Ndalohet personifikimi i profetëve dhe sahabeve

Deklaratë përkitazi me luajtjen e rolit të profetit Muhammed, alejhi’s selam dhe të gjithë profetëve tjerë, alejhimu’s selam, si dhe të sahabeve të nderuar në filma.

Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi zotërinë tone, Muhammedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!

Akademia Islame e Fikhut pranë Ligës së Botës Myslimane (League Muslim World), në sesionin e saj të njëzetë, të mbajtur në Mekken e Nderuar nga data 25-29/12/2010, duke parë se disa kompani kinematografike vazhdojnë të prodhojnë filma dhe seriale ku personifikohen personalitetet e profetëve, alejhimu’s selam dhe sahabeve, për opinionin e gjerë muslimanë lëshon këtë:

DEKLARATË

Si konfirmim të vendimit të mëparshëm të Akademisë të marrë në sesionin e tetë, i cili qe mbajtur në v. 1405 h., dhe i cili ndalon personifikimin në role filmike të personalitetit të profetit Muhammed, alejhi’s selam, të të gjithë profetëve, alejhimu’s selam dhe sahabeve, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

Duke parë se disa kompani kinematografike kanë vazhduar me prodhimin e filmave dhe serialeve ku personifikohen personalitetet e profetëve dhe sahabeve, Akademia rikonfirmon vendimin e marrë më herët për ndalimin e prodhimit të këtij zhanri filmash sikur që ndalon promovimin, propagandimin, blerjen, shikimin dhe transmetimin e tyre në kanale televizive. Kjo për shkak se nderi i tyre mund të cenohet dhe se mund të jetë shkak për tallje dhe përqeshje të tyre.

Arsyetimi se nëpërmjet atyre filmave dhe serialeve njihen më shumë me profetët dhe sahabet është i pavend ngase Kur’ani ka dhënë detaje që mjaftojnë. Allahu thotë:

“َنحْنُ نَقُصُّ عَلَيْكَ أَحْسَنَ الْقَصَصِ بِمَا أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ هَـذَا الْقُرْآنَ
Ne me të shpallur të këtij Kur'ani po të rrëfejmë ty (Muhammed) më të bukurin rrëfim, edhe pse para tij ishe nga të painformuarit.” Jusuf, 3.

“لَقَدْ كَانَ فِي قَصَصِهِمْ عِبْرَةٌ لِّأُوْلِي الأَلْبَابِ مَا كَانَ حَدِيثًا يُفْتَرَى وَلَـكِن تَصْدِيقَ الَّذِي بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ كُلَّ شَيْءٍ وَهُدًى وَرَحْمَةً لِّقَوْمٍ يُؤْمِنُونَ
Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur'ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjtë) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” Jusuf, 111.

Akademia citon edhe Vendimin e Këshillit të Dijetarëve të Mëdhenj, Fetvanë e Komisionit të Përhershëm për Hulumtime Shkencore dhe Fetva në Arabinë Saudite dhe atë të Akademisë së Hulumtimeve Islame në Kajro, si dhe të shumë organeve tjera fetare islame anekënd botës, që njëzëri ndalojnë këtë gjë.

Ajo qe duhet te dihet detyrimisht prej fesë është se Allahu vlerësoi dhe dalloi profetët nga te gjithë njerëzit tjerë, siç ka thënë ne Librin e Tij, Kur’anin Famëlartë:

“وَتِلْكَ حُجَّتُنَا آتَيْنَاهَا إِبْرَاهِيمَ عَلَى قَوْمِهِ نَرْفَعُ دَرَجَاتٍ مَّن نَّشَاء إِنَّ رَبَّكَ حَكِيمٌ عَلِيمٌ (83) وَوَهَبْنَا لَهُ إِسْحَقَ وَيَعْقُوبَ كُلاًّ هَدَيْنَا وَنُوحًا هَدَيْنَا مِن قَبْلُ وَمِن ذُرِّيَّتِهِ دَاوُودَ وَسُلَيْمَانَ وَأَيُّوبَ وَيُوسُفَ وَمُوسَى وَهَارُونَ وَكَذَلِكَ نَجْزِي الْمُحْسِنِينَ (84) وَزَكَرِيَّا وَيَحْيَى وَعِيسَى وَإِلْيَاسَ كُلٌّ مِّنَ الصَّالِحِينَ (85) وَإِسْمَاعِيلَ وَالْيَسَعَ وَيُونُسَ وَلُوطًا وَكُلاًّ فضَّلْنَا عَلَى الْعَالَمِينَ
Këto janë argumentet tona që ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngrejmë në shkallë të lartë atë që duam. Zoti yt çdo send e vë në vendin e vet, asgjë nuk mund t'i fshehet. 84. Ne atij (Ibrahimit) i falëm Is'hakun dhe Jakubin dhe secilin prej tyre e udhëzuam. Më parë edhe Nuhun e patëm udhëzuar. E nga pasardhësit e tij (të Ibrahimit) udhëzuam Davudin, Sulejmanin, Ejjubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë bamirësit. 85. (shpërblyem) Edhe Zekerijanë, Jahjanë, Isain, Ilijasin të gjithë prej të mirëve të përsosur. 86. (shpërblyem) Edhe Ismailin, Eljesanë, Junusin dhe Lutin. Të gjithë këta i veçuam mbi njerëzit tjerë.” el-En’amë, 83-86.

Pjesa përmbyllëse e ajetit të fundit “Të gjithë këta i veçuam mbi njerëzit tjerë” sqaron favorizimin e tyre ndaj të gjithë njerëzve ndërsa Muhammedi, alejhi’s selam mbetet më i favorizuar ndër profetë, siç thotë edhe vet:

“أَنَا سَيِّدُ وَلَدِ آدَمَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَأَوَّلُ مَنْ يَنْشَقُّ عَنْهُ الْقَبْرُ وَأَوَّلُ شَافِعٍ وَأَوَّلُ مُشَفَّعٍ
Unë, e them me modesti, jam zotëria i njerëzimit, jam i pari që më hapet varri, jam ndërmjetësuesi i pari dhe i pari që më pranohet ndërmjetësimi!” Muslimi.

Ky vlerësim dhe favorizim nënkupton se ata duhet respektuar dhe nderuar dhe se çdo lloj mosrespektimi a keqbërje ndaj tyre tërheq pas vete humbjen në këtë dhe botën tjetër. Allahu thotë:

“إِنَّ الَّذِينَ يُؤْذُونَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ لَعَنَهُمُ اللَّهُ فِي الدُّنْيَا وَالآخِرَةِ وَأَعَدَّ لَهُمْ عَذَابًا مُّهِينًا
E s'ka dyshim se ata janë të cilët e fyejnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar All-llahu në Dunja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm.”el-Ahzab, 57.

Keqbërjen ndaj profetit, Allahu e llogariti si keqbërje ndaj Tij, kështu që për keqbërësin caktoi largim nga mëshira e Tij dhe ndëshkim të përhershëm.

Dijetarët kanë vërtetuar se keqbërja ndaj profetit, alejhi’s selam bëhet me çdo gjë, fjalë a vepër, nga e cila fyhet dhe ofendohet ai.

Personifikimi i profetëve, alejhimu’s selam në role filmike sikur hap derën e dyshimeve dhe gënjeshtrave ndaj tyre, ngase artistët, assesi, nuk mund të luajnë rolin tamam ashtu siç kanë qenë profetët. Ndodhë që artisti të luajë role tjera në filma tjerë që tek shikuesit mund të lënë përshtypjen se profeti, jeta e të cilit luhet, ka qenë i përshkruar me cilësitë e atyre e personaliteteve, që artisti në fjalë i ka luajtur në filma të ndryshëm. Ummetit i mbetet obligim që të kryej detyrat e tij në mbrojtjen e profetëve dhe ruajtjen e pozitave të tyre duke kundërshtuar të gjithë ata që në një apo formë tjetër iu bëjnë keq atyre.

Ndërsa sahabet u nderuan prej Allahut me shoqërim të profetit të Tij të fundit, Muhammedit, alejhi’s selam. Allahu i lëvdoi ata në Kur’an e tha:

“مُّحَمَّدٌ رَّسُولُ اللَّهِ وَالَّذِينَ مَعَهُ أَشِدَّاء عَلَى الْكُفَّارِ رُحَمَاء بَيْنَهُمْ تَرَاهُمْ رُكَّعًا سُجَّدًا يَبْتَغُونَ فَضْلاً مِّنَ اللَّهِ وَرِضْوَانًا سِيمَاهُمْ فِي وُجُوهِهِم مِّنْ أَثَرِ السُّجُودِ ذَلِكَ مَثَلُهُمْ فِي التَّوْرَاةِ وَمَثَلُهُمْ فِي الإِنجِيلِ كَزَرْعٍ أَخْرَجَ شَطْأَهُ فَآزَرَهُ فَاسْتَغْلَظَ فَاسْتَوَى عَلَى سُوقِهِ يُعْجِبُ الزُّرَّاعَ لِيَغِيظَ بِهِمُ الْكُفَّارَ وَعَدَ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ مِنْهُم مَّغْفِرَةً وَأَجْرًا عَظِيمًا
Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (All-llahu i shumoi). Për t'ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” el-Fet’h, 29.

Artistet, sado me përvojë dhe të aftë të jenë, nuk mund të përvetësojnë tiparet dhe edukatën e tyre kurrë. Skenaristët, që përpilojnë skenarët e këtyre roleve, për të dale seriali apo filmi më tërheqës, në tekst fusin gjëra të paqena, të cilat madje mund të bien ndesh me realitetin përkitazi me ta. Ndodhë që ndonjëri prej artistëve muslimanë të luajë rolin e ndonjë pabesimtari prej atyre që munduan dhe persekutuan sahabet, kështu që skenari parasheh tekst ku figuron betimi në idhuj, apo ofendim të Pejgamberit, alejhi’s selam, apo shprehje që nuk është e lejuar të thuhen.

Bindja që qarkullon se kinse kjo bëhet për të mirën e Daues Islame dhe se me këtë synohet zbulimi i fshehtësive dhe moralit islam është e gabuar. Madje edhe po të supozonim se ka të mirë në këtë, prapë e keqja ia mund, sepse siç përmendëm më parë kjo paraqitje filmike mund të jetë shkak për uljen e nderit të tyre. Pastaj vet rregullat fetare nuk e parashohin një gjë të tillë. Siç e dimë prej rregullave fetare janë: “Interesi imagjinar nuk merret parasysh”; “Nëse interesin e rivalizon ndonjë e keqe e barabartë, atëherë interesi bie”, ngase “Parandalimit të të këqijave i jepet përparësi ndaj sjelljes së të mirave –interesit.” Atëherë si do të jetë puna nëse dëmi është më i madh se interesi, siç është rasti tani me personifikimin e profetëve, alejhimu’s selam në role filmike?!

Pastaj thirrja në Islam dhe prezantimi i moralit tonë nuk bëhet me tjetër veçse me mjete të ligjësuara, suksesi i të cilave është dëshmuar përgjatë gjithë historisë së Ummetit Islam. Madje edhe vet jeta e profetëve dhe prezantimi i personalitetit të tyre mund të bëhet nëpërmjet mjeteve të informimit pa patur nevojë fare për filma a seriale.

Mjeteve të informimit iu bëhet ftesë që të respektojnë rekomandimet dhe këshillat fetare si dhe të kryejnë punën e tyre karshi popullit, e që është vetëdijesimi i tyre fetar dhe respektimi i të parëve të tyre.

Përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen dhe shokët e tij!



Burimi: http://islammemo.cc/akhbar/arab/2011/01/02/114447.html
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI
3/1/2011


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)