Shpërblimi i të devotshmëve dhe madhështia e Allahut
"Me të vërtetë, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vend qëndrim për ta do të jenë xhenetet e Firdevsit. Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t'u ndry shohet). Thuaj: Sikur deti të ishte ngjyrë për të shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të mbaronin fjalët e Zotit tim, e edhe sikur Ne të sillnim shtesë edhe një (det) tjetër si ai. Thuaj: Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se Zoti juaj është një Zot i Vetëm, prandaj kush shpreson takim in me Zotin e vet, le të bëjë vepër të mirë, dhe Zotit të vet të mos i shoqërojë askënd në adhurim." - (El-Kehf, 107-110)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ajetet paraprake
Pasi që në ajetet paraprake Allahu i Lartmadhërishëm na njoftoi për ndëshkimet që do të përjeto jnë jobesimtarët, si pasojë e kryeneçësisë së tyre në mohimin e Allahut si Krijues Absolut, në mohimin e Ringjalljes dhe Shpalljes hyjnore, tash kemi ajetet që flasin për shpërblimin meritor të atyre që jetën e kaluan në dëlirësinë e besimit. Këta njerëz, që ishin të paluhatshëm në besimin e tyre, duke qëndruar stoikë e të pathyeshëm para sprovave të rënda e të vështira të cilave u qenë ekspozuar gjatë jetës në këtë botë, tash do të jenë nën hijen dhe mëshirën e Allahut. Shpërblimi i tyre do të jetë po aq madhështor siç ishte madhështore edhe dashuria dhe krenaria e tyre për besimin e drejtë. Ata do të jenë në Xhenetin Firdevs, duke shijuar be gatitë dhe nimetet e Allahut të Gjithëmëshirshëm, duke mos dëshiruar kurrë që të largohen prej tij, as edhe për një çast të vetëm.
Koment: 107.
"Me të vërtetë, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendqëndrim për ta do të jenë xhenetet e Firdevsit."
108. "Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largo hen nga ai (ose t'u ndryshohet)."
Besimdrejtët, të cilët që në jetën e kësaj bote ishin besimtarë të Njëshmërisë së Allahut Fuqiplotë, dhe që me bindje të plotë besuan në ringjalljen dhe në jetën pas vdekjes, do të jenë banorë të kopshteve përrallorë të Firdevsit. Ata do të qëndrojnë përjetësisht në ta, duke shijuar kënaqësitë e papërshkrueshme në këto xhenete.
Për të përshkruar bukuritë e Xhenetit Firdevs do të na duhej një imagjinatë e bujshme, dhe sërish nuk do të arrinim as t'i përafroheshim minimalisht përshkrimit të tij. Xheneti Firdevs pa dyshim se është xheneti më i lavdëruar ndër xhenete, sepse në lidhje me të kemi disa hadithe të përcjella nga Pejgamberi a.s., e që flasin për bukuritë e tij. Njërin prej tyre e transmeton Ebu Hurejra, ku i Dërguari a.s. thotë: "Kur t'ia kërkoni Allahut, Xhenetin, atëherë kërkojani Firdevsin, sepse ai është Xheneti më i lartë, është mesi i Xhenetit, dhe prej tij burojnë lumenjtë e Xhenetit."(1)
Po ashtu, transmetojnë Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu, nga Ubadete ibn Samiti, e ky nga i Dërguari i Allahut, se ka thënë: "Në Xhenet gjenden 100 shkallë (grada). Secila nga këto shkallë është sa hapësira mes qiellit dhe tokës. E Firdevsi është shkalla më e lartë e tyre. Mbi të shihet Arshi i Rrahmanit (Mëshiruesit), dhe prej tij (Firdevsit) burojnë katër lumenjtë e Xhenetit. Prandaj, kur t'ia kërkoni Allahut Xhenetin, kërkojani Firdevsin!"(2)
Ndërkohë, Allahu i Madhërishëm në një hadith kudsij, të cilin e përcjell i Dërguari a.s., thotë: "Namaz in do ta pranoj nga ai që është i përulur para Madhërisë Sime, që nuk është arrogant ndaj krijesave të Mia. Nga ai që e kalon ditën me dhikrin Tim, e që nuk është insistues në gabimet e tij. Nga ai që ushqen të uriturin dhe e strehon të huajin, që mëshiron të voglin dhe respekton të madhin. Ky është ai që, kur të më kërko jë, do T'i jap, kur të lutet, do T'i përgjigjem, kur të më përgjërohet, do ta mëshiroj. Shembulli i tij tek Unë është si shembulli i Firdevsit ndër xhenete; frutat e tij nuk ndryshojnë, gjendja e tij nuk ndryshon!"(3)
109. "Thuaj: Sikur deti të ishte ngjyrë për të shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të mbaronin fjalët e Zotit tim, e edhe sikur Ne të sillnim shtesë edhe një (det) tjetër si ai.
Shkaku i zbritjes së ajetit 109
Në lidhje me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, Hakimi dhe disa të tjerë transmetojnë nga Ibn Abasi të ketë thënë: "Kurejshët iu drejtuan çifutëve me fjalët: "Na jepni diçka (nga informacionet tuaja) që ta pyesim këtë njeri (d.m.th. Pejgamberin a.s.)", kurse ata u thanë: "Py eteni për shpirtin", dhe ata e pyetën, e pas së cilës zbriti ajeti 85 i sures "El-Isra'ë": "Të pyesin ty për shpirtin: Thuaj: "Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije."
Pas zbritjes së këtij ajeti çifutët u krekosën e thanë: "Neve na është dhënë dituri e shumtë, na është dhënë Tevrati, dhe atyre që u është dhënë Tevrati u është dhënë mirësi e madhe. Pas këtyre fjalëve të çifutëve zbriti ajeti 109 i sures "El-Kehf: "Thuaj: Sikur deti të ishte ngjyrë për të shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të mbaronin fjalët e Zotit tim, e edhe sikur Ne të sillnim shtesë edhe një (det) tjetër si ai."(4)
Ajeti i 109-të i sures "El-Kehf" është, pa dyshim, një prej ajeteve më madhështorë të Kuranit famëlartë, sepse dëfton dhe argumenton për Dijen absolute e të pakufizuar të Allahut xh.sh. Nëpërmjet këtij ajeti Allahu xh.sh. dëshiron të na përafrojë perceptimin e asaj që në fakt nuk mund të përkufizohet në asnjë mënyrë. Shqisat tona janë të paafta dhe të mangëta të perceptojnë Dijen absolute të Krijuesit tonë, por për të na e përafruar sado pak te ky kuptim Ai ofron një shembull praktik, ujin e deteve, nga i cili shembull na bëhet e qartë se, edhe sikur uji i gjithë deteve e oqeaneve të bëhej bojë-ngjyrë për të shkruar e komentuar fjalët e Zotit Fuqiplotë, nuk do të mjaftonte, sepse uji apo ngjyra do të shteronte kurse kuptimet dhe domethënia e fjalëve të të Lartmadhërish mit e të Gjithëdijshmit nuk do të mbaronin e as përfundonin. Madje, në lidhje me këtë kemi edhe një ajet të ngjashëm kuranor, atë të 27-të të sures "Llukman", i cili thotë: "Sikur të gjithë drunjtë në tokë të jenë lapsa, dhe sikur detit t'i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e Allahut (do të shteroheshin detet, do të mbaronin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). Allahu është Ngadhënjyesi i Urtë."
110. "Thuaj: Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se Zoti juaj është një Zot i Vetëm, prandaj kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepër të mirë, dhe Zotit të vet të mos i shoqërojë askënd në adhurim."
Shkaku i zbritjes së ajetit 110
Në lidhje me shkakun e zbritjes së këtij ajeti kemi të renditur disa prej tyre, e që janë të përafërt mes vete. Nga Tavusel Kejsaniu transmetojnë Ibn Ebi Hatimi dhe Ibn Ebi Dunja, të ketë thënë: "Një njeri iu drejtua Resulullahit s.a.v.s. me fjalët: "O i Dërguar i Allahut, unë po qëndroj (në adhurim) duke synuar kënaqësinë e Allahut, prandaj po kam dëshirë të shihet pozita ime." I Dërguari a.s nuk ia ktheu përgjigjen derisa nuk zbriti ky ajet: "...kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepër të mirë, dhe Zotit të vet të mos i shoqërojë askënd në adhurim."
Këtë hadith e ka transmetuar Hakimi(5), nga Tavusi dhe Ibn Abasi, duke e ngritur këtë transmetim në gradën "sahih", sipas kushteve të Buhariut dhe të Muslimit.(6)
Transmeton Ibn Ebi Hatimi nga Muxhahidi, të ketë thënë: "Një njeri në mesin e besimtarëve ishte luftëtar i paepur, i cili dëshironte t'i shihej e vlerësohej pozita e tij, prandaj Allahu xh.sh. e zbriti ajetin: "...kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepër të mirë, dhe Zotit të vet të mos i shoqërojë askënd në adhurim."(7)
Transmetohet nga Ibn Abasi të ketë thënë: "Ky ajet: "... kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepër të mirë, dhe Zotit të vet të mos i shoqërojë askënd në adhurim", ka zbritur në lidhje me Xhundub in Zuhejr el Amiriun, i cili kishte thënë: "Unë e bëj punën time për hir të Allahut, por kur të ma përmend atë dikush ndiej kënaqësi", për çka i Dërguari i Allahut i kishte thënë: "Vërtet Allahu është i Mirë, dhe nuk e pranon asnjë vepër përveç të mirës, dhe gjithashtu nuk pranon që asaj vepre t'i shoqërohet edhe diçka tjetër."(8)(si vetëkënaqësia apo mburrja) -(Sqarim yni S.B.)"
Pjesa e parë e këtij ajeti sqaron anën njerëzore të Mu hamedit a.s., duke qartësuar se ai është njeri sikurse të gjithë ne/të tjerët, përveçse Allahu i Lartmadhërishëm e ka dalluar dhe veçuar nga të tjerët me Shpallje, që t'ua proklamojë mbarë njerëzimit se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut të Gjithëpushtetshëm e të Gjithëmëshirshëm. T'ua bëjë të qartë njerëzve se qëllimi i krijimit tonë dhe i ardhjes në këtë botë ka një domethënie madhore e fisnike. Ai që e njeh Allahun si krijues, pa kurrfarë imponimi në këtë besim të tij, duke shpresuar në takimin me Të, atëherë le të përpiqet që Librin e veprave të tij ta mbushë me punë dhe vepra të mira, të cilat nesër do t'ia mundësojnë realizimin e kësaj dëshire. Fundja, edhe synim kryesor yni është rikthehemi në vendin e origjinës sonë-Xhenetin, aty ku për një kohë qëndruan prindërit tanë të parë, Ademi dhe Havaja. Ky mall i zhuritur vazhdon të na i përvëlojë zemrat tona, derisa nuk takohemi sërish së bashku në këto xhenete përrallore, aty ku prindërit tanë përjetuan çiltërsinë e besimit, veçmas duke dëgjuar madhërimin e melekëve ndaj Allahut Fuqiplotë.
Në lidhje me këtë pjesë të ajetit "...kush shpreson takimin me Zotin e vet", dijetarët kanë thënë se ky është një prej tre ajeteve kuranore që argumentojnë se nesër në Ahiret besimtarët do ta shohin Allahun xh.sh.
Ndërkohë, pjesa e fundit e këtij ajeti: "...dhe Zotit të vet të mos i shoqërojë askënd në adhurim...", është një indikator i fuqishëm i vetëdijesimit tonë karshi besimit dhe adhurimit të pastër. Sinqeriteti që karakterizon shpirtin e çdo besimtari në asnjë mënyrë nuk i lejon atij që këtë kthjelltësi të besimit ta përlyejë me shirk apo kufër. Madje çdo veprim që për synim ka mburrjen, vetëkënaqësinë dhe dyfytyrësinë, çon në hipokrizi, e hipokrizia është cilësi e shëmtuar. Shejtani i mallkuar ishte mburrur e krekosur duke e llogaritur veten më të lartë e më të vlefshëm se Ademi, me se kishte merituar mallkimin e përjetshëm të Krijuesit Fuqiplotë. Prandaj, nëse ne nuk dëshirojmë të shkojmë rrugës së këtij të mallkuari, duhet ta zgjedhim modestinë, thjeshtësinë dhe devotshmërinë, në mënyrë që veprat tona të mos jenë sa për sy e faqe, por për hir të Allahut dhe kënaqë sisë së Tij. Kur është pyetur Hasan El Basriu në lidhje me sinqeritetin dhe syfaqësinë, ka thënë: Prej shenjave të sinqeritetit është të dëshirosh që të mirat tua të mbesin të fshehta (të pashfaqura), e të mos dëshirosh që të të fshihen të këqijat tua. Por, nëse Allahu t'i shfaq të mirat tua (haptazi), atëherë thuaj: "(O Allah) Kjo është prej nderimit dhe fisnikërisë Tënde ndaj meje, sepse këto vepra nuk janë prej vetvetes sime", dhe pas kësaj i përmendi fjalët e Allahut: "...kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepër të mirë, dhe Zotit të vet të mos i shoqërojë askënd në adhurim", dhe ajetin e 60-të, të sures "El-Mu'minun": "dhe, ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë". Këta, kur japin (sadakanë), e shfaqin haptazi sinqeritetin, gjithnjë duke pasur frikë (dro) se ndoshta nuk do t'u prano het nga Allahut. Ndërsa syfaqësia është të kërkuarit haptazi vlerësimin e ndonjë vepre të kësaj bote, duke qenë i ngazëllyer me të. Dikush e pyeti: "Po si mund të ndodhë kjo?" Ai (Hasan El Basriu) u përgjigj: "Ai që për një vepër të bërë kërkon edhe diç tjetër përveç kënaqësisë së Allahut dhe shpërblimit të Ahiretit, atëherë kjo i llogaritet syfaqësi (Er-Rrija'ë)."(9)
Porosia e këtyre ajeteve
- Shpërblimi i besimtarëve të devotshëm, të cilët jetën e kësaj bote e kaluan me vepra të mira e duke qenë të bindur në jetën e Ahiretit, pra për ta do të jetë Xheneti më i lartë dhe më i vlefshëm-Xheneti Firdevs. Këta janë ata që u shpëtuan fitneve të kësaj bote, dhe i ndriçuan zemrat e tyre me dritën e besimit. Këta do të qëndrojnë në Xhenetin Firdevs përjetësisht, dhe kurrë nuk do të kërkojnë t'u ndryshohet diçka nga begatitë që do t'i shijon në të.
- Është e pamundur që dikush të pretendojë se mund të përkufizojë Fjalët e Allahut, Dijen, Urtësinë dhe Sekretet e Tij. Prandaj edhe i Gjithëdijshmi ofron këtë shembull për njerëzit, që t'u tregojë se, edhe po të shndërrohej uji i tërë deteve dhe oqeaneve në ngjyrë shkrimi, dhe të silleshin edhe dete e oqeane të tjerë pa kufizim në numër, nuk do të arrinin të shprehnin madhështinë e kuptimeve të Fjalëve të Allahut. Nga kjo kuptojmë se Dija e Tij është absolute, dhe ajo nuk mund t'i nënshtrohet perceptimi tonë të mangët e të vobektë njerëzor.
- I Dërguari i Allahut-Muhamedi a.s., ishte njeri sikurse ne, por i zgjedhur nga i Lartmadhërishmi për ta përcjellë mesazhin e fundit hyjnor në Tokë.
- Besimtari i vërtetë duhet të jetë i stolisur me modesti, sepse nëse një vepër e tij bëhet për t'u ekspozuar para të tjerëve, për syfaqësi, atëherë ajo konsiderohet e pavlerë. Shumë prej njerëzve bien në lajthitjet e shejtanit, i cili veprat e tyre të mira përpiqet t'ua humbasë duke ua mbjell në zemër ndjenjën e mendjemadhësisë, e cila ua asgjëson dhe shkatërron çdo vepër të mirë.
Në vend të përfundimit
Ja, me ndihmën e Allahut, arritëm edhe në përfundimin e komentimit të kësaj sureje të bekuar, "El-Ke hf", sure e cila konsiderohet si njëra prej sureve më të mistershme kuranore, meqë në të trajtohen ngjarje e ndodhi që tejkalojnë suazat e perceptimit tonë ndijor e shqisor. Këto ngjarje, siç ishte qëndrimi i djelmoshave në shpellë për 309 vjet, pastaj ngjarja e Musait a.s. me Hidrin a.s., udhëtimet e çuditshme të Dhulkarnejnit etj., janë ngjarje që mund t'i përkufizojmë vetëm me një fjalë: si "të mbinatyrshme", ose më saktësisht, si mrekulli me të cilat Allahu xh.sh. i fuqizon të Dërguarit dhe evliatë e të dashurit e Tij.
Secili prej ajeteve të sures "El-Kehf" ka domethënie të madhe dhe kuptimplote, saqë është shumë e vështirë që e tëra të shprehet me anë të penës-lapsit. Madhështia e tyre shpërfaq anën e mrekullisë së fjalës kura nore, e cila të pushton me tërë ëmbëlsinë e saj, duke hapur para nesh horizonte e vizione që janë vështirë të kapshme në vrojtimin e parë. Vetëm pas një studimi e meditimi serioz të këtyre ajeteve ne mund të depërtojmë ngapak në thellësinë kuptimore të tyre. Mbase fakti që leximi i kësaj sureje, apo i dhjetë ajeteve të fillimit, ose i dhjetë ajeteve të fundit të saj, është porositur nga vetë i Dërguari i Allahut, na shtyn të meditojmë edhe më thellë dhe të gjurmojmë edhe më shumë në fshehtësitë e kësaj sureje.
Duke u nisur nga këto porosi profetike ne shohim një ndërlidhshmëri të çuditshme të sprovave për të cilat na flet kjo sure, veçmas me sprovat dhe fitnet e Dexhallit, që vjen pak para fundit të botës. Pikërisht për këtë arsye do të sjellim edhe një herë disa nga këto thënie të bekuara të Resulullahit s.a.v.s. lidhur me leximin e disa ajeteve të sures "El-Kehf", të cilët do të na mbrojnë prej sprovave të Dexhallit.
Transmetohet nga Ebu Derdaja të ketë thënë: "Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: "Ai që i mëson përmendsh dhjetë ajetet e para të sures "El-Kehf", do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhallit."(10)
Transmeton Ahmedi në Musnedin e tij, që i Dërguari i Allahut të ketë thënë: "Ai që i lexon 10 ajetet e fundit të sures "El-Kehf", ai do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhallit."(11)
Ndërsa, në Sahihun e Ibn Hibbanit nga Resulullahu s.a.v.s. gjendet ky hadith, i cili thotë: "Ai që i lexon 10 ajete të sures "El-Kehf", ai do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhallit"(12)
Dhe, në Sunenin e Tirmidhiut gjendet ky hadith, nga i Dërguari a.s., me këtë përmbajtje: "Ai që i lexon 3 ajetet e para të sures "El-Kehf", ai do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhallit."(13)
Të gjitha këto porosi nga i Dërguari i Allahut, na dëftojnë për ruajtjen dhe mbrojtjen nga Dexhalli, i cili është fitneja më e madhe që do ta godasë këtë Ymet, para fundit të Botës dhe kataklizmës. Dihet se kur Dexhalli të shfaqet, me lejen e Allahut, do t'i sprovojë njerëzit në katër mënyra të mëdha, pikërisht katër sprovat për të cilat bën fjalë edhe surja "El-Kehf".
Sprova e parë është në besim: - Nënkupton faktin se Dexhalli për t'i sprovuar njerëzit në Imanë, (me lejen e Allahut), ai do t'i joshë ata me gjëra të ndryshme, me anë të të cilave do t'i hutojë dhe do t'i lë në lajthitje gjithë besimtarët e luhatshëm. Kur këta njerëz, labilë në besimin e tyre, u besojnë mashtrimeve të Dexhallit, ai ua vulos ballin e tyre me fjalën "kafir". Madje, ai do t'i urdhërojë këta njerëz që ta adhurojnë atë në vend të Allahut. Megjithatë, edhe nga kjo sprovë e madhe ka shpëtim, për të cilin na flet edhe ajeti i 28-të i kësaj sureje: "Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote, dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe që i është dhënë epshit të vet, sepse puna e tij ka mbaruar!"
Kjo do të thotë se shpëtimi nga kjo sprovë është shoqërimi me njerëz të mirë dhe dijetarë të devotshëm, preokupimi dhe brenga kryesore e të cilëve është thirrja në rrugën e Allahut dhe udhëzimi i njerëzve në rrugën e vërtetë, pikërisht ashtu siç vepruan djemtë që u strehuan në shpellë, për të shpëtuar besimin e tyre nga një sundimtar tiran i kohës së tyre.
Sprova e dytë është në pasuri: - Që nënkupton një fakt tjetër, se Dexhalli (me lejen e Allahut) do ta urdhërojë qiellin të pikojë shi, dhe në duar do të ketë pasuri të mëdha që do t'ua ofrojë njerëzve.
Nga të tilla joshje e tundime do të jenë të mbrojtur vetëm besimtarët e vërtetë e stabilë, kurse ata të luhatshmit, ata kanë për të rënë pre e këtyre mashtrimeve. Ata nuk do të arrijnë që nëpërmjet dritës së imanit të ndriçojnë e kthjellojnë mendjet e tyre, kështu që do të jenë pre e këtyre grackave të Dexhallit. Shpëtimi nga kjo sprovë është që njeriu ta dijë saktësisht të vërtetën e kësaj bote, se është kalimtare, dhe se çdo gjë në të një ditë do të zhduket. Asnjë pasuri materiale nuk do të mbijetojë; çdo gjë do të zhduket e shkatërro het, kurse të përjetshme mbesin vetëm veprat e mira e të përshpirtshme, "El-Bakijatu-s-Salihatu", të cilat do t'i gjejmë pranë mëshirës së pakufishme të Allahut xh.sh.
Në lidhje me këtë shpëtim të synuar flasin edhe ajetet 45-46 të sures "El-Kehf": "E ti (Muhamed) paraqitu atyre shembullin e jetës së kësaj bote, që është si uji (shiu) që Ne e lëshojmë nga qielli, dhe bimësia e tokës përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë (byk), të cilin e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për çdo gjë.
Pasuria dhe fëmijët (djemtë) janë stoli e jetës së kësaj bote, por veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë më të mira te Zoti yt, sa i përket shpërblim it, dhe janë shpresa më e mirë".
Sprova e tretë është sprova në dituri: - Kur Dexhalli të jetë shfaqur, ai (me lejen e Allahut), do t'i njoftojë njerëzit me shumë lajme, duke i vënë kështu në një sprovë të rëndë, dhe duke i hutuar ata që në zemra kanë dyshime dhe hipokrizi. Në ato kohë të vështira mbase mediat dhe qendrat e mëdha informative do të kenë aq shumë ndikim te njerëzit, saqë njerëzit sikur të magjepsur do t'i besojnë çdo lajmi që plasohet, qoftë ai edhe i pavërtetë. Pikërisht këtë avantazh mediatik do ta shfrytëzojë Dexhalli, i cili do të ndikojë në secilin njeri të luhatshëm. Megjithatë besimtarët e dëlirë e shohin qartë rrugëdaljen dhe shpëtimin nga kjo sprovë e madhe, duke qenë modest, të përulur dhe duke u larguar nga mendjemadhësia, sepse njeriu që e ka këtë cilësi të urryer pashmangshëm shkon në humbje e shkatërrim. Në lidhje me shpëtimin nga kjo sprovë flet edhe ajeti i 96-të i sures El-Kehf: "(Musai) Tha: "Në dashtë Alla hu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të të kundërshtoj ty asgjë."
Dhe, sprova e katërt, dhe e fundit që e shtjellon kjo sure, e të cilën do ta përdorë edhe Dexhalli, për t'i devijuar njerëzit nga rruga e drejtë, pra është sprova e pushtetit. Ashtu siç jemi njoftuar nga hadithet e Resu lullahit s.a.v.s., Dexhalli do të pushtojë shumë vende në Tokë, dhe do të ketë në dorë pushtet të paparë deri atëherë, me se njerëzit e luhatshëm do të vihen në sprovë aq të madhe saqë nga tundimi i kësaj sprove mund të shpëtojnë vetëm ata që janë të pajisur me sinqeritet dhe përkujtim të Ahiretit. Çdo gjë që bëhet për hir të arritjes së kënaqësisë së Allahut është shumë më e vlefshme sesa çdo pushtet tokësor, i cili një ditë do të zhduket e do të lihet në harresën e kohës. Shembulli më i mirë i shpëtimit nga kjo sprovë tunduese e pushte tit është Dhulkarnejni, i cili konsiderohet si njëri prej sundimtarëve më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë historia njerëzore. Ai, përkundër pushtetit absolut që kishte, shquhej me modesti e mëshirë ndaj të paarsimuarve dhe njerëzve të pakrahë, duke i ndihmuar ata kundër armiqve të tyre, gjithnjë duke qenë falënderues ndaj Allahut, duke përkujtuar Ahiretin dhe daljen para Madhërisë së Allahut Fuqiplotë.
Mbrojtja nga sprova e pushtetit sqarohet në këto dy ajete në vazhdim: "Thuaj: A t'ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre? Ata janë që veprimi i tyre u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë mendojnë se janë duke bërë mirë." (El-Kehf, 103-104). Kjo nënkupton se vetëm sinqeriteti në vepra, modestia dhe përkujtimi i Ahiretit do të na mbrojë e shpëtojë nga sprova tunduese e pushtetit. Ai që beson se pas vdekjes do të ketë ringjallje, ai do të ketë bagazh të mjaftueshëm të gjendet në anën e grupit të shpëtuar.
Dhe, krejt në fund të sures, si mbrojtje nga të gjitha këto sprova së bashku, vjen ajeti 110: "Thuaj: Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askënd!", duke na bërë me dije se përkujtimi i Ahiretit dhe i takimit me Allahun Fuqiplotë mund të na shpëtojë nga çdo fitne, sprovë e kësaj bote të përkohshme.
E lusim Allahun e Gjithëmëshirshëm e të Gjithë pushtetshëm të na mbrojë nga sprovat dhe fitnet e Dexhallit, sprova të cilat do të jenë shkak i humbjes e lajthitjes së shumë njerëzve të luhatshëm në kohën kur të jetë afruar Kataklizma përfundimtare dhe fundi i Botës. Nga këto sprova do të shpëtojnë vetëm ata që në zemrat e tyre kanë dëlirësinë, e cila e ushqen besimin e pastër të tyre, duke mos i lënë ata të rrëshqasin në humnerat dhe greminat e mosbesimit.
- Fund -
__________________
(1) Sahihul Buhari Kreu "Gradat e luftëtarëve në rrugën e Allahut" - vëll. VI, f. 11; Muslimi (1/163); Tirmidhiu (4/673); Ibn Maxhe (1/66) dhe Imam Ahmedinë "Musned" (2/335). Shih edhe "Et-Tefsiru-l-Besit" nga Vahidiu, vëll. XIV, f. 169.
(2) Sahihul Buhari (2790).
(3) Transmeton Darekutniu nga Ali in Ebi Talibi r.a. Këtë e ka koleksionuar muhadithi i Shamit, Imam Ibn Asakiri (499-571 h.), në përmbledhjen e tij: "Med'hut-tevadu ve dhemmul-kibr", Damask-Bejrut, 1993, f. 35.
(4) El-Vahidi jen-Nisaburi, f. 491; Shih: Transmeton Imam Ahmedi (1/255); Tirmidhiu (3140); EbuJa'la (2501); Ibn Hibbani (99); Hakimi (2/531). Bejhekiu në "Delailu-n-Nubuvveti", (2/269). Shih po ashtu: "Lubabu-n-Nukuli fi esbabi-n-Nuzuli - nga Imam Suju tiu, f. 169-170.
(5) El-Mustedrek (2/111).
(6)Lubabu-n-Nukuli fi esbabi-n-Nuzuli - nga Imam Sujutiu, f. 170. Shih po ashtu: Isam ibn Abdul Muhsin el-Humejdan, Es-Sahihu min esbabi-n-Nu zuli, Bejrut, 1999, f. 233.
(7) Lubabu-n-Nukuli fi esbabi-n-Nuzuli - nga Imam Sujutiu, f. 170.
(8) El-Vahidijen-Nisaburi, Esba bu-n-Nuzul, f. 491.
(9) Et-Tefsiru-l-Munir, vëll. XVI, f. 378.
(10) Transmeton Muslimi (709)-Hadithi është i kategorisë "sahih"
(11) Shih Musnedin e Ahmedit (6/446). Zinxhiri transmetues (Isnadi) është "sahih"
(12) Shih Sahihun e Ibn Hibbanit (3/65) Zinxhiri transmetues (Isnadi) është "sahih"
(13) Shih Sunenin e Tirmidhiut (2886). Hadithi është i kategorisë "hasen sahih", ndërkohë që edhe zinxhiri transmetues (Isnadi) është "sahih"
Sabri Bajgora