“Ne do të merremi me (llogarinë për) ju, o ju dy të rëndësishmit (njerëz dhe xhinë). E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni ju? O turmë e xhinëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra, po nuk mundeni vetëm me ndonjë fuqi të fortë (por ju nuk e keni atë). E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? Juve dy grumbujve u derdhet përmbi flakë zjarri dhe do t’u derdhet rem i shkrirë e nuk do të keni mundësi të mbroheni. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? - (Er-Rrahman, 31-36)
31. Ne do të merremi me (llogarinë për) ju, o ju dy të rëndësishmit (njerëz dhe xhinë). 32. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni ju?
Ajeti 31 i kësaj sureje, është në lidhmëri të plotë kuptimore me ajetet paraprake, sidomos me atë të 29-in: “... Ai (Allahu)në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (falë mëkate, largon brengosje, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.)”, meqë i Lartmadhërishmi për çdo moment është në përcjellje të krijesave të Tij, e në këtë sferë hyn edhe Llogaria, nëpërmjet të cilës, Ai do T’i shpërblejë apo ndëshkojë njerëzit dhe exhinët, në Ditën e Gjykimit. Ky ajet sipas asaj që përcjell Ali ibn Ebi Talha nga Ibn Abasi, ka të bëjë me kërcënim dhe tërheqje vërejtjeje nga Allahu xh.sh. ndaj njerëzve dhe exhinëve,1 që të mendojnë mirë se çfarë do të veprojnë në këtë botë, sepse Dita e Gjykimit dhe e Llogarisë do të vijë patjetër.
Fjala “Thakalan”-“Dy të rëndësishmit” nënkupton njerëzit dhe exhinët, si dy lloje të krijesave që kanë intelekt, që do të merren në Llogari nga ana e të Gjithëmëshirshmit,. Fakti se Allahu xh.sh. do të merret me llogarinë tonë, tregon qartë se krijimi ynë i parë (ardhja dhe jeta jonë në këtë botë), gjithsesi do të përfundojë, e atë do ta pasojë ringjallja apo rikrijimi, pas së cilit do të pasojë llogaritja jonë dhe pas saj shpërblimi ose ndëshkimi.
Kurani famëlartë në shumë vende ka ripërsëritur se patjetër do të ketë ringjallje, përndryshe çfarë kuptimi do të kishte liria jonë mendore që ne të zgjedhim rrugën e drejtë apo të shtrembër? Përse Allahu do të kishte zbritur librat e shenjtë, Sheriatin (ligjin) dhe përse do të kishte dërguar pejgamberë te njerëzit? Por përgjigjja e të gjitha këtyre pyetjeve gjendet në ajetet kuranore si p.sh.:
“S’ka dyshim se momenti (kiameti) do të vijë patjetër, por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë.” - (Ta Ha, 15) Gabohen rëndë ata që mendojnë se me vdekje përfundon misioni ynë jetësor, përkundrazi, vdekja shënon procesin e një fillimi të gjatë që simbolizon hapërimin tonë të parë të mirëfilltë në botën e amshimit.
Dita kur Allahu do të merret me çështjen tonë dhe të exhinëve, në Kuran është përmendur me shumë emra, prej tyre: “Jevmul Kijame”, “Jevmud-din”, “Jevmul-Ahir”, “Jevmul-Hisab”, “Jevmul Fasl”, “Jevmu-t-Tenad” etj.
Kjo ditë do të jetë ditë e vështirë për jobesimtarët, munafikët (hipokritët) dhe për ata që atë e morën me tallje e dyshim. Kjo ditë do të jetë e vështirë dhe trishtuese edhe për vetë besimtarët, por megjithatë, ata do t’i përfshijë mëshira Allahut dhe do t’i tejkalojnë këto momente me qetësi.
Njerëzit do të ngrihen nga varret e tyre sikur të ishin karkaleca që turma-turma ecin nëpër shkretëtira: “Dalin prej varreve, e si karkaleca të shpërndarë e me shikim të përulur.” - (El-Kamer, 7), apo si fluturat (insektet) që s’arrijnë dot të balancojnë fluturimin e tyre dhe era i bart sa andej, sa këndej: “Ajo është ditë kur njerëzit bëhen si insekte të shpërndara.” - (El-Kariatu, 4). Ringjallja dhe marrja në llogari është një mirësi nga ana e Gjithëmëshirshmit. Këtu vjen në pyetje kujdesi hyjnor ndaj njerëzve dhe exhinëve që nuk i lë të presin pafundësisht Llogarinë, por i merr në llogari dhe i shpërblen ose ndëshkon, varësisht nga veprat e tyre, prandaj njerëzit dhe exhinët duhet të jenë mirënjohës ndaj Allahut për këtë mëshirë të treguar ndaj tyre...
33. O turmë e xhinëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra, po nuk mundeni vetëm me ndonjë fuqi të fortë (por ju nuk e keni atë). 34. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
Ajeti në fjalë e bën të qartë e të kthjellët si loti një të vërtetë të pakontestueshme se çdo gjë në këtë ekzistencë, përfshirë exhinët dhe njerëzit janë në “Dorën” e Zotit. A nuk thotë Allahu xh.sh. në ajetin 67 të sures “Ez-Zumer”: “Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa në ditën e kiametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën (forcën) e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë!”
Kjo do të thotë se Allahu është i Gjithëpushtetshëm, I Gjithëfuqishëm dhe askush nuk ka fuqi e as mundësi t’i ikë gjykimit të Tij, qoftë njeri apo exhin. Askush nuk mund t’i shmanget përcaktimit të Allahut, vullneti i të Cilit shtrihet në qiej e në tokë.
Ky ajet sikur i synon mëkatarët nga radhët e njerëzve dhe exhinëve, të cilët nuk besuan në këtë botë e as nuk përfillën këshillat e pejgamberëve. Sa e sa njerëz të fuqishëm, mbretër, princër, burrështetas etj, të cilëve Allahu në këtë botë u dha pushtet, fuqi e pozita të larta, harruan dhe injoruan faktin se një ditë megjithatë do të vdesin. Atyre shejtani ua kishte mjegulluar sytë dhe mendjet, duke menduar se fuqia e tyre kurrë nuk do të zhdukej. Pikërisht këta njerëz, që në jetën e kësaj bote e shpërdorën fuqinë e pushtetit, do të jenë në shënjestër të ironizimeve nesër në ditën e Gjykimit. Atyre do t’u thuhet: Ku mbeti fuqia dhe pozita juaj? Ku mbeti mendjemadhësia juaj? Ku tretën iluzionet e juaja të rreme që kishit në tokë?! Nëse tash keni forcë e mundësi, dilni përtej hapësirës qiellore? Tash ka ardhur koha që ju të përjetoni poshtërimin, përbuzjen dhe nënçmimin, por mbi të gjitha ndëshkimin e përjetshëm në zjarr të Xhehenemit.
Lidhur me fjalën “sultan” dijetarët nuk janë të gjithë të një mendimi se çfarë nënkupton ajo në kontekst të ajetit. Shumica e tyre këtë fjalë e komentojnë si “forcë”, mendim që është më i pranuari, ndërkohë që Ibn Abasi këtë fjalë e komenton si argument, dituri dhe sqarim, duke lënë të kuptohet se ajeti mund të ketë këtë domethënie të përafërt: “O ju pari e exhinëve dhe njerëzve, nëse mendoni të dini atë çka është në qiej e në tokë, përpiquni ta mësoni, por nuk do ta mësoni përveçse me sqarim nga Allahu dhe me argument.”(2)
Dijetarët bashkëkohorë që përkrahin mendimin e Ibn Abasit, se fjala “sultan” nën kupton argumentin, thonë se në këtë sferë të argumentit është edhe dituria që Allahu ua dhuron njerëzve nëpërmjet të cilës ata tash kanë arritur në Hënë, ndërkohë që fluturaket e ndryshme hulumtuese janë dërguar në Mars dhe në shumë planetë tjerë të sistemit tonë diellor etj. Ata këtë ajet e komentojnë edhe në dritën e të arriturave të fundit teknologjike-shkencore, sepse fuqia e madhe shpjegohet edhe si teknologjia atomike bërthamore, e cila fuqi i vënë në lëvizje raketat hapësinore.(3)
Nuk ka dyshim që Allahu xh.sh. do t’ia hapë njeriut shtigjet e horizontit të diturisë për të zbuluar akoma gjëra të reja që shkojnë në funksion të lehtësimit të jetës, por gjithnjë duke ia bërë me dije, se ai mbetet megjithatë një krijesë me fuqi të kufizuara, në mënyrë që asnjëherë të mos pretendojë se është “zot”, sepse shejtani zakonisht i ngrit këto kurthe të padukshme, të rrezikshme që shikimet dhe mendjet e njerëzve të turbullohen e të mendojnë se në kuadër të zbulimeve shkencore do ta zbulojnë edhe formulën e pavdekësisë!!!
Megjithatë, shumë prej mufesirëve e kundërshtojnë këtë komentim, duke thënë se ky ajet nuk e ka këtë synim, meqë ajeti pasues “Juve dy grumbujve, u derdhet përmbi, flakë zjarri dhe do t’u derdhet rem i shkrirë e nuk do të keni mundësi të mbroheni.”e sqaron mirë kuptimin e atij paraprak. Sipas tyre kjo tabllo i përket Ahiretit, kur njerëzit mëkatarë nga trishtimi i ndëshkimit që i pret, do të përpiqen të ikin e të arratisen nga vendndëshkimi, por këtë nuk mund ta bëjnë, sepse nuk kanë forcë e as mundësi, dhe në secilën anë që drejtohen, do ta shohin veten të rrethuar nga engjëjt, të cilët tashmë i kanë mbyllur të gjitha shtigjet...
Mbase ky ajet figurativisht, ironizon njerëzit dhe exhinët, që nëse në këtë botë keni arritur t’i shpëtoni dënimit, tash nuk keni më forcë e as mundësi t’i ikni ndëshkimit të Ahiretit.
Sidoqoftë, ndonëse komentimet bashkëkohore mund të jenë deri diku edhe të pranuara, megjithatë, komentimet e mufesirëve të mëhershëm po ashtu të flenë në zemër duke ndjerë freskinë e tyre ledhatuese teksa miklojnë çdo skutë të zemrës dhe mendjes sonë.
Madje ky ajet: “O turmë e xhinëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra, po nuk mundeni vetëm me ndonjë fuqi të fortë (por ju nuk e keni atë).” bëhet shumë i kuptueshëm kur kujtojmë se në Ditën e Gjykimit, melekët zbresin në çdo skutë e skaj të kësaj gjithësie, duke vrojtuar e duke mbikëqyrur çdo lëvizje të krijesave. Kjo pamje na jep imazhin e vërtetë të asaj dite, ku mbizotëron fuqia absolute e Allahut dhe vullneti i Tij shtrihet në çdo kënd. Dhe, kur njerëzit dhe exhinët mëkatarë do t’i shohin këto pamje të llahtarshme, do të përpiqen të arratisen, por në çdo vend do të hasin në engjëj që do t’i pengojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Atëherë ata do të çirren nga dëshpërimi duke thënë: “... Nga të iket!” - (El-Kijame, 10)”. Por kot, sepse para tij tashmë janë mbyllur dyert e qiellit e të tokës, dhe ai gjithsesi do të ballafaqohet me Allahun xh.sh. dhe me veprat e tij: “Jo, nuk ka strehim! Atë ditë vetëm te Zoti yt është caku!” - (El-Kijame, 11-12)
34. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
Shumica e dijetarëve myslimanë ajetin 34 të sures “Er-Rrahman” e konsiderojnë si kërcënim dhe frikësim, si për njerëzit ashtu edhe për exhinët, prandaj shtrohet pyetja. Si mund të llogaritet kërcënimi si mirësi dhe begati e Allahut për ta?
Natyra e mirësisë në këtë kërcënim-frikësim, qëndron në tërheqjen e vërejtjes për njerëzit mëkatarë, që ata të largohen nga gjynahet, në mënyrë që të mos e meritojnë hidhërimin e përjetshëm të Zotit të tyre. Ky ajet po ashtu përmban në vete aspekte edukative, që njeriu të dijë kufirin e vërtetë të veprimit dhe të mos i tejkalojë këto kufij në asnjë mënyrë. Këtu patjetër duhet të dimë se qëllimi i Allahut xh.sh. që shpesh herë e ka përmendur çështjen e shpërblimit dhe ndëshkimit në Kuran, nuk ka të bëjë vetëm me nxitjen për shpërblim nëse pasohet rruga e drejtë dhe largimin nga rruga e shtrembër vetëm për t’i ikur ndëshkimit, por më tepër ka të bëjë me nxitjen e njeriut që të jetë i sinqertë në adhurimin dhe besimin e tij karshi Krijuesit fuqiplotë.
Njeriu çdo punë a vepër të mirë që e bën, e bën që së pari të arrijë kënaqësinë e Zotit, e jo nga frika se Allahu do ta ndëshkojë nëse bën të kundërtën. Atij i mjafton kënaqësia e Allahut ndaj tij dhe përveç kësaj nuk kërkon diç tjetër, sepse shpirtin e tij e mbush dashuria ndaj Krijuesit.
Kjo dashuri e çiltër do të duhej të mjaftonte që njerëzit të ishin falënderues dhe mirënjohës ndaj Allahut e të mos i mohonin e përgënjeshtronin begatitë dhe nimetet e Tij.
35. Juve dy grumbujve u derdhet përmbi flakë zjarri dhe do t’u derdhet rem i shkrirë e nuk do të keni mundësi të mbroheni. 36. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
Ky ajet sipas disa komentatorëve ka lidhje të fuqishme me ato paraprake në kuptim që nëse njerëzit do të tentonin të iknin në hapësirat e qiellit a të tokës, ndaj tyre sakaq do të hidheshin predha e flakërime të zjarrta që do t’i pengonin nga qëllimi i tyre. Ndërsa sipas të tjerëve, ky ajet flet në përgjithësi për ndëshkimin që do ta përjetojnë mëkatarët në Xhehenem, pa e lidhur kuptimin e tij me ajetin paraprak.
Fjala “Shuvadh”, nënkupton flakët përcëlluese të zjarrit i cili nuk ka tym. Ky është mendimi i Ibn Abasit, të cilin e ka përcjellë e transmetuar Taberiu, ndërsa Muxhahidi thotë se kjo fjalë nënkupton flakën e gjelbër që ndahet nga zjarri.
Kurse sa i përket kuptimit të fjalës “Nuhas” kjo sipas disa dijetarëve nënkupton tymin që nuk ka fare flakë. Ky është mendim i Ibn Abasit, dhe i Seid ibn Xhubejrit, ndërkohë që Dahhaku thotë se kjo fjalë nënkupton vrushkuj të zjarrtë të bakrit në formë të lëngët i cili nga nxehtësia, ua djeg kokat pabesimtarëve. Edhe Muxhahidi është i mendimit se fjala “Nuhas” nënkupton bakrin e shkrirë, i cili u derdhet mbi koka pabesimtarëve. Këtë mendim e përkrah edhe Katadeja.(4)
Ibn Kethiri i sheh që të dyja këto mendime si të pranueshme, duke thënë se pabesimtarët ngado që t’ia mësyjnë të ikin, në Ditën e Gjykimit, ata do të rikthehen forcërisht nga engjëjt dhe zebaninjtë e Xhehenemit, duku u gjuajtur me predha e flakërima zjarri e tymi të zi, e përveç kësaj, atyre mbi koka do t’u derdhet edhe bakër i shkrirë përcëllues.(5)
Megjithatë mendimi se këtu bëhet fjalë për tym të zi e kundërmues që të zë frymën, del të jetë më i pranuar, kur krahasohet me ajete të tjera të ngjashme që flasin rreth ndëshkimit të mëkatarëve ashtu siç përshkruhet në suren “El-Vakiatu” ajetet (41-44): “E të majtit, ç’është puna e të majtëve? Janë në vapë të zjarrit dhe në ujë të valë. Dhe në errësirë nga tymi. As e freskët e as e këndshme.”
Fjala “Jahmum” në këtë ajet të sures “El-Vakiatu” nënkupton tymin e keq, të zi e të helmuar. Ky tym do të mbështillet sikur shtëllunga mbi kokat e mëkatarëve, por nuk do t’u bëjë hije si hija e rëndomtë, përkundrazi do t’ua shtojë atyre më tepër nxehtësinë e zjarrit. Ajo është hije e keqe që kundërmon erë të rëndë dhe u shkakton atyre dhimbje e vuajtje duke ua zërë frymën, duke i ngulfatur e verbuar.
Allahu i Madhërishëm e përshkruan këtë tym dhe hijen (mjegullën) e Tij edhe në suren “El-Murselat”, ajetet (29-33), e cila mjegull e tymtë do të bjerë si ndëshkim mbi femohuesit kur thotë: “(u thuhet) Shkoni te ai (xhehenemi) që ju e konsideruat rrenë. Shkoni te ajo hije (mjegull) që ka tre degëzime. Që nuk bën as hije, as nuk mbron prej flakës. Ai (xhehenemi) hedh gaca të mëdha si ndonjë kështjellë. E që janë si të ishin deve të verdha (shumë të shpejta).”
Kjo hije në formë tymi a mjegulle qëndron mbi zjarrin e Xhehenemit. Është një tym me përmasa gjigante i cili ndahet në tri degë. Ky tym nuk bën hije por nga ai dalin predha të zjarrta që lemerisin e trishtojnë banorët e Xhehenemit, të cilëve edhe ashtu nuk iu ndalet azabi i zjarrit.
36. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?
Që të gjitha këto ajete, që në një anë janë kërcënuese, në anën tjetër tregojnë dhembshurinë e Allahut ndaj njerëzve dhe exhinëve, sepse Ua tregon qartë se çfarë dënimi i pret nëse shmangen nga e vërteta dhe pasojnë shejtanin e mallkuar. Prandaj, të jesh i shpëtuar nga këto lemeri e llahtari të Xhehenemit, gjithsesi duhet të jesh mirënjohës e falënderues ndaj Allahut Fuqiplotë përjetësisht.
Urtësia e këtyre ajeteve: (31-36)
- Allahu xh.sh. nga mëshira dhe dhembshuria ndaj robërve të Tij, Ua ka tërhequr vërejtjen nga hidhërimi dhe ndëshkimi i Tij i ashpër.
- Llogaria; Shpërblimi dhe ndëshkimi janë prej mirësive më të mëdha të Krijuesit. Llogaria është mëshirë për vepërmirët, kurse drejtësi për vepërkëqinjtë.
- Në këto ajete ka edhe thirrje për meditim në mrekullinë e shprehjes kuranore, ashtu siç e kanë cekur edhe disa dijetarë të mëdhenj të këtij Ymeti, siç janë Ibn Abasi e të tjerë. Fjala “sultan” që sipas tyre nënkupton argumentin dhe diturinë, të cilën Allahu Ua dhuron njerëzve, do të jetë shtytës që njeriu në suaza të kompetencave dhe mundësive që ia ka lejuar i Lartmadhërishmi, të eksplorojë hapësirat e kësaj gjithësie, për të zgjeruar edhe më tutje njohuritë e tij rreth jetës në këtë botë.
- Në Ditën e Gjykimit, askush nuk mund t’i ikë caktimit të Allahut xh.sh. e as t’i shmanget ndëshkimit të Tij.
______________
1. Abdulhamid Kishk “Fi Rihabi-t-Tefsir”, v. 27. f. 211.
2. Hadaiku-rr-Rrevhi ve-r-Rrejhan, v. 28, f. 292
3. Et-Tefsirul mevdui li suveril Kur’anil Kerim, v.7, f. 543.
4. Shih Tefsirin e Kurtubiut, v. 20 f. 143, Bejrut, 2006.
5. Shih Umdetu-t-Tefsiri anil Hafidh Ibn Kethir (Muhtesar Tefsirul Kur’anil Adhim) i redaktuar nga Ahmed Shakir, v.3 f. 421.
Sabri Bajgora