Historiku, arkitektura, piktura dhe plastika
Veprat e artit, të realizuara gjatë sundimit të Perandorisë së osmanlinjve, të ngelura në Kosovë, natyrisht nuk mund të krahasohen me krijimet monumentale të pjesëve të tjera ku ishte përhapur arti i Islamit, por janë me rëndësi të veçantë për territorin në fjalë. Këto ndërtime arkitektonike sakrale, përveç të tjerash, dokumentojnë përhapjen dhe ekzistimin e vlerave të artit në këtë pjesë të Ballkanit, pra të Evropës. Në Kosovë kemi një numër të konsiderueshëm xhamish klasike monumentale, të realizuara në shek. XV, XVI, XVII dhe më vonë. Nga këto objekte fetare është edhe Xhamia e Hadumit në Gjakovë, e ndërtuar në dekadën e fundit të shekullit XVI.(1)
Gjakova si qytet i Kosovës, kishte pozitë të përshtatshme gjeografike si dhe kushte të favorshme për zhvillimin e saj gjatë periudhave të kaluara historike. Qyteti i Gjakovës i takon pjesës jugperëndimore të fushëgropës së Rrafshit të Dukagjinit. Është i vendosur në kryqëzimin e rrugës së rëndësishme transversale Via de Zenta, ose të Zetës (Shkodër-Kosovë) me atë longitudale të Rrafshit të Dukagjinit. Gjakova shtrihet në bregun e majtë të lumit Erenik, duke përfshirë edhe dy anët e përroit Krena dhe në lindje të pllajës së Çabratit. Pra, ky qytet ka pozitë të përshtatshme gjeografike dhe gjendet në rrugën e Rrafshit të Dukagjinit, në drejtimin Pejë-Prizren. Kemi indikacione si dhe dëshmi të kulturës materiale, se në vendbanimin e qytetit të Gjakovës është jetuar edhe gjatë periudhës antike. Kjo dëshmo het nga të gjeturat e objekteve të lëvizshme, fatkeqësisht tejet të varfra, por dokumentuese për ekzistimin e objekteve të kulturës materiale në këtë lokacion. Qyteti ekzistues i takon periudhës osmane. Në fakt, në bazë të të dhënave historike, Gjakova njihet qysh nga dekada e pestë e shekullit XIV, më saktësisht nga viti 1348, kur i takonte nahijes së Alltun-ihlisë, me qendër në Junik. Ndërkaq, sipas burimeve të kulturës materiale, ndërtimeve arkitekturale monumentale, ajo njihet nga dekada e fundit të shek. XVI.
Tregu lokal si specifikë shqiptare
Në bazë të defterit të vitit 1571, Gjakova ishte ende fshat, ishte qendër pazari. Me një status të këtillë, ajo jetoi deri më 1582. Dhjetë vjet më vonë, prej 68 familjesh shqiptare, sa kishte atëherë Gjakova, 13 ishin të islamizuara e të tjerat të krishtera. Gjakova si fshat i reduktuar me qendër të vogël, kryente funksionin e tregut lokal. Ky treg lokal ish te një specifikë për Gjakovën si dhe qytetet shqiptare gjatë shekullit XV, deri në fillim të atij XVI. Është me interes të ceket se specifika e zënë ngojë, nuk ishte karakteristike për qytetet e Perandorisë Turko-osmane.
Në atë periudhë, në mbarim të shekullit XVI, konkretisht në vitin 1594/95, Hadum Sylejman Efendia-Hadum Aga ndërtoi xhaminë, e cila po ashtu edhe mban emrin e donatorit-financuesit të objektit në Gjakovë. Xhamia, sipas traditës, u ndërtua në fushën e Jakë Vulës, prej nga edhe do të bëhej emërtimi i qytetit - Jakovë.
Xhamia e Hadumit
Tregu, xhamia dhe çarshia Tregu lokal, Xhamia e Hadumit në shekujt e mëvonshëm (XVII, XVIII, XIX e XX) luajtën rol të rëndësishëm në karakterin urbanistik të qytetit, Çarshisë së Madhe të Gjakovës, me se lidhet ndërtimi i këtij kompleksi urbano-arkitektonik. Pra, koha e ndërtimit të kompleksit në fjalë, lidhet me para qitjen e zejtarëve dhe të përpunimit të prodhimtarisë së zejtarëve, që zunë të vendoseshin rreth mureve të Xhamisë së Hadumit. Me këto lidhet edhe rritja e banorëve të Gjakovës, e cila numerikisht fillon të shtohet qysh nga shekulli XVII. Gjakova prej një fshati në gjysmën e dytë të shek. XVII, - u zhvillua në qytet, ku lulëzonte zejtaria, tregtia, ekonomia. Kjo qe pasojë e migrimit të popullsisë së ardhur nga fshati. Këta të ardhur kishin për qëllim të largoheshin nga fshati dhe t’i iknin shfrytëzimit feudal, prandaj zunë të merreshin me zejtari. Kjo gjë ishte karakteristike për tërë qytetet shqiptare të asaj kohe. Mirëpo, ekonomia, si dhe numerikisht Gjakova, filluan të binin në fund të këtij shekulli, pra XVII, meqë Gjakova pësoi një rënie të madhe, sikurse edhe qytetet e tjera të Kosovës.
Xhamia e Hadumit, vepër e rëndësishme e arkitekturës shqiptare të periudhës osmane, u sëndërtua me qëllim të përhapjes së fesë islame të pushtuesit osman, të përhapjes së islamizmit në këtë pjesë të Kosovës. Në fillim kjo ishte intensive veçanërisht në qytete, me synimin për islamizimin e qytetarëve.
Gjakova në shënimet e Evlija Çelebiut
Përveç xhamisë së Hadumit, në shekullin XVII, kur Gjakova tanimë kishte marrë fizionominë e një qyteti, në të u ndërtuan edhe objekte të tjera të kultit-sakrale si dhe profane e publike. Për këto ndërtime si dhe qytetin e Gjakovës, mjaft mirë flet e shkruan edhe udhëpërshkruesi turk Evlija Çelebi, i cili kaloi këndej pari në shekullin e cekur, konkreti sht në vitin 1663. Çelebiu, përveç të tjerash, në një mënyrë na paraqet edhe një gjendje statistikore të objekteve sakrale dhe profane të Gjakovës. Sipas tij, në këtë periudhë Gjakova kishte 2000 shtëpi, disa mesxhide dhe dy xhami monumentale, hane të mbuluara me plumb, hamamin e bukur dhe 300 dyqane.
Përshkrimi i udhëpërshkruesit turk dëshmon për një rrit je dhe zhvillim të zejtarisë, tregtisë, ekonomisë si dhe të numrit të banorëve, të cilët u morën me këtë punë. Pra, lirisht mund të nxjerrim përfundimin se Gjakova në shekullin XVII u formua si qytet me plot kuptimin e fjalës.
Arkitektura e Xhamisë së Hadumit
Xhamia e Hadumit si ndërtim arkitektural, e mbuluar me kube, u takon formave klasike të xhamive të grupit të stilit kosovar.
Xhamia e Hadumit ka bazë katërkëndëshe kënddrejtë me minare, e cila del nga muri jugperëndimor me bazë në formë kënddrejtë. Planimetria a skema kompozicionale e saj përbëhet nga këto pjesë: salla e lutjeve, hajati - që zë vend në fasadën veriperëndimore të veprës, si dhe minarja. Po ashtu duhet cekur se përreth xhamisë janë varret me nishane, të realizuara në plastikë guri, me gravurë, të mbi shkruara në osmanishten e vjetër. Në të kaluarën në këtë pjesë të xhamisë varroseshin anëtarët e familjeve të njohu ra të Gjakovës. Kjo që u tha, ishte karakteristike edhe për veprat, xhamitë e qyteteve të tjera kosovare. Në kuadër të kompleksit të xhamisë ishin edhe: hamami (tash nuk ekziston), hani i Haraqive (ende ekziston, veçse i adaptuar, i transformuar gjatë kohës), ndërtesa e bibliotekës së vjetër, objekti nga viti 1671 (biblioteka u digjet nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 dhe në tërësi u rrënohet në vitin 2000, për t’u rindërtuar në vitin 2018), si dhe mejtepi nga viti 1777, po ashtu i adaptuar.
Salla e lutjeve
Salla e lutjeve ka vëllim unik dhe është e mbuluar me kupolë. Kjo sallë ka planimetri katrore dhe në të hyhet nga dera e cila gjendet në fasadën veri-perëndimore. Dera është e mbuluar me arkitra paksa harkor. Salla, me vëllimin e saj unik, është e mbuluar me kube të konstruktuara drejtpërdrejt mbi të nëpërmjet trompeve në qoshet e mureve konstruktive. Madhësia, diametri i kubesë është 13.50m, kurse lartësia prej dyshemesë është 12.60m. Nga sa u tha, është specifike se kubeja qëndron në tetë pilastra të forta dhe në konstruksion të trompeve. Kjo mënyrë e konstruktimit paraqet të vetmen zgjedhje të këtillë ndërtimore në territorin e Kosovës. Duhet cekur se në këtë pjesë konstruktive, në tamburin e xhamisë nuk kemi hapje a dritare, pra kemi të bëjmë me një kube të verbër. Sa i përket ndriçimit, salla e lutjeve merr dritë nga gjithsej 11 dritare. Çdo faqe e kubit, për dallim nga ajo veri-perëndimore, ku ndodhet hyrja, ka nga tri dritare. Edhe në këtë pjesë, mbi portal kemi një hapje të vogël gjysmëharkore. Dritaret si elemente konstruktive-arkitektonike, janë të vendosura në dy radhë, në formë piramidale. Në radhën e parë janë të konstruktura në mënyrë simetrike nga dy dritare në çdo faqe, përkatësisht në katër pamje të mureve konstruktive. Këto dritare janë të mbuluara me arkitrarë, por kanë edhe timpanone të verbëta që mbarojnë me harqe paksa të mprehta. Ndërkaq, në radhën e dytë ka vetëm një dritare. Kjo dritare e mbuluar me hark të mprehtë, ndodhet pikërisht nën tambur, në të tri muret anësore, përveç asaj veriore. Dritaret e Xhamisë së Hadumit, ato të rendit të parë, nga jashtë janë të siguruara me parmakë të metaltë.
Mihrabi dhe mimberi
Si në çdo xhami, edhe në këtë të Hadumit, përballë hyrjes, është mihrabi. Mihrabi gjendet në mes të murit juglindor dhe përherë është i orientuar në drejtim të Mekës. Ky element është i thelluar në mur në formë nike me pjesën e sipërme gjysmëkonike. Pos mihrabit, këtu në të djathtë të tij është mimberi që shërben për predikim. Mimberi për bëhet prej: derës, shkallëve dhe balldahinit.
Pra, si shihet, mimberi ka formë tradicionale të trajtave të mimberëve dhe është i punuar në tërësi nga druri. Të tëra elementet e drurit janë të gdhendura dhe të pikturuara në atë mënyrë që i përgjigjen trajtimit tektonik të këtij elementi.
Mahfili
Tërësisht nga druri është realizuar edhe mahfili, i cili qëndron mbi shtyllat, kolonat e profilizuara të drurit. Mahfili a galeria (Fig. 5) si pjesë konstruktive-arkitektonike e funksionale, përveçse pasuron dhe thyen monotoninë e vëllimit të sallës së faljeve, veçohet edhe për dekorime plastike e pikturale. Galeria zë vend në anën veriperëndimore mbi hyrjen në sallën e lutjeve, në tërë gjerësinë e saj. Përveçqë mbështetet për murin veri-perëndimor, ajo qëndron edhe mbi kolona, shtylla të drurit. Në mahfil arrihet nëpërmjet shkallëve të minares. Si pjesët tjera të xhamisë edhe mahfili është i tërë i pikturuar, natyrisht me motive të botës bimore.
Dyshemeja e xhamisë me kohë ishte e shtruar me pllaka tullash të pjekura në formë gjashtëkëndore. Mbi dyshe menë ndodhen qilimat e shtruar.
Elementet konstruktive, trompet
Vëllimi i jashtëm kryesor me kube përbëhet nga pjesa kubike dhe kubeja. Vëllimi kryesor nga ana e jashtme është i mbështjellë, i konstruktuar nga gurë të latuar. Gurët janë marrë në afërsi të Gjakovës, matanë Erenikut, në mes Devës dhe fshatit Guskë. Ndërkaq faqet e brendshme të mureve janë me tulla dhe të suvatuara. Për të realizuar, konstruktuar kubenë e xhamisë, nga vëllimi i kubit është kaluar në tetëkëndësh. Në rastin konkret, gjatë këtij procesi të ngushtimit, në katër qoshet, formohen trajtat e çerek topit-trompet, të cilat në të dy anët e jashtme mbarojnë në kurorë dhe janë të veshura me plumb. Pjesa konstruktive, e cila fillon nga vëllimi, përkatësisht nga tropet, e vazhdon, përfundon në kurorë, ku fillon kalota e xhamisë, paraqet ta mburin si element konstruktiv-arkitektonk. Tamburi në Xhaminë e Hadumit është i ulët dhe tetëfaqësh. Për dallim nga pjesët e tjera të objektit sakral, trompet dhe në tërësi kubeja e xhamisë është konstruktuar, ndërtuar me tulla të pjekura. Nga kurora e tamburit fillon mbulesa me plumb e kubesë së objektit në fjalë.
Hajati i xhamisë
Tremja a hajati i xhamisë së Hadumit (Fig. 6) përfshin anën veri-perëndimore dhe ka një zgjidhje tradicionale të këtyre mjediseve të veprave klasike monumentale jo vetëm për Kosovën dhe pjesë të tjera shqiptare, por edhe për Ballkanin. Mjedisi i saj shërben (në rast nevoje, kur në sallën e lutjes nuk ka vend apo arrihet me vone së) për lutje, falje të na mazit. Hajati mbulohet me tri kube të vogla. Këto kube si dhe ajo kryesorja janë të veshura me mbulesa të plumbit. Nga jashtë në hajat hyhet drejtpërdrejt. Pjesa ndërmjetëse e hajatit është në nivel të sallës së lutjeve. Nga kjo pjesë e hajatit, e cila e ndan në dy hapësira të barabarta mjedisin në fjalë, hyhet në sallën e lutjeve. Dyshemeja e hajatit (në të dy anët e ndërmjetëses) si gjithnjë është në nivel më të lartë se dyshemeja e sallës së lutjeve dhe terreni pranë Xhamisë së Hadumit. Edhe dyshe meja e hajatit me kohë ishte e shtruar me pllaka tullash (dheu të pjekur) gjashtëkëndëshe, që ishin identike me dy shemenë e enterierit, sallës së faljeve. Pra, si shihet, dyshemeja e hajatit të xhamisë paraqitet si një podium dhe kështu shërben si bazament për arkadat mbi shtylla, kolona të mjedisit në fjalë.
Arkada e hajatit
Arkada veriperëndimore, pra e ballit kryesor të xhamisë së Hadumit, përbëhet prej tri harqesh gjysmërrethore, që mbështeten në katër shtylla, kolona. Kolonat e hajatit të xhamisë nuk janë monolite, po të konstruktuara nga disa pjesë, përkatësisht nga tri pjesë të gurëve masivë. Kolonat nuk kanë bazament dhe paraqesin një gjë të rastit në arkitekturën të periudhës osmane në Kosovë. Po ashtu edhe kapitelet e shtyllave janë tejet modeste. Në bazamentin e shtyllave si dhe para kapiteleve të tyre, si pjesë dekoruese na paraqiten unazat e materialit të mesingut. Nga ana lind ore dhe perëndimore kemi vetëm nga një hark të mbështetur në kolonën e arkadës veriore dhe murit konstruktiv të pamjes kryesore të objektit sakral.
Ngjitur për hajat, deri në pranverën e vitit 1999, ekzistonte edhe parahajati, i shek. XIX, cili u dogj dhe tani nuk është më pjesë përbërëse e xhamisë.
Minarja
Si pjesë e skemës kompozicionale, si element i pandarë i xhamisë është edhe minarja, e cila si zakonisht zë vend në të djathtë të sallës së faljeve tek del nga muri jugperëndimor. Me minare komunikohet me anën e dy deriçkave, dyer të vogla. Njëra është në eksterier, kurse tjetra në enterier të objektit. Deriçka e eksterierit të minares është e vogël dhe në nivelin e dyshemesë së sallës së lutjeve, kurse deriçka tjetër e minares është e konstruktuar në nivelin e dyshemesë së mahfilit. Nga minarja nëpërmjet deriçkës, komunikohet me mahfilin dhe, anasjelltas, me minaren.
Baza e minares ka planimetri, bazament kënddrejt që vazhdon me papuçen në formë piramide të cunguar, që përfundon me një kornizë guri që del nga muri perimetral i elementit konstruktiv. Nga kjo pjesë fillon trupi i minares që ka formë shumëkëndore a poligonale. Trupi i minares nga korniza e parë shkon duke u ngushtuar deri në kornizën e dytë. Prej lartësisë së kornizës së dytë, trupi i minares, duke u ngushtuar gjithnjë lehtazi, mbaron me kornizën e tretë. Këtu trupi poligonal përfundon me kazanin a sherefen e minares. Sherefeja në lëshime anëcake nga disa rende gurësh të latuar del nga muri poligonal perimetral të trupit të minares dhe kështu merr, fiton një gjerësi sa për të lëvizur në rast nevoje, për kryerjen e ndonjë ceromonie të caktuar fetar: thirrja e ezanit për tenbih etj. Kazani ka edhe para petën e tij. Kjo pjesë, pra sherefeja, në xhaminë e Hadumit paraqet një pjesë ku prezantohen gdhendje në teknikë relievi, në plastikë të imët. Daljen në kazan e bën të mundur një deriçkë e ngushtë dhe e ulët. Konstruksioni i minares nuk mbaron me kaq, por tani mbi kazan vazhdon pjesa e sipërme, peteku i minares. Peteku mbaron me pjesën konike të quajtur qylah. Qylahu ka konstruksion druri dhe është i mbuluar e i veshur me mbulesë të plumbit. Në fund të minares, si element përfundimtar, njëherësh edhe element dekorimi; me cilësi artistike e estetike është edhe alemi i minares. Elemente të njëjta dekorimi prezantohen edhe në kubenë e sallës së faljeve të xhamisë së Hadumit në Gjakovë.
Përveç të tjerash, funksioni i minares është që nëpërmjet shkallëve të saj, të arrihet në kazan-sherefe. Shkallët janë nga gurë njëpjesësh, të vendosur, konstruktuar edhe si pjesë të pandara të mureve konstruktive të minares, që vazhdojnë njëra pas tjetrës të lidhura deri në deriçkën e sherefes. Enterieri i minares në xhaminë e Hadumit ndriço het nga një numër i vogël dritaresh. Këto dritare kanë formë frëngjish. Këto, përveç funksionit të cekur, luajnë edhe rolin e ajrosjes së minares.
Dekorimet murale-arabeskat
Në xhaminë e Hadumit, në veprën monumentale të mbuluar me kube si dhe në disa vepra të tjera të karakterit dhe tipit të cekur në Kosovë, të ndërtuara në shek. XV, XVI e XVII, prezantohen edhe piktura, dekorime murale të cilat me ekzistencën dhe pamjet e tyre zbukuronin muret e objekteve sakrale islamo-shqiptare. Këso dekorimesh ka edhe në hapësirat, sipërfaqet e mureve të xhamisë së Hadumit në Gjakovë.
Enterieri, pamja kryesore e xhamisë, kubetë e hajatit, ja në të dekoruara me piktura murale të punuara në teknikën seko. Motive kryesore janë peizazhet e stilizuara (në disa raste edhe me motive të arkitekturës popullore, kullave të Rrafshit të Dukagjinit) me selvi, natyra të qeta, yje bosh, motive arkitektonike të objekteve të kultit-xhamive, ornamente të botës bimore, figura gjeometrike dhe citate të Kuranit. Edhe pse dekorimet përsëriten, ato nuk janë monotone, veçse me praninë dhe pamjet e tyre i shtojnë vlerën objektit. Këto motive të prezantuara me përmbajtje të dekorimit të tyre në artin e Islamit, njihen si piktura murale a arabeska.
Dekorimet e përmendura, paraqiten në kubenë kryesore si dhe ato në hajatin e objektit, në kurorë, nike, harqe dhe trompe. Njëherësh duhet cekur se edhe mihrabi, mimberi, mahfili, pjesët e mureve të sallës së lutjeve, përreth dritare ve në veçanti, janë të dekoruara me piktura murale. Ngjyra dominuese në këto dekorime janë: e kuqja, e kaltra, e gjelbra, okeri, e përhimja, e zeza e cila përdoret vetëm në citatet e Kuranit, si dhe në Emrin i Allahut, Muhamedit si dhe pasardhësve të tij. Dekorimet e cekura i takojnë stilit të barok islamo-shqiptar, të realizuara në shek.XIX.
Në xhaminë e Hadumit ka tri shtresa pikturale. Ekzistimi i shtresave në dekorimet pikturale është konstatuar gjatë punimeve konservuese-restauruese në vitit 1981. Me atë rast, në bazë të sondimeve të bëra në kubenë e mesme të hajatit, u vërejtën tri shtresa të pikturimit. Ndërkaq, në kube të anësore kemi nga dy shtresa dekorimi. Motivet në shtresat e gjetura janë nga bota bimore dhe figura gjeometrike, ku dominon ngjyra e kuqe, e qeramidhes dhe e zeza. Motivet si dhe ngjyrat e cekura janë karakteristike edhe për dekorimet e shtresës së dytë. Dy shtresat e para duhet t’i takojnë shek. XVII-XVIII. Shtresa e tretë dekoruese, kjo ekzistuesja, është realizuar në vitin 1260 (sipas hixhrit), përkatësisht në vitin 1842. Këtë të dhënë e dokumenton mbishkrimi dhe data e shënuar në timpanonin e portalit kryesor.
Plastika gurore
Si veprat e tjera monumentale të mbuluara me kube të trashëgimisë kosovare, as xhamia e Hadumit nuk është e pasur me plastikë gurore. Plastika gurore në këtë vepër sakrale të ndërtimtarisë islamo-shqiptare, prezantohet kryesisht në anëcakun e parapetës së sherefesë së minares. Këto dekorime janë të realizuara në teknikën e plastikës së imët. Edhe shtyllat e hajatit nuk kanë dekorime plastike, por paksa veçohen për kapitelin në formë katrore, ku prezantohen lule të stilizuara, të realizuara në teknikën e plastikës së imët. Këto dekorime përsëriten në katër shtylla të hajatit. Nga profilizime cilësohen edhe dritaret, portali kryesor, kurorat e sallës së lutjeve, të hajatit si dhe vetë parapeta e minares së xhamisë. Pra, në përgjithësi, sipërfaqet e mureve si dhe elementet arkitektonike-konstruktive janë të pastra dhe modeste, një karakteristikë për arkitekturën e xhamisë në Gjakovë dhe më gjerë në territoret shqiptare. Po ashtu duhet të theksojmë se kubetë e xhamisë me madhësi të ndryshme dhe ato me dinamikë dhe kontrast, ndikojnë në thyerjen e monotonisë së objektit dhe xhamisë i japin pamjen estetike. Përveç të tjerash, mund të përfundojmë se Xhamia e Hadumit, me proporcionet, format dhe trajtat e saj, përmban në vete diçka të fuqishme, që ndikon dhe i jep një ngrohtësi objektit, i cili në tërësi është koordinuar dhe jeton edhe sot e gjithë ditën në ambientin e Çarshisë së Madhe të Gjakovës.
______________________
Fusnota: 1. Gjerësisht, F. Drançolli, Xhamia e Hadumit në Gjakovë, Arkivi i Kosovës, Vjetari XVIII-XIX, Prishtinë, 1984
Dr. Fejaz Drançolli