Nisin punimet për restaurimin e Xhamisë së Sudi Efendisë në Prishtinë

 


Xhamia "Sudi Efendi" në Prishtinë, nga sot do t'i nënshtrohet restaurimit, i cili parasheh konsolidimin e strukturës së xhamisë, largimin e lokaleve rrotull dhe në fund rikthimin e saj në shfrytëzim nga komuniteti i besimtarëve myslimanë. 
Me këtë rast, sot këtë xhami e vizitoi kryeministri i Kosovës në detyrë, z. Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, të cilët shoqëroheshin nga udhëheqësit e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, të kryesuar nga kryetari Hetem ef. Sopjani.
Ky projekt është përzgjedhur si projekt prioritar për restaurim, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Vlera e investimit nga Ministria e Kulturës është 639,776.36 euro.