“Dielli dhe Hëna udhëtojnë sipas një përcaktimi të saktë. Edhe yjet edhe bimët i bëjnë përulje (dëshirës së Rrahmanit). Ai e ngriti edhe qiellin dhe Ai vuri drejtësinë. Që të mos kaloni kufirin në drejtësi. Edhe ju mbani me drejtësi peshojën, e mos lëni mangu në peshojë! Ai edhe tokën e bëri të shtrirë për krijesat. Në të ka pemë të llojllojta, ka edhe hurma me shporta të mbështjella. Edhe drithi me kashtën e tij edhe bimët aromatike (ose ushqyese). E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni (ju o njerëz dhe ju o xhinë)? (Er-Rrahman, 5-13)
Koment:
5. Dielli dhe Hëna udhëtojnë sipas një përcaktimi të saktë.
Dielli dhe Hëna, janë cekur si mirësia e radhës nga i Gjithëmëshirshmi, për njeriun. Dobitë që ka njeriu prej këtyre dy trupave qiellorë janë të panumërta, dhe që të gjithë këta trupa planetarë, Allahu i ka nënshtruar që të jenë në shërbim njeriut, të krijesës që e zgjodhi për t’ia besuar mëkëmbësinë në Tokë.
Me dritën e Diellit vjen dita, ku çdo gjë gjallërohet, bimët, pemët, njerëzit dhe çdo gjallesë tjetër, sepse drita e tij i mbush me energji për jetë. Ndërsa me Hënën vjen nata me errësirën e saj dhe i Madhërishmi e ka bërë natën kohë për gjumë, që njeriu të pushojë nga lodhjet e ditës, në kërkim të rrizkut. Dielli dhe Hëna, janë dy prej shenjave të mëdha të Allahut në nënqiellin tonë. Në bazë të lëvizjeve të tyre ne numërojmë kohën, ditët dhe vitet.
Dielli si qendër e sistemit tonë diellor, është ylli rreth të cilit sillen e lëvizin planetët e këtij sistemi. Po ashtu edhe Hëna ka rëndësi të veçantë për jetën në Tokë, sepse nën ndikimin e saj kemi procesin e baticës dhe zbaticës në dete. Në anën tjetër, pozicionet dhe fazat e Hënës shërbejnë në kalendarin mysliman edhe për caktimin e festave dhe disa nga adhurimet në islam, siç është fillimi dhe përfundimi i agjërimit, koha e Haxhit etj..
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “Ai e bëri diellin shndritës, e hënën dritë dhe asaj (hënës) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë.” – (Junus, 5)
Po t’i hedhim një vështrim më të thellë yjësive të panumërta të Allahut, galaktivave, planetëve dhe trupave të tjerë qiellorë, sigurisht se do të mbetemi të mahnitur nga lëvizjet e tyre të përcaktuara paraprakisht nga I Urti dhe Fuqiploti.
I Lartmadhërishmi në Kur’an, në shumë vende ka përmendur Diellin dhe Hënën se si ato lëvizin e notojnë në Galaktikë me lejen dhe vullnetin e Allahut. I Plotfuqishmi thotë: “Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i ngadhënjyesit, të dijshmit. Edhe Hënës i kemi caktuar fazat (pozicionet)derisa të kthehet në trajtën e harkut (rrem i hurmës së tharë). As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata paraditën po secili noton në një galaktikë.” - (Jasin, 38-40).
6. Edhe yjet edhe bimët i bëjnë përulje(dëshirës së Rrahmanit)
Kjo gjithësi e tëra i përulet me nënshtrim Krijuesit të saj: “Vetëm Allahut i bën sexhde çdo gjallesë që është në qiej e që është në tokë” – (En Nahl, 19).
Sexhdja nënkupton nënshtrimin, përuljen dhe adhurimin dhe ka dy kuptime: 1) Sexhde adhurimi me dëshirë, në bazë të zgjedhjes dhe vullnetit të lirë, në të cilin grup hyjnë njerëzit dhe exhinët, përse Allahu thotë: “Pra, bini në sexhde për Allahun dhe adhurojeni!”,dhe 2) Sexhde e detyrueshme, në të cilën hyjnë engjëjt, gjallesat e tjera dhe planetët e galaktikat e shumta në këtë Univers: “Gjithçka që ka në qiej e në tokë i bën sexhde vetëm Allahut me dëshirë ose me dhunë, (i bëjnë sexhde) edhe hijet e tyre në mëngjes e mbrëmje.” – (Er-Rra’d, 15)
Po të hyjmë në analizë më të thellë, do të shohim se sexhdeja përulëse ndaj Allahut e yjeve dhe bimëve (pemëve) nënkupton nënshtrueshmërinë e plotë në kuptim të kryerjes së misionit të tyre për çka edhe i ka krijuar Allahu xh.sh.. Lëvizja e yjeve dhe planetëve nënkupton zbatimin e urdhrit të Allahut që kur i ka krijuar, ashtu sikur edhe bimësia që japin frutat e tyre duke qenë në shërbim të njeriut me urdhër të Fuqiplotit, e kryejnë në këtë mënyrë sexhden e tyre nënshtruese.
Madhështia e këtij ajeti, na jep shenjë për nderimin që i është bërë qenies njerëzore se çdo gjë në këtë ekzistencë, përfshirë diellin, hënën, yjet dhe bimët janë në shërbim të njeriut, meqë ai është bartës i Fjalës së Njëshmërisë deri në Ditën e Gjykimit. Allahu xh.sh. thotë:“Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhrin e Tij. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon.” –(En-Nahl, 12), dhe: “A nuk e dini ju se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj ç’ka në qiej e ç’ka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta” – (Llukman, 20)
Rreth fjalës “En-Nexhm”, shumica e mufessirëve janë të mendimit se kjo fjalë nënkupton bimët që nuk kanë trup (kërcyell) si gruri, elbi e të ngjashme me to dhe jo yjet e qiellit, ndërsa me fjalën “Esh Shexheru”nënkuptohen pemët që kanë trupa (trungje). (Allahu e di më së miri).
7. Ai e ngriti edhe qiellin dhe vuri drejtësinë.
Qielli është hapësira mbi ne dhe përfshin çdo gjë që është mbi sipërfaqen e tokës.
Fjala “sema’ë”-“qiell”, në Kur’an ka ardhur me disa kuptime. Ndër to me kuptim të reve si në ajetin 48 të sures “El-Furkan”:“dhe Ne lëshuam prej qiellit (reve)ujë të pastër (shi).”.Pastaj ka ardhur edhe në kuptim të shiut në ajetin 11 të sures “Nuh” “Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk”, ndërkohë që në ajetet tjera të Kur’anit ka ardhur me kuptimin e saj të vërtetë për qiellin që simbolizon kupën qiellore mbi ne, së bashku me të gjitha galaktikat dhe sistemet diellore që ekzistojnë në këtë vasionë të mrekullueshme.
Allahu xh.sh. e ka zbukuruar këtë qiell me planetët dhe yjet që i ngjasojnë kandilave ndriçues: “Vërtetë, Ne kemi stolisur qiellin më të afërt (të Dunjasë) me bukurinë e yjeve.” (Es-Saffat, 6)
Në këtë hapësirë qiellore nuk mund të gjesh ndonjë zbrazëtirë, por çdo gjë është e përsosur, sepse është krijim i të Gjithëfuqishmit. Nga ky qiell, për hir të njeriut, nxen dielli, bie shiu, bora etj, dhe që të gjitha këto i janë nënshtruar atij që të jenë në dispozicion të jetesës së tij në këtë tokë. “… dhe vuri drejtësinë” Allahu xh.sh. veten e ka cilësuar si të Drejtë - “El-Adl”dhe vetëm Ai është në gjendje që të vërë drejtësinë dhe baraspeshën e çdo gjëje në këtë Univers. Fjala “drejtësi” në këtë ajet nënkupton pikërisht drejtësinë dhe baraspeshën, në kuptimin e vendosjes së rregullave e ligjeve të përpikta. Në bazë të kësaj drejtësie, rrjedh edhe jeta e njeriut mbi sipërfaqen e tokës.
Meqë Islami erdhi si Shpallja dhe mesazhi i fundit gjithëpërfshirës hyjnor në Tokë, është e natyrshme që tipari dhe karakteristika e tij kryesor të ishte Drejtësia.
Drejtësia, që është simbol i Islamit, nënkupton një baraspeshim në punët e vlefshme e të mira, duke vendosur çdo vlerë në vendin e saj meritor, me se dëshmohet se drejtësia është barometri i përgjithshëm dhe përfundimtar.
Mbase madhështia e drejtësisë dhe implikimi i saj në rrjetin e kësaj ekzistence, mbështeten edhe në këtë ajet kuranor: “Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë...” - (Ali Imran, 18)
Drejtësia në Islam nuk nënkupton vetëm drejtësinë ekonomike, drejtësinë e gjykimit ose drejtësinë në ndëshkime, ajo i përfshin që të tria këto segmente dhe përgjithësisht kjo drejtësi është metodë e jetës, program dhe tipar kryesor i Islamit. Dhe nga cilido kënd të vështrosh Islamin, do të shohësh se drejtësia dhe barazia mbizotërojnë ndaj tipareve të tjera. Në të ka drejtësi dhe mirëkuptim në mes të shpalljeve të mëparshme, baraspeshë në mes të individit dhe shoqërisë, baraspeshë në mes të dynjasë dhe fesë, barazi në mes të burrave e grave, barazi dhe drejtësi në mes të varfërve dhe të pasurve, barazi në mes të sunduesve dhe të nënshtruarve, madje mund të thuhet se mbi parimet e kësaj drejtësie janë ngritur qiejt dhe toka, sepse edhe planetët e yjësitë e panumërta lëvizin në këtë gjithësi në bazë të kësaj urtësie hyjnore, e cila ka vënë baraspeshën në çdo segment të saj.
8. Që të mos kaloni kufirin në drejtësi.
Rreth fjalës “drejtësi” në këtë ajet (8), mufessirët nuk janë të gjithë në ujdi nëse nënkupton drejtësinë, ashtu siç e synonte këtë kuptim ajeti paraprak, apo bëhet fjalë për peshojën, me të cilën njerëzit peshojnë gjërat gjatë shitblerjes. Sidoqoftë mendimi më i drejtë nga i cili kanë anuar shumica e dijetarëve, është se edhe në këtë ajet fjala “mizan”nënkupton“drejtësinë” e vërtetë që duhet ta stolisë karakterin e një muslimani, sepse i Lartmadhërishmi na porositë që në çdo gjë të kësaj bote të mbajmë drejtësi, dhe jetën tonë ta orientojmë me konceptet e kësaj drejtësie hyjnore. Përndryshe, pa drejtësi, jeta jonë humb kuptimin e saj fisnik, sepse në vend të drejtësisë do të zërë vend pasiguria, çrregullimi dhe çdo gjë e shëmtuar. Kur në një shoqëri humbin vlerat njerëzore, atëherë ajo shoqëri është e gjykuar në dështim të plotë, herët a vonë.
Si përforcim i këtij konstatimi vjen edhe ajeti 17 i sures Esh-Shura: “Allahu është Ai që e zbriti librin e vërtetë dhe drejtësinë.”, si dhe ajeti 25 i sures El-Hadid ajeti 25: “Ne i dërguam të dërguarit Tanë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës.”
Madje kuptimi i këtij ajeti të fundit, përputhet plotësisht me atë që kanë shpjeguar dijetarët, sepse Allahu xh.sh. i ka dërguar të Dërguarit e Vet me libra të shenjtë, në të cilët libra përfshihen të gjitha Ligjet për udhëzimin e njerëzve dhe lumturinë e tyre në të dy botët, dhe krahas Librave ka zbritur edhe drejtësinë me anë të së cilës veprojmë gjatë jetës sonë.
Shihet qartë se në këtë ajet nuk kemi të bëjmë me peshojat e njerëzve, por me drejtësinë absolute hyjnore, e cila ndalon nga e shëmtuara, tejkalimi, mizoria dhe mëkatimi. Kjo është drejtësia që thërret në mirëqenie, tolerancë, baraspeshim dhe mirësjellje në veprime e gjykime. Madje Imam Gazaliu është shumë i prerë kur lidhur me këtë ajet thotë:“A ua merr mendja se “Mizani-Peshorja”e përmendur në këtë ajet është peshorja me anë të së cilës njerëzit peshojnë grurin, elbin, arin dhe argjendin? A mos keni iluzione se këtu bëhet fjalë për boçat e kandarit (peshojës.?! Sa larg realitetit është ky konstatim dhe sa e shëmtuar mund të jetë kjo shpifje. Kij frikë Allahun dhe mos u thello në sqarime (komentime) të tilla dhe dije sigurt se kjo peshore-mizan” është “peshorja e njohjes së drejtësisë së Allahut, e njohjes së botës engjëllore, e Librave e të Dërguarve dhe e Pushtetit absolut të Allahut, që të na bëhet e kuptueshme mënyra e drejtësisë hyjnore…”(1)
9. Edhe ju mbani me drejtësi peshojën, e mos lëni mangu në peshojë!
Drejtësia absolute që mbretëron në çdo proces të kësaj gjithësie është dritë udhëzimi për të gjitha krijesat, në veçanti për njeriun. Nga kjo dritë ndriçohen edhe mendjet e njerëzve që të punojnë sipas kësaj drejtësie. Andaj çdo vepër e jona duhet të jetë në përputhje dhe konform saj.
Allahu xh.sh. i do robërit e vet të drejtë, gjë të cilën e ka potencuar në shumë ajete kuranore si: “Vërtetë Allahu i do të drejtit” – (El-Maide, 42)
Nisur nga këto premise fisnike, drejtësia që mbulon zemrat dhe shpirtrat tanë, është pikësynim i çdo aktiviteti tonë e në këtë rast edhe drejtësia në raportet ndërnjerëzore. Një segment i kësaj drejtësie pasqyrohet edhe me rastin e shitblerjes gjatë përditshmërisë sonë, ku njerëzit duhet të kenë shumë kujdes se si masin e peshojnë, që të mos i hyjnë në hak tjetrit, sepse një gjë e tillë paraqet shkelje drastike të së drejtës së konsumatorit, dhe një veprim i tillë prapatërheq ndëshkimin e të madhit Zot.
Në lidhje me këtë ka zbritur madje edhe një kaptinë e tërë kuranore “El-Mutaffifin”, ku na tërhiqet vërejtja që të jemi të kujdesshëm gjatë matjes dhe peshimit. Pastaj Allahu xh.sh. edhe në suren “El-En’am”ajeti 152, thotë: “…zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën.”
Ndërkohë që në një hadith, i Dërguari a.s. ka thënë: “Të drejtit në Ditën e Gjykimit do të jenë të ulur në mindere (kolltukë) të dritës (nurit) në të djathtë të Rrahmanit (Mëshiruesit)”
Edhe rreth kuptimit të ajetit të 9-të, dijetarët nuk janë në ujdi nëse bëhet fjalë për peshojën e njerëzve apo për drejtësinë e Allahut.
Zemahsheriu dhe ata të cilët komentimit i qasen në mënyrë sipërfaqësore, anojnë nga mendimi se këtu bëhet fjalë për peshojat e njerëzve që të kenë kujdes të mos tejkalojnë kufijtë e lejuar të tregtisë, ndërsa dijetarët e tjerë anojnë nga mendimi se edhe këtu bëhet fjalë për peshojat e drejtësisë hyjnore nesër në Ditën e Gjykimit, me të cilën do të maten e peshohen veprat e njerëzve, qofshin të mira apo të këqija, në të cilat peshoja askujt nuk i bëhet e padrejtë as sa grimca më e vogël e atomit. Në lidhje me këtë kuptim vjen edhe ajeti 47 i sures “El-Enbija’ë”: “Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit, Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.” Allahu e di më së miri!
10. Ai edhe tokën e bëri të shtrirë për krijesat.
11. Në të ka pemë të llojllojta, ka edhe hurma me shporta të mbështjella.
12. Edhe drithi me kashtën e tij edhe bimët aromatike (ose ushqyese).
Pas përmendjes së qiellit në ajetet paraprake, tash në vazhdim të ajeteve, shohim mirësitë e tjera që Allahu xh.sh. i ka përgatitur për njeriun, në Tokë. Fjala “El-Enam” sipas shumicës së komentatorëve nënkupton njeriun, ndonëse disa të tjerë nën këtë emërtim përfshijnë edhe exhinët e krijesat e tjera. Sidoqoftë, konteksti i ajetit, nënkupton në radhë të parë njeriun, sepse bëhet fjalë për të mirat e Allahut ndaj tij në këtë botë.
Ambienti që e rrethon njeriun në Tokë, është një ambient i përshtatshëm për jetesë, në të cilën ka pemë të llojllojshme dhe bimë të ndryshme. Janë përmendur edhe hurmat, si një prej ushqimeve kryesore të banorëve ku u shfaq Shpallja hyjnore, ndërkohë që në vazhdim janë cekur edhe drithërat, të cilat shërbejnë si ushqim për njeriun etj.
Të gjitha këto të mira që Allahu i krijoi për njeriun, janë nga mëshira e Allahut për ne dhe të gjitha këto mirësi që u përmenden, dëftojnë për pozitën e lartë të njeriut në konstelacion me krijesat e tjera në këtë gjithësi. Allahu xh.sh. thotë: “Njeriu le të shikoje ushqimin e vet. Ne lëshuam shi të mjaftueshëm. Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës, dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra, Edhe rrush e perime, Edhe ullinj e hurma, Edhe kopshte të dendura, Dhe pemë e kullosa. Si mjete gjallërimi për ju dhe për bagëtinë tuaj.” – (Abese, 24-32)
Njeriu në këtë tokë, e kalon jetën në harmoni të përkryer me ligjet e ekzistencës. Jeta e tij mbi sipërfaqen e Tokës është plot gjallëri e aktivitet. Ai i shfrytëzon të gjitha nimetet që Allahu ia ka lënë në dispozicion. Toka është shtëpia Jonë në të cilën jemi mëkëmbës me urdhrin, Vullnetin dhe dëshirën e Fuqiplotit. Çdo cep i tokës është në shërbim të njeriut. Për këtë arsye I Madhërishmi shpeshherë në Kuran e përmend faktin se çdo gjë në këtë tokë ia ka nënshtruar njeriut, e ky është plotësim i Vullnetit të Tij. Ai ia zgjodhi njerëzimit këtë fe të pastër, në këtë tokë të pastër, në të cilën Ymetit të Muhamedit a.s. ia bëri një nder të veçantë, kur dheun e saj e bëri të pastër, kurse vetë tokën, vend për sexhde dhe adhurim. Pikërisht ky është ai nderimi i madh që na është bërë neve, bartësve të flamurit të Njëshmërisë që pothuajse çdo pëllëmbë të kësaj toke, mund ta shfrytëzojmë për t’i rënë në sexhde Allahut të Madhërishëm, ashtu siç na ka dëftuar edhe Pejgamberi a.s.: “Toka më është bërë xhami, kurse dheu i saj pastërti”.
13. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni (ju o njerëz dhe ju o xhinë)?
Ajeti i 13-të i kësaj sureje, përmbyll ciklin e parë të përmendjes së dhuntive dhe mirësive të Allahut ndaj njeriut, ndërkohë që në vazhdim të sures po ky ajet do të na përsëritet edhe 30 herë.
Përmendja e këtij ajeti 31 herë në këtë sure ka një urtësi të madhe, e këtë do ta shohim edhe në vazhdim të sures, ku tash ripërsëritja e tij do të na vjen pas cekjes së çdo të dytës mirësi.
Sipas shumicës së dijetarëve, ajeti në fjalë u është drejtuar jo vetëm njerëzve po edhe exhinëve, meqë edhe ky lloj i krijesave janë të ngarkuar me obligime ndaj Allahut njësoj sikurse njerëzit. Këtë konstatim e vërtetojnë edhe disa ajete të kësaj sureje, si fjala vjen: ajeti 31: “Ne do të merremi me (llogarinë për) ju, o ju dy të rëndësishmit (njerëz dhe xhinë).”; pastaj ajeti 33: “O turmë e xhinëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra, po nuk mundeni vetëm me ndonjë fuqi të fortë.”; dhe ajeti 35: “Juve dy grumbujve (njerëzve dhe xhinëve) u derdhet përmbi flakë zjarri dhe do t’u derdhet rem i shkrirë e nuk do të keni mundësi të mbroheni.”
Në lidhje me faktin se thirrja u është drejtuar njerëzve dhe exhinëve, kemi edhe transmetimin nga Xhabiri r.a. të ketë thënë: I Dërguari i Allahut një ditë doli para ashabëve dhe ua lexoi suren “Er-Rrahman” në tërësi, prej fillimit e deri në fund, ndërsa ashabët kishin heshtur të gjithë. Ai u kishte thënë: “Ua kam lexuar exhinëve këtë sure në “Natën e exhinëve” e ata kanë reaguar më mirë se ju. Sa herë që vija tek fjalët e Allahut: “Fe bi ejji alai rabbikuma tukedh-dhiban- E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni (ju o njerëz dhe ju o xhinë)?” ata thoshin: “Nuk e mohojmë asgjë prej mirësive të Allahut. Vetëm Atij I takon falënderimi”.(2)
Duke analizuar urtësinë e përsëritjes së shumtë të këtij ajeti, përgjatë kësaj sureje, hasim në një komentim interesant ku ndër të tjera thuhet: Ajeti në fjalë: “Fe bi ejji alai rabbikuma tukedh dhiban- E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni (ju o njerëz dhe ju o xhinë)?”është përsëritur 8 herë, pas ajeteve që flasin rreth urtësive dhe madhështisë së Allahut në krijesa, fillimit të krijimit, mësimit të Kuranit etj. Pastaj është përsëritur 7 herë të tjera pas ajetit që flet rreth Zjarrit të Xhehenemit, duke simbolizuar kështu 7 dyert e Xhehenemit. Pastaj është përsëritur edhe 8 herë të tjera pas përmendjes së banorëve të Xhenetit, duke simbolizuar 8 dyert e Xhenetit dhe në fund është përsëritur edhe 8 herë të tjera pas përmendjes së dy xheneteve që gjenden nën këto dy xhenete. Prandaj ai që i beson me bindje tetë (8) përsëritjet e para, Allahu do t’ia dhurojë mirësitë e dy tetësheve të tjera të përsëritura, dhe do ta mbrojë nga ndëshkimi i zjarrit për hir të përsëritjes shtatë herë të këtij ajeti, pas ajeteve që flasin rreth ndëshkimit në Xhehenem.(3)
Urtësia e këtyre ajeteve (5-13)
- Dielli dhe Hëna janë dy shenja të mëdha të Allahut në Tokë, në bazë të lëvizjes së të cilëve, njerëzimi përllogarit kohën dhe njehson vitet.. Lëvizjet e tyre janë të paracaktuara dhe ato lëvizin e notojnë nëpër orbitat e tyre të njohura. Dielli dhe Hëna kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetesën e njerëzve në Tokë. Pa këta trupa qiellorë, nuk mund të paramendohet jeta e njeriut mbi sipërfaqen e Tokës.
- Çdo gjë në këtë ekzistencë i përulet dhe i bën sexhde Allahut të Madhërishëm. Edhe yjet edhe bimët respektojnë këtë Urdhër dhe Vullnet hyjnor. Sexhdeja e tyre ndaj Mëshiruesit (Rrahmanit) nënkupton kryerjen e misionit të tyre, të caktuar nga i Lartmadhërishmi.
- Hapësira e pakufishme e qiellit mbi ne, është krijim madhështor i Krijuesit Fuqiplotë. Yjet që u shëmbëllejnë kandilave ndriçues, shërbejnë për orientimin e njeriut gjatë natës dhe rrugëtimit të tij në tokë dhe në dete.
- Meqë një prej emrave të bukur të Allahut është “El-Adl-I Drejti”, kjo nënkupton se drejtësia është një prej shtyllave kryesore të qëndrueshmërisë së jetës njerëzore mbi sipërfaqen e tokës. Kjo drejtësi hyjnore ka mbushur tokën dhe qiellin dhe në bazë të kësaj drejtësie, njeriu i përmbahet Ligjeve hyjnore të zbritura nga i Madhërishmi. - Allahu xh.sh. për hir të njeriut të cilin e nderoi me mëkëmbësinë në tokë, ia nënshtroi çdo gjë në këtë tokë, duke i dhuruar ushqime të llojllojshme nga bimët, drithërat dhe pemët.
- Pas të gjithë këtyre mirësive të panumërta ndaj njeriut, Allahu xh.sh. u drejtohet atyre njerëzve që mohojnë Zotin, duke përfshirë në këtë rast edhe llojin tjetër të krijesave me intelekt– exhinët, se cilën mirësi të Zotit Tuaj po e mohoni. Ky ajet që është përsëritur 31 herë në këtë sure, është argument i mjaftueshëm që mendjet njerëzore të kthjellen e të mos bien pre e intrigave të shejtanit të mallkuar, i cili mision të vetëm në këtë botë ka lajthitjen e njerëzve nga rruga e besimit të drejtë në Zotin xh.sh. Të përmendurit e fjalës “Rabb” në këtë ajet, tregon se Allahu xh.sh. është Edukuesi ynë mëshirëplotë, i Cili na mëson e edukon në rrugën e drejtë të cilën duhen ndjekur nëse dëshirojmë shpëtimin e botës së amshueshme.
___________________
1. Dr. Shevki Dajf “Suretu-rr-Rrahman ve suver kisar”, Shtëpia botuese “Darul mearif”, botimi 3, f. 57, Kajro 1995. (
2. E transmetojnë Tirmidhiu (3213); Hakimi (2/473) i cili këtë hadith e vlerëson si “sahih” në “Mustedrekun”e tij, sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, ndonëse këta nuk e kanë transmetuar; Bejhekiu në “Ed-Delail en-Nubuvveti” (2/232)
3. Hadaiku Rrevh… vëll. 28, f. 276
Sabri Bajgora