Në kohën kur fama për Ebu Hanifen dëgjohej edhe jashtë Kufës dhe kur popullariteti i tij ishte në piedestal, ndaj Ebu Hanifes kishin marrë një fushatë kundërshtuese disa prej figurave të asaj kohe, si myftiu dhe kadiu i Kufës - ibn ebi Lejla, kadiu i Kufës - ibn Shubrumeh, Thevriu, Evzaiu dhe shumë tjerë, të cilët flisnin për të dhe nxorën edhe dekrete, me të cilat e kundërshtonin haptazi dhe kërkonin që ta kundërshtonin edhe të tjerët, mirëpo çështja e tij vetëm sa rritej, numri i pasuesve të tij sa vinte e shtohej dhe tubimet e tij të dijes, që mbaheshin në xhami, kishin tejkaluar për nga numri të gjitha tubimet deri në atë kohë, pothuaj të gjithë banorët e Kufës ishin aty.


Nuk merrej shumë me kundërshtarët e tij, madje ndaj atyre që e kundërshtonin, tregonte maturi dhe durim. Ai përfitoi masën e gjerë dhe atë e respektonin edhe guvernatorët dhe udhëheqësit e shtetit. Bëri gjëra e veprime me të cilat i sfidoi arabët dhe, ndonëse ziliqarët ndaj tij u shtuan, ai u shqua për nga dija e tij e gjerë.(1)
Tubimet e tij ishin madhështore, saqë edhe nxënësit e dijetarëve të tjerë vinin tek Ebu Hanife dhe vetëm atëherë mund ta bënin dallimin mes Ebu Hanifes dhe të tjerëve. Ebu Jusufi kishte ndjekur për një kohë të gjatë mësimet e Ebi Lejla dhe Ebu Hanifes, derisa një ditë përfundimisht braktisi të parin dhe u dha tërësisht pas mësimeve të Ebu Hanifes, falë një fetvaje që dha Ebi Lejla, me të cilën Ebu Jusufi nuk u pajtua, prandaj shkoi tek Ebu Hanife dhe e pyeti dhe fetvaja e Ebu Hanifes ishte krejtësisht e kundërt me atë të Ebi Lejlas.(2)


Shkaku i thellimit të tij në Fikh


Thuajse të gjithë kronistët dhe autorët që janë marrë me jetën dhe veprën e Ebu Hanifes, përmendin se Ebu Hanife në fillime të studimeve të tij nuk merrej me fikh, po me shkencën e apologjetikës, madje ishte shumë i njohur në atë shkencë, por qëndrimi i tij do të ndryshonte. Protagonisti në fjalë është shprehur: “Polemizoja në shkencën e apologjetikës dhe njerëzit e humbur dhe iluzionarë ishin të shumtë në Basra. Aty kam hyrë më tepër se njëzet herë, e ndoshta kam qëndruar aty një vit të plotë a më tepër ose më pak se aq, duke menduar se shkenca e apologjetikës është shkenca më e çmuar, pastaj mendova dhe thashë: “Selefët (të parët) ishin më të diturit për të vërtetat, e megjithatë nuk ishin polemizues, përkundrazi u përmbajtën nga polemizimi dhe u thelluan në dijen-shkencën e legjislacionit islam (Sheriatit). Ata e deshën atë shkencë, mësuan për vete e i mësuan të tjerët dhe në të bënë dialogime. Për këtë shkak e braktisa shkencën e apologjetikës, dhe i hyra shkencës së jurisprudencës. Pashë se ata që i kishin hyrë shkencës së apologjetikës nuk kishin tipare të njerëzve të mirë, zemrat e tyre janë të vrazhda dhe nuk mërziten edhe atëherë kur kundërshtojnë Kuranin, Synetin dhe gjeneratat e para (selefus-salih), e sikur kjo (marrja me apologjetikë) të sillte të mira, selefët do të merreshin domosdo me të”.(3)
Po ashtu përmendet edhe një shkak tjetër rreth thellimit të tij në fikh. Ai ishte pranë tubimeve të Hamadit, por kishte dhe tubimet e veta, ku diskutonte rreth apologjetikës dhe polemikave me grupe të ndryshme. Një ditë erdhi një grua dhe e pyeti për një njeri që dëshironte ta lëshonte gruan e tij sipas Synetit, si duhej të vepronte. Ai nuk kishte përgjigje, prandaj e drejtoi tek Hamadi dhe e porositi që, kur të kthehej pranë tij, t’ia tregonte përgjigjen. Pasi e kishte informuar për përgjigjen, Ebu Hanife u largua nga apologjetika dhe grupet e ndryshme, e iu afrua tubimeve të Hamadit dhe prej tij mësoi për vite të tëra.(4)


Fikhu i Ebu Hanifes


Ebu Hanife ishte poliglot në shkencat islame, po ajo që e dallonte më tepër, ishte fikhu-jurisprudenca islame, dhe, pasi ishte thelluar në shkencën e apologjetikës dhe në fraksionet e asaj kohe, iu përkushtua tërësisht shkencës së jurisprudencës, saqë u bë edhe prijatar i kësaj shkence dhe i nevojshëm për të gjithë ata që do të vijnë pas tij. Ishte i thellë në mendime dhe nuk mjaftohej në kërkim të teksteve e shprehjeve sipërfaqësore, por tekstin e studionte mirë, e analizonte thellë dhe prej tij nxirrte edhe dispozita të shumta. Ishte largpamës dhe i shpejtë në përgjigje. I dinte mirë hiletë, sidomos në raport me armiqtë dhe kundërshtarët e tij. Një ditë hyri tek ai Dahak ibn Kajs el-Harixhiu, i cili i tha Ebu Hanifes: “Pendohu”. “Përse të pendohem?” -pyeti Ebu Hanifja. “Sepse ti ke lejuar arbitrazhin!” -iu përgjigj el-Harixhiu. Atëherë Ebu Hanife i tha: “Do të më mbysësh apo do të polemizosh me mua?” “Përkundrazi dua të polemizoj me ty!”- ia ktheu el Harixhiu. Atëherë Ebu Hanife tha: “Nëse ne nuk pajtohemi për atë që polemizojmë, kush do të jetë në mes meje e teje?” “Zgjidhe ti, cilin të duash” -ia ktheu el-Harixhiu. Atëherë Ebu Hanife iu drejtua njërit prej njerëzve të Dahakut e i tha: “Ulu dhe gjyko në mes nesh për atë për se ne nuk pajtohemi”. E më pas iu drejtua Dahak el-Harixhiut: “A je i kënaqur me këtë person në mes meje e teje?” “Po” -ia ktheu ai. Atëherë Ebu Hanife i tha: “Ti me këtë veprim tashmë lejove arbitrazhin (për se më akuzove mua)”. El-Harixhiu mbeti pa fjalë dhe biseda në mes tyre mbaroi.(5)
Në një rast tjetër tregohet se në Kufë ishte një njeri që thoshte se Othman ibn Afani kishe qenë çifut, dhe askush nga dijetarët nuk kishte mundur ta bindte të thoshte të kundërtën. Një ditë tek ai shkoi Ebu Hanife dhe i tha: “Kam ardhur si ndërmjetës për fejesë për bijën tënde... për një njeri të ndershëm, fisnik, shumë të pasur, hafëz i librit të Allahut, falet natën, qan shumë nga frika e Zotit”. “Mjafton kjo që the, o Ebu Hanife”,-ia ndërpreu fjalën. Ebu Hanife shtoi: “Me përjashtim të një cilësie”. “Cila është ajo?” pyeti njeriu. “Është çifut”! -iu përgjigj Ebu Hanifja. “Madhëria i qoftë Allahut”
-tha i frustruar njeriu-, “a po më urdhëron ta martoj bijën time me një çifut?” “A nuk do ta bësh këtë”? –pyeti Ebu Hanife. “Jo” -u përgjigj njeriu. Atëherë Ebu Hanifja tha: “I Dërguari i Allahut e martoi të bijën me një çifut (me Othmanin, për të cilin njeriu pandehte se ishte çifut)”. Kur i dëgjoi këto fjalë, njeriu tha: “Kërkoj falje nga Allahu. Unë me të vërtetë po pendohem tek Allahu i Madhëruar (për atë që kam thënë)”.(6)
Ligjëratat dhe mësimet e tij nuk ishin vetëm ligjërime mekanike, porse ishin diskutime dhe analiza të thella që u ngjajnë mësimeve të kohës moderne, larg atyre klasike, kur Ebu Hanife hapte temën e caktuar dhe secili prej nxënësve të tij merrte pjesë në diskutime. Secili paraqiste argumentet e tij dhe ndodhte që dikush prej nxënësve t’i thoshte Ebu Hanifes ‘gabove’. Ishte një ambient mësimi i qetë, tolerant ndaj mendimeve dhe ideve të ndryshme; aty nuk nënçmohej asnjëri, përkundrazi çmohej iniciativa dhe përpjekja e secilit. Ata me të vërtetë e donin dhe e çmonin shumë, kur fliste e dëgjonin, saqë nuk dëgjohej zëri i tyre.(7)


Qëndrimet negative karshi Ebu Hanifes


Jo të gjithë kishin mendime të mira dhe qëndrime pozitive për Ebu Hanifen. Disa nuk e kishin kuptuar atë, të tjerët e kishin keqkuptuar, e një pjesë tjetër, që me shfaqjen e tij mbetën nën hijen e tij, tentuan ta baltosnin personalitetin e tij. Kishte prej atyre që e kishin sulmuar nga padituria, sikurse kishte edhe nga lakmia dhe inati. Një pjesë e dijetarëve që kishin dhënë dekrete kundër tij, kur e kuptuan realitetin e tij, u kthyen dhe braktisën qëndrimet e tyre. Imam Evzai kishte mendime të këqija për të, sepse ashtu kishte dëgjuar. Një ditë Evzai u takua me Abdullah ibn Mubarekun dhe i tha: “Kush është ai që po fut risi (bidatxhi) që ka dal në Kufë, i quajtur Ebu Hanife?” Abdullah ibn Mubareku nuk iu përgjigj drejtpërdrejt, por filloi të përmendte meseletë, mënyrën e të kuptuarit dhe zgjidhjet precize juridike. Evzaiu e pyeti: “Të kujt janë këto fetva-zgjidhje juridike?” “Të një dijetari të cilin e kam takuar në Irak!”-iu përgjigj Mubareku. Evzaiu tha: “Ky qenka dijetar i mrekullueshëm! Shko dhe shoqëroje sa më tepër!” Atëherë Ibn Mubareku i tregoi: “Ai është Ebu Hanife”. Pas një kohe në Mekë u takuan Evzaiu dhe Ebu Hanife dhe diskutuan rreth çështjeve, për të cilat i kishte folur Ibn Mubareku. Pas ndarjes së tyre, Evzaiu i tha Ibn Mubarekut: “E kam marrë nëpër gojë njeriun me dituri të pafund dhe jashtëzakonisht inteligjent. I lutem Allahut të Madhërishëm që të më falë. Unë isha qartë në gabim për të. Shoqëroje atë njeri, sepse sot u binda që ai është e kundërta e asaj çfarë kam dëgjuar”.(8)
Për një kolos bashkëkohanik të tij, Ebu Hanife ishte shprehur: “Ibn ebi Lejla ka lejuar të më bëhen gjëra të tilla, që unë nuk do t’i lejoja t’i bëheshin as një shtaze”.(9)
Ibn Ebi Lejla, që ishte një jurist dhe gjykatës në Kufë në kohën e Ebu Hanifes, një ditë dëgjoi pranë xhamisë së tij një grua që kishte të meta psikike (në një transmetim thuhet se ai ishte mashkull) duke i thënë një personi: “O i biri i dy zinaqarëve”. Ai ngriti rastin ndaj saj dhe ajo pranoi shpifjen, prandaj i vuri dy ndëshkime për shpifje ndaj prindërve të të shpifurit, secilin me nga tetëdhjetë të rëna, ndëshkim që u bë në xhami dhe ajo u ndëshkua në këmbë. Sapo dëgjoi Ebu Hanife për këtë rast, tha: “Çudi për gjykatësin e vendit tonë. Ai gaboi në shtatë vende lidhur me këtë çështje: “E para: Gjykoi me vetëpranimin e saj, e ajo kishte të meta psikike, e prej kushteve të shpifësit është edhe aftësia mendore. E dyta: Ai bëri dy ndëshkime ndaj saj, njërin për babanë e të shpifurit dhe tjetrin për nënën, kurse në realitet ai që shpif për një grup, ndëshkohet me vetëm një ndëshkim për shpifje. E treta: Ai i bashkoi dy ndëshkimet ndaj saj, njërin pas tjetrit, kurse në realitet, nëse ndëshkohet me dy ndëshkime, duhet të ndëshkohet ndarazi, së pari ndëshkohet me ndëshkimin e parë, pastaj lihet një kohë dhe ndëshkohet me të dytin. E katërta: Ai bëri ndëshkimin e saj në xhami, e masat ndëshkuese nuk aplikohen në xhami kurrë”. E pesta: Ai e ndëshkoi në këmbë, kurse në fakt nga syneti është se femra duhet të ndëshkohet ulur. E gjashta: E ndëshkoi pa qenë i pranishëm përgjegjësi ose kujdestari i saj, ndërsa ndëshkimi i femrës bëhet në prani të kujdestarit të saj (veliut), dhe E shtata: Për aplikimin e masës ndëshkuese, nevojitet kërkesa e personit ndaj të cilit është bërë shpifja, kurse ai e ndëshkoi atë pa ndonjë kërkesë”. Pas kësaj ngjarjeje, gjykatësi kërkoi nga Sulltani shkarkimin e tij, për shkak se ishte poshtëruar nga Ebu Hanife.(10)


Fikhun e sistemoi dhe e detajizoi


Ebu Hanifja ishte pa konkurrencë në shkencën e Fikhut. Të tjerët mbetën të varur përgjithnjë prej dijes së tij në Fikh. Ai qe i pari që bëri klasifikimin e shkencës së Fikhut, sepse deri në kohën e tij juristët mbështeteshin në aftësitë e tyre memorizuese. Ai e sistemoi atë dhe e radhiti në kapituj e nënkapituj. Të tjerët më pastaj vepruan sipas metodologjisë së tij. Autori i Durrul muhtar ve reddul muhtar për shërbimin e Ebu Hanifes në Fikh, qe shprehur: “Fikhun e ka mbjellë Abdullah ibn Mesudi; e ka ujitur Alkame ibn
Kajs Nehaiu; e ka korrur Ibrahim Nehaiu; e ka shoshitur (qëruar) Hamad ibn Sulejmani; e ka bluar Ebu Hanifja; e ka bërë brumë Ebu Jusufi dhe e ka bërë bukë Muhamed Shejbani, e prej kësaj buke hanë të gjithë njerëzit e tjerë.
Pjesën më të madhe të jetës së tij ia ka kushtuar fikhut-jurisprudencës islame dhe, nëse mblidhen çështjet e Fikhut që ka shtjelluar gjatë jetës së tij, atëherë kuptohet më së miri roli i tij i jashtëzakonshëm në lëmin e kësaj shkence. Janë një milion e dyqind e shtatëdhjetë mijë (1. 270. 000) mesele-çështje fikhore, të cilat i ka shtjelluar dhe detajuar. I ka bërë gati dhe i ka shqyrtuar për ata që do të vijnë pas tij. Ai u parapriu dijetarëve të tjerë dhe qe i pari që zgjeroi nxjerrjen e dispozitave të Fikhut, më pas bëri ndarjen në mes gjërave bazike dhe atyre sekondare-degëve, dhe gjithashtu ishte i pari që u dha pas çështjeve hipotetike, gjërave që ende nuk kishin ndodhur në shoqëri, për se akuzohej shpesh nga dijetarë të tjerë, mirëpo më vonë thuaja të gjithë vepruan sikurse ai. Kur Ebu Hanifja i kishte parashtruar Katades një pyetje, për një çështje që nuk kishte ndodhur, ai i kishte thënë të mos e pyeste para se të ndodhë rasti. Atëherë Ebu Hanifja ia ktheu: “Ne përgatitemi për fatkeqësitë para se ato të ndodhin, e kur të ndodhë ajo, atëherë e dimë si të hyjmë dhe si të dalim prej saj”.(11)


Ç’thanë për Ebu Hanifen dhe Fikhun e tij?


Dijetarët eminentë kanë folur në superlativ për imamin e madh Ebu Hanife. Fjalët e tyre përkojnë me realitetin e fekihut, siç ishte Ebu Hanife.
Imam Dhehebiu për Ebu Hanifen, ka shkruar: “Ai është imami, fekihu-juristi i miletit, dijetari i Irakut”...(12)
Ibn Mubareku ishte pyetur: “A është më i ditur në Jurisprudencë Maliku apo Ebu Hanifja?” Ai kishte thënë: “Ebu Hanifja është më i dituri i gjithë njerëzve në Fikh”. Në një rast tjetër ai kishte thënë: “Ai (Ebu Hanife) është truri i diturisë”. Disa prej bashkëkohanikëve të tij për të kanë thënë: “Askush nuk është njohur që t’i ketë kuptuar hadithet sikurse ai, e ai i nxirrte shkaqet nga të cilat ndërtoheshin dispozitat... ai nuk mjaftohej me të kuptuarit sipërfaqësor të tekstit, po me kuptimin e (thellë të) tekstit”.(13)
Xheriri ka thënë: Mugira më ka thënë: “Ulu me Ebu Hanifen për të fituar Fik’h, sepse, nëse do të ishte gjallë Nehaiu, ai do të ulej me të”. Ndërsa Nadr ibn Shumejl ka thënë: “Njerëzit ishin në gjumë lidhur me Fikhun- Jurisprudencën, gjersa i zgjoi Ebu Hanife me sqarimet e tij”...(14)
Kolosi i madh Ahmed ibn Haxher el-Mekij, i cili është nga shkolla juridike shafite, për Ebu Hanifen, në mes të tjerash ka thënë edhe këto fjalë: “Ebu Hanife është begati e Allahut (ni’metullah) ndaj krijesave të Tij (ala halkihi)”.(15)
Sigurisht se njerëzit që dëshirojnë të mësojnë për shkencën e Fikhut, do ta ndiejnë të domosdoshme të konsultohen dhe të mësojnë për fikhun e Ebu Han - ifes, e këtë e kishte theksuar edhe imam Shafiu, kur pati thënë: “Njerëzit kanë nevojë për Fikhun e Ebu Hanifes”.(16)


Përfundim


S’ka dyshim se personaliteti i Ebu Hanifes është i jashtëzakonshëm dhe Fikhu-jurisprudenca islame është fusha ku ai tejkaloi të gjithë juristët e tjerë. Shumë juristë kishin reputacion dhe famë, por me shfaqjen e Ebu Hanifes, si duket mbetën nën hijen e tij dhe reputacioni i tyre zbehej gjithnjë. Ky reformator në Fikh, me aftësitë e tij të jashtëzakonshme, zgjoi juristët dhe Ymetin. Me përgjigjet e tij të shpejta, të sakta dhe të thukta, bëri që emri i tij të dëgjohej dhe njerëzit të pranonin se do të kishin nevojë të mësonin Fikhun e tij.



____________________
(1) El Mekkij, Menakib Ebi Hanife, f. 61 e tutje; Kerderij, Menakib Ebi Hanife, f. 145; Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 22.
(2) Ebu Jusuf, Ihtilafu Ebi Hanife ve ibën Ebi Lejla, me koment të Ebul Vefa el-Afgani, bot. I, matbeatu-l Vefa, 1357, f. 4.
(3) Kerderij, Menakib Ebi Hanife, f. 121.
(4) El Mekkij, el-hajratul Hisan..., f. 27-28.
(5) Ebu Zehre, Ebu Hanife –hajatuhu ve asruhu, arauhu ve fikhuhu-, f. 67-68.
(6) Po aty, f. 68.
(7)Hamze Neshreti, El-Imamul A’dham Ebu Hanife En-Nu’man, f. 90-91.
(8) El-Mekkij, el-hajratul Hisan..., f. 33; Mustafa Sibai, Es-Sunetu ve mekanetuha fit-teshriil Islamij, f. 444-445.
(9) Mustafa Sibai, Es-Sunetu ve mekanetuha fit-teshriil Islamij, f. 444.
(10)Kjo ngjarje përmendet në shumë libra të medhhebit hanefi: Muhamed Alaidin ibn Alij el-Hasfekij, Ed-Durru’l Muhtar, Sherh Tenviru’l Ebsar, boton: Mektebul Buhuth ved-Dirasat, Daru’l Fikr, v. 4, f. 217; Othman ibn Alij ibn Mihxhen el-Bariij, Fahrudin Zejlei, Tebjinul Hakaik ve Hashijetu Shelebij, bot. I, El-Matbeatu’l Kubra el-Emirijetu, Bulak-Kairo, 1313h, v. 3, f. 207.
(11) Mustafa Sibai, Es-Sunetu ve mekanetuha fit-teshriil Islamij, Dar el-Verrak-el-Mektebul Islamij, pa vit botimi, f. 439.
(12) Dhehebiu, Sijer A’lamu-n Nubela, v. 4, f. 390.
(13) Ebu Zehre, Ebu Hanife–hajatuhu ve asruhu, arauhu ve fikhuhu-, f. 63.
(14) Ahmed ibn Muhamed Nesijiridin En-nekib, El-Medhhebul Hanefij, Mektebetu Rrushd, Rijad-Arabia Saudite, f. 58.
(15) El-Mekkij, el-hajratul Hisan..., Matbeatu-s Seadeh, Kairo-Egjipt, pa vit botimi, f. 23.
(15) Hamze Neshreti, El-Imamul A’dham Ebu Hanife En-Nu’man, f. 94.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)