Imam Ebu Hamid el Gazali thotë: "Dije se afërsia-miqësia është rezultat i sjelljes së mirë, ndërsa përçarja është rezultat i sjelljes së keqe. Mirësjellja detyron dashuri, mirëkuptim dhe afërsi-miqësi, ndërsa sjellja e keqe rezulton me urrejtje, zili dhe armiqësi."


III. Thëniet e dijetarëve rreth afërsisë-miqësisë


Tregohet një rast, nga Muxhahid ibën Xheber, kur Abdullah ibën Abasi e pa një njeri dhe tha: "Ky njeri më do mua. Të pranishmit thanë: si e di? Ai tha: Unë e dua atë, shpirtrat janë ushtarë të rekrutuar, ata që përshtaten miqësohen, e ata që nuk përshtaten largohen."(1)
Imam Evzaiu tregon se një herë Katadeja i shkroi duke i thënë: "Nëse koha na ka ndarë dije se afërsia-miqësia përmes së cilës Zoti i ka afruar myslimanët është e afërt."(2)
Junus es Sadefij ka thënë: "Nuk kam parë njeri më të mençur sesa Imam Shafiun, një ditë polemizuam rreth një meseleje, pastaj u ndamë, dhe ndërkohë më takoi, më kapi për dore dhe më tha: "O Ebu Musa, a nuk është mirë që të jemi vëllezër edhe pse nuk jemi dakord rreth një meseleje."(3)
Ebu Abdurrahman es Sulemij thotë: "Baza apo themeli i afërsisë-miqësisë është urrejtja e dynjasë dhe refuzimi i saj, sepse ajo shkakton përçarjet mes vëllezërve."(4)
Imam El Gazali ka thënë: "Afërsia-miqësia është fryt i mirësjelljes, përçarja është fryt i mos mirësjelljes, mirësjellja detyron dashuri mes njerëzve, afërsi dhe përshtatje, ndërsa mos mirësjellje shkakton urrejtje, zili dhe largim."(5)
Ibën Tejmije ka thënë: "Gjeneratat e para nuk pajtoheshin në shumë çështje dytësore, mirëpo afërsia-miqësia mes tyre qëndronte."(6)


IV. Dobitë e afërsisë-miqësisë


1. Ekzistimi i afërsisë-miqësisë mes besimtarëve është prej shkaqeve të fitores dhe qëndrueshmërisë.
2. Afërsia-miqësia bashkon umetin (popullin) dhe pengon ndarjen dhe nënçmimin.
3. Afërsia-miqësia është prej shkaktarëve të mbështetjes në Zotin dhe litarin e Tij.
4. Afërsia-miqësia është praj shkaktarëve të dashurisë së Zotit dhe të Dërguarit të Tij ndaj besimtarëve.
5. Mundëson afërsinë sociale, dhe shpërndan shpirtin e simpatisë mes myslimanëve.
6. Afërsia-miqësia fton në ndihmë reciproke dhe ruajtjen e shoqërisë myslimane.
7. Mundëson ambient shoqëror të shëndosh për t'u zhvilluar njeriu me një zhvillim të shëndosh nën kornizat e parimeve Islame.
8. Afërsia-miqësia fton në unitet shoqëror dhe eliminim të shkaqeve të ndarjes dhe armiqësisë.
9. Afërsia-miqësia përhap në mesin e myslimanëve ndihmën dhe bashkëpunimin reciprok në mes tyre.


V. Shkaqet e afërsisë-miqësisë


Ekzistojnë shkaqe të shumta të cilat çojnë deri te afërsia-miqësia dhe dashuria, dhe të cilat ndikojnë në përforcimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve mes individëve të një shoqërie, prej tyre mund të theksojmë:


1. Njoftimi me njëri-tjetrin dhe shoqërimi me njerëz:


Pejgamberi a.s. thotë: "Shpirtrat janë ushtarë të rekrutuar, ata që përshtaten miqësohen, e ata që nuk përshtaten largohen."


2. Modestia:


Nuk ka dyshim se përulja në shenjë respekti, fjala e butë dhe braktisja e vrazhdësisë janë prej shkaqeve të afërsisë-miqësisë mes njerëzve. Për këtë arsye është thënë: "ai që flet fjalë të buta obligohet dashuria dhe respekti ndaj tij, do të fliten fjalë të mira për të dhe njerëzit do të kenë mall që të takohen me ata."(7)
Detyra dhe obligimi i myslimanit ndaj vëllezërve të. tij besimtarë është që ai të jetë i butë dhe i lehtë, si me fjalë ashtu edhe me vepër, sepse kjo sjell dashuri dhe respekt mes njerëzve, këto veprime janë të obliguara edhe me parimet bazë të fesë Islame dhe Pejgamberi a.s., në shumë hadithe ka ndaluar nga armiqësia, urrejtja dhe çdo veprim që shkakton ndarje mes njerëzve.


3. Respektimi i të drejtave të myslimanëve dhe përkujdesja ndaj tyre:


Transmeton Ebu Hurejreja nga Pejgamberi a.s., i cili ka thënë: "Të drejtat e myslimanit ndaj myslimanit janë pesë: kthimi i përshëndetjes (selamit), vizita e të sëmurit, përcjellja e xhenazes, përgjigjja ndaj ftesës dhe lutja me rastin e teshtitjes."(8)
Këto të drejta apo këto detyrime të cilat Pejgamberi a.s., i ka paraparë për myslimanët ndaj njëri-tjetrit, nëse respektohen dhe veprohet sipas tyre, me siguri këto do të ndikojnë që njerëzit të jenë më të afërt mes vete dhe ta respektojnë njëri-tjetrin më shumë.


4. Përhapja e përshëndetje (selamit) mes njëri-tjetrit:


Pejgamberi a.s. ka thënë: "O ju njerëz! Përhapeni selamin, ushqeni (të varfrit) me ushqim, mbani lidhjet farefisnore, faluni natën kur njerëzit flenë, do të hyni në xhenet pa telashe."(9)


5. Vizita mes myslimanëve, në veçanti me rastin e sëmundjes së tij:


Vizita e ndërsjellë mes njerëzve ndikon në rritjen e dashurisë dhe respektit reciprok, e në veçanti kur ai është i sëmur, me gjithë shpërblimin që Zoti ka përgatitur për njeriun e tillë. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush viziton një të sëmurë apo një vëlla të tij për hir të Zotit, një thirrës do të thërras duke thënë: qofsh i bekuar ti dhe rruga jote dhe Zoti të dhashtë një vend të xhenet."(10)


6. Fjalët e buta:


Fjalët e mira dhe të buta janë shkak për afrim mes njerëzve. Me fjalë edhe e afron edhe e largon njeri-un. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "E ti robërve të Mi thuaju: "Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut" (El Isra, 53).


7. Përmbajtja dhe maturia në pyetjet e njerëzve:


Pejgamberi a.s. lidhur me këtë thotë: "Hiq dorë, braktis atë që është në duart e njerëzve do të donë ata."(11)


8. Orvatja për pajtim mes njerëzve:


Allahu xh. sh. thotë: "Prandaj kini frikë Allahun, përmirësoni gjendjen e unitetit tuaj" (El Enfal, 1).


9. Përkujdesja ndaj probleme të myslimanëve dhe preokupimi me telashet e tyre:


Pejgamberi a.s. ka thënë: "Besimtarët janë si një trup, nëse koka rënkon atëherë i tërë trupi ndien dhimbje dhe pagjumësi."(12)


10 . Shkëmbimi i dhuratave:


Nuk ka dyshim se shkëmbimi i dhuratave ndërmjet njerëzve ndikon në për afrimin, respektin dha dashurinë mes njerëzve. Mirëpo duhet të kemi kujdes që dhuratat të mos jepen me interes, sepse atëherë nuk mbetet një dhuratë por kalon në ryshfet. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Shkëmbeni dhuratat mes vete sepse kjo ndikon në rritjen e dashurisë mes jush."(13)


11. Sjellja e mirë:


Imam Ebu Hamid el Gazali thotë: "Dije se afërsia-miqësia është rezultat i sjelljes së mirë, ndërsa përçarja është rezultat i sjelljes së keqe. Mirësjellja detyron dashurinë, mirëkuptimin dhe afërsinë-miqësinë, ndërsa sjellja e keqe rezulton me urrejtje, zili dhe armiqësi. "(14)
Ndërsa Imam Maverdij kur flet për shkaqet e afërsisë-miqësisë ai thotë se janë pesë shkaqe kryesore apo themelore të cilat ndikojnë në realizimin e afërsisë-miqësisë, ato janë: feja, lidhja familjare, lidhja miqësore, ngrohtësia dhe respekti. Ai vazhdon e thotë se aspekti fetar është prej shkaqeve të para të afërsisë-miqësisë, sepse ai fton në afërsi dhe ndalon ndarjen dhe përçarjen. Në këtë mënyrë i ka porositur edhe Pejgamberi a.s. shokët e tij. Ai në një hadith thotë: "Mos shkëputni lidhjet, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe mos keni zili, por bëhuni vëllezër, robër të Zotit, nuk i lejohet myslimanit që ta braktisë vëllanë e tij më shumë se tri ditë."(15)
Lidhja familjare është shkaku i dytë prej shkaqeve të afërsisë-miqësisë, butësia mes anëtarëve të familjes dhe farefisit ndikon në përforcimin e afërsisë-miqësisë dhe eliminon përçarjet dhe ndasitë. Lidhja miqësore është shkaku i tretë i afërsisë-miqësisë, sepse përmes saj krijohen lidhje të reja nga dëshira dhe me vullnet të lirë, dhe kështu kjo ndikon në përforcimin e afërsisë-miqësisë. Allahu xh. sh. thotë: "Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë." (Er Rum, 21).
Ngrohtësia është shkaku i katërt i afërsisë-miqësisë, sepse ky veprim bëhet me sinqeritet dhe besnikëri, dhe kjo mund të konsiderohet prej gradave më të larta të afërsisë-miqësisë. Ndërsa respekti është shkaku i pestë i afërsisë-miqësisë, sepse ai ndikon në përafrimin e njerëzve dhe bashkëpunimin me tyre.(16)
Jeta e kësaj bote është e mbushur me sprova, brenga, probleme dhe ballafaqime të ndryshme. Njeriu ka nevojë, që në momente të caktuara, dikush t' i gjendet afër, ta këshillojë, ta ngushëlloj, ta mësoj dhe ta udhëzojë në çështje të drejta. Afërsia- miqësia me siguri ka një rol të rëndësishëm në këtë çështje. Prandaj të braktisim urrejtjen, xhelozinë, smirën dhe inatet e të jemi vëllezër dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ecim përpara dhe mund të përparoj më dhe të shkojmë krah për krah me botën e civilizuar.



___________________
(1) Muhamed bin Hiban el Bustij ebu Hatim, Ravdatul-Ukala ve Nezhetul-Fudala, fq. 108.
(2) Xhelaludin bin Muhamed es Sujutij, Ed Durerul Menthur fi Tefsiri bil Menthur.
(3) Shemsudin Muhamed bin Ahmed edh Dhehebij, Sijer A'lam en Nubela.
(4) Es Sulemij, Adabu es Suhbeh, fq. 78.
(5) Ebu Hamid el Gazali, Ihja Ulumid Din, vëll: 2, fq. 157.
(6) Ibën Tejmije, El Fetava El Kubra, vëll: 6, fq. 92.
(7) Zejnuddin Muhamed el Menavij, Et Tejsir bi Sherhi El Xhamii Es Sagir, vëll: 1, fq: 434.
(8) Transmetojnë Imam Buhariu dhe Muslimi.
(9) Transmetojnë Imam Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh.
(10) Transmetojnë Imam Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh.
(11) Transmetojnë Ibni Maxhe dhe Hakimi.
(12) Transmeton Imam Muslimi.
(13) Transmeton Imam Buhariu.
(14) Ebu Hamid el Gazali, Ihjau Ulumid Din.
(15) Transmetojnë Imam Buhariu dhe Muslimi.
(16) El Maverdi, Edebud Dunja ve Din, fq: 147-161.