Kur diskutohet rreth Bankimit islam, është e qartë se bankat islame në formën që i shohim në ditët e sotme, janë një fenomen i ri. Mirëpo, parimet dhe teknikat e financimit origjinën e kanë që nga koha e Pejgamberit a.s., dhe disa prej të cilave edhe më herët. Ekzistonin bankierë që kryenin të gjitha shërbimet bankare ende pa ekzistuar bankat siç janë në ditët e sotme. Prandaj, historia e bankimit islam duhet të studiohet patjetër që nga koha e hershme, që nga koha e të Dërguarit të Zotit e deri në kohët moderne.
Origjina e financave islame
Para ardhjes së Pejgamberit a.s. shoqëria arabe ishte e ndarë në fise dhe secili fis qeverisej dhe kontrollohej nga traditat e tyre fisnore. Me ardhjen e Islamit, ato fise janë unifikuar dhe arabët e joarabët qenë bashkuar dhe qeverisur nga një qeveri dhe që të gjithë ndiqnin një ligj (ligjin islam). Unifikimi i ri që ndodhi, atë shoqëri e dërgoi në transformim në dy aspekte: aspekti i parë, transformimi nga vlerat fisnore e nomade në vlera universale (vlera islame) dhe, e dyta, transformimi në vlera socio-ekonomike. Këto fise, të cilat u bashkuan dhe u vendosën në një vend pa bërë plane për jetë nomade, , bëri shtytje e nxitje për zhvillimin e agrikulturës, industrisë dhe prodhimit, sepse për to lindi kërkesa kur shoqëria nisi të urbanizohej. Me zhvillimin e ekonomisë, në përgjithësi filloi të zhvillohej edhe aspekti financiar, kur u paraqit nevoja për transaksione financiare. Kur diskutohet për 'bankimin Islam', mund të mendohet për një sistem bankar që përmban të gjitha produktet moderne të bankimit dhe shërbimeve. Ky është një koncept i ri bankimi në krahasim me konceptin e vjetër, i cili ishte përdorur në ditët e hershme të Islamit, dhe është një produkt i shoqërisë moderne. Prandaj, një model i hershëm i financave islame pati filluar në ditët e hershme të Islamit, gjatë jetës së Pejgamberit a.s., që kishte bankierë dhe aktivitete bankare në funksion, para se të ekzistonin bankat islame. Shpallja e verseteve kur'anore që kanë folur rreth ndalimit të kamatës dhe aktiviteteve ekonomike në përgjithësi, i ka dhënë formën sferës ekonomike, përfshirë edhe aspektet e sistemit financiar.(1) Pejgamberi a.s. ka qenë i njohur si një tregtar shumë i aftë, sepse ai tregtinë e pati si profesion qysh nga fëmijëria. Ai vetë kishte marrë pjesë në ekspedita të karvanëve në udhëtime të gjata, kur ishte vetëm 12 vjeç dhe xhaxhai i tij e kishte marrë me vete në Siri, ku qe takuar me priftin Behira (ngjarje shumë e njohur në historinë islame). Më vonë ai udhëtoi edhe në vende të tjera me karvanë të ndryshëm për arsye tregtie.(2) i Dërguari i Zotit ka kryer edhe një shërbim tjetër me karakter ekonomik për njerëzit, ka shërbyer edhe si person për ruajtjen e kursimeve për njerëzit e tjerë deri në kohën kur emigroi prej Mekës në Medinë. Pas emigrimit, personi që kishte zëvendësuar Pejgamberin a.s. në veprimin e kursimit, ishte Zubair bin Al-Avam. Raportohet se në një kohë të caktuar kursimet e të tjerëve tek ai kishin arritur shumën 2,200,000 dërhemë. Kjo ngjarje tregon për besueshmërinë që ekzistonte ndërmjet njerëzve dhe për traditën ekonomike të asaj shoqërie, po edhe nevojën e një sistemi që njerëzit të mund të kursenin dhe mund të investonin, sepse ato kursime investoheshin në projekte të ndryshme, ashtu siç do të diskutohet në vijim. Pas shpërnguljes së Muhamedit a.s. nga Meka në Medinë, një nga ngjarjet e rëndësishme që kishin ndodhur, ishte edhe themelimi i institucioneve ekonomike dhe financiare. Pejgamberi a.s., si një person i respektueshëm, i besueshëm dhe tregtar me përvojë, i cili pat vizituar vende të ndryshme për qëllime tregtie para pejgamberisë, dhe i cili pati vuajtur efektet e embargos ekonomike të vendosur kundër tij nga paganët e Mekës, ka qenë shumë i vëmendshëm për rëndësinë e realitetit të pavarësisë socio-ekonomike, e cila shpie në pavarësi politike.(3) në aspektin financiar themeloi Bejtul mal-in (shtëpinë e thesarit). Financimi i shtetit në atë kohë bëhej përmes Bejtul mal-it në nivel qendror dhe në atë lokal, duke pasur në nivel qendror të vendosur në kryeqendër, dhe në degë të tjera në provinca të ndryshme, për nivelin lokal. Ky vend thesari mbikëqyrej dhe drejtohej nga një zyrtar, i cili quhej hazin al-mal, ndërsa ata që ishin në nivel lokal, quheshin hazin apo amin. ky person, përveç aftësisë menaxhuese, duhej të ishte i njohur edhe për besnikëri. Këta persona ishin të pavarur nga udhëheqësi i vendit dhe konsideroheshin prej elitës së popullatës.(4) Prej burimeve të Bejtul mal-it ishin Zekati, Sadakaja (lëmosha), Xhizja (taksa për kokë banori për jomyslimanët që jetonin në shtetin islam), haraxh (taksa mbi tokën), hums (një e pesta për plaçkën e luftës) dhe Fejj (të ardhurat nga tokat e shtetit).(5) Këto fonde shpenzoheshin në dy kategori të shpenzimeve: e para, shpenzoheshin për se konsiderohej përgjegjësi e shtetit p.sh. shpenzimet e ushtrisë dhe pagat e zyrtarëve shtetërorë. E dyta përfshinte financimet e aktiviteteve për të mirën e përgjithshme, siç ishin rregullimi i infrastrukturës rrugore, ujësjellësit dhe të ngjashme.(6)
Bejtul mal-i
Bejtul mal-i si një institucion shumë i rëndësishëm në aspektin financiar dhe përkrahës për popullatën në aspektin humanitar, nuk konsiderohej vetëm pasuri e myslimanëve po edhe e jomyslimanëve. Nga fondet e Bejtul mal-it qeveria ishte e detyruar të ndihmonte dhe të përkrahte edhe dhimmijet (jomyslimanët brenda shtetit mysliman). Marrëveshja në mes Halid bin Welidit dhe popullit të Hiras parashikonte që të vjetrit nga dhimmijet të liroheshin nga pagesa e xhizjes dhe gjithashtu atyre t'u jepej ndihmë financiare përderisa jetonin në shtetin mysliman.(7) Një institucion tjetër me rëndësi të madhe, që ishte themeluar në kohën e Pejgamberit a.s. menjëherë pas shpërnguljes dhe që është shumë i njohur në qytetërimin islam, është institucioni i vakëfit. Ky institucion shumë i rëndësishëm është themeluar për të përkrahur mirëqenien shoqërore dhe ekziston në çdo vend mysliman, por në disa vende nuk është funksional si duhet të jetë. Organizimi i fondeve të vakëfit dallon prej atyre të bejtul mal-it. Kur shokët e Pejgamberit a.s. ofruan fonde në mënyrë vullnetare për mirëqenien e popullsisë, Pejgamberi a.s. ato fonde i kishte pranuar dhe futur nën emrin e vakëfit.(8) Burimet e vakëfit ishin kryesisht donacione dhe jo detyrime siç është bejtul mal. ky institucion është zhvilluar edhe më shumë në kohët e mëvonshme dhe sot në shtetet islame kontrollon një shumë të madhe fondesh dhe luan një rol shumë të rëndësishëm për përkrahjen e aktiviteteve dhe zhvillimit të komuniteteve myslimane. institucioni i parë financiar i themeluar zyrtarisht si një institucion f inanciar në shoqërinë islame, ishte themeluar nga Omeri r.a. 10 vjet pas vdekjes së Pejgamberit a.s.. Ai ishte quajtur 'Divan', dhe ishte adaptuar nga persianët. Pas zgjerimit të kufijve të shtetit islam, posaçërisht pas f itores kundër dy perandorive të mëdha, Bizantit dhe Persisë, qe bërë një përkrahje financiare për të gjithë të nevojshmit që jetonin në shtetin islam. Me themelimin e këtij institucioni ishte bërë regjistrimi i gjithë popullsisë dhe gjendja e tyre materiale. Të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmë, ishin përzgjedhur përmes këtij institucioni dhe disave u ishte dhënë një formë pensioni të përhershëm e disave u ishte dhënë ndihmë sipas nevojës.
Institucionet e kredisë - kreditimit në ditët e hershme të islamit
Fjala kredi e ka burimin nga fjala latine 'Credo', që domethënë besim në aftësinë e personit a institucionit për të paguar. Instrumentet e kredisë-kreditimit janë çeqet, premtimet qeveritare, fletëtransferet e të tjera. Instrumente, bazuar në konceptin e financimit në kredi, ekzistonin edhe në ditët e hershme të Islamit, por me një terminologji tjetërfare, të ndryshme. Praktika e këmbimit të valutave të ndryshme ekzistonte edhe në kohën e Pejgamberit a.s.; termi që i referohet këtij transaksioni, në gjuhën e Sheriatit quhet Sarf. Historia e fjalës Sarf rrjedh nga fjala Sajrafah, e cila daton që nga koha e babilonasve. Në ditët e hershme të Islamit filloi të ndihej nevoja për këmbimin e dinarëve (prodhuar nga ari) në dërhemë (prodhuar nga argjendi) dhe anasjelltas, për të ndihmuar tregtinë ndërkombëtare që vinte nga vende të ndryshme. Pejgamberi a.s. i mësoi tregtarët e asaj kohe se lejohej të praktikonin këtë lloj biznesi, por pagesa e njërës dhe tjetrës valutë duhej të bëhej menjëherë në dorë për të dy valutat, e nuk lejohej që njëra të merrej menjëherë e tjetra pas një kohe, veçse që të dyja duhej të këmbeheshin në të njëjtën kohë. Vlera e valutave mund të ndryshojë në çdo kohë dhe, si rezultat, njëra prej palëve do të pësonte humbje. Humbja apo fitimi i njërës palë, transaksionin e sjell në gjendje të pasigurisë, e cila kategorizohet si mejsir (bixhoz), dhe, në anën tjetër, përfshin riba (kamatën), që të dyja të ndaluara sipas normave islame. Në qytetërimin islam ka qenë e njohur tregtia me përdorimin e letrave komerciale në shekullin e parë hixhri. Ata u jepnin ushtarëve dhe zyrtarëve qeveritarë kuponë si zëvendësim për pagesë, që quheshin Sakk. Termi 'cheque' - 'çek', i cili përdoret në bankimin e sotëm, e ka origjinën nga kjo fjalë Arabe Sakk shumësi Sukuk dhe koncepti i fjalës perse Suftaxhah, që në origjinë e ka kuptimin 'Para letre' apo 'Letër kredie'.Një tjetër term, i cili ka përdorim të përafërt me suftaxha, është termi që rrjedh nga gjuha arabe Ha ëalah. Ky term rrjedh nga fjala arabe al-taha ë ëul apo al tah ëil, që do të thotë transferim apo ndërrim i lokacionit nga një person tek tjetri apo nga një institucion në tjetrin. Është një marrëveshje me të cilën borxhliu lirohet nga borxhi duke e marrë përsipër borxhin e tij dikush tjetër. Gjithashtu kjo i mundëson një personi të bëjë pagesa në një vend tjetër përmes agjentit. Kontrata e ha ëalah nuk ka qenë e njohur para ardhjes së Muhamedit a.s.. Kjo u ndihmonte tregtarëve që të transferonin paratë nga një vend në një tjetër pa i lëvizur paratë e gatshme. Për shkak të vështirësive gjatë udhëtimeve nëpër det apo nëpër shkretëtirë, dhe duke ditur edhe rrezikun e udhëtimit me para të gatshme me vete, - ata iniciuan përdorimin e asaj që sot njihet si çek (cheque) në transferet e tyre dhe mënyrat e tjera të pagesës. Personi që lëshoi çekun e parë ka qenë Sayf Da ëlah al-Hamdani, që kishte arritur vlerën 42 mijë dinarë dhe kjo kishte ndodhur në vitin 970.8 Një institucion tjetër i rëndësishëm i kësaj natyre, është edhe përdorimi i Xhahbadh-it, i cili si term është marrë nga fjala perse Kahbadh, që kishte kuptimin këmbimore parash (Money-changer), bankier, apo mbledhës taksash. Kjo kishte filluar të përdorej që nga koha e Emevinjve në kohën e Muaviut. Më vonë, në kohën e Abasidëve, ishte zhvilluar edhe më shumë dhe aktivitetet brenda këtij instituti qenë intensifikuar dhe patën luajtur një rol shumë të rëndësishëm si mbledhës taksash dhe llogaritje në disa provinca. Ky institucion kishte detyrim që të dinte edhe vlerën e valutave të ndryshme dhe të bënte këmbimin e tyre në mënyrë sa më të efektshme. Tregtia kishte luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të perandorive të ndryshme myslimane që nga fillimi i zhvillimit të shtetit mysliman. Me kalimin e kohës dhe me zgjerimin e kufijve të shtetit mysliman, tregtia dhe mjetet e tregtisë ndodheshin gjithmonë në zhvillim, në mënyrë që t'i përgjigjeshin nevojës së kohës. Kishte grupe dhe kategori të ndryshme të tregtarëve, të ndarë në grupe dhe nivele të ndryshme, grupe që merreshin vetëm me tregti ndërkombëtare, import - eksport, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë. krahas këtyre grupeve tregtare, në treg kishte edhe agjentë të ndryshëm, të cilët merreshin me ndërmjetësime. Në vazhdimësi formoheshin grupe të tjera që formonin shoqëri aksionare për të ndërmarrë projekte të mëdha si në tregti, ashtu edhe në investime të ndryshme. Këto kompani më vonë qenë zgjeruar duke hapur degë në tërë territorin dhe u ngjanin shoqërive aksionare të përbashkëta dhe të kufizuara.
_________________
(1)Abraham L. Udovitch, "Bankers Without Banks: Commerce Banking, and Society in the Islamic World of the Middle Ages", Program in Near Eastern Studies No. 30, Princeton: Princeton University. F. 255-257.
(2) Joseph De Somogyi, "Trade in the Qur'an and Hadith", The Muslim World, Vol. 52, No. 2, f. 110
(3) Cengiz Kallek, "Socio-Politico-Economic Sovereignity and the Market of Medina". The Muslim World, Vol.52, No.2, 1995. F. 110.
(4). S.M. Imam-ud-din, A Historical background of Modern Islamic Banking: The World of Islam Today, (New Delhi: Indian Institute of Applied Political Research, 1990) f 249-249.
(5). Ugi Suharto, Kitab al-Amwal: Abu Ubayd's Concept of Public Finance, (Kuala Lumpur: ISTAC, 2005) f 75-80.
(6)VI. Sudin Haron and Bala Shanmugam, Islamic Banking System - Concepts and Applications, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1997) f. 2-3.
(7)Imam-ud-din (1990), f 249.
(8). Sami H. Hamoud, "Concept and Operation of Islamic Banks" Brenda librit, Islamic Financial Institutions, edituar nga Fahim Khan, (Jeddah: IRTI, 1995) f 36-37
Dituria Islame 239