Besimi i të rinjve nuk nxitet nga politika. Sikur të ndodhte kjo, atëherë autoritetet ruse moti do t’i kishin rrënuar xhamitë. Saraçev është njëri nga personat që ka pranuar fenë islame para katër vitesh, jo për shkak të zemërimit, por në kërkim të një rrugëdaljeje nga jeta e paqëllimtë e tij.
Rustem Saraçev kishte ndërmend që të organizonte një natë para se të kalonte në Islam. Por, djemtë që ai i kishte ftuar në ndejë ishin tallur me të vetëm me faktin që i kishte shkuar mendja për xhami dhe ishin larguar që të pinin diku pa të.
Kështu, Rrahmani kishte shkuar të nesërmen në xhaminë e qytetit Vogla, esëll, me të 500 rublat e kursyera në xhep, meqë nuk i kishte blerë pijet për ndejë. Ishte fundi i shtatorit të vitit 2006, fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit. Derisa tani analizon atë kohë, i kujtohet se nuk ishte i sigurt pse kishte marrë vendimin që të shkonte në xhami, sikur që nuk e dinte as çka e priste aty. Asokohe, ai kishte 17 vjet, ishte një batakçi, huligan, i cili sapo kishte filluar të kishte problemet e para me ligjin, megjithatë në të njëjtën kohë ishte i ndjeshëm ndaj fyerjeve dhe përçmimit me të cilin ballafaqohen të rinjtë e pa perspektivë të këtij regjioni.
Kur kishte hyrë në dyert e mëdha të xhamisë, ai ishte duke i bërë hapat e parë kah bashkimi me një trend të fuqishëm të ringjalljes së islamit në këtë pjesë të Rusisë, ku kontribuojnë kryesisht të rinjtë.
Epoka e katastrofave
Saraçev kishte vetëm dy vjet kur ishte shkatërruar BRSS-ja, pesë vjet kur kishte shpërthyer lufta e parë në Çeçeni dhe 12 vjeçar më 11 shtator të vitit 2001. E tërë jeta e tij kishte kaluar në një epokë të katastrofave, ku një botë e vjetër shkatërrohej dhe ku, si në vend, po ashtu edhe jashtë tij, zhvillohej një luftë e ashpër kundër myslimanëve. Identitetet dhe siguritë e vjetra kishin humbur vlerat e tyre. Dhe tani, ai ishte duke u bashkuar me pjesëtarët e tjerë të gjeneratës së tij, të cilët në religjion janë duke gjetur alternativ. Ata janë duke iu bashkuar një komuniteti global, bile në një kohë të vështirë për atë komunitetet.
Në xhami ata mësojnë se Allahu është duke i ndëshkuar irakianët për herezi e tyre. Ata mësojnë se sulmet e 11-të shtatorit të vitit 2001 në SHBA ishin kryer nga agjentët amerikanë, apo ndoshta edhe nga agjentët e huaj, me qëllim të provokimit të një lufte kundër myslimanëve. Por, ata po ashtu mësojnë se ata që duan t’i bashkohen luftës në Afganistan, ose Pakistan bëjnë gabim. Kjo nuk është koha e duhur, islami ka nevojë për ta këtu, në Rusi.
Sido që të jetë, besimi i tyre nuk nxitet nga politika. Sikur të ndodhte kjo, atëherë autoritetet ruse moti do ta kishin rrënuar këtë xhami. Saraçev bëri atë hap atë ditë, para katër vitesh, jo për shkak të zemërimit, por në kërkim të një rrugëdaljeje nga jeta e paqëllimtë e tij.
Heqja dorë nga alkooli
E ndërtuar gjatë viteve1990 me ndihmë nga Arabia Saudite, kjo xhami ka një pamje që të mbetet në mend. Në brendësi, ajo karakterizohet me punime interesante nga druri, me tepihë të bukur të kuq dhe të gjelbër dhe me mozaikë mbresëlënës së kaltër. Gjatë ditëve të festave fetare, ajo mbushet plot me besimtarë.
“Mbeta i tronditur”, rikujton Saraçev. “Nuk mund të kuptoja se ku gjendesha. Gjithandej kishte vetëm të rinj. Ata më trajtuan mua shumë mirë dhe, kurrë në jetën time nuk isha pritur më mirë se atëherë”. Almas Tikhonov, i cili më parë i njohur si një adhurues i madh i ndejave dhe si një hero, e që më pas nuk ishte parë për një kohë të gjatë, ishte aty, duke u lutur. Saracevi mbeti i impresionuar nga pamja e gëzueshme e Almasit.
Kështu Saraçev vendosi që të shkonte përsëri në xhami, pastaj edhe një herë – edhe një herë…. Atij i duhej që t’u bënte ballë ftesave nga shokët e tij të vjetër, gjë që ishte vështirë. Derisa ai filloi që ta shihte botën me një sy tjetër, e pati të lehtë që të hiqte dorë nga pirja e alkoolit, nga qëndrimi i pa qëllimtë në rrugë dhe nga ndejat larg syve të prindërve. Në një moment, Saraçev arriti të kuptoj se bota është e mbushur plot me dreqër dhe se një mysliman i mirë e ka për detyrë që t’i mundë ata.
Rregullat e fesë
Saracevi është tatar. Paraardhësit e tij kishin pranuar Islamin në shekullin IX, në kohën kur Tataristani ishte një shtet i fuqishëm dhe i pavarur. Gjatë 450 vjetëve të fundit, tatarët kanë jetuar nën dominimin rus, krenarë për të kaluarën e tyre, ata e konsiderojnë veten liderë të natyrshëm të 30 milionë muslimanve të Rusisë.
Por, gjyshërit e Saracevit nuk kishin praktikuar islamin, ashtu si e kupton ai sot. Për rreth njëmijë vjet, tatarët kanë zhvilluar një ideologji të pasur e të komplikuar , në pajtim me të menduarit logjik dhe me nevojën për bashkëjetesë me rusët ortodoksë. Në Kazan, kryeqytetin e Tataristanit, liderët fetar janë të vendosur që të vazhdojnë në këtë rrugë. Por, qëndrimi armiqësor i regjimit sovjetik kundër fesë, i la shumicën e tatarëve vetëm me një ide të mjegullt të përkatësisë së tyre ndaj islamit.
Saraçev rikujton se, në të kaluarën, religjioni ia rikujton vetëm gjyshërit, festat dhe asgjë tjetër. Por, pas shkatërrimit të BRSS-së, disa misionar arabë kishin shkuar në Tataristan, duke predikuar një islam, i cili ishte më i ngurtë, më i thjeshtë dhe më puritan. Kjo formë e islamit ka lëshuar rrënjë këtu dhe është pranuar mirë nga të rinjtë, të cilët, mu sikur Saraçevi, pëlqejnë shumë rregullat dhe pastërtinë e tij.
Qyteti Almetievski, me rreth 150.000 banorë, nuk ka ndonjë histori të dalluar – ai u themelua në vitin 1955 dhe gjendet rreth katër orë vozitje nga Kazani. Nuk është varfëria materiale ajo që i shtynë tatarët e rinj që ta pranojnë Islamin, me që nafta dhe gazi kanë sjellë përparim këtu, por është varfëria shpirtërore në një vend kur çdo institucion, duke filluar nga shkollat dhe spitalet, e deri te policia, është i mbushur plot me cinizëm dhe korrupsion.
Prindërit e Saraçevit ishin ndarë ai ishte i vogël. Nëna e tij punon në një fabrikë të tubave, ku ka gjetur punë edhe Saraçevi, i cili vazhdon që të jetojë në banesën e së ëmës.
Kur ai përqafoi Islamin, mësoi se të gjithë njerëzit lindin me një besim të brendshëm, dhe janë prindërit ata që i largojnë fëmijët nga besimi.
Prindërit e tij nuk janë aq të gëzuar për kthesën e të birit të tyre kah feja. “Ata nuk më kuptojnë, por kohët e fundit, kur nëna më sheh duke u falur, ajo nuk më pengon”, thotë ai.
Këtë vit, nëna dhe babai, për herë të parë, i kishin dhënë para Saraçevit që të blej një kurban. /Kosova Sot/