Komentimi i kaptinës “El-Mulk” (1)


Kaptina “El-Mulk” është kaptinë mekase, dhe për këtë pajtohen të gjithë dijetarët. Transmetojnë Ibn Durejsi, Nehasi, Ibn Merduvije dhe Bejhekiu nga Ibn Abasi, të ketë thënë se kjo sure kishte zbritur në Mekë. Ibn Merduvije, të njëjtin transmetim e përcjell edhe nga Ibn Zubejri.(1) Ka gjithsej 30 ajete, 335 fjalë dhe 1313 shkronja.(2) Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 67, kurse në radhitjen e zbritjes është e 76-a. Ka zbritur para sureve “El-hakah” dhe “El-Mu’minun”.(3) 
Kjo kaptinë është emërtuar “El-Mulk”, ngase në ajetin e parë të saj përmendet fjala “el-mulk”, e cila nënkupton se tërë madhështia, sundimi dhe shenjtëria, I takojnë vetëm Allahut. Çdo gjë është në Dorën e Tij: jeta, vdekja, lartësimi, poshtërimi, pasurimi, varfërimi, dhënia, marrja dhe çdo gjë që ka të bëjë me ndonjë krijesë të krijuar në këtë ekzistencë. Çdo krijesë ka nevojë për ndihmën, përkrahjen dhe mëshirën e Tij. Me këtë emër e kanë radhitur në koleksionet e tyre Tirmidhiu(4) dhe Buhariu.(5) 
Kjo kaptinë, në mesin e komentuesve njihet edhe me disa emërtime të tjera, si: “Tebareke ledhi bi jedi el-mulku” dhe “Tebarekel mulk”, sepse kështu e quante Pejgamberi a.s.6; “El-vakije”,(7) “El-Maniatu”(8) dhe “El-Munxhije”(9) - e cila shpëton nga ndëshkimi në varr duke ndërmjetësuar tek Allahu për lexuesin e saj. Dijetari bashkëkohor Abdulhamid Kishku, thotë se kjo sure njihet edhe me disa emërtime të tjera, si “Ed-Dafiatu”- sepse i shmang dhe largon belatë (sprovat) e kësaj bote dhe të Ahiretit nga lexuesi i saj, dhe “Esh-Shafiatu” - sepse ndërmjetëson në Ditën e Gjykimit për lexuesin e saj, si dhe “El Muhlisatu”, sepse kjo sure do të dalë besnikërisht dhe guximshëm përballë zebaninjve të Xhehenemit, që të mos i lejojë duart e tyre të arrijnë tek lexuesi i saj.(10) fahru Rraziu është pothuajse ndër të vetmit prej komentuesve, i cili teksa përcjell një transmetim nga Ibn Abbasi, këtë sure e quante edhe “El-Muxhadile”,(11) sepse ajo, do të f lasë e të polemizojë në varr, para melekëve Munkir dhe Nekir, në vend të lexuesit të saj. 


Vlera e kësaj kaptine


Në lidhje me vlerën e kësaj kaptine janë cekur hadithe të shumta nga i Dërguari i Allahut a.s., disa prej të cilëve do t’i cekim në këtë rast:
- Transmetohet nga Ebu hurejre r.a. e ky nga Resulullahu a.s., të ketë thënë: “vërtet është një kaptinë në Kuran që ka 30 ajete, që do të ndërmjetësojë për lexuesin e saj, derisa atij do t’i falen gabimet” dhe lexoi: (Tebareke-l-ledhi bi jedihi-l mulku)”(12); 
- Transmetohet nga Ebu hurejre r.a. të ketë thënë: Ka thënë Resulullahu a.s.,: “vërtet është një kaptinë në Kuran që ka 30 ajete, që do të ndërmjetësojë për lexuesin e saj, e cila do ta nxjerrë nga Zjarri e do ta fusë në Xhenet, e ajo është surja “El-Mulk”(13);
- Transmetohet nga Enes ibn Maliku e ky nga Resulullahu a.s.,. të ketë thënë: “Është një kaptinë në Kuran, e cila do të polemizojë në vend të lexuesit të saj derisa ta fusë në Xhenet” dhe lexoi: (Tebareke-l-ledhi bi jedihi el mulk)”(14);
- Transmeton Tirmidhiu nga Ibn Abasi, i cili në lidhje me emërtimet e kësaj sureje si “El-vakije” dhe “El Munxhije”, përcjell fjalët e të Dërguarit të Allahut të ketë thënë: “Kjo sure është mbrojtëse dhe shpëtuese (për lexuesin e saj), e cila e shpëton nga ndëshkimi në varr”(15);
- Transmeton Ibn Merduvije nga Rafi’ë ibn hadixhi dhe Ebu hurejra r.a., se ata e kishin dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s., të ketë thënë: “Më ka zbritur mua surja “Tebareke”, e cila ka 30 ajete. Ajo më ka zbritur e tëra përnjëherë, dhe është mbrojtëse (nga ndëshkimi) në varr.”(16);
- Transmetohet nga Abdullah ibn Mes’udi të ketë thënë: “Kishte vdekur një njeri dhe, kur në varr i kishin ardhur melekët e ndëshkimit, ishin ulur pranë kokës së tij, e koka kishte folur e thënë: Nuk ka mundësi ta ndëshkoni, sepse ky e ka lexuar gjithnjë suren “El Mulk”; pastaj ishin ulur pranë këmbëve të tij, e ato kishin folur e thënë: Nuk ka mundësi ta ndëshkoni, sepse ky e ka lexuar gjithnjë suren “El-Mulk”; pastaj ishin ulur pranë gjoksit (barkut) të tij, porse gjoksi kishte folur e thënë: Nuk ka mundësi ta ndëshkoni, sepse ky ka futur brenda meje (me lexim) suren “El Mulk”, - prandaj, thotë Ibn Mes’udi, kjo sure është quajtur “El-Maniatu”-penguese e ndëshkimit.”(17);
- Transmetohet nga Murre ibn Sherahili e ky nga Abdullah ibn Mes’udi, të ketë thënë: “Kur të vdesë njeriu, ndizen zjarre të shumta përreth tij. Çdo flakë përpin çfarëdo gjen përpara, nëse ky i vdekur nuk ka pasur ndonjë vepër të mirë, e cila do t’i dalë si pengesë (këtij zjarri). Një njeri që kishte vdekur, nuk kishte lexuar gjë tjetër nga Kurani përveç sures që ka 30 ajete. Melekët i qenë afruar te koka, e ajo (surja) kishte thënë: Ai më ka lexuar mua, pastaj i kishin qëndruar tek këmbët, e ajo (surja) kishte thënë: Ky me mua është ngritur (në këmbë duke më lexuar), pastaj kishin qëndruar pranë gjoksit (barkut) të tij, po ajo (surja) kishte thënë: Ky më ka futur brenda gjoksit të tij”, - dhe ai kishte shpëtuar (nga ndëshkimi)”. Ibn Sherahili vazhdon e thotë: “unë dhe mesruku shikuam në Mus’haf dhe pamë se asnjë sure tjetër nuk i kishte 30 ajete përveç sures “Tebareke-l ledhi”.(18); 
- Transmeton Abdu ibn humejdi në Musnedin e tij, pastaj Taberaniu, hakimi dhe Ibn Merduvije nga Ibn Abasi, që ai t’i ketë thënë një njeriu: “A të përgëzoj me disa fjalë që do të të gëzojnë? – Posi, - ia kishte kthyer ai. Atëherë Ibn Abasi i kishte thënë: “Lexoje (Tebareke l-ledhi bi jedihi-l mulku...) dhe atë mësoja familjes sate, të gjithë fëmijëve, shërbëtorëve dhe fqinjëve të tu. Ajo është shpëtuese dhe polemizuese, e cila do të polemizojë në vend të lexuesit të saj tek Allahu, derisa ta fusë në Xhenet. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: “Sa do të dëshiroja që kjo sure të ishte në zemrën e çdo pjesëtari të Ymetit tim.”(19);
- Transmetohet nga Xhabir ibn Abdullahu të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut nuk binte për të fjetur pa i lexuar më parë suren “Es-Sexhde” dhe atë “Tebareke-l ledhi bi jedihi-l mulku”.(20);
- Ebu Akil Zuhretu ibn Ma’bedi thotë se Ibn Shihabi në namazin (farzin) e sabahut, në rekatin e parë, lexonte suren “Tebareke-l ledhi bi jedihi-l mulku”, kurse në të dytën “Kul huvallahu ehad”, prandaj i thashë: Përse po e lexon këtë sure të gjatë së bashku me këtë sure të shkurtër?, e ai më tha: “Kul huvallahu ehad” është 1/3 e Kuranit, kurse “Tebareke-l ledhi” do ta mbrojë pronarin e saj nga ndëshkimi i varrit.”(21);
- Transmetohet nga Jahja ibn Ebi Kethiri të ketë thënë: “Tavusi (el Kejsaniu) nuk binte kurrë në gjumë pa i lexuar këto dy sure: “Es-Sexhde” dhe “Tebareke” dhe thoshte: “Çdo ajet i këtyre sureve është i barasvlershëm me 60 ajete”.(22) 


Lidhshmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “Et-Tahrim” 


Ajetet me të cilat përfundon surja paraprake “Et Tahrim”, shpërfaqin një arenë të vazhdueshme të luftës në mes së mirës dhe së keqes, në mes Imanit dhe kufrit, luftë kjo e personifikuar në dy gratë pabesimtare të dy të dërguarve të Allahut, Nuhit dhe Lutit a.s., përfundimi i të cilave ishte i keq, për se merituan përjetësinë në humnerat e Xhehenemit, si dhe rasti i gruas së guximshme e besimtare të faraonit, e cila simbolizon fuqinë e besimit që ngadhënjen me shpëtim dhe do të jetë në Xhenet në Botën e ardhshme. Ndërkohë, në këto ajete përmendet edhe Merjemja e pastër-nëna e Isait a.s., e cila, së bashku me Asijen gruan e faraonit, me hadixhen-bashkëshorten e Resulullahut a.s., dhe me Fatimenë-bijën e Pejgamberit a.s., - do të jenë prej zonjave të Xhenetit. Ndërkaq, fillimi i sures “El-Mulk”, e sidomos dy ajetet e para: “i madhëruar është ai, në dorën e të cilit është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send. Ai është Që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjyesi, mëkatfalësi.”, - sqarojnë se rezultati i vërtetë i këtij konflikti dhe i kësaj lufte në mes së mirës dhe së keqes, do të shfaqet më së miri në Ahiret, në Ditën e Gjykimit. Me një fjalë, ajo që i ndërlidh këto ajete të fundit të kësaj sureje, është se Dija dhe vullneti i Allahut janë absolute, prandaj edhe surja “El-Mulk”, e cila fillon me fjalët për madhërimin e Allahut, në Dorën e të Cilit është çdo gjë, dhe i Cili ka mundësi që në një mjedis të errët të kufrit, të bëjë që të ndriçohen zemrat me dritën dhe nurin e Imanit, tregon se çdo fshehtësi do të shfaqet nesër haptazi në Ditën e Gjykimit, qoftë ai Iman apo mosbesim i fshehur. 


Përmbajtja e kësaj kaptine 


Kaptina “El-Mulk”, sikurse edhe suret e tjera mekase, në fokus të saj ka kryesisht bazat e besimit të drejtë e të mirëfilltë, në radhë të parë vërtetimin e ekzistimit të Allahut me argumente të qarta, madhështinë e Tij dhe mbisundimin e Tij mbi çdo gjë në këtë ekzistencë, si dhe njoftime për Ringjalljen, Tubimin dhe Llogarinë. Kjo sure përpiqet të sjellë një përfytyrim të ri për ekzistencën dhe lidhjen e saj me Krijuesin e këtij Universi madhështor. Një përfytyrim shumë më të gjerë, shumëdimensional, i cili tejkalon botën tonë tokësore, tejet të kufizuar, për të na shpënë në horizonte të reja të botëve qiellore dhe të Ahiretit. Në këtë sure flitet edhe për krijesa të tjera në Tokë, përveç njeriut, siç janë exhinët dhe shpezët, për krijesat (engjëjt) e Botës së Ahiretit, të cilët janë roja (kujdestarë) të Xhehenemit, dhe përgjithësisht na shpie të njohim edhe botët e fshehta, përveç kësaj bote tonë të dukshme ekzistenciale, me të cilën jemi të lidhur shpirtërisht, fizikisht dhe emocionalisht. Gjatë shtjellimit të kësaj sureje, do të shohim se i Lartmadhërishmi, nuk është thelluar fort në dukuritë e përditshme jetësore në Tokë, po më tepër na ka nxitur që të meditojmë rreth së ardhmes, duke na ofruar shembuj të shkëlqyer nga e tashmja, që të mos hutohemi nga kënaqësitë e kësaj bote kalimtare e të humbim përgjithnjë Ahiretin. Ky meditim tundon dhe lëviz në thellësitë e shpirtrave dhe ndërgjegjeve tona, të gjitha ato përfytyrime dhe përshtypje të ngurta, të cilat mbretëronin tek popujt e kohës së injorancës, duke na hapur dritare të shumta, duke na e shkundur pluhurin dhe duke u dhënë rast ndjenjave, mendjes dhe shikimeve tona që të zhyten e të gjurmojnë në thellësitë e horizonteve të paskajshme të këtij Universi. vetëm në këtë mënyrë do të hetojmë fuqinë krijuese të Allahut të Madhërishëm. vetëm kështu do ta ndiejmë lëvizjen e gjithësisë, e cila buron nga fuqia e të Plotfuqishmit. Sigurisht se do të mbetesh i mahnitur nga këto udhëtime mendore, teksa nga një lëvizje e kufizuar në tokë, lëviz me shpejtësi në hapësirat e gjera qiellore, nga dukuritë në realitet dhe nga ngurtësia në lëvizje, bashkërisht me lëvizjen e jetës dhe të gjallërisë.
- Kaptina “El-Mulk” fillon me madhërimin e Allahut xh.sh., shpërfaqjen e madhështisë së Tij, duke I njohur ekskluzivisht vetëm Atij sundimin dhe mbizotërimin ndaj çdo gjëje në këtë ekzistencë, Atij i Cili ka krijuar vdekjen dhe jetën, tek i Cili është edhe rikthimi (ringjallja). (shih ajetet, 1-2)
- Pastaj kaptina vazhdon me shfaqjen e madhështisë së Allahut në krijimin e qiejve, yjeve, planetëve, të cilët janë të nënshtruar që të kryejnë funksionet e tyre në këtë gjithësi. Këto yje që ndriçojnë si llambadarë (shandanë) në hapësirën e qiellit, njëkohësisht simbolizojnë shigjeta të zjarrta që godasin djajtë, të cilët përpiqen të depërtojnë në sferat e larta të qiellit, për të marrë ndonjë lajm të cilin pastaj t’ua shtrembëronin njerëzve. (shih ajetet 3-5)
- Në vijim të ajeteve shohim manifestimin e fuqisë hyjnore, në ndëshkimin e pabesimtarëve në Xhehenem, dhe përgëzimin e besimtarëve me falje, mëshirë dhe Xhenet. (shih ajetet: 6-12)
- Dituria, fuqia dhe mirësitë e Allahut që manifestohen në diturinë e Tij për të fshehtat dhe të dukshmet, për krijimin e njeriut dhe furnizimin tij, përgatitjen e Tokës për jetesë, krijimin e qiejve dhe mbrojtjen e njerëzimit nga shkatërrimi me gurë nga qielli, të cilat shpeshherë kishin qenë masë ndëshkuese për tiranët dhe mohuesit e fesë, nënkuptojnë faktin se njerëzit duhet t’i mbështeten vetëm Allahut, i Cili është Krijues dhe Mbikëqyrës i tyre. (shih ajetet: 13-20)
- Kaptina përfundon me argumentimin e Ringjalljes, duke ua tërhequr vërejtjen pabesimtarëve që të mos përgënjeshtrojnë mesazhin e Muhamedit a.s., se, mbase, mund t’i godiste ndonjë dënim i dhembshëm, por të përudheshin e të mbështeteshin vetëm në Allahun xh.sh.. (shih ajetet: 21-30) 
 - Vijon -
_______________
1. Imam Shevkaniu, Fet’hul Kadir vëll.v, f. 342. 
2 .Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi’ijj - hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani, Bejrut-Liban, 2001, v.. 30, f. 5 
3. Ibn Ashur Et-Tahriru ve-t-tenviru, Tunis, 1984, v.29, f. 7; Shih edhe: Ali ibn Najf esh-Shuhud El-Muhedh-dheb fi tefsiri suret-l mulk , Rijad, 2009, f.4.
4. Suneni i Tirmidhiut, 11/67 
5. Sahihu i Buhariut 16/285. 
6. Transmeton Tirmidhiu në “El-Mukennez” (3134). hadithi është i kategorisë “hasen”.. 
7. Vehbete ez-Zuhajli Et-Tefsirul munir, Damask Bejrut 1998, v. 29 f. 5.
8. Transmeton Taberaniu nga Abdullah Ibn Mesudi të ketë thënë: “Në kohën e Resulullahut, këtë sure e quanim “El-Maniatu”- sepse e pengon zjarrin e Xhehenemit ta djegë atë që e lexon këtë sure, Shih: “El-Mu’xhemul kebir” (8/482) nr.10105. 
9. Ibn Asakiri Tarih Dimeshk, (6/46); Musnedi i Bezzarit (2/212).
10. Abdulhamid Kishku Fi Rihabi-t-Tefsir vëll. 29, f. 1. 
11. Shih Tefsirin e Fahru Rraziut Mefatihul gajb, Bejrut 1981, v. 30 f. 5 
12. Hadithi është i kategorisë “hasen”. E transmetojnë Imam Ahmedi (2/299) dhe (2/321), Nesaiu në “punët gjatë ditës dhe natës” nr. (710); Tirmidhiu (2891); Ibn Maxhe (3786); Ebu Davudi (1400); Ibn hibbani (3/67) dhe hakimi (1/565) dhe (2/497). Këtë hadith si “sahih” e ka verifikuar dhe kategorizuar edhe Dhehebiu. 
13. E transmeton hakimi në El Mustedrek (3838). hadithi është “sahih”
14. Hadithi është i kategorisë “sahih” dhe e transmetojnë Taberaniu në Mu’xhemu-s-Sagir (1/296) dhe në Mu’xhemu-l Evsat (4/76); si dhe hafidh Dijaul Makdesi në El-Muhtare (5/114). Në lidhje me këtë hadith, hafidh hejthemiu në Mexhmeu-z-zevaid (7/127) ka shënuar: “E ka transmetuar Taberaniu në Es-Sagir dhe në El-Evsat, kurse transmetuesit e tij janë njerëz të besueshëm”. Shih: El-Kitabul xhami’ë li fedailil Kuran – grup autorësh, Aman 2008, fq.247.
15. Et-Tefsirul munir vëll. 29 f. 7. 
16. Imam Sujutiu Ed-Durrul menthur fi tefsiri bil me’thur, Kajro, 2003, v. 14, f. 601. 
17. Taberaniu El-Mu’xhemul kebir (8/37) nr. 8571.- Transmetimi është i kategorisë “sahih”. 
18. Kasim ibn Selami Fedailul Kuran (416). Transmetimi është i kategorisë “sahih”. 
19. B ejhekiu Shuabil Iman (4/124) nr.2277, hadithi është i kategorisë “daif”; Shih Tefsiri e Sujutiut Ed-Durrul menthur... v.14, f.601.
20. hadithi është i kategorisë “hasen”. E transmetojnë: Imam Ahmedi (3/340); Darimiu (3411); Tirmidhiu (2892) dhe hakimi në El-Mustedrek (2/412), i cili ndër të tjera edhe thotë se ky hadith, sipas kushteve të Muslimit, e arrin madje edhe gradën e hadithit “sahih”. 
21. Bejhekiu Shuabil Iman (4/126) nr.2281, transmetimi është i kategorisë “hasen mursel”; Shih edhe Tefsirin e Ibn Kethirit, Kuvejt, 1998, v. Iv, f. 507.
22. Ibn Durejsi Fedailul Kuran (225). Transmetimi është i kategorisë “sahih mursel”.


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)