Në vazhdën e temave të cilat ndërlidhen me mirësjelljen dhe moralin e mirë është edhe tema e afërsisë - miqësisë, e cila në gjuhën arabe quhet (El Ulfetu)


Domethënia e kësaj fjale në gjuhën arabe është përputhja e mendimeve me qëllim të ndihmës reciproke ndërmjet veti. Ndërsa në gjuhën shqipe fjala afërsi nënkupton: "Lidhje e afërt shpirtërore; qëndrim i përzemërt e i ngrohtë".


Inkurajimi për afërsi-miqësi


I. Afërsia-miqësia bazuar në ajetet e Kuranit Famëlartë.


Kurani Famëlartë është burimi i parë ku ne mbështetmi gjatë shtjellimit të temave të caktuara të cilat ndërlidhen me të gjitha fushat e jetës, si ato juridike, morale dhe etike. Lidhur me tematikën që është duke u shtjelluar me këtë rast, Allahu xh.sh. thotë: "Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut, e mos u përçani!" (Ali Imran, 103)
Njëri ndër mufesirët më të njohur të Kuranit, Err Rragib el Esfehanij, rreth këtij ajeti thotë: Fjala e Zotit "e mos u përçani" ka për qëllim që t'i nxit njerëzit për afërsi-miqësi dhe bashkim, i cili është sistem i besimit dhe stabilizim i çështjeve të kësaj bote. Afërsia-miqësia është një veçori me të cilën Allahu xh.sh. e ka nderuar-veçuar fenë islame.(1)
Në pjesën tjetër të ajetit Allahu xh. sh. thotë: "Kujtojeni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij agut të jeni vëllezër. " (Ali Imran, 103).
Tefsirologu i mirënjohur Ez Zemehsheriu, në librin e tij "El Keshshaf", thotë: "Gjatë kohës së injorancës "xhahilijetit" njerëzit kishin urrejtje, armiqësi dhe luftëra të vazhdueshme, por Allahu xh.sh. i afroi zemrat e tyre përmes Islamit, në to hodhi dashuri dhe respekt, dhe si rezultat ata u bënë të dashur me njëri tjetrin, u vëllazëruan mes tyre dhe ranë në ujdi rreth një çështje e cila kishte larguar nga mesi i tyre dallimet, e ajo ishte vëllazëria për hir të Allahut xh.sh."(2)
Ndërsa Imam Sujutiu thotë: "Në atë kohë mbyteshit njëri me tjetrin, i forti hante të dobëtin, derisa Allahu xh.sh. e zbriti në mesin tuaj fenë islame, përmes së cilës ju miqësoi dhe ju vëllazëroi, prandaj pasha Allahun xh.sh., që nuk ka zot tjetër përveç Tij, s'ka dyshim se afërsia-miqësia është mëshirë, ndërsa largësi-ndarja është dënim."(3)
Në një ajet tjetër Allahu xh.sh. thotë: "Po nëse duan të mashtrojnë me të (me paqen), ty të mjafton Allahu. Ai është që të fuqizoji ty me ndihmën e vet dhe me besimtarët. Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzosh gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t'i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i gjithëfuqishëm, i urtë." (El Enfal, 62-63).
Pjesa e ajetit ku Allahu xh.sh. thotë:"Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre."Komentatorët e Kuranit thonë: "Si rezultat ata u bashkuan dhe u afruan-miqësuan, më pastaj forca e tyre u shtua për shkak të bashkimit të tyre. Kjo nuk u arrit falë kontributit të askujt, e as fuqisë së askujt përveç fuqisë së Zotit xh. sh., sepse ti edhe sikur ta shpenzosh gjithë atë që është në tokë prej arit, argjendit dhe të gjitha të mirave tjera, me qëllim të afrimit-miqësisë mes tyre pas asaj ndarje dhe përçarje të madhe që kishte ndodhur në mesin e tyre, "nuk do të mund t'i bashkoje zemrat e tyre" sepse askush nuk mund t' i ndryshoj zemrat përveç Krijuesit të tyre, "por Allahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i gjithëfuqishëm, i urtë", dhe prej fuqisë së Tij është afrimi-miqësia mes zemrave të tyre dhe bashkimi pas ndarjes."(4)
Imam Kurtubiu, rreth fjalës së Zotit "Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre", thotë: "Bashkoi mes fisit Evs dhe Hazrexh. Afrimi-miqësia mes zemrave të njerëzve të asaj kohë, siç janë njohur arabët me një fanatizëm tejet të theksuar dhe mjaft të fuqishëm, s'ka dyshim se ka qenë prej shenjave dhe mrekullive të Pejgamberit a.s., saqë nëse ndonjërit i jepej ndonjë shuplakë ai ishte në gjendje që të luftonte vetëm e vetëm që ta merrte hakun, ishin njerëzit më fanatik, mirëpo Allahu xh. sh. përmes kësaj feje i afroi dhe ata u bënë vëllezër të vërtetë."(5)
Këtë realitet kemi mundur ta vërejmë edhe në si shqiptarë. Në momentin kur u bashkuam dhe gjetëm forcë për përkrahje të njëri-tjetrit, arriti fitorja dhe njëherë e përgjithmonë populli ynë fitoi lirinë dhe pavarësinë e tij, pas një okupimi të gjatë i cili kishte ndodhur dekada me radhë. Prandaj duhet ta kemi të qartë si shoqëri se vetëm me afërsi, ndihmë dhe bashkëpunim të ndërsjellë mund të ecim përpara, përndryshe, nëse në mesin tonë mbretëron përçarja, smira, xhelozia dhe mosbashkëpunimi i ndërsjellë asnjëherë nuk do të mund të avancohemi dhe të përparojmë.


II. Afërsia-miqësia bazuar në hadithet e Pejgamberit a.s.


Edhe hadithet, thëniet e Pejgamberit a.s., kanë folur për këtë temë. Abdullah bin Zejd bin Asimi thotë: "Kur Allahu xh. sh. ia dhuroi (prenë e luftës) të Dërguarit a.s. në ditën e Hunejnit, ai e ndau atë mes njerëzve me qëllim të përfitimit dhe afrimit të zemrave të tyre, dhe nuk ju dha ensarëve asgjë, me këtë rast ata sikur u prekën për shkak se nuk kishin marr nga ajo çfarë kishin marr njerëzit e tjerë, atëherë Pejgamberi a.s., u ngrit dhe tha: "O ju ensarë! A nuk ju kam gjetur të humbur (nga aspekti i besimit) dhe Zoti ju udhëzoi përmes meje, ishit të përçarë dhe Zoti ju bashkoi përmes meje, ishit të varfër dhe Zoti ju bëri të pasur përmes meje? Sa herë që Pejgamberi a.s. thoshte diçka ata thoshin: Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më meritor. Pejgamberi a.s. tha: Çfarë ju pengon që t'i përgjigjeni të dërguarit të Zotit? Sa herë që Pejgamberi a.s. thoshte diçka ata thoshin: "Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më meritor". Pejgamberi a.s. tha: Sikur të donit do të thoshit: na keni ardhur kështu e kështu, a jeni të kënaqur që njerëzit të shkojnë (shpërndahen) duke marr me vete dele dhe deve, ndërsa ju të shkoni me Pejgamberin a.s. në shtëpitë tuaja? Sikur të mos ishte hixhreti (shpërngulja) do të doja të isha njëri nga ensarët, sikur njerëzit të orientoheshin kah një luginë dhe portë, unë do të orientohesha kah lugina dhe porta e ensarëve: Ensarët janë sikur rroba primare, ndërsa njerëzit tjerë sikur rrobat sekondare, pas meje ju do të ballafaqoheni me egoizëm, por keni durim derisa të më takoni pranë Havdit."(6)
Kjo është prej mirësive-dhuntive më të theksuara të dërgimit të Pejgamberit a.s., e që është afërsia-miqësia mes një populli që njihej me fanatizma të theksuar. Prandaj edhe çdo besimtar duhet të jetë i tillë, t'i afroj të ndarit dhe t'i bashkoj ata.(7)
Transmeton Xhabir bin Abdullah dhe thotë, ka thënë i Dërguari a.s.: "Besimtari afrohet-miqësohet dhe i afrohen të tjerët, dhe nuk ka diç të mirë nga ai që nuk afrohet-miqësohet dhe nuk i afrohen të tjerët."(8) Kjo afërsi-miqësi realizohet si rezultat i sjelljeve të mira dhe butësisë së tij.
Afërsia-miqësia është prej shkaqeve të cilat ndikojnë në mënyrë pozitive që njerëzit të kapen për litarin e Zotit, ajo ndikon që myslimanët të bashkohen me njëri tjetrin dhe ta braktisin ndarjen dhe përçarjen.
Err Rragib el Esfihanij thotë: "Për këtë arsye Pejgamberi a.s. na ka nxitur që të tubohemi në tubime të ndryshme dhe në xhuma, sepse tubimi dhe bashkimi i njerëzve është shkak i afërsisë-miqësisë mes tyre."(9)
Transmeton Auvf bin Malik se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Udhëheqësit tuaj më të mirë janë: ata të cilët i doni dhe ju donë juve, të cilët luten për ju dhe ju luteni për ata, ndërsa udhëheqësit tuaj më të urryer janë: ata të cilët i urreni dhe ju urrejnë juve, të cilët i fyeni (mallkoni) dhe ju fyejnë juve."(10)
Nga këndvështrimi i fesë islame njerëzit më të mirë janë të miqësuarit dhe ata që miqësohen, në veçanti kur janë në ndonjë pozitë të rëndësishme.(11)
Në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. thotë: "Njerëzit janë madem, sikur mademi i argjendit dhe arit, më i miri prej tyre në kohën e injorancës-xhahilijetit është edhe më i miri në Islam nëse arsimohen. Shpirtrat janë ushtarë të rekrutuar, ata që përshtaten miqësohen, e ata që nuk përshtaten largohen."(12)
Ibën Haxher el Askalanij me rastin e komentimit të hadithit thotë: Imam Hatabi ka thënë: "Ndoshta ka aluduar në domethënien homogjene të së mirës dhe të keqes, drejtësisë dhe padrejtësisë. Njeriu i mirë anon kah lloji i tij, po edhe njeriu i keq anon kah homologu i tij, prandaj njohja e shpirtrave ndodh bazuar në natyrën (tabiatin) që janë krijuar, nëse përshtaten miqësohen, e nëse kanë divergjenca largohen. Mendimi tjetër është se Pejgamberi a.s. ka pasur për qëllim të na njoftoj me fillimin e krijimit në të kaluarën (gajb), siç është theksuar se shpirtrat janë krijuar para trupave dhe ata takoheshim mes vete dhe bëheshin pesimist, me rastin e vendosjes së tyre në trupa ata u njohën me çështjen paraprake dhe bazuar në këtë njohuria dhe injorimi mes tyre u bë duke u bazuar në periudhën e mëparshme."
Ibën el Xhevzij thotë: "Nga ky hadith mund të përfitojmë atë se, nëse një individ gjen në veten e tij kundërshtim nga një person i mirë atëherë ai duhet ta gjejë shkakun e kësaj dhe ta eliminojë atë në mënyrë që të shpëtoj nga, kjo veti e keqe, edhe anasjelltas vlen e njëjta gjë."(13)



________________
(1) Tefsir Err Rragib el Esfihanij, vëll. 2, fq: 765.
(2) Xharullah Ebul Kasim Mahmud Ez Zemehsherij, Tefsir El Keshaf, vëll: l, fq: 395.
(3) Xhelaludin Sujutij, Ed Durerul Menthur Fi Tefsiri bil Menthur, vëll: 2, fq: 287.
(4) Abdurrahman bin Nasir Es Sadij, Tejsir El Kerim Err Rrahman fi Tefsir kelarnil Mennan, vëll: l, fq: 325.
(5) Ebu Abdullah Muhamed bin Ahmed El Kurtubij, El Xhami li Ahkamil Kuran, vëll: 8, fq: 42.
(6) Transmeton Imam Buhariu.
(7) Mahmud El Hazderanij, Hadhihi Ahlakuna, iq: 194.
(8) Transmeton Imam Ahmedi.
(9) Ebul Kasim el Hysejn bin Muhamed, Tefsir Err Rragib el Esfihanij, vëll: l, fq: 132.
(10) Transmeton Imam Muslirni.
(11) Mahmud el Hazendar, Hadhihi Ahlakuna, fq: 195.
(12) Transmeton Imam Muslirni.
(13) Ahmed bin Ali bin Haxher el Askalanij, Fet'hur Bari - sherh Sahihul-Buharij.