Komentimi i kaptinës “El-Kehf” – (11)

 


Fitneja e Iblisit-Shejtanit


“(Përkujto) Kur u thamë engjëjve: “Përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, dhe nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet”. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?” Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve! Unë nuk i mora ata (të humburit) si dëshmitarë të krijimit të qiejve e të tokës e as të krijimit të vetë aty¬re, e as që do t’i merrja si ndihmëtarë ata që të tjerët i shpijnë në humbje” E ditën kur Ai thotë: “Thirrni ata, për të cilët menduat se janë bashkëpunëtorët e Mi!” I thërrasin, por ata nuk u përgjigjen (për ndihmë) atyre dhe ato lidhjet e tyre (në Dynja) Ne i zhdukim. Kriminelët e shohin zjarrin dhe binden se do të hidhen në të, dhe se nuk gjejnë shtegdalje prej tij.” – (El-Kehf, 50-53)


Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato parapake


Veprimet e idhujtarëve, të cilët u “shquan” për veset e këqija, mburrjen me pasuri e trashëgim tarë, si dhe nënçmimin e besimtarëve të varfër, përputhen plotësisht me veprimin e shejtanit të mallkuar-Iblisit, i cili u bë mendjemadh dhe u mburr, duke e nënvlerësuar Ademin a.s. Ai-Iblisi u krekos me origjinën e krijimit të tij, duke i thënë Allahut: Mua më krijove nga zjarri, kurse atë (Ademin) nga balta, prandaj jam më i lartë e më i vlefshëm se ai. A thua si mund t’i bie në sexhde, atij?! Të njëjtën gjë ia kishin thënë edhe idhujtarët Pejgamberit a.s.: Si të ulemi në të njëjtën ndeje me këta varfanjakë, kur dihet loza dhe prejardhja jonë fisnike, kurse këta as kanë pasuri e as lozë për t’u krenuar... 


Koment:


50. “(Përkujto) Kur u thamë engjëjve: “Përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, dhe nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet”. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?” Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve!


Nga ajetet paraprake të cilët na ofruan disa pamje të Ditës së Fundit dhe asaj të Gjykimit, tash I Lartmadhërishmi na bart në një pamje krejtësisht tjetër, thellë-thellë në të kaluarën e largët, në Ditën që Allahu krijoi babanë tonë Ademin a.s., dhe I urdhëroi melekët që t’i binin atij në sexhde nderimi. Që nga ky moment, kur Iblisi refuzoi urdhrin e Allahut, fillon edhe armiqësia në mes shejtanit dhe pasardhësve të tij në njërën anë, dhe Ademit e pasardhësve të tij në anën tjetër.. 
Siç do të shohim në vazhdim, ky grup ajetesh fillon me tërheqjen e vërejtjes për njerëzit që të kenë kujdes nga armiqësia e djallit ndaj tyre, armiqësi kjo, e ndezur që në fillet e para të krijimit të llojit njerëzor. Ajeti i 50-të i kësaj sureje fillon me urdhrin hyjnor të Allahut ndaj engjëjve që t’i binin në sexhde Ademit a.s., si shenjë fisnikërie ndaj llojit njerëzor, në përgjithësi. Në lidhje me këtë moment fisnikërie flasin edhe shumë ajete të tjerë kuranorë si: “El-Bekare”, 34, “El-Hixhr”, 28-29 etj, dhe që të gjithë flasin edhe për refuzimin e Iblisit që ta respektonte urdhrin e Krijuesit, për t’i rënë në sexhde Ademit a.s..
Shkaku i refuzimit të Iblisit për të rënë në sexhde, ishte mburrja me origjinën e krijimit të tij. Ai ishte krijuar prej flakëve të zjarrit, kurse njeriu (Ademi) prej dheu. Ajeti 76 i sures “Sad” e sqaron këtë mburrje: “Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i mirë prej tij, mua më ke krijuar nga zjarri, e atë e krijove nga balta!”
Nga ajetet kuranore, po edhe nga hadithet e shumta profetike, mësojmë se prej exhinëve ka të tillë që adhurojnë Allahun për t’u ngritur shpirtërisht, por ka edhe të tillë që adhurojnë Allahun, dhe në vete fshehin mendjemadhësinë që nuk përkon me adhurimin. 
Pa dyshim, që më i njohuri prej exhinëve është Iblisi. Kjo krijesë, në çastet kur u shpall Urdhri hyjnor drejtuar engjëjve për t’i bërë sexhde respekti Ademit a.s., po qëndronte në shoqëri të tyre, dhe kur ky refuzoi t’i binte në sexhde, atëherë u shndërrua në simbol të së keqes në këtë ekzistencë. 
Disa njerëz mendojnë që Iblisi ishte engjëll, për shkak se ishte në mesin e tyre. Por e vërteta është se ai ishte një nga exhinët, duke u bazuar në fjalët e Lavdiplotit:
“... Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet...” - (El-Kehf, 50) 
Megjithatë këtu pashmangshëm shtrohet pyetja: - A thua ç’bënte Iblisi në shoqërinë e engjëjve?! Çfarë kishte bërë ai që të meritonte nderin e të ndenjurit në shoqërinë e tyre?! 
Përgjigjja është e vështirë, sepse kjo gjë është një fshehtësi absolute (gajb). Dijetarët thonë: Ai (Iblisi), para se të krijohej njeriu, për t’u lartësuar në famë, kishte adhuruar Allahun me mija vjet. E kishte adhuruar Allahun duke lakmuar famën dhe lavdinë e jo devotshmërinë dhe përkushtimin ndaj Tij. Ishte simbol i shpirtit të keq. Por, meqë adhurimi ishte rruga e vetme e ngritjes dhe e lartësimit, ai ndoqi atë rrugë dhe, në momentin kur engjëjve iu urdhërua t’i bënin sexhde Ademit a.s., natyrisht që ai urdhër vlente edhe për të, meqë ishte më i mangët në vlerë e nderim sesa engjëjt. 
Mirëpo në ato çaste dolën në shesh qëllimet e tij të vërteta, të mbajtura fshehtë për një kohë aq të gjatë. Iblisi i mallkuar zbuloi maskën e mendjemadhësisë, të cilën e kishte në zemër. E kuptoi që synimet e tij për famë e lavdi po shkatërroheshin dhe kur erdhi urdhri hyjnor për t’i rënë në sexhde Ademit a.s., që ishte krijuar nga dheu, ai shfaqi mendjemadhësi dhe refuzoi të bindej. Me këtë veprim të tij, Iblisi zgjodhi të ishte simbol i së keqes.
Prej asaj dite, Iblisi vërtetë u shndërrua në krijesën më famëkeqe në ekzistencë. Në fakt fitoi këtë famë të keqe, por e humbi vetveten, duke qenë përjetësisht i përjashtuar nga mëshira e Krijuesit të tij. Shpirti i tij i lig, mbështeti dhe i dha përkrahje çdo ligësie, çdo të keqeje, mizorie dhe mëkati në Tokë... 
Allahu i Lartmadhërishëm, pikërisht për këto arsye Ua tërhoqi vërejtjen njerëzve mendjelehtë, që të mos pasonin intrigat e shejtanit, dhe si pasojë e kësaj të mos binin në humnerat e kufrit. Allahu xh.sh. në shumë ajete kuranore, racës njerëzore Ua bëri me dije se shejtani është armiku i tyre i përbetuar, si f.v. në ajetin 60 të sures Jasin: “O bijtë e Ademit (kriminelë), po a nuk ua dërgova porosinë që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!?”Madje ua tërhoqi vërejtjen që të mos e merrnin atë (shejtanin) për mik në vend të Allahut, Krijuesit të tyre, sepse një gjë e tillë, është shumë e ulët dhe këmbim i keq. Dhe, nëse jobesimtarët nuk pendohen nga kufri i tyre, ata së bashku me shejtanin do të jenë përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit...


51. “Unë nuk i mora ata (të humburit) si dëshmitarë të krijimit të qiejve e të tokës e as të krijimit të vetë atyre, e as që do t’i merrja si ndihmëtarë ata që të tjerët i shpijnë në humbje


Në këtë botë, gjithmonë pati e do të ketë njerëz me zemra të sëmura, që njerëzimin do të përpiqen ta devijojnë në besimin e tyre të pastër, me lloj-lloj idesh të çoroditura e të sëmura. Këta njerëz, zemrat e të cilëve i ka rrëmbyer shejtani i mallkuar vazhdimisht kanë hedhur teza se kjo ekzistencë u krijuar vetvetiu, rastësisht, si pasojë e një shpërthimi masiv në gjithësi, para miliarda e miliarda vitesh. Ata madje edhe praninë e njeriut në këtë tokë, e konsiderojnë si rezultat të një procesi të ndërlikuar nga një evolucion i gjatë kohor. Që të gjitha këto marrëzi, janë në kundërshtim me të vërtetën, por edhe me vetë logjikën e shëndoshë, sepse në këtë ekzistencë, asgjë nuk ndodh rastësisht. Allahu xh.sh. krijoi këtë gjithësi me Vullnetin dhe Urtësinë e Tij. Çështja e krijimit i përket vetëm Allahut xh.sh. dhe as nuk mund të pranohet ndonjë diskutim tjetër logjik rreth saj. Mirëpo, nëse e thotë ndokush se kjo gjithësi u krijua rastësisht apo vetvetiu, ne vetëm mund t’i themi se rastësia nuk mund të krijojë një rregull a ligj kaq të përpiktë, si rregulli i gjithësisë, i cili nuk ndryshon edhe përkundër kalimit të miliona-miliona viteve. 
Ka “pseudo-dijetarë” që trumbetojnë me të madhe se paraprijëse të kësaj ekzistence kanë qenë disa thërrmija të palëvizshme, të cilat rastësisht, vetvetiu, filluan të lëvizin, pastaj u ngjeshën dhe u bashkuan mes veti. Por këta “mendimtarë” do t’i pyesnim: Athua kush i krijoi dhe kush i shpiku për herë të parë këto thërrmija atomike dhe kush qe “Ai” që i nxiti ato të lëviznin nga palëvizshmëria?! 
Nëse dikush tjetër pohon se jeta ka filluar prej një qelize të ujit, si reaksion i proceseve kimike, do ta pyesnim: Athua kush qe “Ai” që nxiti këto reaksione kimike për të krijuar këtë qelizë nga uji?! Ne as që kemi ndërmend të zhvillojmë ndonjë dialog me të tillët, veçse këtyre shtrembëruesve të së vërtetës u themi se insistimi Juaj në kufër-mosbesim na forcon edhe më tepër Imanin, duke qenë edhe më të bindur se Allahu, Krijuesi i kësaj ekzistence që e shohim dhe të asaj që nuk arrijmë ta perceptojmë dot me shqisat tona,është i zhveshur nga çdo e metë. 


52. “E ditën kur Ai thotë: “Thirrni ata, për të cilët menduat se janë bashkëpunëtorët e Mi!” I thërrasin, por ata nuk u përgjigjen (për ndihmë) atyre dhe ato lidhjet e tyre (në Dynja) Ne i zhdukim.” 
53. “Kriminelët e shohin zjarrin dhe binden se do të hidhen në të, dhe se nuk gjejnë shtegdalje prej tij.” 


Dita e Gjykimit, do të jetë ditë e vështirë për të gjithë, por sidomos për jobesimtarët dhe të humburit. Ata në këtë ditë do të ballafaqohen me turpin e përbotshëm, kur do të shohin se mosbesimi i tyre dhe mohimi i Allahut ishte rruga e gabuar që kishin zgjedhur. Allahu u Plotfuqishëm, do t’i turpërojë edhe më tepër kur do t’u drejtohet atyre me fjalët, që t’i thërrasin ata që i kishin paramenduar si bashkëpunëtorë dhe ndihmës të Allahut në krijim. Këta mjeranë nga vogëlsia e tyre do të përpiqen të bëjnë përpjekjet e tyre të fundit të dëshpëruara, duke thirrur idhujt dhe “zotat” e rremë e të imagjinuar, por askush nuk do t’u përgjigjet, sepse në këtë Ditë, e tërë çështja i takon vetëm Allahut-Krijuesit të Vetëm, Absolut dhe Fuqiplotë. 
Llogaria ndaj këtyre njerëzve kriminelë, do të jetë shumë e shpejtë dhe e ashpër. Ata do të hidhen pamëshirshëm në Zjarrin përcëllues të Xhehenemit, dhe askush nuk mund t’i shpëtojë nga dënimi i merituar i Allahut.. 


Porosia e këtyre ajeteve


-Allahu xh.sh. sikur dëshiron t’i këndellë njerëzit e hutuar se Iblisi është armik i përbetuar i racës njerëzore, duke i paralajmëruar që mos mashtrohen nga lajkat dhe joshjet e tij, sepse fundi i tyre, ashtu si edhe i shejtanit, do të jetë Skëterra e Xhehenemit. 
- Në këto ajete kemi një ngjashmëri krahasuese në mes mendjemadhësisë së idhujtarëve e pastaj edhe të pronarit të dy kopshteve, me mendjemadhësinë e Iblisit, i cili refuzoi t’i binte në sexhde Ademit, duke pretenduar se ishte krijesë më e vlefshme, më e lartë dhe më fisnike se ai. Po kështu edhe idhujtarët e shihnin veten më superior e më të vlefshëm sesa varfanjakët muslimanë që rrinin afër Pejgamberit a.s., ashtu siç veproi edhe pronari i dy kopshteve, me mendjemadhësi e krekosje.
- Jobesimtarët që marrin për mik shejtanin dhe e pasojnë rrugën e tij djallëzore, janë pala e humbur, sepse nuk morën mësim nga armiqësia e tij e përjetshme ndaj babait të tyre – Ademit a.s.
- Iblisi kishte mëkatuar kur kishte thyer urdhrin e Allahut, duke refuzuar sexhden ndaj Ademit, kurse Ademi mëkatoi kur po ashtu theu urdhrin e Allahut, duke ngrënë nga pema e ndaluar. Por, dallimi në mes këtyre dy mëkateve është skajshmërish i pakrahasueshëm, sa hapësira mes qiejve e Tokës. Gabimi i Ademit nuk ishte mëkat i qëllimshëm, por një moment shkujdesi i dobësisë njerëzore, kurse Iblisi mëkatoi qëllimshëm madje duke insistuar vendosmërisht në qëndrimin e tij rebelues. Ai pas mëkatit, jo që nuk u pendua, por vazhdoi me ngulm të mbronte mendimin e tij se ishte më i vlefshëm se Ademi nga aspekti i materies krijuese, kurse Ademi a.s. më përulësinë e natyrës së tij të ndjeshme njerëzore, megjithatë u pendua thellë dhe sinqerisht, duke kërkuar falje nga Allahu I Gjithëmëshirshëm, me lot në sy…
- Ademi nuk bëri kufër me gabimin e tij, ndonëse theu urdhrin e Allahut që të mos hante nga pema e ndaluar, ndërsa Iblisi, po. Ai përveçqë theu urdhrin e Allahut, edhe dyshoi në Urtësinë e Tij gjatë krijimit të Ademit, duke e nënvlerësuar materien nga e cila u krijua Ademi, në raport me vetveten! 
- Gabimi i Ademit ishte shkaktuar nga vesvesja që ia mbolli Iblisi në një moment hutie, ndërsa gabimi i Iblisit ishte i nxitur nga vetvetja, duke qenë i cytur nga vetë shpirti i tij i prishur.
- Allahu nuk pati nevojë për ndonjë ndihmës gjatë krijimit, sepse Ai është I Plotfuqishëm dhe I Gjithë pushtetshëm. Këto ajete kur Ai thotë se nuk i kam marrë për dëshmitarë e as ndihmës të humburit dëfton për humbjen në të cilën janë idhujtarët dhe jobesimtarët në përgjithësi, të cilët mohojnë krijuesin e tyre, duke i bërë shirk Atij, duke besuar në idhuj e zota të imagjinuar, të nxitur nga djallëzitë e shejtanit të mallkuar. Dënimi i këtyre do të jetë zjarri i Xhehenemit.


(vijon)  


 


Sabri Bajgora