Kategoritë e njerëzve dhe përgjegjësitë e tyre, nga këndvështrimi i sures “El Beled”
Kaptina “El Beled”, përderisa flet për njeriun dhe pozitën e tij në këtë botë, në të njëjtën kohë përgjegjësinë dhe ndërgjegjen e tij e sjell në dy sfera, përgjegjësia ndaj Allahut të Madhëruar dhe përgjegjësia ndaj shoqërisë.
Kaptina “El Beled” edhe pse hyn ne radhët e kaptinave të shkurtra të Kuranit Famëlartë, duke u përbërë nga vetëm 20 ajete, ajo në vete ngërthen tematika gjithëpërfshirëse. Ndër tematikat më të rëndësishme të saj janë vendi dhe përgjegjësia e njeriut në këtë botë, karakteristikat morale dhe përgjegjësia ndaj urdhrave të Krijuesit të Madhëruar dhe shoqërisë. Thuhet po ashtu se kaptina “El Beled” paraqet sprovimin e qenies njerëzore në këtë botë me shqetësime dhe vështirësi të ndryshme të cilat janë më se të nevojshme për zhvillimin e tij shpirtëror dhe moral.(1)
Lidhja e kësaj kaptine me kaptinën paraprake dhe me kaptinën pas saj
Kaptina “El Beled” ka një lidhje të ngushtë me kaptinën “El Fexhër”, që zë vend para saj në Kuranin fisnik. Kaptina “El Fexhër” përmend sprovimin e qenies njerëzore dhe sjell në pah përgjegjësinë e tij ndaj Krijuesit,(2) në të njëjtën kohë shihet që në këtë kaptinë përmenden edhe disa përgjegjësi shoqërore që përmenden po ashtu në kaptinën “El Beled”.(3)
Kaptina “Esh Shems”, që në radhitjen kuranore pason kaptinën “El Beled”, e shton edhe më shumë madhështinë e lidhjes së këtyre kaptinave ndërmjet vete. Në këtë kaptinë flitet për mësimin e të dy rrugëve, të së keqës dhe të së mirës, dhe për lirinë e njeriut në përzgjedhjen e cilësdo prej tyre.(4) Siç shihet në këto kaptina të renditura njëra pas tjetrës flitet për lirinë e përzgjedhjes së këtyre shtigjeve nga qenia njerëzore brenda kornizës së sprovës. Me një fjalë, mund të themi që kaptina “El Beled” dhe kaptinat para dhe pas saj vënë në pah përgjegjësitë e njeriut ndaj Zotit dhe shoqërisë që e rrethon.
Referimi i kaptinës “El Beled”
Kurani fisnik ndonjëherë përgjithëson tregimin, kurse ndonjëherë duke u bazuar në temën të cilën e trajton e sjell atë në kushtim të veçantë. Në fakt, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për dedikim të përgjithësuar apo të veçantë tematika bazore në Kuran është njeriu si qenie qendrore në gjithësi.
Po ashtu në Kuranin Famëlartë shohim që Allahu i Madhëruar duke e përcjellë një temë të caktuar te njerëzit betohet në disa gjëra me të cilat ka për qëllim të tregojë rëndësinë e asaj që synohet të shpjegohet, ose ndikimin e tij/saj pozitiv mbi moralin dhe virtytin, ose të drejtojë familjen dhe shoqërinë kah e mira, e bukura dhe rendi. Edhe kaptina “El Beled” po ashtu është prej sureve në të cilat betimi zë vend më shumë se një herë. Ne këto vargje, Zoti i Madhërishëm betohet në një “qytet” dhe po ashtu “në atë që lind” dhe “në atë që është i lindur”. Shumë komentatorë thonë se ky qytet në të cilin është betuar Zoti xh.sh është Meka e shenjtë, vend ky që është veçuar me Qabenë e bekuar dhe me pishtarin ndriçues, të përzgjedhurin Muhamed a.s. Sa i përket betimit “në atë që lind” thuhet që Allahu xh. sh. është betuar në njeriun e parë të krijuar Hz. Ademin dhe pasardhësit e tij. Ibn Kethiri thotë që Allahu i Madhëruar pasi betohet në Mekën e bekuar, betohet në zanafillën e njeriut gjë që fillon me njeriun e parë Ademin a.s duke vazhduar me pasardhësit e tij.(5)
Pra Allahu i Madhëruar betohet në vendin dhe në qenien më të rëndësishme të kësaj bote. Muhamed Abduhu thotë që betimi i Allahut të Madhëruar “në atë që lind” dhe “në atë që është i lindur” e bën njeriun të vetëdijshëm për rëndësinë e “lindshmërisë (natalitetit) dhe shumimit”, për urtësitë e pafundme të cilat gjenden në këto procese, përsosmërinë e artit të krijimit, rëndësinë e prindit dhe atij/asaj që është i lindur, po ashtu e bën njeriun të vetëdijshëm për procesin e një të posalinduri që nga momenti i ardhjes në këtë botë deri në ndarjen nga ajo.(6) Ajetet kuranore mund të përfshijnë dimension të përgjithshëm dhe të veçantë në të njëjtën kohë. Edhe ajetet e para të sures “El Beled” mund të komentohen nga ky këndvështrim. Me fjalë tjera, ajetet e lartcekura në mënyrë të veçantë u drejtohen banorëve të Mekës dhe rrethinës së saj në vitet e para të shpalljes së Kuranit Famëlartë, kurse për gjeneratat vijuese përçojnë një mesazh të përgjithshëm. Kjo lë të kuptohet që Kurani Famëlartë është një libër që ka fuqinë e adresimit në mënyrë universale. Ajo që duam të theksojmë këtu është që Kurani përmban në vete një dimension që fare lehtë mund të kuptohet nga njerëzit të cilët jetojnë në ambiente dhe kushte të caktuara, në kontekstin e mundësive të tyre dhe brenda sfondit historik.
Në vazhdim të kaptinës “El Beled” me një shprehje të përgjithëshme flitet për ekzistencën e qenies njerëzore në këtë botë dhe për ballafaqimin e saj me brenga, vuajtje, shqetësime, përpjekje dhe vështirësi të njëpasnjëshme siç janë: lindja, ushqimi, përgatitja për jetën, vdekja, ringjallja etj., vështirësi dhe shqetësime këto me të cilat do të ballafaqohet njeriu në këtë botë apo në botën tjetër. Madje Fahreddin er-Razi (v. 606/1210) thotë që në këtë botë nuk ka kënaqësi, madje gjërat të cilat mendohet që janë kënaqësi në këtë botë nuk janë gjë tjetër përveçse vështirësi, përpjekje, pikëllim, vuajtje, shqetësime dhe brenga.(7) Fakti i ekzistimit të këtyre sfidave nuk lë të kuptohet që njeriu është krijuar për të jetuar me brenga e shqetësime, por tregon për natyrshmërinë e kësaj bote, si rezultat i jetës dhe rrjedhës së saj, e që është e pamundur për njeriun të mos hasë në to. Ekzistenca dhe ballafaqimi i qenies njerëzore me tërë këto ka për qëllim edukimin, pjekurinë apo, thënë më ndryshe, ngritjen e njeriut në shkallën më të lartë të përsosjes.
Kategoritë e njerëzve në këndvështrimin e kaptinës “El Beled” dhe përgjegjësitë e tyre ndaj Krijusit dhe shoqërisë
Kaptina “El Beled” në pjesën e parë u referohet të gjithë njerëzve pa dallim, ndërsa në pjesën e dytë njerëzit i ndan në dy kategori. Në vargjet 5-7(8) të kësaj kaptine përmenden tiparet e njerëzve të cilët tërë jetën ia kushtojnë akumulimit të pasurisë dhe shfaqin mendjemadhësi me atë që posedojnë e që janë kategoria e parë. Megjithëse nuk ka ndonjë dëm absolut në akumulimin e pasurisë, dihet se ka përgjegjësi të madhe në mënyrën e fitimit dhe të shpenzimit të saj. Edhe pse shkaku i drejtpërdrejtë i zbritjes së këtyre vargjeve ndërlidhet me një person të caktuar që ishte i pasur dhe me autoritet në atë kohë(9), në kuptim të përgjithshëm këto vargje i përfshijnë të gjithë njerëzit dhe portretizojnë karakterin e njerëzve mburravecë, të cilët e shohin vetën të ngritur ndaj të tjerëve. Kushtimisht këto vargje pasqyrojnë figurat e njerëzve të cilët akumulojnë dhe më pastaj shkatërrojnë pasurinë e tyre, duke e shpenzuar atë në mënyrë të zbrazët (syefaqësie) dhe të padobishme.
Lloji tjetër i njerëzve që kategorizohet në këtë kaptinë janë ata të cilët besojnë në Zot dhe u nënshtrohen urdhrave të Tij, pra besimtarët. Një prej karakteristikave të kësaj kategorie është durimi, i cili realizohet me bindje dhe nënshtrim ndaj urdhëresave të Krijuesit xh.sh. me dëgjim, shmangie nga mëkatet, qëndrim në vështirësi, shqetësime, vuajtje dhe fatkeqësi etj. Besimtari i tillë portretizohet si një rob i nënshtruar ndaj urdhëresave të Zotit të tij, si zemërbutë që përçon zemërgjerësi dhe dhembshuri ndaj njerëzve në veçanti dhe ndaj gjithë krijesave të tjera në përgjithësi. Njerëzit që në këtë sure cilësohen me këso tipare janë ata që do të arrijnë lumturinë e botës tjetër. Nga kjo shihet që klasifikimi i qenies njerëzore në këtë kaptinë bëhet në mënyrë matematikore. Së pari flitet rreth njeriut, më pas njeriu ndahet në dy grupe, pastaj paraqiten karakteristikat që posedon secila nga këto kategori. Kjo natyrisht që është më shumë sesa një përshkrim i rastit apo përshkrim i zakonshëm të cilin mund ta hasnim çdo ditë.
Në Kuran, përveç trajtimit të njeriut në mënyrë jashtëzakonisht të veçantë, flitet edhe për përgjegjësinë që i është dhënë atij. Kaptina “El Beled”, përderisa flet për njeriun dhe pozitën e tij në këtë botë, në të njëjtën kohë përgjegjësinë dhe ndërgjegjen e tij e sjell në dy sfera, përgjegjësia ndaj Allahut të Madhëruar dhe përgjegjësia ndaj shoqërisë. Në ajetet në vijim Krijuesi i Plotfuqishëm i kujton njeriut disa nga dhuntitë që i ka dhënë atij e për të cilat ai është përgjegjës dhe duhet të jetë mirënjohës: “A nuk i dhamë Ne atij dy sy edhe gjuhë e dy buzë”.(10) Dijetarët e tefsirit në lidhje me dy sytë që përmenden në ajet thonë se ato janë mjete jashtë-zakonisht të rëndësishme për të marrë informacione nga bota e jashtme, për të dalluar të vërtetën dhe të drejtën nga e gabuara. Pra, nga kjo shihet qartë fakti që Allahu i Plotfuqishëm njeriut i sqaron sferat e nevojshme për një jetë të mirë dhe e lë atë në një përzgjedhje të lirë duke i sqaruar atij të gabuarën dhe të drejtën.
“Rrugët” të cilat përmenden në këtë kaptinë po ashtu janë të një rëndësie të veçantë. Njeriu gjatë rrugëtimit të tij në këtë jetë do t’i referohet njërit prej dy shtigjeve nëpërmjet të cilave ai do ta gjejë lumturinë ose do të jetë nga të hidhëruarit.
Siç thotë Râzî, Akabe është një grusht i fortë i cili tregon luftën e njeriut me vetveten për të bërë vepra të mira, ngaqë përballja e njeriut me vetveten është nga gjërat më të rënda dhe me të vështira. Se cila është rruga e vështirësisë apo, thënë ndryshe, rruga e bamirësisë dhe e përgjegjësisë së përshkruar në këtë kaptinë, e sqarojnë më mirë ajetet në vijim: “Është lirimi i një skllavi ose dhënia e ushqimit në kohën kur mbretëron uria.”(11) Edhe pse në shikim të parë kjo duket gjë e thjeshtë dhe që nuk do shumë mund, në vete ngërthen një mesazh të lartë hyjnor që nxit në bamirësi dhe përgjegjësi ndaj skamnorëve në aspektin shpirtëror, social dhe ekonomik.
Një ndër përgjegjësitë e theksuara në kaptinën “El Beled”, është të ushqyerit e ndonjë jetimi të afërt ose ndonjë nevojtari të molisur nga varfëria. Në këto vargje vihet në pah uria e të varfërve, dukuri që e rastisim çdo ditë dhe uria e skajshme e cila gjen shprehje gjatë krizave të ndryshme që mund të jenë shkak i mungesës së ushqimeve. Qëllimi i kësaj ndihme është përmbushja e emanetit që kemi ndaj qenies njerëzore duke e shpëtuar dhe duke e ndihmuar atë. Si rezultat, në suren “El Beled” kërkohet mbrojtja e skllevërve, jetimëve dhe të varfërve, të cilat, duke qenë shtresat më të shtypura të njerëzve, kanë nevojë për mbështetjen më të madhe në shoqëri.
Përgjegjësitë që i atribuohen qenies njerëzore në shpjegimet e deritanishme kanë një kuptim shoqëror (i kushtohen bashkësisë). Këto parime të shprehura në këtë kaptinë duhet të shihen si projekte të parapara në mësimet kuranore për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik. Për më tepër, në kaptinë përmenden edhe disa përgjegjësi morale-ndërgjegjësore të cilat luajnë rol të veçantë në zhvillimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve të brendshme shoqërore. Nga këto mund të përmendim: “Të bëhej prej atyre që besuan, që këshilluan njëri-tjetrin për durim dhe që këshilluan për mëshirë (për ndihmë), të tillët janë të zotët e anës së djathtë.”(12)
Një renditje e ngjashme është përfshirë edhe në kaptinën “El Asr” në të cilën thuhet: “Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt, me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen së vërtetës dhe që këshilluan njëri tjetrin të jenë të durueshëm.”(13) Nga këto ajete kuptohet që nuk është i humbur ai që ka besuar dhe ka bërë vepra të mira. Ai, duke e ditur se kjo jetë është kalimtare, nuk është mashtruar pas dëshirave që rrënojnë njerëzinë e njeriut, është përpjekur për të qenë i matur dhe i kujdesshëm në çdo situatë. Po ashtu, nuk janë të humbur edhe njerëzit që mësojnë njëri-tjetrin për punë të mbara, për drejtësi, për njohje të Krijuesit Fuqiplotë, sikur që nuk janë të humbur as ata që e këshillojnë njëri -tjetrin të jenë të durueshëm në vështirësi e mundime, në zbatimin e urdhëresave të Zotit dhe në largimin prej punëve të këqija e të ndyra. Në kaptinën “El Beled”, kësaj renditjeje i është shtuar edhe dhembshuria, e cila është karak teristikë e së drejtës, mbarësisë dhe durimit. Kur i përmbledhim dy ajetet së bashku shohim që drejtësia, durimi dhe mëshira janë pjesë e një tërësie. Këshillimi për durim dhe për mëshirë është në të vërtetë themel mbi të cilin ndërtohen përgjegjësitë e përmendura më lart, sepse durimi, morali i mirë dhe mëshira dalin në shesh me ndihmën ndaj krijesave të Zotit Fuqiplotë.(14) Këto janë vetëm disa nga ajetet që vërtetojnë faktin se Kurani Famë-lartë përmban një nga parimet themelore ekonomike, sociale dhe psikologjike për përmirsimin e shoqërisë dhe për ruajtjen e rendit në të.
Kurani famëlartë, duke i vënë theks të veçantë njeriut si një ndër krijesat më të përsosura, nxit për formësimin e një lloji ideal të njerëzve dhe për organizimin e një shoqërie të shëndoshë. Në mënyrë që të ruhet rendi shoqëror në tokë, Allahu i Madhëruar i ofron njeriut udhëzim kah e drejta dhe marrja e përgjegjësisë, duke i tërhequr vëmendjen edhe për fundin famë keq të rrugës së gabuar dhe e lë të lirë në zgjedhjen e njërës prej këtyre dy dimensioneve vendimtare për të ardhmen e tij.
_______________________
1. *Universiteti: “Uludağ”, Bursa/Turqi, İnstituti: Shkencat Sociale, Fakulteti i İlahijatit: Bazat e Shkencave İslame/Tefsir. Tantâvî el-Xhevherî, el-X hevâhir fi Tefsîri’l-Kur’ani’l-Kerim, b. 2, Egjipt: 1350, v. 25, f. 167.
2. “E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar! Por kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!” (El Fexhër, 5-16).
3. “Jo, nuk është ashtu! Por (punoni edhe më zi) ju nuk përfillni bon jakun, nuk nxitni njëri-tjetrin për ta ushqyer të varfrin dhe ju e hani me të madhe trashëgimin (pa të drejtë) dhe pasurinë e doni së tepërmi.” (El Fexhër, 17-20).
4. “Betohem në njeriun, dhe Atë që e krijoi atë dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij.” (Esh Shems, 7-8).
5. İbni Kethir, Ebu'l-Fidâ İsmâil, Tefsîru'l-Kurâni'l-Adhîm, (Muhammed İbrahim el-Bennâ), Stamboll: Kahraman, 1984, v. VIII, f. 425.
6. Muhammed Abduh, Tefsîru’l Kuran’l-Kerîm, b.3, Egjipt: Xhem’îjetu’l -Hajrijjeti’l -İslâmijje, 1341/1992, ff. 87-88.
7. er-Râzî, Fahreddîn Muhammed b. Omer b. Hysejn b. Ali el-Kureshî et-Teymî el-Bekrî, Mefâtîhu’l-Ğajb, b.1, Lubnan: Dâru’l-Fikr, 1401/1981, v. XXXI, f. 182.
8.“A mendon ai, se atë nuk mund ta mposhtë askush? E thotë: “Unë kam shpenzuar shumë pasuri!” A mendon ai, se atë askush nuk e ka parë?”; (El Beled, 5-7).
9. Ebussuûd, Muhammed b. Muhammed, Tefsîru Ebissuûd, Kahire: Dâru’l-Mesâhif, pd., v. IX, f. 161; Elmalılı, Muhammed Hamdi Yazır, Hak Dini Kur’an Dili, Stamboll: Feza Gazetecilik A.Ş, v. IX, f. 221.
10. (El Beled, 8-9).
11. (El Beled, 13-14).
12. (El Beled, 17-18).
13. (El Asr, 2-3).
14. Nîsâbûrî, Nizâmeddîn, Garâibu’l-Kur’an, Beyrut: Müessesetu’r-Risâle, v. 30, f. 102.