Komentimi i sures “Er-Rrahman” (2)

Begatitë dhe mirësitë e mëdha të Allahut ndaj njeriut 



“Rrahmani - (Mëshiruesi - Zoti ynë), Ai ia mësoi Kuranin. E krijoi njeriun. Ia mësoi atij të folurit (të shprehurit, të shqiptuarit).” (Er-Rrahman, 1-4)


Surja “Er-Rrahman” është e vetmja sure kuranore që fillon me njërin prej emrave të bukur të Allahut. Meqë ka filluar me një emër të tillë të madh, është shumë e natyrshme që suren në përgjithësi ta përshkojë një frymë ledhatuese e mëshirës hyjnore dhe e mirësive të shumta që Allahu xh.sh. i dhuroi krijesës njerëzore. Kjo mëshirë zgjat hijet e saj freskuese në këtë botë mbi të gjithë, pa dallim, dhe çdo krijesë e ndjen instinktivisht këtë, ndërkohë që në botën tjetër, mëshira e Allahut do t’i përfshijë vetëm besimdrejtët. 
Kjo mëshirë e pakufishme hyjnore dhe ky kujdes i Krijuesit ndaj krijesave, pa dyshim që do të duhej të ishte shkas që njeriu në të gjitha lëvizjet, frymëmarrjet, pulsimet shpirtërore, e madje edhe me rrahjet e zemrës së tij, të shpreh falënderim ndaj Krijuesit të Gjithëmëshirshëm, i Cili e krijoi, e begatoi me dituri, i zbriti Kuranin, dhe i mësoi sqarimin e çdo gjëje që ka të bëjë me jetën e tij në këtë tokë. 


Koment: 


1. “Rrahmani - (Mëshiruesi - Zoti ynë)” 


Fjala “Err-Rrahman” e cila hap këtë sure, është një prej emrave të bukur të Allahut dhe nënkupton mëshirën dhe mirësinë e Tij të pakufishme në këtë botë, pa bërë ndonjë dallim në mes të krijesave, e në këtë rast as në mes të njerëzve, qofshin ata besimtarë apo jo.
Emri “Er-Rrahman” është përmendur 57 herë në Kuran, ndërkohë që vetëm në suren “Merjem” është përmendur 16 herë. Ky emër dëfton për Qenësinë absolute dhe me këtë emër nuk identifikohet askush tjetër, përveç Allahut Mëshirëplotë. 
Allahu i Gjithëmëshirshëm thotë: “Thuaj: “Thërrisni: Allah ose thërrisni Er-Rrahman, me cilindo që ta thërrisni (prej këtyre dy emrave), emrat e Tij janë më të bukurit…”, El Isra’ë, 110) 
Çdo gjë në këtë Univers shpreh dhe frymon drithërima mëshire, prandaj edhe emri Er-Rrahman, nënkupton mëshirën që përfshin gjithçka të krijuar në këtë univers, ndërkohë që emri Er-Rrahim, tregon mbi mëshirën e veçantë për krijesat e Zotit, veçanërisht për besimtarët në Ahiret, në aspektin e dhembshurisë e të faljes së mëkateve. 
Mëshira i ka shoqëruar krijesat e Zotit që nga krijimi i Universit dhe do t’i shoqërojë deri në fundin e tij. Kur jemi te fillet e krijimit, i Dërguari i Allahut-Muhamedi a.s. thotë: “Kur Zoti krijoi gjithësinë, shkroi një fjali mbi Arshin e Tij madhështor. Në të shkruhet: “Me të vërtetë Mëshira Ime ia kalon zemërimit Tim.” 
Allahu xh.sh. e vërteton këtë thënie të Tij në ajetin 129 të sures Ta Ha, kur thotë: 
“Dhe sikur të mos ishte një Fjalë, të cilën e kemi thënë, dënimi do të ishte i pashmangshëm.” Pa dyshim që kjo fjalë është premtimi i Tij i dhënë: “Me të vërtetë mëshira Ime ia kalon zemërimit Tim”, premtim që është shkruar akoma pa u krijuar njeriu, në vendin më të shenjtë në gjithësi,. 
Mëshira e Tij e ka tejkaluar dhe mposhtur zemërimin e Tij, dhe është shfaqur te krijesat e Tij në atë formë sa që askush nuk mund ta mohojë. Ajo i ka mbushur qiejt dhe tokën, dhe me të janë mbushur zemrat e krijesave. Përmes kësaj mëshire të cilën Ai e ka shpërndarë mes tyre, dhe e ka vendosur në zemrat e tyre, ata e mëshirojnë njëri-tjetrin. 
Lidhur me fjalët: ”Mëshira Ime ia kalon zemërimit Tim.” Ibnul Kajjimi ka thënë: Mëshira është baza e emrave dhe e cilësive të Zotit. Kjo pasi Zoti nuk mund të jetë tjetër pos Mëshirues. Diçka e tillë është në natyrën e Zotit, ashtu siç është dija, fuqia, aftësia, dëgjimi, shikimi dhe mirësia. Mëshira është një cilësi e përhershme e Tij. Ai ia ka bërë obligim Vetes mëshirën, ndërsa diçka të tillë nuk e ka thënë për zemërimin, prandaj falja është më e dashur për Zotin sesa ndëshkimi dhe hakmarrja. Ne, kur lutemi themi: “O Zot, na mëshiro, pasi Ti je Mëshiruesi ynë dhe mos na ndëshko, pasi Ti na ke në dorë.”
Ndërsa, Imam Gazaliu në lidhje me kuptimet e emrit “Er-Rrahman” thotë: Ky emër ka disa kuptime. Së pari: Allahu I krijoi njerëzit nga dashuria, së dyti: I udhëzoi në Imanin e pastër, duke i bërë të lumtur në këtë botë, së treti: Do t’i bëjë të lumtur besimtarët në Ahiret me mirësitë e Tij, dhe së katërti: Kënaqësia më e madhe të cilën do ta përjetojnë besimtarët në Ahiret do të jetë të shikuarit në Madhërinë e Tij. 
Meqë për këtë cilësi dhe emër të Allahut mund të flitet shumë më gjerësisht, për fund do të mjaftohemi me një ajet, të cilin dijetarët e kanë quajtur si më shpresëdhënësin në Kuranin famëlartë, i cili shpresëhumburve ua kthen buzëqeshjen, e të pikëlluarve lumturinë:“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse vërtet Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Zumer, 53) 


2. Ai ia mësoi Kuranin. 


Mirësia e parë ndaj njeriut me të cilën fillon kjo sure, është Kurani famëlartë. Ai është dhurata më madhështore nëpërmjet të cilit shpërfaqet mëshira e Mëshirëplotit për njeriun. Është një libër i përsosur, i cili ngërthen në vete të gjitha Ligjet e kësaj gjithësie dhe njëkohësisht Program i jetës për njeriun, nëpërmjet të cilit i skicohen vijat e besimit, vlerat dhe rruga e shpëtimit, të cilën duhet ndjekur. 
Kurani ia hap njeriut ndjenjat dhe përjetimet ndaj këtij Universi, ia ripërtërin dhe ia rifreskon mendimet, duke i dhënë çdo gjëje gjallërinë drithëruese. Vetëm nëpërmjet ajeteve të tij, njeriu arrin të gjejë qetësinë shpirtërore dhe harmoninë e përkryer shpirtërore me këtë ekzistencë. Kurani është pranvera e zemrave tona dhe sekreti i suksesit tonë në këtë botë. Ai që në zemër ka dritën e Kuranit, i tilli kurrë nuk mund të mbetet në errësirë. I Lartmadhërishmi në lidhje me këtë thotë: “Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më se e vërtetë” – (El-Isra’ë, 9) 
Të mësuarit e Kuranit është shenjë e mëshirës së Fuqiplotit ndaj njeriut. Ky Kuran u përcoll besnikërisht tek Ymeti islam nga Muhamedi a.s., pejgamberi i mëshirës, e ky nga Xhibrili a.s. besniku i shpalljeve, e ky nga Allahu xh.sh.. Kurani famëlartë është shpallja e fundit e Allahut, është Libri që përmbylli revelatën hyjnore nëpër shekuj, për të ndriçuar përjetësisht rrugën e njerëzit drejt mëshirës hyjnore. 
Pikërisht për këtë arsye, Allahu xh.sh. e filloi përmendjen e të mirave të Tij ndaj njeriut me Kuranin famëlartë. 
Ib Atije gjatë komentimit të këtij ajeti thotë: Ai (Allahu) që e dalloi dhe e nderoi Ademin ndaj engjëjve, duke ia mësuar atij të gjithë emrat (dituritë), po Ai e nderoi, e dalloi dhe e lartësoi këtë Ymet ndaj Ymeteve të tjera me mësimin e Kuranit.(1) 
Kujdesi i këtij Ymeti ndaj Kuranit duhet të jetë i vazhdueshëm, sepse nëpërmjet tij ne arrijmë majat më kulmore të kënaqësisë së përjetshme. Pikërisht për këtë arsye, ata që e mësojnë Kuranin dhe e studiojnë atë, do të jenë në pozita të larta nderi si në këtë botë edhe në botën tjetër. Në lidhje me këtë Pejgamberi a.s. thotë: “Zotërinjtë më të ndershëm të Ymetit tim janë bartësit e Kuranit”, dhe: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve” 
Ky ajet kuranor, në të njëjtën kohë vërteton bindshëm se Kurani nuk është ndonjë poezi e as nuk është ndonjë fjalë që ndonjë njeri po ia mësonte Muhamedit a.s., por është Fjalë e drejtpërdrejtë e Allahut-Rrahmanit dhe Shpallje e Tij për krijesën të cilën e dërgoi mëshirë për të gjitha botët. 


3. E krijoi njeriun. 


Krijimi është një dhuratë tjetër nga Mëshirëploti, Vetëm Ai është Krijues, sepse me vullnetin e Tij krijon çka të dojë. Ai krijoi këtë ekzistencë të mrekullueshme, e në të edhe shumë krijesa. Prej këtyre krijesave dalloi qenien njerëzore me Shpallje, duke ia besuar mëkëmbësinë në Tokë. E krijoi njeriun për një qëllim shumë fisnik, i cili është adhurimi. Prandaj ibadeti-adhurimi është një prej qëllimeve tona më të larta, nëpërmjet të cilit falënderojmë Krijuesin për mirësitë e Tij ndaj nesh. 
Allahu e krijoi njeriun, e nderoi dhe e lartësoi mbi të gjitha krijesat, e dalloi me mendje-arsye dhe me vullnet, e bëri të gjykojë e të logjikojë si dhe të zbatojë atë që është në përputhje me vullnetin e tij. 
Njeriu, i cili shndrit si një yll në mes të gjitha krijesave, paraqet një element unik me rëndësi të papërshkrueshme në botë. Njeriu, i cili mund të kuptojë Zotin dhe krijimin e vetvetes bëhet krijesa më e lartësuar dhe më fisnike në botë. Për këtë arsye njeriu, qoftë mashkull ose femër, i vjetër ose i ri, i urtë ose injorant, konsiderohet qenie dinjitoze dhe e ndershme. 
Fjala njeri në këtë ajet nënkupton krijimin jo vetëm të Ademit si njeri të parë, por të njerëzimit në përgjithësi, sepse në këtë sure flitet për mirësitë e tij ndaj të gjithë njerëzve. 
Rreth krijimit të njeriut, kemi shumë ajete kuranore që rrahin këtë çështje, madje është përmendur qysh në ajetet e para të zbritjes në suren “El-Alek”, për të vazhduar më pas me ajete që flasin për krijimin e njeriut nëpër etapa të ndryshme, derisa mori formën e përsosur njerëzore, duke e pajisur edhe me gjallërinë e Shpirtit. 
Përderisa meditojmë rreth këtij ajeti kuranor, duhet të jemi mirënjohës ndaj Allahut fuqiplotë që na krijoi nga mosqenia, na dhuroi mendjen, vullnetin dhe mbi të gjitha na udhëzoi në dritën e besimit të vërtetë. 
Nga dashuria për njeriun, Allahu xh.sh. kohë pakohe dërgoi pejgamberë, të cilët ndriçuan qiellin e kësaj bote me diellin e pejgamberisë. Përveç tyre zbriti edhe libra të shenjtë, në të cilët kishte udhëzim për rrugën që duhej ndjekur që të arrinim qëllimet më të larta të jetës sonë-Njohjen e Allahut me të gjitha cilësitë e Tij të përkryera. 


4. Ia mësoi atij të folurit (të shprehurit, të shqiptuarit). 


Në vazhdim të mirësive të panumërta të Allahut ndaj njeriut, është edhe mirësia e të mësuarit e të folurit dhe të shprehurit. Zaten, kjo cilësi është cilësia dalluese në mes të njeriut dhe gjallesave të tjera, sepse nëpërmjet kësaj, njeriu arrin të shprehë falënderimin ndaj Krijuesit të tij. 
Nderimi që na është bërë neve (krijesës njerëzore) me aftësinë e të folurit dhe të shprehurit, është nderimi më i lartë, sepse jemi krijesa që Allahu na ka urdhëruar të lexojmë, të arsimohemi, dhe në bazë të ngritjes në nivele të larta të diturisë, të shprehim madhërimin ndaj Krijuesit Mëshirëmadh e Mëshirëplotë.


 Urtësia e këtyre ajeteve (1-4) 


- Surja “Er-Rrahman” ka filluar me po këtë emër të bekuar e të madh të Allahut, për të na vënë në dijeni se në vazhdim të sures do të përmenden mirësitë dhe dhuntitë e panumërta të Allahut ndaj njeriut. 
- Kurani është Fjalë e Allahut dhe mrekulli e përjetshme me të cilën e përforcoi të Dërguarin e Tij të fundit-Muhamedin a.s.. 
- Allahu krijoi njeriun në formën më të bukur, e pajisi me të gjitha shqisat, e dalloi prej krijesave të tjera me mendje dhe logjikë, si dhe ia mësoi të folurit e të shprehurit. 
- Muslimanët duhet të jenë falënderues ndaj Allahut për këto mirësi dhe gjuhët e tyre gjithmonë duhet të jenë në përmendje të Tij. 
- Dijetari Rragib Asfehani duke analizuar katër ajetet e para të kësaj sureje thotë: 
Allahu xh.sh. i filloi ajetet me mësimin e Kuranit, për të vazhduar pastaj me krijimin e njeriut, dhe në fund me mësimin e të folurit. Sipas të kuptuarit tonë të cekët njerëzor, ndoshta do të duhej filluar së pari me krijimin e njeriut, pastaj më të mësuarit e të folurit, e tek pastaj të mësuarit të Kuranit. Por, pikërisht këtu qëndron urtësia e pakufishme hyjnore, që të mësuarit e Kuranit të përmendet para krijimit të njeriut, sepse Kurani është fjalë e Allahut, të cilës nuk mund t’i mvishet e pavërteta as nga para e as nga prapa, ndërsa njeriu është krijuar që të ngrihet e të lartësohet me vlerat e amshueshme të Kuranit famëlartë. - vijon 


 


(1)    Hadaiku rrevhi ve rrejhan, vëll. 28 f. 266


 


Sabri Bajgora